leoni

Intervistë me Albërie Dervishin, bija e dëshmorit, Agim Dervishi

Intervistë me Albërie Dervishin, bija e dëshmorit, Agim Dervishi

RKL: E nderuara Alberie, mirë se vini në valët e Radios Kosova e Lirë!

Albërie Agim Dervishi: Mirë se ju gjeta!

 

 RKL: Babai i Juaj ka qenë pjesë veprimtarëve ilegal të viteve 1992, pastaj bashkë me Komandantin Ilaz Kodra ka vepruar një kohë të gjatë.  Sa jeni e njohur me aktivitetin luftarak të babit Tuaj?

 Albërie Agim Dervishi: Nuk mbaj mend  aq shumë sepse isha vetëm 6 vjeç kur ka rënë babai im. Por, për babanë tim dëshmor kam mësuar nga anëtaret e familjes, nga shokët e Babit. I gjithë farefisi e donin sepse kishte zemër të pastër dhe bujare.  Tani e di se Babai im, dëshmori i UÇK-së Agim Sadri Dervishi,  ka dhënë kontribut të çmuar në luftën për liri dhe çlirim kombëtar.

 

 RKL: Ku jeni sot ju fëmijët e dëshmorit  të kombit, Agim Dervishi më se merreni a keni studiuar, a punoni?

 Albërie Agim Dervishi: Ne fëmijët e Dëshmorit Agim Dervishi punojmë nga pak, nuk jemi në punë të shtetit, por punojmë sot për nesër. S’kemi punë të sigurt asnjeri. Vëllai im ka aplikuar në policinë e Kosovës, por shpresat janë të pakta për t u pranuar, Ju dini se për 300 vende pune kanë konkurruar dhjetëra mijëra.  Unë dhe vëllai më i ri se unë, studiojmë. Vëllai studion në Universitetin FAMA, ndërsa unë në Universitetin e Prishtinës, Dega Edukim parashkollor.

 

RKL: Cilët janë bashkëluftëtarët e babait Tuaj dhe a ju vizitojnë, a mbani kontakte me ta?

Albërie Agim Dervishi: Bashkëluftëtarët e tij janë: Sabit Lladrovci, Ilir Dervishi, Qamil Dervishi, Sokol Elshani, Gani Elshani, Imer Gashi, etj. Ilir Dervishi është djalë i xhaxhait të Babit, ne  jemi me të në kontakt gjithmonë. Edhe Qamil Dervishi është kushëriri i Babit kemi kontakte me të. Sabit Lladrovci,  na viziton shpesh dhe na ka ndihmuar shumë. Me këtë rast shfrytëzoj rastin ta falënderoj në emër të familjes i jemi mirënjohës  gjithë jetën. Ndërsa këta të tjerët që i përmenda janë dëshmor të kombit.

 

RKL: Si ndiheni në përvjetorët e rënies se babit?

Albërie Agim Dervishi: Janë momente të rënda çdo herë e ndjej mungesën e tij. Zemrat tona akoma ndjejnë dhimbje e sidomos me  30 prill, kur e ka babi Përvjetorin e rënies. Na mungon dhe na nevojitet shumë. Të gjitha kujtimet që kemi janë shumë të forta, edhe pse u bënë 19vjet pa të. U rrita me mall, me mallin që ta thërras emrin, Baba. Më la kur isha vetëm 6 vjeç. Më la ende pa e njohur mirë zërin e Tij, ende pa e perceptuar mire fytyrën, pa e ndjerë ledhatimin, përkrahjen, përqafimin. Më le herët Baba… Babi, jam krenare për ty dhe do të jem krenaria jote deri në pafundësi !! Te betohem qe kur nuk do te zhgënjej, unë jam TI…

 

 RKL: A mendoni se shoqëria dhe institucionet tona kanë bërë mjaft për familjet e dëshmorëve?

Albërie Agim Dervishi: -Nuk është asnjëherë e mjaftueshme. Mbase meritojnë shumë më shumë. Ata dhanë jetën për ketë vend. Mua më duket që kanë harruar Institucionet, kanë harruar me të vërtetë…

 

RKL: A ruani diçka të veçantë nga babai, ndonjë relikt, të babit Tuaj?

Albërie Agim Dervishi:  Përveç shumë mirënjohjeve që kemi marrë nga Shoqatat e Dala nga Lufta, s’kemi asgjë tjetër, sepse na dogjën të gjitha. Do dëshiroja shumë te kisha diçka dhe ta ruaj me dashuri e mall të veçantë  por fatkeqësisht nuk kemi! -Ne kemi qenë në Verbovc, po në atë vend ku edhe është përjetësuar  Babi. Nuk kemi ditur plot 3 muaj që Babi ka ndërruar jetë. Diku tre muaj më vonë e  kemi kuptuar që Babi, nuk jeton më. Ai është përjetësuar në Altarin e Lirisë së Kosovës  së bashku me Komandantin, Ilaz Kodra.

 

 RKL: E nderuara Albërije, ju falënderojmë se u bëtë pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Ju urojmë nga zemra shëndet e suksese në jetë!

Albërije Agim Dervishi: E nderuara Arbana, faleminderit për mundësinë, ju uroj punë të mbarë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …