leoni

Intervistë me drejtorin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ruzhdi Jashari

RKL: Z. drejtor, për fillim të intervistës  a mund të na përshkruani  fushëveprimtarinë e Agjencisë që ju e  drejtoni…

Jashari: Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Republikës së Kosovës nuk  ka ndonjë histori të gjatë. Është një agjenci e re dhe bie në sferën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë; në përgjithësi ajo është një prej institucioneve me interes në nivel vendi, për procesin e integrimeve evropiane. Themelimi i agjencisë është mbi bazën e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave të Republikës së Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi në majin e vitit 2010, ndërkaq në fundin e qershorit të vitit 2011 është bërë  emërimi i stafit të Agjencisë. Ajo përbëhet prej Këshillit të Agjencisë, i cili ka pesë mbikëqyrës shtetëror. Si kryembikqyrës për udhëheqjen dhe organizimin Këshillit të Agjencisë dhe Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale jam emëruar unë me propozimin e Qeverisë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Organizimi i brendshëm i agjencisë është në përbërje prej tri drejtorive dhe prej Zyrës të Mbështetjes të Inspektimit, Hetimit dhe Kontrollit. Zyra e Inspektimit është drejtpërdrejtë në funksion të Këshillit Mbikëqyrës,  ndërkaq drejtoritë janë të përvijuara me punën e tyre në fushat e përcaktuara në bazë të rregullores dhe organogramit  të aprovuar në agjenci dhe të konstruktuara nga të gjitha institucionet në vend. Puna është pak më tepër se dyvjeçare, ndërkaq njohuritë, bashkëpunimi, aktiviteti, vendosmëria kanë bërë që me një përkushtim serioz të këtij stafi, ky institucion të mos jetë i mbyllur por të jetë një institucion që ka përçuar zërin në aktivitetin e vet edhe jashtë vendit. Brenda në institucion, punët janë të matura dhe të përmbushura sipas kritereve të kërkuara sipas standardeve dhe si institucion jemi pranuar në institucionin  më të lartë ndërkombëtar në Konferencën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Në takimin e 35-të me radhë që u mbajtë shtatorin e vitit të kaluar, Kosova është pranuar me të drejta të plota. Aktiviteti i ynë ka qenë i dukshëm në të gjitha sesionet e konferencës, me ç’rast kemi arritur që të jemi pjesë e 13 shteteve në grupin punues për hartimin e strategjisë globale në nivel ndërkombëtar për mbrojtjen e të dhënave personale. Në kuadër të këtyre 13 shteteve prinë Zelanda, ndërsa Kosova bën pjesë në këtë grup për krijimin e një strategjie globale për organizimin në nivel ndërkombëtar të konferencave të tilla, sensibilizimit dhe edukimit për periudhë trevjeçare. Vitin që lamë pas ne jemi anëtarësuar në Autoritetet  e Mbrojtjes të të Dhënave Personale në Konferencën e quajtur Spring Conference ose Konferenca Pranverore. Në këtë konferencë marrin pjesë të gjitha autoritetet e shteteve të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Një prej kritereve që duhet patjetër të plotësohet është që secili autoritet të jetë pjesë e shtetit të anëtarësuar në KE dhe BE. Kosova ende nuk është anëtare, mirëpo ne e kemi statutin e vëzhguesit të përhershëm dhe Kosova nuk konkurron më aty. Sidoqoftë, tendenca e ecjes është përpara dhe ne jemi pjesë e këtij evenimenti . Poashtu ne e kemi ftesën që në vitin 2015 të jemi pjesëmarrës edhe në konferencën e radhës që organizohet në Mançester të Anglisë. Këto janë disa prej aktiviteteve që janë bërë për bashkëpunim në nivel ndërkombëtar, por ne kemi edhe detyra në bazë të rekomandimeve të Konferencës Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut.

RKL: Për cilat rekomandime e keni fjalën?

Jashari: Disa prej rekomandimeve të kësaj deklarate janë aspektet e bashkëpunimit rajonal. Çështja e këtyre është në fokus në interes të njerëzimit në interes të drejtave dhe lirive të njeriut në interes të pasivizimit dhe në interes të mirës së përgjithshme të njerëzimit. E dhëna personale dhe privatësia e qytetarëve është pjesë e të drejtave të njeriut në deklaratën universale të drejtave të njeriut; parimi numër një i deklaratës është dinjiteti i njeriut, çështja e ruajtjes së integritetit të tij të brendshëm dhe  ruajtjes së të dhënave të tij personale. Në frymën e saj,  ne si Agjenci në interes të qytetarëve tanë kemi bërë përpjekje që në vitin 2012, pas 4 muajve të jemi nënshkrues të marrëveshjes bilaterale me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, Hungarinë si dhe me Slloveninë. Viti 2012 ka përmbyllë marrëveshjen bilaterale me Kroacinë, dhe gjatë po këtij viti ne kemi pas një organizim të përbashkët mes 4 shteteve.

