Radio Kosova e Lirë: Mirë se vini në Radion Kosova e Lirë, e nderuar Flakë Zyberaj, bijë e dëshmorit të Kombit, Mensur Zyberaj
Flakë Mensur Zyberaj: Përshëndetje e nderuar Arbana, faleminderit për ftesën. Ndihem e nderuar të jem pjesë e një interviste në këtë radio, e cila ndoshta është ndër të vetmet që përkujton luftën dhe të rënët për liri.
Radio Kosova e Lirë: Për dëgjuesit e tanë çka mund të veçoni nga aktiviteti i Babit Tuaj?
Flakë Mensur Zyberaj: Unë kam pasur fatin me u lind në luftë, dhe kam qenë shtatë muajsh kur babi ka rënë dëshmorë. Për aktivitetet e tij mund të flas pak nga ato që mami më ka treguar, ndërsa më mirë për të mund të flas xhaxhi, i cili ishte krah tij dhe shokët e tij të luftës. Di që babi gjatë kohës së studimeve ishte aktiv në protesta dhe demonstratat që organizoheshin nga studentët. Për këtë arsye në vitin 1990 u arrestua nga policia serbe. Babi ishte ndër figurat që vunë themelet e UÇK-së, dhe kishte rolin e shtrirjes dhe e organizimit të UÇK-së, në rajon të Anadrinisë, që më vonë shërbeu si bërthamë e krijimit të Zonës Operative të Pashtrikut. Por babi aktivitetin e tij nuk e pati vetëm në anën e Anadrinisë, ai ishte ndër luftëtarët e parë të Zonës Operative të Drenicës , në Likoc .
Në Operacionin “Shigjeta” më 26, 27,28 maj të vitit 1999, Anadrinia rrethohet në rrethim të hekurt nga forcat ushtarake-policore serbe. Më 28.05.1999, rreth orës 11.30, duke luftuar me trimëri babi ra në altarin e lirisë, duke u bërë përjetësisht i pavdekshëm për popullin tonë. Trimëria, guximi, atdhedashuria, zgjuarsia, strategjia në luftë, janë virtytet që e karakterizuan babin në ato periudha .
Unë ndoshta nuk mund të flas në detaje për luftën dhe veprat e tij, por mund të them që ndihem shumë e bekuar dhe krenare që jam vajza e tij.
Për babin flitet me epitetet më të larta njerëzore, dhe kjo , mua ma lehtëson dhimbjen që nuk pata mundësi ta njihja babin , të kisha kujtime nga ai , e të dëgjoja atë të më tregonte për luftën dhe lirinë .
Radio Kosova e Lirë: Rënia dëshmorë e Mensur Zyberaj ishte humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për UÇK-në, por edhe për familjen, e bashkëluftëtarët, a mbani kontakte me shokët e Tij?
Flakë Mensur Zyberaj: Rënia e babit në altarin e lirisë ishte pa dyshim një humbje shumë e madhe për familjen tonë , por edhe për gjithë vendin. Por veprat e tij madhore e krenaria për të, na bëri që ta kemi babin gjithmonë të gjallë në mesin tonë. Sa i përket shokëve të tij , mund të them që me një pjesë të vogël të shokëve të tij kemi ndonjëherë kontakte , disa prej tyre kanë treguar interesim dhe na kanë përkrahur por në përgjithësi , përvjetorët e rënies së dëshmorëve , janë ato që na takojnë me bashkëluftëtarët e babit. Ne kemi shumë fotografi nga lufta , ku babi shihet me shokë gjatë luftimeve , e mami na ka treguar gjithmonë për raportet e babit dhe veçantitë me secilin prej tyre. Në foto mund të them se i njoh të gjithë , por disa prej tyre nuk kam rastisur t’i takoj asnjëherë . Mendoj që nëse jo për të tjerët , për ata që kanë rrugëtuar së bashku me dëshmorët , maleve e shtigjeve të kësaj toke , ne duhet të jemi të rëndësishëm.
Radio Kosova e Lirë: Ku jeni sot Ju fëmijët e dëshmorit Mensur Zyberaj, a studioni, a punoni?
Flakë Mensur Zyberaj: Unë kam përfunduar studimet në Universitetin “Ukshin Hoti” , në Fakultetin e Edukimit dhe jam punësuar në Shkollën fillore “Abdyl Frashëri” në Prizren , si mësuese klasore. Ndërsa vëllai ka përfunduar studimet në Universitetin “Hasan Prishtina” , në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike , në drejtimin Mekatronikë , dhe momentalisht punon në një fabrikë private , si inxhinier i mekatronikës.
Radio Kosova e Lirë: E nderuara Flakë, cili është mendimi i Juaj, lidhur me trajtimin e familjeve të dëshmorëve nga qeveritë e pasluftës?
Flakë Mensur Zyberaj: Unë mendoj që për familjet e dëshmorëve nuk është bërë asnjëherë aq sa duhet. Me përjashtime specifike të disa gjërave , familjet e dëshmorëve janë pa përkrahje institucionale , as në aspektin moral e financiar e as në aspekte të tjera. Njoh shumë fëmijë të dëshmorëve të papunësuar , shumë nëna e gra të dëshmorëve që nuk kanë marrë kurrë përkrahje nga shteti , e që me të vërtet është për t’u ardhur keq. Përfitimet në emër të gjakut të dëshmorëve , nuk do t’u sjellin asnjëherë rehati , e ndërgjegjen nuk do ta kenë të pastër asnjëherë!
Radio Kosova e Lirë: Po nga OVL e UCK, dhe nga Presidenca po shpalljen e tituj e grada për dëshmorët, ata po selektohen kush dëshmor e martir e dikush hero, cili është komenti i Juaj?
Flakë Mensur Zyberaj: Babi është shpallur Hero nga Presidenti Hashim Thaqi , por unë personalisht mendoj që secili nga dëshmorët e mbart në vete këtë titull , andaj selektimi i tillë për mua nuk është i arsyeshëm.
Radio Kosova e Lirë: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?
Flakë Mensur Zyberaj: Mendoj që përkrahja e vetme që kemi marrë nga institucionet shtetërore është ajo financiare , përmes një pensioni të caktuar për dëshmorët. Ajo që dua të theksoj nëse më lejoni , është që babit i është punuar një shtatore nga Komuna e Rahovecit , tash e tetë vite. Por kësaj shtatore nuk po i gjindet ende vend në tokën për të cilën u flijua babi. Për arsye e interesa personale , kjo shtatore qëndron tash e tetë vite e mbyllur në një shkollë në Rahovec , me të vetmin arsyetim që nuk paskemi një copë tokë për trupin e skalitur në bronzë të babit tim.
Dua t’i drejtohem në veçanti drejtuesve të Komunës së Prizrenit, kur dëshmorët u flijuan për lirinë tuaj , a ju pyetën a ka vend për varret e tyre ?!
A ju kërkuan leje dëshmorët kur morën armët në krahë , e lanë gjithçka të tyren , për lirinë tuaj ?!
A duhet të na detyroni t’u ulemi në gjunjë , për t’ua kërkuar një copë tokë , për shtatoret e dëshmorëve ?!
Po më vjen keq , por në gjunjë ulemi vetëm për veprat e dëshmorëve , e vetëm para varreve të tyre e ulim kokën , asnjëherë për të kërkuar leje të tilla nga ju , e asnjëherë për asgjë në botë për ju , që përmes gjakut të tyre , jeni aty ku jeni !
Radio Kosova e Lirë: Dëshmorët Jetën, luftën e rënien e bënë bashkë, por fatkeqësisht tani për interesa personale edhe po i ndajnë, a mendoni se, Ju familjet e dëshmorëve duhet të reagoni për raste të tilla?
Flakë Mensur Zyberaj: Patjetër që duhet të reagohet , por a po merret parasysh reagimi dhe fjala jonë , është çështje në vete. Por dëshmorët kanë luftuar për të gjithë , pa asnjë dallim . Andaj edhe ne nuk duhet t’i dallojmë ata. Përulem para çdo dëshmori të këtij vendi , përjetësisht u jam mirënjohëse dhe për mua janë të gjithë Heronj, e të gjithë të barabartë .
Radio Kosova e Lirë: A keni relikte nga Babi, nëse po ku ruhen ato?
Flakë Mensur Zyberaj: Po, kemi disa gjëra që na kanë shpëtuar nga djegia në luftë, dhe ato i ruajmë në një sirtar të veçantë të babit . Mund të theksoj që kemi një pjesë të uniformës, të cilën e kishte të veshur në ditën e rënies, disa gjëra personale, fotografi të shumta gjatë luftimeve dhe disa gjëra të përdorura gjatë studimeve. E të gjitha këto i ruajmë me shumë kujdes , e të cilat na ngushëllojnë shpesh kur malli për të na bëhet i papërshkrueshëm.
Radio Kosova e Lirë: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?
Flakë Mensur Zyberaj: Jo, madje mund të them që nuk po bëhet asgjë që lidhet me amanetin e tyre.
Radio Kosova e Lirë: E nderuar Flakë, të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Suksese dhe shëndet!
Flakë Mensur Zyberaj: Ju faleminderit juve , që më ftuat të jem pjesë e kësaj interviste. Ju faleminderit që po vazhdoni të përkujtoni dëshmorët në çdo kohë e vend!