- Si ishte viti 2013 për ATK-në, cilat janë pikat që mund të themi janë karakteristikat e këtij viti për ATK-në ?
Haliti: Viti 2013 është një vit i cili do të mbahet mend në ATK sigurisht për sukseset të cilat janë arritur gjatë këtij viti. Mund të flitet gjatë, duke filluar nga ofrimi i përhershëm i sa më shumë shërbimeve cilësore, përmes implementimit të shumë projekteve të cilat dhe inkurajojnë përmbushjen e Tatimpaguesve, në funksion të një sistemi modern tatimor dhe në funksion të lehtësirave të arritjes së objektivave të përgjithshme. Të hyrat kanë shënuar një rritje të konsiderueshme përkundër trendëve jo të mira ekonomike në Kosovë. Ajo çka shënohet si shenjë dalluese për administratën Tatimore është se ka arritur të ruaj dhe ngris imazhin e një administrate dinamike dhe në shërbim të të gjitha palëve të interesit. Në kuptimin e modernizimit të sistemit tatimor ATK ka zgjeruar gamën e deklarimit elektronik edhe për lloje të tjera të tatimeve. Është shtrirë në të gjitha zyrat regjionale shërbimi i ekselencës “menaxhimi i radhës” i cili garanton një menaxhim dhe kualitet më të mirë për tatimpaguesit, është themeluar një divizion i ri në kuadër të ATK-së e që është divizioni për bashkëpunim ndërkombëtar në kuadër të të cilit do të trajtohen çështjet e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimi i informatave dhe traktatet për tatimimin e dyfishtë. Por në përgjithësi është vlerësim yni dhe po ashtu edhe i organizatave ndërkombëtare që na monitorojnë, së viti 2013 mund të karakterizohet si një vit në të cilin kemi arritur të tejkalojmë planin e të hyrave dhe njëkohësisht kemi ndërtuar një sistem modern të administrimit të tatimeve, e I cili lirisht mund të krahasohet me Standardet evropiane dhe mbi nivelin e regjionit.
- Duke marr parasysh se Sistemi tatimor në Kosovë është i ri njësoj si edhe vet shteti i Kosovës, cili është vizioni i ATK-së me qëllim që obligimi tatimor të përmbushet në mënyrë vullnetare nga tatimpaguesit dhe në rast të mospërmbushjes tatimpaguesit të identifikohen me kohë si jo përmbushës ?
Haliti: ATK është në vigjilje të shënimit të 14 vjetorit të themelimit të saj. Fillimisht si Autoritet Qendror Fiskal (AQF), e nga viti 2003 si ATK. Është e vërtet se është një sistem komplet i ri i pagesës së tatimeve nga ai që ka qenë më herët. Por përparësia është se ky sistem është jashtëzakonisht i lehtë dhe me normat më të ulëta në regjion. Ne si objektiv kryesore kemi që fillimisht të informojmë dhe ofrojmë gjithë logjistikën në mënyrë që tatimpaguesi me kohë dhe saktësisht ti përmbushë obligimet tatimore. Por në raste kur ata dështojnë të kryejnë këtë obligim ligjor, ATK ka edhe procedurat e identifikimit dhe ndjekjes për mosdeklarim përkatësisht nëndekalrim të tatimeve të cilat i’a autorizon ligji tatimor në fuqi. Ne me mburrje themi se në Kosovë kemi përmushjen vullnetare rreth 85 %. Pra nisur nga ky fakt se afro 58% e tatimpaguesve deklarojnë dhe kryejnë obligimet e tyre ashtu siç e parasheh ligji na bënë të besojmë se jemi në rrugën e drejt për përmbushjen e misionit që na është besuar me synimin që të vazhdojmë përpjekjet që kjo përqindje të jetë sa më lartë dhe ti afrohet 100%. Sido që të jetë pjesën e mos-përmbushësve tatimor ne e trajtojmë me kujdes dhe për këtë njësi të veçanta brenda ATK-së siç janë: Njësit e Specializuara për Hetime, Njësia për Menaxhimin e Rrezikut, të cilat mision të tyre parësor kanë identifikimin e tatimpaguesve delikuent dhe ata të cilët qëllimisht bëjnë shmangie tatimore. Motoja e përgjithshme e punës tonë qëndron në krijimin e një mjedisi, i cili mbështet fuqimisht përmbushjen e detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve. Objektiv i përgjithshëm i joni është të planifikojmë dhe zbatojmë sa me shume veprime se si mund të bëhet kundërpërgjigja në mënyrë që të arrihet efekti sa më i lartë te sjellja e tatimpaguesve në grupin e synuar, me përdorimin e sa më pak burimeve dhe të japë kështu orientime për planin operativ dhe për zyrat regjionale, se si duhet t’i zhvillojnë veprimtaritë për përmbushjen e detyrimeve nga tatimpaguesit. Plani detal i veprimit te përmbushjes, është busulla e veprimeve tona e kundërpërgjigjes, të cilat do të sjellin produkte, të cilat priten të kenë ndikim te sjellja e tatimpaguesve, lidhur me përmbushjen e detyrimeve tatimore.
- Përmendët rangimin dhe vlerësimin pozitiv të ATK-së në raportet e organizatave ndërkombëtare, si ndikon ky fakt në tërheqjen e investitorëve të huaj ?
Haliti: Padyshim se vlerësimet pozitive të organizatave ndërkombëtare kanë ndikim pozitiv në këtë aspekt dhe njëherit na motivojnë për punë të mëtutjeshme. Në të gjitha raportet të cilat janë lëshuar nga organizatat ndërkombëtare që kanë për qëllim të monitorojnë punën e institucioneve të Kosovës, ATK pa përjashtim përmendet si një institucion ku ka pas progres të shënuar dhe pa dyshim se kjo do të ndikojë në tërheqjen e investitorëve të huaj. Është shumë normale se secili investitor para se të vendos mbi investimet e kapitalit të vetë ai gjithsesi dp bëjë një hulumtim/studim se cila është klima e të bërit biznes në atë vend, cilat janë politikat tatimore etj. Por është indikator jashtëzakonisht i rëndësishëm sistemi tatimor dhe normat tatimore. A është sistemi tatimor i thjeshtë dhe a janë normat tatimore të ulëta, në rastin e Kosovës përgjigjja është Po.
- Cili është bashkëpunimi juaj me shoqata të bizneseve dhe se ata kanë qasje në ATK për të trajtuar çështje problemore në interes të bizneseve/tatimpaguesve ?
Haliti: ATK ka instaluar një mekanizëm jashtëzakonisht demokratik në raport me shoqatat e bizneseve i cili mekanizëm funksion në mënyrë shumë të mirë tash e sa kohë. Së paku 2 herë në vit kemi takimin me palët e interesit në të cilin bëjnë pjesë të gjitha shoqatat e bizneseve të regjistruara në Kosovës, Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës, Odat Ekonomike, Shoqata e Kontabilistëve etj. Në këto takime shoqatat e bizneseve kanë mundësin të paraqesin të gjitha shqetësimet e tyre, të japin ide dhe të bëjnë propozime lidhur me atë se si mund të funksionojmë më mirë në mënyre që deklarimi dhe pagesa e tatimit të jetë sa më i lehtë për tatimpaguesit. Pavarësisht nga ky mekanizëm jo formal ne takohemi shumë shpesh edhe me shoqatat e bizneseve edhe veç e veç sa herë që ata kërkojnë për ndonjë çështje të caktuar. Shpesh me kërkesë të tyre edhe organizojmë seminare, trajnime e aktivitete të tjera vetëm e vetëm në ngritjen e përmbushjes tatimore dhe eliminimin e të gjitha paqartësive në përmbushjen e obligimeve tatimore. Unë me kënaqësi e them se jemi në partneritet të shkëlqyeshëm me ta dhe se na bën të lumtur fakti kur këto shoqata/oda në vazhdimësi janë falënderues dhe kanë vlerësim pozitiv për punën e ATK-së.
- Duke marrë parasysh faktin se tatimpaguesit kanë nevojë ende për këshilla lidhur me vetëdijesimin e tyre përmbushjen e obligimeve tatimore në mënyrë vullnetare. Cila është strategjia juaj në ngritjen e kësaj vetëdije ?
Haliti: ATK njërin ndër objektivat kryesore ka përmbushjen vullnetare të tatimeve. Për të arrit ë këtë objektiv natyrisht duhet një ambient tatimor ku vetëdija qytetare për të paguar tatimet jo vetëm të kryhet me saktësi por edhe të konsiderohet si akt patriotik. Ne përmes sektorit te edukimit të tatimpaguesve në vazhdimësi kemi një qasje proaktive në informimin e opinionit publik lidhur me arsyet se pse duhet të paguhen tatimet. Organizojmë seminare, ëorkshope, publikojmë broshura udhëzues e shumë materiale tjera informuese për tatimpaguesit, së fundmi kemi filluar me prezantime edhe për nxënësit e ciklit të ulët që edhe ata të marrin njohuri elementare për rolin e tatimeve. Ne vazhdimisht ju proklamojmë tatimpaguesve se pagesa e tatimeve nuk është hjekje dorë nga pasuria e tyre nga tatimpaguesit. Pagesa e tatimeve është vetëm bashkimi i pjesëve të fondeve individuale për të mirën e përbashkët. Ne si individ nuk do të mund të ndërtonim shkolla, rrugë, spitale e çka është e rëndësishme nuk do të mund të garantonim siguri për vete dhe familjet tona. Por, duke bashkuar këto mjete përmes pagesës së tatimeve ne jemi në gjendje si shtete ti plotësojmë këto nevoja të përbashkëta. Fushata mediale dhe e vetëdijesimit është një mundësi në këtë drejtim. Informacioni, në vetvete, ndikon që një pjesë e grupit të synuar të fillojë t’i përmbushë detyrimet e veta, por megjithatë një pjesë tjetër e madhe e grupit të synuar mund të vazhdojë të mos i përmbushë detyrimet. Prandaj, pasi të jetë shpërndarë informacioni dhe të jenë rritur shanset që grupi i synuar të jetë njoftuar me faktin se ATK-ja do të përqendrohet tek ata, duhen realizuar kontrolle për t’ia bërë të qartë grupit të synuar se ATK-ja jo vetëm do t’i informojë por edhe do t’i sanksionojë ata të cilët do të vazhdojnë të mos i përmbushin detyrimet. Për ta bërë të ditur që ATK-ja është aktive me sanksionet, duhen përdorur mediat për ta hapur fjalën për veprimet. Në këtë mënyrë tatimpaguesit që nuk i përmbushin detyrimet do ta kuptojnë se mos-përmbushja e detyrimeve nuk është rruga e duhur për ta dhe madje do të ketë edhe tatimpagues të tjerë të cilët do të kalojnë kah përmbushja e detyrimeve. Si një formë tjetër që tregon një përkushtim ndaj tatimpaguesve është se ATK është afër tatimpaguesve përmes thirrjeve telefonike meqë ATK përmes Qendrës së Thirrjeve është në kontakt të vazhdueshëm me tatimpaguesit. Qendra e thirrjeve njofton tatimpaguesit lidhur me obligimet e tyre tatimore, risitë që ndodhin në ATK, njofton gjithashtu për procesin e pajisjes me arkë fiskale, etj. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar 16,831 thirrje me 860,635 € të hyra.
- Cilat janë politikat e kontrollit nga ATK. A mund të qëndrojë pohimi i disa tatimpaguesve se ka qasje subjektive ?
Haliti: Pyetje shumë me vend. Këto ankesa mund të dëgjohen shpesh . Por e vërteta qëndron në atë se ATK konform vizionit që theksuam më herët “ trajtim të barabartë” është striktë e përcaktuar në një qasje krejtësisht profesionale për të audituar/kontrolluar tatimpaguesit aty ku dyshojmë për shmangie të tatimit. ATK nën mbështetjen edhe të partnerëve ndërkombëtar ka zhvilluar një modul (softver) ku i janë dhënë parametrat e rrezikshmërisë në bazë të indikatorëve të caktuar dhe të gjithë tatimpaguesit të cilët sistemi kompjuterik i identifikon me rrezikshmëri të lartë caktohen për kontrolle apo rishikim. Kjo do të thotë se masa e subjektivitetit është e shmangur 100% . Realisht edhe pse sistemi i ri në me mburrje themi se ky program i selektimit për kontrolle është jashtëzakonisht i avancuar dhe është mbi standardet e regjionit dhe 100% kompatibil me praktikat evropiane. Ne si shembull mund të japin kur FMN ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë këtë sistem dhe ka ftuar ATK-në që zyrtarët tanë të IT-së të njëjtin ta prezantojmë edhe në shtetet e Karaibeve ku FMN është duke mbështet disa administrata tatimore atje në ndërtimin e sistemeve moderne tatimore.Përveç kësaj ne vitet e fundit kemi ndjekur një politik të tillë ku në raste kur tek tatimpaguesi është gjetur tatim shtese kemi lejuar tatimpaguesin që ai vetë të bëjë deklarimin me qëllim të ikjes së ndëshkimeve dhe pasojave tjera ligjore. Fakti se ne në vitet e fundit kemi reduktuar në masë të madhe numrin e kontrollave të kryera tek tatimpaguesit por kemi ngritje të të hyrave tregon më së miri qasjen tonë objektive ndaj tatimpaguesve.
- Në cilët sektorë është më shumë i shprehur evazioni fiskal dhe çka ka ndërmarr ATK për të zvogëluar evazionin fiskal, ku duhet të fokusohet më shumë ?
Haliti: Për Administrata Tatimore e Kosovës, ky është viti i dytë që zhvillon të gjitha aktivitetet bazuar në një Plan detal të veprimit dhe në Planin e Trajtimit të Rreziqeve, që në vete përfshinë praktikat më pozitive që aplikohen nga administratat moderne duke përfshirë këtu segmentimin e tatimpaguesve sipas veprimtarive dhe ka përcaktuar rreziqet e mospërmbushjes, në kuadër të të cilave përfshihet trajtimi i shumë veprimtarive, të cilat paraqesin rrezik në përmbushjen e obligimeve tatimore. E gjithë kjo ka bërë që nga viti 2009 deri më sot që me norma tatimore të njëjta të kemi rritje vjetore të të hyrave të grumbulluara nga 10% deri 18% krahasuar me periudha të njëjta të viteve paraprake që do të thotë se kemi një trend rritës për (2)dyfishë deri pesëfish(5) më shumë se norma e rritjes ekonomike të GDP ( e cila për ekonominë e Kosovës zakonisht në këto vite sillet rreth 4%). Kjo do të thotë se me aktivitete të planifikuara mirë kemi arritur ta ngushtojmë (zvogëlojmë) hendekun tatimor duke reduktuar evazioni fiskale, ulur ekonominë jo formale.
- Thatë se keni ndërmarrë një varg masash ndaj tatimpaguesve që nuk i kanë kryer me kohë obligimet e tyre ndaj ATK-së. Sa kanë rezultuar ato në zvogëlimin e borxheve, dhe sa është vlera e borxheve aktualisht?
Haliti: Sa i përket borxheve ATK, ka intensifikuar aktivitetet e saj në disa drejtime, kemi zhvilluar modulin e mbledhjes i cili ua lehtëson punën stafit, Si rezultat i aktiviteteve në mbledhjen e detyrueshme të stafit të Operativës përmbushëse kemi arritur që gjatë këtij viti t’i rrisim inkasimet në masë të konsiderueshme. Gjithashtu edhe nga zyra ligjore kemi arritur që t’i procedojmë në gjykatat kompetente kallëzime penale për tatimpaguesit jo përmbushës.
- Sa është numri i inspektorëve në ATK, a është i mjaftueshëm ky numër dhe sa do të duhej të ishte ky numër për ti përmbushur objektivat përmes vizitave, kontrollave dhe aktiviteteve tuaja ?
Haliti: Numri i tërësishëm i stafit të ATK-së është 760 të punësuar, prej të cilëve 359 janë inspektor tereni, qe nëse i krahasojmë me nr. e tatimpaguesve mund të themi se ky numër nuk është i mjaftueshëm. Mirëpo fal zhvillimit të veglës për analizën e riskut, pastaj planit detal të trajtimit të rrezikut dhe moduleve të cilat ua lehtësojnë punën stafit kemi arritur që ta menaxhojmë këtë me sukses dhe të hyrat e ATK-së kanë pasur ngritje të konsiderueshme nga viti në vit.
- Sa i përket projektit të arkave fiskale, a është duke u zhvilluar sipas planifikimit, apo ka ngecje dhe probleme përcjellëse?
Haliti: Mund të konstatojmë se ky është vetëm një nga shumë projekte që impleneton ATK-ja dhe se jemi në rrugë të mirë, deri tani numri i bizneseve të fiskalizuara është 18,660, ndërsa numri i pajisjeve elektronike fiskale është 23,971 sosh. Shikuar nga këndvështrimi i parimeve të riskut administrata me këtë raste ka realizuar objektivat, ka mbuluar atë segment të subjekteve ( prej rreth 20 mijë ) që marrin pjesë në total me mbi 95% të bruto qarkullimit vjetor të përgjithshëm në Kosovë, apo që marrin pjesë në rreth 90% të të gjitha të hyrave të deklaruara dhe paguara nga tatimet. Procesi i fiskalizimit është në progres permanent, i cili ndërlidhet me paraqitjen e bizneseve të reja në treg (regjistrimin e tyre), si dhe daljen nga tregu të atyre ekzistueseve ( ndërprerjen e veprimtarisë apo heqjen dorë nga mënyra e shitjes me para të gatshme).
- Sa i përket Lojërave të Fatit, çfarë do të ndërmarr ATK nëse merret vendimi në Kuvend për mbylljen e subjekteve të lojërave të fatit ?
Haliti: Po është debatuar shume për këtë çështje kohëve të fundit. Administrata Tatimore e Kosovës përkatësisht Divizioni i Lojërave të Fatit pas hyrjes në fuqi të Ligjit 04/L-080 si dhe udhëzimit administrativ të këtij ligji i ka ndërmarr të gjitha masat për parandalim e hapjes së pikave të lojërave të fatit në afërsi të objekteve edukativo-arsimore, të institucioneve historike, fetare dhe të pronës komunale. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji çdo licencë apo çdo zgjerim aktiviteti nuk është bërë pa u plotësuar këto kritere të cilat janë në bazë të Ligjit 04/L-080 dhe neneve të lartshënuara ATK-ja përkatësisht Divizioni i Lojërave te Fatit ka bërë inspektimin e të gjitha bizneseve të Lojërave të Fatit në territorin Republikës së Kosovës, ku deri tani ka shqiptuar me shumë se 50 gjoba për bizneset që nuk kanë respektuar ligjin për lojërat e fatit, vlera financiare e këtyre gjobave është 103.000.00€, dhe për të gjitha rastet që kanë kërkuar vazhdimin e licencave kemi hapur kontrolle të rregullta, gjithashtu ne në bashkëpunim me Doganën dhe në asistencë të Policisë së Kosovës brenda kësaj periudhe kemi ndërmarr 122 aksione të përbashkëta për luftimin e bizneseve të cilat kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin për Lojërat e Fatit .
- Si do të komentonit percepcionin që qarkullon mbi korruptimin e inspektorëve tatimor?
Haliti: Sigurisht se nuk përjashtoj ekzistencën e tij, por jemi duke u munduar të vendosim sisteme e mekanizma që atë ta zvogëlojmë sa më shumë. Aplikimi i moduleve elektronike për përzgjedhjen e rasteve për kontroll si dhe sistemi automatik i vlerësimit, zvogëlojnë në masë të madhe rolin e faktorit njeri pasi që ngushtojnë dukshëm hapësirën për veprime të kundërligjshme. Gjithashtu, duhet të kihet parasysh se, Administrata Tatimore e Kosovës nuk është vetëm e punëtorëve që punojnë në të, ajo është e tërë Kosovës dhe është për të mirën e popullit të saj, për sot dhe nesër. Kështu unë i bëj thirrje çdo qytetari që ka dijeni apo informatë për korrupsion për punëtorët e ATK-së të mos hezitojë dhe të paraqes rastet, qoftë tek njësitë tona përkatëse përmes linjës tonë telefonike pa pagese të ATK-së apo tek organet tjera shtetërore për luftimin e korrupsionit. Me këtë na ndihmoni neve dhe veten. Vlen të përmendim se vetëm gjate vitit që lamë pas kemi 4 zyrtarë të suspenduar rreth, 30 tjerë që u janë shqiptuar masat disiplinore bazuar në kodin e mirësjelljes dhe etikën e punës.
- A mendoni se do ta realizoni planin e këtij ?
Haliti: Bazuar në dinamikën e deritanishme dhe duke u bazuar në aktivitetet e zhvilluara deri më tani dhe qasjes që u përmend edhe më lartë ky plan do të realizohet edhe do të tejkalohet, shprehur në shifra aktuale trendi krahasuar me vitin paraprak është mbi 10% apo rreth 20 mil. më shumë. Kjo ngritje është si rezultat i planifikimi të mirëfilltë, rritjes së bashkëpunimit me agjencionet tjera, menaxhimit dhe punës ekipore të stafit të ATK-së i cili ka aplikuar një qasje profesionale me integritet të lartë ndaj tatimpaguesve dhe atë: duke informuar tatimpaguesit për obligimet e tyre tatimore, duke udhëzuar ata për zgjidhjen e problemeve, dukë bërë vizita edukative dhe aktivitete të tjera të përcaktuara nga dokumentet strategjike të ATK-së, siç është Plani për Trajtim të Rreziqeve, Planet Operative, etj. Konsideroj se ATK në këto vite ka punuar shumë në ndërtimin e një sistemi të mirëfilltë të mbledhjes së tatimeve dhe se rezultatet do të jenë akoma më të mira në numra viteve të ardhshme. Gjatë kësaj periudhe nga Janari deri më sot, janë realizuar të hyra në vlerë prej420 milion euro ( ku prej tyre 303 milion janë tatime ndërsa 117 janë kontribute pensionale).
14. Dhe krejt në fund, ATK në të ardhmen do të jetë bartësi kryesor i mbledhjes së buxhetit të shtetit, sa është e përgatitur ATK për këtë sfidë ?
Haliti: Në Dhjetor 2013 menaxhmenti i ATK-së ka miratuar dy planet bazike për vitin 2014 , dhe atë Planin detal të veprimit 2014 dhe Plani i Detajuar i Trajtimit të Rreziqeve për 2014 në të cilat kemi paraparë të gjitha veprimet bazuar me burimet në dispozicion për arritjen e objektivave të vendosura me Buxhetin 2014. Vlen të përmendet se ky do të jetë viti me sfidues për administratën tatimore deri më tani, por shpresojmë se nëse do te kemi një MJEDIS miqësor dhe përkrahje ndërinstitucionale, duke përkrahur dhe ndihmuar administratën tatimore edhe ky planë do të jetë i realizueshëm. Në pjesën tonë të punës do të bëjmë me dedikimin maksimal, këtë e kemi dëshmuar për pesë vitet e fundit bashkërisht.
- Cilat janë sfidat tuaja më të mëdha me të cilat ballafaqoheni?
Haliti: Ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve të Administratës Tatimore drejt përmirësimit të imazhit, realizimi i objektivave të planifikuara dhe përmirësimi i kushteve të punës.
- Cili është mesazhi juaj për tatimpaguesin kosovar?
Haliti: Mesazhi jonë për të gjithë tatimpaguesit është i thjeshtë dhe i qartë: të kryejmë obligimet tona ndaj shtetit tonë duke kontribuar drejtë me pjesën që na takon! Siç thuhet ne thënien e njohur: “Tatimet janë shuma që ne paguajmë për privilegjet e një shoqërie të civilizuar”, prandaj të kontribuojmë të gjithë së bashku për të ndërtuar e zhvilluar shtetin tonë, për ne sot, fëmijët tanë nesër, e gjeneratat e reja në të ardhmen, sepse me të vërtetë të paguash tatimet është njëkohësisht obligim e veprim ligjor, moral dhe patriotik me rezultate afatgjate.
- Po hyni në vitin me sfidues për ATK-në, çfarë plane personale keni për të ardhmen e afërt?
Haliti: Menaxhimi i Administratës Tatimore për mua ka qenë një sfidë profesionale dhe njëkohësisht një rrumbullaksim i punës dhe angazhimit disavjeçar rreth çështjeve tatimore dhe fiskale. Plani im i parë dhe i vetëm në të cilin jam plotësisht i fokusuar tani është përmbyllja ime e suksesshme e besimit që më është dhënë dhe përmbushja e zotimeve për të krijuar një Administratë Tatimore me suksese dhe të matura, ‘Model të një Administrate dinamike dhe funksionale” drejt një Agjencioni Kombëtar të të Hyrave, kontribuues kyç dhe garantues i përhershëm i qëndrueshmërisë ekonomike-fiskale për shtetin tonë.