RKL: Çka del prej këtyre marrëveshjeve? 

Jashari: Nga këto marrëveshje pritet të dalin bashkëpunime serioze në fushën e transferimit të të dhënave personale, pastaj në aspektin e zhvillimit të teknologjisë informative me qasje të përbashkët,  në zhvillimin dhe sjelljen e eksperiencës në fushën e zhvillimit të teknologjisë informative dhe legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. Ky është, pra, fokusi i këtyre bashkëpunimeve. Përveç kësaj, synimet tona shkojnë edhe më tutje që ne në të ardhmen të themelojmë një institut të nivelit rajonal për mbrojtjen e të dhënave personale. Kësaj ideje i ka prirë Kosova rreth kësaj  ideje, mirëpo kjo implikon edhe aspekte të tjera financiare.  Vitin e kaluar ne kemi pasur një mbështetje nga instrumentet e ndihmës të Bashkimit Evropian të ashtuquajtur TAJEKS. Në fushën e legjislacionit, ne kemi arritur të nxjerrim 6 udhëzime të fushave të ndryshme.  Në fushën e mbrojtjes së të dhënave kemi pasur ekspertë të lëmisë përkatëse,  përkatësisht ekspertë të Gjermanisë. Me ta është punuar edhe në studimin e fizibilitetit brenda në Agjenci, përkatësisht nevojave profesionale dhe zhvillimit të këtij institucioni. Ne e dimë saktë se si do të ndërtohet ky institucion, pastaj cilat profile dhe profesione janë të nevojshme dhe të domosdoshme dhe për hapat e mëtutjeshëm rreth stabilizimit, funksionalizimit dhe rreth përmbylljes së kërkesave me kapacitetet e nevojshme. Zhvillimet janë të reja në fushën e teknologjisë informative. Mundësia e hapjes dhe keqpërdorimit të të dhënave të qytetareve është shumë e theksuar, ndërkaq rregullat që ndërtohen për mbrojtjen e të dhënave shkojnë në vazhdën e këtyre rregullave. Ne kemi bërë përpjekje që të jemi në hap me zhvillimet e reja në fushën e mbrojtjes së të dhënave me legjislacionin e BE-së. Agjencia ka pasur shumë punë në nxjerrjen e akteve legjislative, shumë punë në aktivitete e në inspektime.

RKL: Cili është roli i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në funksion të subjekteve të të dhënave personale?

Jashari: Të dhënat e qytetarëve lihen, plasohen ose jepen gjithkund për të realizuar një interes legjitim personal tek secili qytetar. Të dhënat plasohen me rastin e punësimit, studimit etj. Te dhënat personale në aspektin e sigurisë sulmohen edhe gjatë vëzhgimeve me kamerë, pastaj nëpër faqe sociale si Twiter,  Facebook, legjitimimi nga ana e policisë, gjatë sistemeve bankare etj. Me një fjalë, e dhëna personale ka akces shumë të madh dhe nëse nuk punohet në baza ligjore, mundësia e keqpërdorimit është shumë e madhe. Në përpjeke të evitimit të këtyre dukurive  negative gjithmonë vepron Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Roli i Agjencisë është mbikëqyrja e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

 RKL: Cilat janë procedurat që duhet ndjekur për realizimin e të drejtës për qasje?

 Jashari: Subjektet kanë të drejtë që çdo herë të kenë qasje në të dhënat personale; kanë të drejtë të kërkojnë bllokimin e tyre, ndalimin e përkohshëm të tyre;  shkatërrimin e atyre të dhënave; kanë të drejtë të shtojnë të dhënat personale në rast se diku mungon diçka e rëndësishme; kanë të drejtë të fshijnë të dhënat personale. Këto, pra, janë të drejtat e subjektit të të dhënave personale që janë të garantuara e të mbrojtura me ligjin e të dhënave personale.

 RKL: Si realizohen këto të drejta?

