Intervistë me Herolindë Krasniqin, bija e dëshmorit të kombit, Fatos Sherif Krasniqi

Intervistë me Herolindë Krasniqin, bija e dëshmorit të kombit, Fatos Sherif Krasniqi

RKL: Mirë se vini në Radion Kosova e Lirë, e nderuar Herolindë, bijë e dëshmorit të Kombit, Fatos Krasniqi! 

Herolinda Fatos Krasniqi: Mirë se ju gjeta dhe ju faleminderit për ftesën!

 

RKL: E nderuara Herolindë ju keni lindur pasi babi i Juaj dëshmori i kombit është përjetësuar në Altarin e Lirisë. Çka veçoni nga ato ju kanë treguar të afërmit për babanë Tuaj?

Herolinda Fatos Krasniqi: Po unë kam lindur 7 muaj pasi babai im ka rënë në Altarin e Lirisë, më konkretisht babai im ka rënë dëshmor në muajin Shtator ndërsa unë kam lindur në muajin Maj.

Sa herë që dëgjoj të flitet për babin qoftë nga familjarë, miq, të afërm apo edhe nga kushdo që e ka njohur janë dy ndjenja që përshkojnë trupin tim.

Të  gjitha ato që fliten për babin të bëjnë të admirosh e të lakmosh të jesh një njëri I tille. Fjalët që më së shumti dëgjojë për të është se ai ka qenë i veçantë, ka qenë shumë i dashur, shume I mençur, shumë punëtorë, shumë I hareshëm, shumë besnik, ka qenë i qetë, i matur, i pjekur, empatik, zemërgjerë , ka qenë trim e e ka dashur shume atdheun, aq shumë sa për të dha dhe jetën.

E teksa dëgjoj të gjitha këto fjalë e edhe më tepër të thuhet për të një dhimbje e madhe  më kaplon në shpirt, më vret shumë për brenda fakti që nuk arrita ta njoh personalisht babin tim, ta njoh një personalitet të tille që me kuptimin e plotë te fjalës do e quaj “ shembull i një njeriu të plotësuar me të gjitha vyrtytet njerëzore “, më vret shume fakti që nuk kam mundur të jetojë qoftë edhe disa ditë ndoshta do me mjaftonin vetëm edhe disa orë , edhe pse nuk do e kisha kujtuar do me mjaftone ta dija qe njëherë në jetën time kam takuar një njëri të tillë e për aq më tepër që ai është babai im,e vazhdon e më ngelët plagë në zemër që nuk munda ta ndjejë dashurinë e ngrohtësinë e tij.

Ndërsa një ndjenjë tjetër që është më e fortë dhe mposhtë dhimbjen dhe shërben si nje fasho që mbështjellë plagën e zemrës është krenaria . Ndihem shumë krenare të më thuhet bija e Fatosit. Ndihem shume krenare që gjaku I tij rrjedhë në venat e mija. Ndihem shume krenare të më thuhet që sado pak kam trashëguar diçka nga ai.

 

 RKL: Rënia dëshmor e Fatos Krasniqit, në atë kohë ka qenë  humbje e madhe për UÇK-në, por edhe për familjen, e bashkëluftëtarët, a mbani kontakte me shokët e Tij?

Herolinda Fatos Krasniqi: Rënien e babait dëshmor e cilësoj dhe unë si një humbje të madhe për të gjithë madje dhe më tepër, një humbje e madhe dhe për njerëzimin pasi njerëz të tillë human e të kompletuar sot janë të pakët.  Me thënë të drejtën shokët e babait i kam njohur më shumë nga familja që më kanë treguar që kanë qenë shok të tij se nga takimet që kam pasur personalisht me ta. Një shok, mik te babit  i cili më ka ndihmuar shumë që të njoh babin tim sidomos gjate pjesës së luftës që kanë qenë bashkëluftëtar por dhe më herët që kanë qenë shok dhe do e veçoja nga të gjithë ata shok të tjerë të tij qe unë kam njohur është daja im, Xhavit Kiqina. Me kujtimet e momentet që ai ka me të dhe që i tregon me aq admirim më bën të ndjehem sikur po e shoh, sikur ai është aty me ne dhe padyshim me gjitha ato që tregon më bënë të ndihem shumë krenare.

 

 RKL: Ku jeni sot Ju fëmijët e dëshmorit, a studioni, a punoni?

Herolinda Fatos Krasniqi: Unë si bijë e dëshmorit por besoj që edhe të tjerë si unë jemi duke u munduar të qojmë në vend amanetin e prindërve tanë. Jemi duke jetuar në vendin tone, së bashku me nënat tona që pa dyshim që edhe ato janë heroina pasi që dhe ato në njëfarë mënyre flijuan jetën e tyre dhe u kujdesen për ne duke u munduar që përveç dhimbjes së babait mos të na mungojë gjë tjetër, po jetojmë në këtë vend për të cilin prindërit tone u flijuan, jemi duke dashur atdheun tone, atdhe për të cilin ata dhanë edhe jetën, atdheun që ishte mjaft I çmuar për ta por vazhdon që të jetë dhe për neve.

Babai im Fatosi ka lënë pas vetes dy pasardhës, që jam unë dhe vëllau im Albini I cili është 3 vite më i madh se unë dhe i cili ka vazhduar rrugën e babit është pjestarë i FSK-së më konkretisht Polic Ushtarak. Ndërsa unë kam zgjedhur një rrugë tjetër që ta bëjë babin tim krenar dhe kam zgjedhur atë akademike, kam vazhduar dhe jam ende ne proces ngritjeje akademike, jam studente e nivelit Master. Shpresoj dhe presë që një ditë pasi ky rrugëtim i shkollimit të përfundojë do shpërblehet mundi I babait dhe ai i imi sa i përket shkollimit, dhe me një vend pune të duhur.

 

 RKL: E nderuara Herolindë, cili është mendimi i Juaj, lidhur me trajtimin e familjeve të dëshmorëve nga qeveritë e pasluftës?

Herolinda Fatos Krasniqi: Nuk kam ndonjë mendim specifik. Janë munduar të bëjnë për ne por jo edhe aq sa duhet. Dëshmorët me veprën e tyre por dhe ne si pasardhës të tyre mendoj që meritojmë më shumë sepse fal tyre ne, ju dhe të gjithë po jetojmë të lirë por ne po jetojmë dhe pa ta, gjë e cila është mjaftë e vështirë dhe e dhimbshme.

 

 RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?

Herolinda Fatos Krasniqi: Mendoj që kemi shumë punë përpara për të bërë që ta qojmë në vend amanetin e dëshmorve, por nuk po bëjmë mjaftushëm. Unë mendoj që duhet ta duam vendin tonë edhe më shumë, të bashkohemi të gjithë,  të punojmë fortë dhe të gjithë së bashku ta qojmë vendin përpara dhe të qojmë në vend amanetin e qdo dëshmori të kombit.

 

RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?

Herolinda Fatos Krasniqi: Përkrahja konkrete nga shoqëria dhe  institucionet e vendit që unë personalisht kam marrë duke mos përfshirë ato morale, ka qenë pranimi në Universitet të Prishtinës si studente e Fakultetit të Edukimit, një ndër kriteret që kanë marrë për bazë dhe kanë dhënë pak përparësi nëse kemi përmbushur dhe kriteret e tjera ka qenë ky si fëmijë të dëshmorëve.

 

 RKL: Dëshmorët Jetën, luftën e rënien e bënë bashkë, por fatkeqësisht tani për interesa politike disa prej tyre edhe po i ndajnë, si e komentoni këtë? 

Herolinda Fatos Krasniqi: Titullin dëshmor ata ja dhanë vet vetës me veprën e tyre, me flijimin për atdhe. Të gjitha janë me kuptimin e plotë te fjalës Hero të Kombit dhe gjithmonë do mbesin të tillë. Përjetësisht do jemi falënderues ndaj tyre që na mundësuan të jetojmë lirshëm e jetën që jetojmë sot. Përjetësisht do jemi krenarë që i patëm e do i mbajmë përherë në zemrat tona, pavarësisht si mendojnë dhe veprojnë të tjerët.

 

RKL: E nderuar Herolindë, të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Suksese dhe shëndet!

Herolinda Fatos Krasniqi: Faleminderit dhe juve! Faleminderit për respektin që tregoni për dëshmorët, faleminderit për kohën që ndani për ta dhe për neve!

 Gjithë të mirat!

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …