Shefik Sadiku nga Hodonoci i Dardanës, ish-Kamenicë ka qenë i burgosur dhe i dënuar politik i viteve ‘80. Ashtu sikur mijëra shqiptarë liridashës të kohës edhe Shefiku ka qenë pjesë e veprimtarisë ilegale atdhetare, e cila kulmoi me demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981. Ishte dënuar me burg të rëndë, në mesin e një grupi ushtarësh shqiptarë në Maribor të Sllovenisë, për veprimtarinë atdhetare, e cila nga regjimi jugosllav i kohës konsiderohej si përpjekje për ta rrëzuar regjimin, në platformë të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Shefik Sadiku aktualisht punon në Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Dënuarve dhe të Ish të Përndjekurve Politikë. Jeton me familjen e tij në Prishtinë.
RKL- z. Sadiku keni qenë i burgosur dhe i dënuar politik në vitin 1981. Cila ka qenë situata që iu ka shtyrë ta ndiqni rrugën e vështirë dhe plot rreziqe për liri dhe barazi kombëtare?
Sh. Sadiku: Pozita e popullit shqiptar në Jugosllavi gjithnjë ka qenë e rëndë, gjithnjë i kanë munguar madje edhe të drejtat elementare, njerëzore dhe kombëtare. Kur të mungojnë të drejtat kombëtare, atëherë nuk mund të flitet për të drejtën e punësimit, të drejtën e fjalës së lirë, të edukimit dhe të arsimimit nacional, sepse verigat e robërisë janë të rënda. Këto i kuptojnë vetëm popujt e robëruar, e jo qeveritë shtypëse të cilitdo okupator qofshin ato, sikur ishin edhe qeveritë ne sundimin e regjimit titist ndaj popullit shqiptar. Trojet shqiptare ishin të pushtuara nga shteti Jugosllave, edhe më pëlqimin e Fuqive të Mëdha politike dhe ushtarake, evropiane dhe ndërkombëtare. Në vitin 1981, milicia jugosllave filloi të burgos shumë të rinjë shqiptare, sepse rinia jonë nuk pajtohej me robërinë që e kishte përgjumur politikën në Kosovë duke e propaganduar Vëllazërim-Bashkimin e kombeve dhe Kombësive në jugosllavi qe garantonte Kushtetuta e vitit 1974. Jugosllavia ishte e ndarë në 6 republika ( Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia,Mali i Zi dhe Maqedonia dhe dy krahina autonome ( Kosova dhe Vojvodina).
Populli shqiptar për nga numri ishte i treti në Jugosllavi ( pas serbëve dhe kroatëve), por nuk gëzonte këtë të drejtë. Malazezët ishin sa një e pesta apo e gjashta pjesë e popullit shqiptar dhe trajtoheshin komb, kurse neve na trajtonin si minoritet si kombësi. Prandaj, zgjimi i rinisë shqiptare pas demonstratave të vitit 1968 dhe themelimi i Universitetit të Prishtinë në shkurt të vitit 1970 dhe arsimimi nacional gjatë viteve të shtatëdhjeta e ngriti vetëdijen nacionale. Po ashtu edhe ndjekja dhe burgosjet masive të rinisë shqiptare gjatë viteve të shtatëdhjeta, si dhe shtypja politike nga politika zyrtare titiste sa vinte dhe e shtonte ndjenjën për zgjim nacional, gjithnjë duke iu falënderuar edhe propagandës së Shtetit të Shqipërisë që do t’i jemi mirënjohës përjetë e mot erdhi te ngritja në Demonstratat e vitit 1981, fillimisht me kërkesa ekonomiko – sociale, por dominonte kërkesa nacionale që të barazohej populli shqiptar me popujt tjerë në Jugosllavi dhe të mos të trajtohej si minoritet, por të avancohej në Komb, me të drejtën e Vetëvendosjes, për themelimin e Republikës së Kosovës. Pra kërkesa Republikë dominonte në mesin e demonstruesve që në ditën e parë me11 mars kur kanë filluar Demonstratat dhe deri në jetësimin e saj!
Pozita politike dhe ekonomiko -sociale e popullit tonë në robëri kërkonte të çlirohej nga zgjedha serbe-jugosllave me një anë dhe nga politika shtypëse jugosllave në anën tjetër. Asokohe filluan arrestimet masive politike te rinisë shqiptare nga regjimi titist, sepse politikanët shqiptarë nuk ishin në gjendje ta pritshin macën prej përsheshit dhe u pozicionuan në anën e politikës zyrtare të Jugosllavisë duke i quajtur armiq, irredentistë, nacionalistë, madje edhe fashistë, si plehrat e Kosovës që po e prishin vëllazërim-bashkimin e kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë. Prandaj në këso rrethana politike na kanë burgosur dhe akuzat ishin kryesisht fashiste e shoviniste sepse edhe politika jugosllave ishte e tillë.
RKL: Kush ju ka akuzuar dhe për çka ju kanë akuzuar?
Sh. Sadiku: Akuzat kanë qenë politike, nga Komiteti Qendror i Lidhjes Komuniste Jugosllave përkatësisht nga politika zyrtare e Beogradit. Ata na trajtonin sipas logjikës së politikës serbe-jugosllave jo vetëm si kundërshtarë por thjesht si armiq, edhe pse ne kërkonim të drejtat tona, ashtu sikur i kishin edhe popujt e tjerë të RSFJ-së. Na kanë trajtuar si armiq, sepse ne e kemi dashur lirinë e kombit shqiptar dhe ke kemi kërkuar që Kosova të avancohej në pozitën e Republikës së barabartë me republikat e tjera të Jugosllavisë. Hetimet kundër meje i ka udhëhequr shërbimi sekret i shtetit Jugosllav i ashtuquajtur KOS, shërbim i kundërzbulimit ushtarak. Hetimet, si të tilla kanë zgjatur edhe pasi na kanë dënuar kanë zgjatur gjeri sa na kanë liruar nga burgu. Hetuesit kanë qenë nga radhët e kombeve sllave të Jugosllavisë
RKL: Pasi ua shqiptuan dënimin a ju vendosen në mesin e të dënuarve ?
Sh. Sadiku: Mua më kanë dënuar në gjykatën ushtarake në Lubjanë me 24 shtator të vitit 1981. Pasi më kanë dënuar më kanë mbajtur edhe shtatë muaj në izolim, mandej më kanë dërguar në mbajtje të dënimit në mesin e të dënuarve në pavijon (megjithatë më kanë lejuar me një dhomë të dimensioneve të qelisë, së bashku me një të dënuar tjetër shqiptar të cilin e kishin dënuar në Pejë, në vitin 1981 për një vepër tjetër penale). Dënimin e kam mbajtur 6 muaj në Burgun hetues ushtarak në Lubjanë, pjesën tjetër në SHNP( KPD-DOB në Slloveni) dhe nëntë muajt e fundit në burgun e Qarkut ne Maribor të Sllovenisë.
RKL: Cili ka qenë dallimi mes fazës së hetuesisë në burg dhe vuajtjes së dënimit?
Sh. Sadiku: Dallimi ka qenë i madh sepse në hetuesi p.sh nuk kishe pasur të drejtë të lexuar asgjë, nuk kishte shëtitje jashtë qelisë, nuk kishte kontakt me të burgosur të tjerë. ndërkaq në “Shtëpi Ndëshkuese Korrektuese” ke pasur të drejtë leximi, shëtitje madje edhe të drejtë pune. Qëndrimin në mesin e të burgosurve, ne shqiptarëve nuk na lejonin të shoqëroheshim dhe na akuzonin se nuk po “risocializohemi” që e kishte kuptimin se nuk po i ndërrojmë bindjet, as pikëpamjet politike.
Vizitat kanë qenë më të shpeshta edhe pse përgjoheshin përkatësisht ka qenë një gardian të cilin e detyronin qe t’i përgjojë bisedat me familjen në vizitë, nga njëherë edhe i kanë incizuar sepse nuk i besonin edhe gardianit pasi që edhe ai ishte shqiptar…Nëntë muajt e fundit më transferuan në burgun e Mariborit si masë ndëshkuese me akuza të njëjta nga ato që m kishin dënuar, si rrjedhojë pasoi një muaj qeli, dhe pjesën tjetër në izolim total. Në burgun e Mariborit sa më mbanin në izolim më kanë lejuar të lexoj dhe të shëtis.
RKL: Pasi mbaruat dënimit si iu priten familja shokët dhe farefisi?
Sh. Sadiku: Më kanë liruar nga burgu në maj të vitit 1986. Pas pesë viteve më kanë liruar nga burgu i Mariborit, familja na kanë pritur mirë dhe me kalimin e kohës jemi integruar… …Pasi më liruan nga burgu shkova në familje, në fshat, në Hodonoc. Natyrisht kishin kaluar gjashtë vite që nuk i kisha parë disa anëtarë të familjes, edhe djali ishte rritur i kishte bërë gjashtë vite. Prindërit ishin plakur për këto vite,nipat e mbesat ishin rritur ato që kanë qenë të lindur dhe më vonë kanë lindur edhe të tjerë, të cilët nuk i kisha parë sepse familja për një vizitë në Slloveni i kalonin mbi 1ooo kilometra …
U gëzuan pa masë që u ktheva në shtëpi, mirëpo në anën tjetër, situata politike ishte e rënde nuk ishte zgjidhur asgjë! Robëria shtohej, veprimet e shovinizmit serb dhe apetitet për t’i pushtuar trojet shqiptare dhe për ta nënshtruar popullin shqiptar, ishin shtuar nga politika fashiste jugosllave e cila i shërbente me devotshmëri politikës aktuale serbe në dëm të popullit shqiptar e pjesërisht edhe në dëm të popullit kroat! Politika shtetërore jugosllave të cilës i prinin serbët edhe pse në aspektin formalo juridik ishin të barabarte gjithashtu edhe në aspektin diplomatik dominonte propaganda, se ky shtet ishte stabil: në aspektin politik ekonomik dhe social edhe pse e vërteta ishte ndryshe . Shteti Jugosllav ishte i mbytur në borxhe, shovinizmi serb dominonte në të gjitha republikat ( përjashtim bënë Sllovenia) dhe në krahinat autonome. Në Kroaci, në vendet kyçe në polici udhëheqnin serbët me 78% në Kosovë me mbi 9o % në Vojvodinë po ashtu me përqindje të madhe, në Bosnjë e Hercegovinë afër 8o %, Malin e Zi dhe Maqedoninë nuk i llogariste Serbia se janë republika por, I shfrytëzonte për interesa të veta… etj!
Ky ishte shqetësimi më i madh jo vetëm për mua…Gjithashtu nga dita e parë kur kam mbërritur në familje UDB-a ( shërbimi i sigurimit të shtetit Jugosllav), “kujdesej” për ne, na përcillte në çdo hap, se kush na vizitonte, dhe kah po shkonim e po lëviznim. Informatorët çdo vizitor e regjistronin, i kishin rekrutuar njerëzit e tyre disa me pagesë e disa të tjerë pa pagesë e informonin UDB-në në Kamenice e Gjilan…Megjithatë miqësia dhe farefisi i gjerë më kanë vizituar. Kur më liruan nga burgu, UDB-së, i interesonte se a na vizitonin shokët e vjetër… Duhet të fillonim organizimin e jetës në rrethana të reja me një regjim edhe me të egër të shtetit Jugosllav…
RKL:Pas daljes nga burgu a kontaktonit me shokët si dhe a keni vazhduar veprimtarinë politike e kombëtare?
Sh. Sadiku: Deri në vitin 1989 kemi qenë nën masa më të rrepta të vëzhgimit, pas nëntorit të vitit 1989 ndryshoi politika serbe sepse u shtuan apetitet politike të Serbisë për ta pushtuar edhe at pak ”autonomi” sa kishte qenë. Ne e kemi vazhduar veprimtarinë, dhe nuk jemi ndalur gjithnjë duke i dhënë përparësi politikës kombëtare sepse tashmë me suprimimin e Autonomisë dhe të Kushtetutës së vitit 1974 Serbia e pushtoi në mënyrën më barbare Kosovën dhe bënte përpjekje që me represion dhe me dhunë ta dëbojë popullin shqiptarë nga trojet e tyre në Jugosllavi, të cilën e shkatërruan…serbët ! Politika e Millosheviqit e përkrahur nga Kryetari i RSFJ-së, slloveni, Janez Dernovshqek me rastin e përvjetorit të humbjes së Betejës së Kosovës (me 28 qershor 1989, që ishte 600 vjetori i asaj beteje që po manifestohej në Gazimestan afër Prishtinës!
Natyrisht çdo ish i dënuar politik ka qenë nen vëzhgimin UDB-se dhe pengesa ka pasur por kjo kategori kombëtare kurrë nuk është ndaluar.
RKL: Me cilat sfida jeni përballur në vitet në vazhdim, si ia dilnit mbare të siguroni të ardhurat për mbajtur familjen?
Sh. Sadiku: Pas lirimi nga burgu, ishte situatë edhe më rëndë, sepse jo vetëm që ishim papunë, nuk kishim të ardhura kurrë fare, duhej punuar në dy fronte; për t’u kujdesur për familje dhe për t’u organizuar, sepse filluan shumë shokë të dilnin prej burgjeve, e disa i burgosnin rishtazi. Ne takoheshim në mes vete, solidarizoheshim me familjet e shokëve që ishin nëpër burgje, me sa kishim mund si i ndihmonim familjet e tyre. Punonim punë të rënda për të jetuar. Bile shumë shokë punonim punë fizike e disa p.sh hapnin edhe puse, për ta siguruar ekzistencën…Po, është shtuar familja,por preokupimin më të madh e kemi pasur çlirimin nga shovinizmi serb, sepse kemi qenë të bindur se nuk na vyen asgjë pa Lirinë Kombëtare dhe të atdheut!.
RKL: Mund të na përshkruani takimin tuaj pas sa vitesh me familje, konkretisht me djalin tuaj i cili ne at kohë ishte 6 vjeç?
Sh. Sadiku: Pas shqiptimit të dënimit prej pesë viteve, kam pasur vizita në burg ( në Burgun ushtarak në Lubjanë) e më pas edhe në SHNP në Mirna të Sllovenisë afër Novomestos mesatarisht në çdo të 21 ditë kam pas vizitë. Edhe pse në kushte të rënda ekonomike familja na vizitonte gjatë vuajtjes së dënimit, përkundër insistimit tonë për të mos na vizituar aq shpesh sepse dominonte kriza ekonomike në Kosovë po ashtu edhe në familjen tonë më kanë vizituar: babai, nëna,vëllezërit, motrat, bashkëshortja me djalin dhe një kushëri… Pas tri viteve e kam parë djalin –Elbasanin kur më erdhi për të më vizituar bashkëshortja, djali ishte rritur.
RKL: Tani jeni duke punuar në Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Dënuarve dhe të ish të Përndjekurve Politikë. Si po u shkon puna në atë Komision?
Sh. Sadiku: Komisioni Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Dënuarve dhe të Ish të Përndjekurve Politikë është duke punuar me një intensitet të shtuar të punës, për njohjen e statusit e ish të dënuarve dhe të drejtën në kompensim të ish të dënuarve politikë. Komisioni Qeveritar ka arritur një marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Kosovës që në afat prej pesë viteve të realizohet ky projekt i kompensimit. Qeveria e Kosovës i ka ndarë 55 milionë euro për kompensimin e 4197 ish të dënuar.
Ligji i njeh tri kategori:
Ish të dënuarit,
Ish të burgosurit dhe
Ish të përndjekurit Politikë.
Statusi i ish të Dënuarit dhe ish të Përndjekurit Politikë dhe të drejtat tjera sipas Ligjit u njihen të tri kategorive, ndërkaq të drejtën në Kompensim e gëzojnë kategoria e ish të dënuarit, që do të thotë ata që janë dënuar më shumë se dy muaj burg.
Aplikimi ka filluar në muajin Mars të vitit 2o13 dhe ka vazhduar deri në Qershor, kanë aplikuar më tepër se 1o mijë aplikues, prej tyre të drejtën e Kompensimit e gëzojnë 4197 ish të dënuar djeri në mars të vitit 2o14 që i ka verifikuar Komisioni Qeveritar. Shuma që i paguhet ish të dënuarit për një ditë të kaluar në burg është 16.7o €.
Për vitin 2o14, Qeveria e Republikës së Kosovës i ka ndarë 5 milionë euro. Komisioni gjatë vitit të kaluar ua ka njohur statusin e ish të Dënuarit dhe të Drejtën në Kompensim 219 ish të dënuarve, që përfshinë shumën prej 4,999,24o.o8 €, që të lë për të kuptuar se janë shpenzuar të gjitha mjetet të cilat i ka pasur në dispozicion Komisioni .
Gjatë vitit të kaluar Komisioni Qeveritar i ka shqyrtuar aplikacionet që kanë qenë të kompletuara me dokumente, duke filluar me ish të dënuarit që janë gjallë prej vitit 1945 – 1950 – 1960 – 1970 – 1980 e gjeri në vitin 1981. Ata aplikues të cilët nuk i kanë pasur dokumentet të Kompletuara, sekretaria e Komisionit ua ka kërkuar dokumentet që iu mungonin me kusht për t’i shqyrtuar Komisioni. Gjithashtu, Komisioni me një vendim të veçantë i’u ka dhënë përparësi ish të dënuarave, femra, të cilave ua ka njohur Statusin e ish të Dënuarit dhe të Drejtën në Kompensim. Komisioni gjatë punës së vet përparësi iu ka dhënë: rasteve të rënda sociale dhe rasteve të rënda shëndetësore, po ashtu, edhe atyre ish të dënuarve që ishin mbi moshën 70 vjeçare pavarësisht kur janë dënuar! Komisioni Qeveritar, për vitin 2015 perparësi iu ka dhënë ish të dënuarve të cilët janë të vdekur me bashkëshorte gjallë si dhe ish të dënuarve të vitit 1981, paralelisht punohet me këto dy kategori.
Komisioni, rregullisht i informon ish të dënuarit që t’i kompletojnë dokumentet sepse për ndryshe nuk i shqyrton aplikacionet të cilat nuk janë të kompletuara ! Pos aplikacionit, ata duhet t’i sjellin edhe këto dokumente: Aktgjykimin e gjykatës supreme, Fletë-lëshimin nga burgu, Kopjen e letërnjoftimit. Doemos duhet të jetë data e arrestimit në aktgjykim, nëse nuk është data e arrestimit atëherëë aplikuesi është i obliguar të sjellë aktgjykimin e gjykatës së qarkut kur e kanë dënuar apo aktakuzën ose ndonjë dëshmi tjetër. Në mungesë të Fletë-lëshimit nga burgu, aplikuesit duhet ta sjellin Deklaratën nga Noteri me dy dëshmitarë bashkëvuajtës, me të cilën dëshmojnë dëshmitarët se kanë qenë bashkëvuajtës me ish të dënuarin politikë.
Ndërkaq, për vitin 2o15, qeveria i ka ndarë 1o. 5oo,ooo.oo € , (Dhjet milionë e pesëqind mijë euro).
Komisioni Qeveritar gjatë muajve: Janar, Shkurt, Prill dhe Maj ua ka njohur statusin e ish të Dënuarit dhe të Drejtën në Kompensim 263 ish të dënuarve në shumën prej 6,627,615,oo € , gjashtë milionë e gjashtë qind e njëzet e shtatë mijë e gjashtë qind e pesëmbëdhjetë euro.
Z Sadiku, ju falënderojmë për intervistën!
Faleminderit edhe juve