Jashari: Këto të drejta realizohen pa kompensim dhe ndaj secilit kontrollues ku subjekti i të dhënave personale ka deponuar të dhënat e tij. Në rast se konstatohen shkelje, atëherë qytetari shqetësimet e tij, në rast se dyshon se janë shkelë të dhënat e tij, i orienton te tek kontrolluesi i të dhënave te institucioni. Por në rast se institucioni nuk merr masa, përgjigjet në kërkesa të subjektit. Pra ne jemi avokatë të qytetarëve në realizimin e të drejtës së subjektit të dhënave personale. Qytetari kërkesën mund ta drejtoj me shkrim, përmes telefonit, emajlit ose mund ta shkarkoj formularin, i cili është enkas i punuar në web faqen e ministrisë ku qytetari specifikon kërkesën e tij . Afatet e përgjigjes janë dy javë deri një muaj. Me mburrje mund të them se të gjitha kërkesat e qytetarëve që janë drejtuar në agjenci, janë përfunduar brenda afatit ligjor.

RKL: Çfarë kufizime parasheh Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale?

Jashari: Ka disa kufizime, të cilat bëhen për shkaqe të mbrojtjes kombëtare të vendit, mbrojtjes sociale të popullsisë, mbrojtjes së nivelit shëndetësor. Kufizime ka edhe te çështja e përjashtimeve në hetuesi, por këto kufizime nuk e ndalojnë zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Ky ligj zbatohet dhe  funksionon, por janë vetëm disa dispozita të neneve 14, 16, 19, 20 dhe 21, nga të cilët ka disa kufizime.

RKL: Çka nënkuptojnë këto dispozita?

Jashari: Me këto dispozita, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka drejtorinë e regjistrit dhe të dosjes. Me ligj, Agjencia ka të drejtën që të  gjitha subjektet ta marrin njoftimin e dosjeve dhe regjistrit që kanë institucionet për kategorinë e të dhënave personale.  , Në raste të caktuara kur hetuesia ndjek raste te caktuara si psh kërcënimet nga terrorizmi ndërkombëtar, prokuroria nuk është e detyruar  të njoftojë Agjencinë për kategorinë e tillë të përdorimit të të dhënave ngase bëhet fjalë për një çështje të hetuesisë. Edhe këtu lipset kërkesa për regjistrim të dosjes .

RKL: Me cilat institucione vendore keni bashkëpunim?

Jashari: Ne bashkëpunojmë me të gjitha institucionet vendore por edhe ato ndërkombëtare. Bashkëpunimi është obligativ sepse është ligji i ndërlidhur me të gjitha institucionet duke filluar nga niveli qendror e deri te ai lokal. Ligji nuk e përjashton as një organ qoftë edhe privat, ligji vepron edhe me ambasadat, konsullatat qoftë diplomatike ose ekonomike. Sipas neneve 37, 38,  39,  e gjithë masa legjislative në nivel vendi detyrohet të merret me këto nene. Edhe Kuvendi edhe Qeveria e Kosovës për gjithë masën  legjislative që hartojnë duhet të marrin rekomandimin nga Agjencia. Dhe ky detyrim ligjor po funksionalizohet nga Qeveria dhe nga ministritë. Më parë ka pasur reagime nga Raporti i Progresit se nuk është duke u konsultuar mjaftueshëm Agjencia, por tani Agjencia konsultohet dhe ne japim mendimet tona në procese të ndryshme duke filluar nga ligjet, udhëzimet administrative, rregulloret e ndryshme të punës, marrëveshjet e brendshme e të jashtme e kështu me radhë.  Në këtë drejtim Agjencia ka të drejtë të bllokoj përpunimin e të dhënave  në rast se konstaton në terren që ka shkelje të të dhënave personale si dhe ka të drejtën e konfiskimit të dosjeve e serverëve.

 RKL: Deri tani keni nënshkruar një sërë marrëveshjesh me organizata të ndryshme ndërkombëtare, mund ti cekni disa?

Jashari: Marrëveshje më karakter ndërkombëtar janë ato me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi me Bullgarinë, Slloveninë e Kroacinë. Me Shqipërinë, Malin e Zi me Bullgarinë kemi bërë marrëveshje shumë palëshe dhe kemi specifikuar fushat konkrete të punës. Veç kësaj ne kemi një varg marrëveshjesh të brendshme te bashkëpunimit  me institucione të ndryshme si: Agjencinë e policisë, FSK- në si dhe jemi në prag të nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës dhe me dy universitete private. Duhet përmendur se kemi bashkëpunim të përditshëm me shoqërinë civile.

RKL: Faleminderit për kohën…

Jashari: Përshëndetje të veçantë për dëgjuesit e Radios Kosova e Lirë, zërit të lirisë, i cili ishte gjithmonë konsistent me kërkesat e kohës.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …