leoni

Intervistë me drejtorin e Doganave të Kosovës, z. Naim Huruglica

RKL: Zotëri, drejtor, Dogana e një vendi shënon sovranitetin fizik të shtetit, ndërsa i kontribuon ekonomisë dhe qytetarëve të një vendi. Kodi doganor është në pajtim të plotë me standardet ligjore të Bashkimit Evropian, ndër të tjera ka objektiv edhe zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. A mendoni se Dogana e Kosovës e ka kryer një mision të tillë, kur kemi parasysh problemet që po na përcjellin sidomos në kufi më Serbinë.

Naim Huruglica: Ju e dhatë një citat jashtëzakonisht të fortë të kodit të doganës. Faktikisht Kodi Doganor i Kosovës, i riu, i cili ka  hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2008, e ka një baraspeshë mes investimit të tregtisë dhe mbledhjes  së taksave, do të thotë doganat realisht nuk janë një institucion që dikush i shikon ekskluzivisht si institucion taksa-mbledhës, por ka një rol shumë më të gjerë, dhe roli kryesor që unë e shoh përveç taksave, që sot për sot janë shumë të rëndësishme për qeverinë dhe për buxhetin për gjithë vendin, është ndihmesa për ekonominë e ligjshme që përmes procedurave ndikimit  ekonomik procedurat të cilat ligji i mundëson,  ndihmohet zhvillimi ekonomik i vendit, por nuk guxojmë as një rast me lënë anash rolin që e kemi për mbrojtjen  e shoqërisë.

Realisht Dogana i ka tri detyra themelore, dhe nuk dallon Dogana e Kosovës me ato evropiane. Pra roli fiskal, roli mbrojtës i shoqërisë dhe i  popullit nga importi i mallrave që kalojnë kufirin. Këtu  flas edhe  për drogat edhe për mallin e prishur, malli i cili mund t’iu shkaktoj dëme qytetarëve. Dogan po e ka edhe rolin mbrojtes në ekonomi, sepse përmes kontrollit te kufijve, ajo, realisht  shndërrohet ne një trupë rregullative. Nuk është me rëndësi vetëm a i mbledh taksat, po është me rëndësi a po i mbledh ne mënyrë të duhur dhe të barabartë ndaj të gjithëve, sepse vetëm në atë mënyrë mund të krijohen  kushte të barabarta të tregut kur të gjithë konkurrojnë paralel. Imagjinoni nëse dikush nuk paguan fare, dikush paguan nuk është me rëndësi pse shteti ka mbledh ta zëmë më pak se 10.000 euro por atij që nuk ka paguar  iu ka krijuar një favor i jashtë zakonshëm që ta ndërtojë  jetën e shëndoshë të një biznesi.

Tani problem serioz paraqet Veriu për arsye se ka mbetur pjesa  e vetme ku ne nuk kemi arritur  t’ i aplikojmë këto standarde. Kur them  nuk kemi arrit të bëhemi shumë të sinqertë që nga data 19 shkurt 2008 dy ditë pas shpalljes së pavarësisë, ekstremistët i dogjën ato dy pika dhe ne nuk kemi arritur prapë një moment me kthye një kontroll të plot çfarë ka qenë më herët. Është bërë një bashkëpunim i mirë me Eulex-in, gjatë këtyre tri viteve, kanë tentuar me bë diçka në atë drejtim por them lirisht nuk është arrit ajo çka ne kemi dashtë, ka vazhduar kontrabanda atje për tri vite dhe ajo e ka dëmtuar seriozisht buxhetin, e ka dëmtuar pjesën e ekonomisë të ligjshme, pjesën e atyre që kanë synuar të e bëjnë  një biznes të ndershëm.

RKL: Aktualisht a janë duke u zbatuar masat e reciprocitetit në pikat 1 dhe 31, si dhe a ndodhet stafi i doganuesve të Kosovës atje?

 

Naim Huruglica: Informacionet që i kemi ne janë informacione nga policia e jonë dhe KFOR-i, sepse përveç dy pikave kufitare me të vërtetë është një kontroll shumë e rreptë ku të vetmet furnizime që janë lëshuar për qytetarët në pjesën veriore ka qenë buka dhe qumështi në sasi shumë të vogla që ka ardhur prej Novi Pazarit apo Kraleves, nuk kjo nuk ka fuqi të madhe potenciale. Tani atje është një kufi bukur i gjerë në kuptimin e vijës kufitare, të gjelbër, që i themi ne. Në fillim KFOR-i deri para dy ditëve nuk e ka kontrolluar në tërësi. Informacionet e fundit janë para dy ditëve KFOR-i, ka mbyllur edhe 8 rrugë të tjera lokale të cilat rrugë janë përdorur nga kontrabandistë, për të sjellë mallra. Ne kemi vendosë një kontroll të dyfishtë, përveç kontrollit që po bënë KFOR-i, dhe polica në dy vendkalimet kufitare ne kemi ngjesh aktivitetet tona rreth lumit Ibër, në përgjithësi në Mitrovicë deri në thellësi të komunës së Zubin Potokut, te fshati Qaber, dhe në drejtim të Zveçanit, me qëllim që nëse diçka ka arritur nga ajo pjesë së paku të ketë mundësi të kalojë në pjesën lindore të Mitrovicës dhe pjesën qendrore të Kosovës.

Mos të harrojmë gjithmonë, synimi i kontrabandistëve, po e them me një siguri të plotë  ka qenë furnizimi i veriut të Kosovës, sepse në fund të ditës atje jeton një popullatë shumë e vogël. Thuhet se para luftës kanë jetuar jo më shumë se 30.000 banorë tani edhe me njerëzit e ikur nga brendia e Kosovës nuk e kalon numrin 40.000 dhe shumica e tyre janë në gjendje jo  të mirë ekonomike, janë njerëz që përgjithësisht jetojnë nga ndihmat sociale.

Po ashtu aktivitet ekonomik përveç Minierës së Trepçës nuk ka ndonjë aktivitet ekonomik që zhvillohet në atë zonë. Kështu që ata nuk paraqesin probleme ekonomike edhe sikur tërë ai mall të ishte konsumuar nuk paraqet problem ekonomik,  sepse  është më pak se 2 %, e popullatës të tërësishme të Kosovës.

Po gjithmonë kontrabandistët kanë synuar që të kalohet Mitrovica dhe malli të vije në pjesën qendrore të Kosovës, dhe tani janë dy qëllime për kontrabandistët. Definitivisht ata nxitojnë, dihet ajo, Ekstremistëve serbë iu ka konvenuar për arsye se ata e kanë dëmtuar ekonominë e Kosovës, sepse duke e dëmtuar ekonominë e dëmtojnë drejt për drejt ambientin për investime të huaja dhe kjo e atakon drejt për drejt buxhetin. Tash mund  ta imagjinoni sa mund të jesh joshës për një kompani të jashtme, që të vije dhe të investojë në Kosovë kur një pjesë  legjitime të territorit nuk e ke  në kontroll. Aty futën mallra kontrabandë që e dëmtojnë. Për këtë shkak përmasat tona janë te reciprociteti, duke u zbatuar thuajse në masë të plotë nuk mund te them 100% , sepse 100% është shifër absolute dhe gjithmonë mund të ketë shtytje për të kaluar diçka, por nëse flas në terma komercialë, nuk ka mall për shitje, nuk ka mall i cili e dëmton seriozisht tregun e Kosovës. Ka raste kur kemi nxënë njerëz me mbi 100 litra  pije jo alkoolike, ose kemi zënë një sasi minore nuk janë ato sasi që e dëmtojnë tregun, mos të harrojmë Kosova importon ne vit  mbi 2 miliard e 200 euro mall, e cila i bie çdo ditë shifra milionëshe që hyn malli dhe nuk mundet të jetë një maune e vogël që dëmton tregun, dhe ato do të dalin prapë edhe  sikur ne të jemi në ato pika nuk do të dalin drejt 100% t’ i mbyllin të gjitha

RKL: Prej kur jeni emëruar në krye  të doganave, cilat janë  përparimet që keni shënuar  në punë në krahasim me të kaluarën?

 

Naim Huruglica: Do të bëhesha jo modest në këtë rast, por  do të flas në njëjës, në vetën e parë. Unë mendoj se dogana ka pas zhvillime jashtëzakonshme këto vite posaçërisht pasi Kosova e ka marrë menaxhimin e plotë. Dogana ka qenë një rast unik në krejt historinë e shkurt të Kosovës së pas luftës,  sepse ka qenë institucioni i vetëm,  i cili edhe pse Veriu akoma ka qenë i politizuar në kuptimin politik të përgjegjësisë. Ai ishte i Kosovës, d.m.th. e udhëhiqnin kosovarët 100%. Prej kur unë jam bërë drejtor, të hyrat janë dyfishuar. Nëse flas për të hyrat që janë dyfishuar, po flas për atë, se në atë kohë grumbullimi i mjeteve, të hyrat brenda vitit  kanë qenë 400 milionë euro, tani këtë vit planifikojmë të kalojmë 680 milion euro të hyrave të taksave, për një vit që nënkupton mbi 400 milion euro shtesë. Nuk ia atribuoj këtë sukses vetëm vetes, e thashë këtë, po është zhvillim i organizatës, por është zhvillim paralel edhe i shoqërisë kosovare dhe  secili prapë mund të bindet se shoqëria kosovare, ose ekonomia e Kosovës nuk është zhvillur 100% ma shumë brenda një periudhe kaq të shkurtër mirëpo, mirëpo kemi  zhvillim ekonomik me norma 3 deri 5 % brenda vitit. Doganat për çdo vit ka arrite me shifra 2 shifrore, d.m.th 10, 12, 15 %  janë të hyra dhe tregon se janë mirë ajo është sukses i madh. Sukses i dytë është se në hetimin e tregtisë kemi arritur jashtëzakonisht shumë. Ta zëmë në vitin 2005, kur për herë të parë personeli shqiptar gati pati marrë thuajse 100% menaxhimit, ne kishim 100% kontrollin fizik të mallit,  çdo maune duhej ndalur  dhe kontrolluar. Sot e kemi zbrit në 12 %, 88 %,  e mallit që hyn në Kosovë nuk kontrollohet. Dikush mund të thotë a mund të shkaktojë rrezik kjo.  Unë them jo, sepse për çdo vit sa më shumë që të ka ulje në nivelin e kontrollit, ne po i  rrisim zbulimet, po zbulojmë kontrabandë dhe ma shumë, dhe kështu  po i rrisim të hyrat që nënkupton se biznesit ia kemi dhënë mundësinë, nëse punon mirë. Nëse do të hyjë në sistem nuk duhesh të kontrollosh kufi dhe të kalosh më shpejt procedurat, që janë më të shkurta, nëse nuk do dhe identifikohesh si delja e zezë ndaj teje do të ushtrohet një kontroll detaje, dhe duke i bërë këto kontrolle ne kemi arritur me shpejtuar kohën e procedimit në kufi. Tash mesatarja nuk kalon 2 orë, donë të thotë,  brenda 2 orëve nga momenti kur hyn malli në fushën një ai i kryen të  gjitha obligimet, ai mall del jashtë doganës. Kjo është mesatare sepse në përgjithësi është edhe më e ulët por këtë mesatare shpesh herë e prishin rastet individuale kur një subjekt ekonomik nuk e ka dokumentacionin krejt në rregull dhe për shkaqe e tij personale vonohen.

Zhvillim i tretë jo pak i rëndësishëm është rekrutimi i njerëzve të rinj. Tash kemi 600 punëtorë të trajnuar. Unë sot jam krenar që kam në Doganë  profesionalistë  të cilët shkojnë dhe japin trajnime në regjion. Ata  kanë bërë trajnime për SFOR-in, në Bosnjë dhe Hercegovinë d.m.th forcat e NATO-s, kanë dhënë trajnime për ushtrinë, policinë dhe Doganën shqiptare, po kanë dhënë trajnime edhe vende të tjera, me këta njerëz mund të shkohet para  dhe ne s”kemi harrur në asnjë moment përmbushjen e standardeve evropiane. Në vitin 2009 është bërë një hapje deri ku ka arritur Dogana e  Kosovës karshi standardeve, dhe e them me një përgjegjësi të plotë se raporti  ka një masë  90% , të  punës, që e bëjmë ne është identike më ato të Evropës, nuk besoj që ka një institucion tjetër Kosovë që e ka arritur atë nivel. Neve na kanë thënë jo formalisht se po të varej integrimi i Kosovës vetëm  prej Doganës Kosova do të ishte pjesë e EU-së. Pra realisht janë arritur standardet. Këto janë zhvillimet kryesore që kanë qenë gjatë këtyre viteve, dhe ajo që po e them që jemi më shumë të kënaqur është se një trupë e re një moshë e re, mosha mesatare nuk besoj se e kalon 30 vjeç. Janë djem me shumicë dhe  është një motivim i njerëzve për ta bërë  një punë më të mirë për vendin e vet dhe këtë po e dëshmojnë  në të gjitha pikat me sfidat që po përballemi, sepse Qeveria po na ngarkon aplikimit të ligjeve të reja, implementim ligjeve dhe kemi arritur gjithmonë të tregojmë se nëse Doganës i takon një obligim, ajo gjithmonë e ka treguar seriozitetin dhe këtë do ta zbatojë deri në fund, si  për shembull për lojërat e fatit. Është fol shumë për lojërat e fatit kur janë hapë edhe afër shkollave, edhe afër vendbanimeve, ku nuk është dashur të shkojnë persona të moshës jo madhore etj. Dhe ato kanë qenë thuajse pa taksa fare. Qeveria na ka obliguar që nga 1 korriku  ne të aplikojmë në taksë ndaj tyre dhe ne kemi mbledh 1 milion e gjysmë euro për këtë periudhë. Shpresoj që do të mbledhim edhe më shumë sepse  është vetëm fillimi dhe kjo tregon se realisht ne kemi arritur,  edhe pse për një muaj ditë, të tregojmë  se ka vullnet,  ka njerëz që donë të bëjnë punën e tyre me nderë. Është thjeshtë është një organizatë që unë  krenohem.

RKL:A keni nënshkruar ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me vendet e rajonit në lëmin e doganor.­?

 

Naim Huruglica: Përjashto Serbinë, ne kemi marrëveshje me të gjitha shtetet e rajonit, me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi. Përveç marrëveshjes ne bashkëpunimin doganor në kuptimin e shkëmbimit të hetimeve të përbashkëta, në kuptimin e shkëmbimeve informatave etj. Ne kemi kaluar një stad normal të zhvillimit. Tani të gjitha informacionet i shkëmbejmë pa ardhur malli fare në Kosovë. Kur një pjesë shkarkohet në Portin e Durrësit, ne e dimë menjëherë në sistemin elektronik se malli po hyn në Kosovë. I njëjti bashkëpunim është edhe me Malin e Zi. Kemi kontrata të nënshkruara edhe me Turqinë, Slloveninë, Francën, jemi në proces shumë të shpejtë të nënshkrimit edhe me Italinë dhe Kroacinë, po ashtu edhe me Austrinë, Zvicrën, Belgjikën e Suedinë. Këto marrëveshje do të bëhen ndoshta më pak se një vit. Kemi punuar në këtë drejtim ngase e kemi parë rëndësinë se nuk kontrollohet kufiri, i cili ka një shtrirje mbi 750 km, nuk kontrollohet me 600 metra, e metoda me e mirë është kur bashkëpunon me fqinjin, në shkëmbim të informatave se çka po të vjen në një pikë doganore. Deri tani jam shumë i kënaqur me këtë. Dogana e Kosovës është partner shumë i besueshëm i doganave  fqinje.

RKL: Cilat janë disa nga hapat konkretë që i keni marrë rreth lehtësimit të procedurave doganore me Shqipërinë?

 

Naim Huruglica: Po, faktikisht me Shqipërinë ne e kemi marrë një vendim të fundit, ka qenë vendim i muajit qershor, që nëse mallrat janë me origjinë nga Shqipëria ose Kosova realisht ne do ti ikim vlerësimeve në kufi. Kur them vlerësimeve dua të theksoj se kur ne kemi filluar të eksportojmë  në Shqipëri, Dogana Shqiptare e rriste  bazën doganore, që i binte si tatimin i dyfishtë. Për shembull patatja hynte në Shqipëri me 15 cent  e ata në Shqipëri e vlerësonin me 30 cent, edhe pse në terme i bije dyfishim i tatimit. Dhe ne u akorduam që Dogana Shqiptare nuk do t’i rris çmimet do t’i pranojmë ashtu si deklarohen. Përjashto ndonjë rast, kur ka ndonjë dyshim,  atëherë patjetër se do te verifikohet mes dy administratave që funksionojnë shumë mirë. Ekziston bashkëpunimi i kontrollit ,një hyrje një dalje, edhe Dogana është pjesë e kësaj. Veturat nuk kontrollohen me dalje nga Kosova sikur që nuk kontrollohen veturat me dalje nga Shqipëria. Problem mbetet fyti i ngushtë që lidh dy vend kalimet kufitare, por po shpresojmë me premtimet që i ka dhënë Bektel & Enka deri në tetor do të zgjidhet ky problem. Mund ta  imagjinoni, në anën Shqiptare është Autostradë dhe kur të hyjnë në kufi grumbullohen vetëm në një dalje  gjithë ato automjete, për këtë shkak ka edhe ankesa nga qytetarët që presin me orë për të kaluar në Shqipëri ose për të hyrë në Kosovë. Ne po presim që në tetor të ketë zgjidhje, ngase sipas planit që është bërë, do të ketë 4 korsi 2 për hyrje dhe 2 për dalje. Një risi që do të realizohet tek në vitin e ardhshëm është se ne po e implementojmë një sistem të ri të teknologjisë informative që është i ngjashëm me Doganën Shqiptare të cilin ata e kanë realizuar vitin e kaluar, i cili mundëson që deklaratat  ose dërgesat ne mund t’i pranojmë me atë deklarim të Durrësit, dhe mund të shkojë drejt në destinimin e caktuar. Ky është zhvillimi më i ri që do të ndodh e besoj se do të realizohet në pranverën e vitit 2012 është një bashkëpunim shumë profesional. I ndihmojmë njëri tjetrit, në shumë fusha.  Dogana e Kosovës është shumë më larg se ajo e Shqipërisë por kjo nuk paraqet problem. Tregtia në mes të dy vendeve por edhe vendeve të tjera po shkon në rritje. Statistikat që i kemi tregojnë që para se të hapet Autostrada, po flas për pranverën e vitit 2009, dhe pranverën e vitit 2011, ka një rritje për 120 % qarkullim. Aq është rritur qarkullimi sa që sot ( pra me datë 19 gusht), thotë se janë në ditë mbi 130-150 maune. Kjo tregon se ndoshta jo më shumë se dy vite ajo do të jetë vend kalimi i parë kufitar, pas atij të Hanit të Elezit. Bile kur do të lëshohet në qarkullim Autostrada deri te Theranda unë jam shumë i sigurt se vija kryesore e tregtisë do të jetë Durrësi.

RKL:Dogana është burim i rëndësishëm i buxhetit të vendit. Cilat janë të arriturat në këtë drejtim?

Naim Huruglica: Po Dogana është institucioni kryesor që mbledh të hyrat për shtetin. Fatkeqësisht, kjo ndoshta nuk është ndonjë shenjë shumë e mirë në kuptimin ekonomik po flas sepse tregon se shumë mall importohet. Ne nuk kemi akoma një ekonomi të qëndrueshme e cila do të prodhonte vende të punës. Ky shënim tregon se ka shumë importe dhe bilanci tregtar i Kosovës nuk është më i miri. Vitin e kaluar ne grumbulluam 700 milionë euro,  për buxhetin e Kosovës, sivjet kemi një plan edhe më ambicioz shkon në 830 milionë euro, kur e krahasojmë me totalin e të hyrave i bie 1 miliard e 240 milion, vetëm nga Doganat mblidhen 830 milionë, nëse nuk gaboj i bie 68% totali i të hyrave. Kjo është një shumë,  shumë e madhe,  e cila paraqet një përgjegjësi për mua si drejtor por edhe për organizatën që drejtoj. Deri në këtë moment që ne po flasim, shënimet statistikore tregojnë që jemi shumë afër qëllimit për të realizuar planin 100%, këtu nuk ka vend për shqetësim. Deri në këtë moment janë grumbulluar 485 milion euro, pritjet janë që ne do ta realizojmë 830 milion. Është një plan mjaftë ambicioz, sepse  të hyrat janë diku rreth 2.5 milion mesatarja, dhe grumbullimi, menaxhimi i këtyre taksave që janë të qytetarëve të kuptohemi ne nuk prodhojmë të holla, ne vetëm i grumbullojmë dhe i menaxhojmë. Me vetë faktin që është organizuar një administratë efikase për trajtimin e këtyre importeve, kontrollin dhe mbledhjen e të hyrave, na bën neve të ndihemi krenar se e mbajë pjesën e madhe të përgjegjësisë, se kur të vije data 1, ne e dimë se punonjësit, pensionistët dhe të tjerët presin pagat e tyre, dhe ne jemi ata që mund ta realizojmë qëllimin. E ndiejmë përgjegjësinë që çka do të thotë të punosh për buxhetin e vendit.

RKL: Cila do të ishte porosia e Juaj për punëtorët e cila për qytetarët?

Naim Huruglica: Për punëtorët, të vazhdojnë të punojnë, të vazhdojnë ngritjen e tyre profesionale. Të jenë edhe më vigjilentë sepse po kuptohet se sa është e rëndësishme Dogana. Vetë fakti i gjithë kësaj problematike, që aktualisht po ndodh rreth Veriut. Doganat paraqesin një ndër elementet e sovranitetit fizik  të një shteti. Ne e pamë që ekstremistët serbë nuk paraqiten problem që të jetë e pranishme policia në ato dy pika,  por patën problem me ngulitjen e Doganave. Dikush mund të thotë se kjo është ekskluzivisht për shkak të taksave, unë them se është për shkak të atributeve shtetërore që mbartë ne vete institucioni i Doganës. Doganierët duhet të jenë të vetëdijshëm për   peshën që kanë, ta rrisin më shumë vigjilencën. Ndërkaq nga qytetarët pres bashkëpunim të sinqertë, sepse në rast të tillë arrihet realizimi i plotë qind për qind. Unë them se ligjet e detyrueshme që i aplikon Policia ose Dogana të gjithë duhet përkrahur vullnetarisht. Deri tani qytetarët  në shumicë janë treguar të sjellshëm, por pres që të rritet edhe me shumë vetëdijesimi rreth obligimeve, të kenë edhe besim në institucione, dhe të na ndihmojnë që të kryejmë punën më mirë, ne në fund të fundit jemi pjesë e kësaj shoqërie. Ata duke na ndihmuar ne, ndihmojnë vetveten.

RKL: Në emër të stafit të radios faleminderit për kohën dhe suksese në punën Tuaj.

Naim Huruglica: Faleminderit që më dhatë mundësinë të jem mysafiri i Radios Tuaj.

(23 gusht 2011)

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …