leoni

Intervistë me Kryeshefin Ekzekutiv të Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha

RKL: Cili është misioni kryesor i postës së Kosovës?

Hoxha: Posta e Kosovës është një ndërmarrje e re publike e cila funksionon si ndërmarrje e re që nga gushti i vitit 2012. Misioni kryesor i Postës është që në 155 zyra postare sa janë të shpërndara në tërë territorin e Republikës së Kosovës të ofroj shërbime sa më të mira sa më cilësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

RKL: Sa po arrin Posta e Kosovës të ofroj shërbime cilësore për të gjitha kompanitë publike dhe private si dhe për konsumatorët e vet?

Hoxha: Posta e Kosovës ka nis që të jetë e hapur për të gjithë tregun, duke filluar një bashkëpunim me të gjitha institucionet, ndërmarrjet publike dhe private në Kosovë. Posta e Kosovës ka arritur që ta ngrit  lart imazhin e saj si kompani, duke bërë që partneret tanë të biznesit të ndahen të kënaqur me shërbimet që ne i ofrojmë. Vlen të përmendet që kohëve të fundit kemi bërë shumë marrëveshje bashkëpunimi, kemi nënshkruar shumë kontrata për kryerjen e shërbimeve postare dhe për shërbime të tjera me institucione dhe kompani të ndryshme. E rëndësishme është që ka filluar të ngrihet besimi i të gjitha institucioneve dhe kompanive që punojnë me Postën e Kosovës.   Me këtë rast, duhet të përmendet që për herë të parë kemi themeluar zyrën e cila do të merret me trajtimin e konsumatorëve të mëdhenj  që ka Posta e Kosovës  d.m.th t’i trajtoj pak më ndryshe. Si shembull mund të marrim kontratën kryesore që e kemi me Këshillin Gjyqësor të Kosovës që kryen shërbime postare, të një karakteri më të ndjeshëm. Ne kemi caktuar një person kontaktues nga Posta e Kosovës  në nivel të lart menaxheria, i cili do të merret me çdo trajtim të ankesës  që vjen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.  Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, kemi formuar  një zyrë të veçantë për trajtim të konsumatorëve të mëdhenj dhe kemi caktuar  persona përgjegjës për t’i trajtuar dhe menaxhuar këto kontrata në mënyrën më të mirë të mundshme. Krejt çka mund të them është se kjo ka ndikuar në ngritjen  e mirë të imazhit të Postën e Kosovës   dhe në ngritjen e besueshmërisë së institucioneve dhe kompanive të ndryshme që të punojnë me kompaninë tonë.

RKL: Me çfarë vështirësi është përballur menaxhmenti i Postës së Kosovës bashkë me tërë stafin pas ndarjes nga PTK-ja dhe cilat janë të arriturat e Postës së Kosovës pas marrjes së detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv tetorin e kaluar?

Hoxha: Postën e Kosovës,  si ndërmarrje e re publike e kanë karakterizuar probleme të ndryshme. Çdo ndarje i ka lënë pasojat e veta e veçanërisht në kompanitë e mëdha, nga 1 gushti 2012. PK është  nda nga PTK-ja e cila ka pasur tri njësi biznesi: Valën, Telekomin dhe Postën. Me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ta privatizuar Valën dhe Telekomin , Posta është themeluar si kompani e re dhe tash funksionon si kompani e pavarur nga PTK-ja. Posta ka bordin e saj, menaxhmentin dhe të gjithë punëtorët. Në fillim ka pasur vështirësi, sidomos me mungesat në stafin  inxhinierik, atë të ekonomistëve e kështu me radhë, sepse një numër i punëtorëve kanë qëndruar në PTK.

RKL: A kanë qenë të detyruar të qëndrojnë apo si ka shkuar procesi i vendosjes së stafit nëpër vendet e punës?

Hoxha: Po e marr si shembull konkret Zyrën financiare të PTK-së. Thuajse të gjithë ekspertët dhe ekonomistët  e certifikuar që kanë mbetë në PTK për arsye se natyra e punës së tyre ka qenë në PTK. Ndërsa në Postë  kemi qenë të obliguar të formojmë gjithçka nga fillimi, siç është zyra e financave, zyra e prokurimit dhe njësitë mbështetëse që përfshinin sigurimin, mirëmbajtjen dhe pastërtinë e objekteve. Në të gjitha zyrat postare dhe sportelet, Posta e Kosovës ofron shërbime dhe shet shërbime të Valës dhe Telekomit.

RKL: A i shitni edhe të Z-mobile?

Hoxha: Vizioni ynë kryesor është që në zyrat postare t’u ofrojmë qytetarëve shërbime sa më të mëdha në mënyrë që ata të kenë sa më të lehtë kryerjen e këtyre shërbimeve. Ne kemi filluar me shërbimet e shitjes të valës dhe telekomit e tani jemi në bisedime edhe me operatorin Z-mobile që të shesim shërbime.  Pavarësisht konkurrencës së operatorëve mobil, qytetarët janë të lirë të zgjedhin me cilën mbushje telefonike të furnizohen. Misioni kryesor i Postë së Kosovës është që t’u ofrojmë shërbime sa ma të mira qytetarëve.

 RKL: Cilën marrëveshje do ta veçonit si domethënëse për perspektivën e PK?

Hoxha: Ne kemi bërë një hapje të tregut, kemi bërë shumë vizita në ndërmarrje, kompani, ministri si dhe kemi themeluar ekip të veçantë,  i cili prezanton ofertat e Postës për shërbimet që ne ofrojmë.  Krejt kjo ka ndikuar në kthimin e besueshmërisë që të punohet me Postën  e Kosovës. Me korrektësinë që ne jemi duke treguar karshi institucioneve dhe partnerëve të biznesit,  është ngritur edhe numri i kontratave dhe krahasuar me vitin e kaluar kemi shumë më shumë kontrata të nënshkruara.

RKL: Pra ju e mbuloni tregun me 80% ?

Hoxha: Në bazë statistikave që ka dalë nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, rezulton që Posta ka diku rreth 80% të mbulueshmërisë së tregut karshi operatorëve tjerë postar. Është hera e parë që posta e ka këtë mbulueshmëri të tregut. Unë mendoj që e kemi ngritur lart edhe sjelljen e punëtorëve tanë në terren , duke forcuar kontrollin e brendshëm në kompani. Falë punës së Inspektoriatit, ka shumë raste që kanë përfunduar me degradime në Komisionin Disiplinor të Postës së Kosovës. Por ka edhe raste të tjera kur punëtorët e papërgjegjshëm janë largu nga puna. Krejt këto masa janë bërë vetëm e vetëm që të tregojmë një seriozitet në kompani dhe secili të shpërblehet për punën e tij. Mund të them se gjithë këta hapa kanë ndikuar në rritjen e numrit të kontratave dhe vetëdijesimin e punëtorëve. Jemi të vendosur që përgjegjësinë në punë ta ngrisim në nivelin më të lart menaxherial në mënyrë që partnerët tanë të shohin që ne jemi serioz në ofrimin e shërbimeve.

RKL: Kur do të pajiseni me licencë nga BQK-ja për ofrimin e shërbimeve financiare  jobankare, pasi e keni vlerësuar si njërin nga projektet më të rëndësishëm për të ardhmen e Postës?

Hoxha: Fokusi ynë maksimal si menaxhment i lartë i Postës së Kosovës ka qenë futja në funksion e shërbimeve financiare jobankare. Ne fillimisht jemi përballë me disa probleme teknike, sepse nuk është e lehtë që të futet një sistem i tillë në funksion. Në marrëveshjen e përbashkët që kemi bërë me Postën e Turqisë, ka rezultuar qe një ekip i ekspertëve turq ka ardhur në Kosovë, ka qëndruar disa ditë dhe na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë që ta vëmë në funksion sistemin, i cili do ta bëjë të mundur ekzekutimin e këtyre pagesave. Kemi kompletuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të aplikuar në Bankën Qendrore të Kosovës. Madje, javën e kaluar kemi marrë njoftimin që dokumentacioni pothuajse është kompletuar dhe na është kërkuar që të bëjmë edhe pagesën për aplikim, që do të thotë se pothuajse 95% është finalizuar raporti dhe jemi në fazën finale të marrjes së licensës për ofrimin e këtyre shërbimeve. Unë mund të them që qytetarëve të Kosovës do t’u mundësojmë kryerjen e shërbimeve shumë cilësore, të shpejta në të gjitha zyrat postare dhe që qytetari i Kosovës do të ketë mundësi që edhe në fshatrat më të thella të Kosovës të bëjë pagesën e energjisë elektrike, pagesën e ujit, mbeturinave, pagesat e gjobave të trafikut, pensionet, pagesat e semestrit për studentë e kështu me radhë.

RKL: Kur folni për pensionet, mendoni tërheqjen e pensioneve. Pse pra nuk po ndodhë kjo? A duhet një leje e veçantë?

Hoxha: Do të duhet një licensë e veçantë nga BQK-ja dhe në kërkesën që e kemi bërë për licensim, është e paraparë edhe ky lloj shërbimi.

RKL: Sa është i mirëpritur ky lloj shërbimi për Postën, por edhe për pensionistët? Mendoni që tërheqja e pensioneve përveç në vendet e caktuara nëpër zyret postare të bëhet shtëpi në shtëpi?

Hoxha: Ne e kemi mundësinë edhe të tërheqjes nëpër zyra postare, por edhe të dërgimit e tyre deri në shtëpitë e tyre. Në çdo zyrë postare të Kosovës kemi postierët tanë të shpërndarjes dhe nuk e kemi problem dërgimin në shtëpitë apo zonat e banimit. Siç e thashë, ne kemi marrë konfirmimin se i gjithë dokumentacioni është në rregull dhe besoj që brenda muajit BQK-ja do të vendosë që Posta e Kosovës të pajiset me këtë licensë.

RKL: Një sqarim rreth pagesave të faturave të energjisë elektrike. Operatori tani është i privatizuar, KEDS-i. A keni zhvilluar biseda me zyrtar nga KEDS-i apo i keni zhvilluar më herët me përfaqësuesit e KEK-ut?

Hoxha: Ne e kemi diskutuar me të gjitha ndërmarrjet publike. Fillimisht do të doja të bëja një dallim të vogël. Ligji mbi shërbimet postare që është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, Operatorit Publik Postar, në këtë rast Postës së Kosovës i jep një komoditet që deri në zonën e rezervuar, deri në një kilogram, asnjë operator tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë në atë zonë. Kjo bëhet për një arsye. Nëse një qytetarë dëshiron ta dërgojë një letër nga Prishtina deri në zonat e thella të Hasit e të Prizrenit, ne si Postë e Kosovës nuk guxojmë t’i themi që nuk mund ta bëjmë këtë lloj shërbimi. Jemi të obliguar që ta pranojmë letrën dhe në rast se letra kushton vetëm 20 cent ta dërgojë, ne do të bëjmë shpenzime 30 deri në 40 euro ta dërgojmë  në fshatrat më të thella të Kosovës. Për këtë çështje në ligjin mbi shërbimet postare është paraparë edhe zona e rezervuar. Edhe pse kemi shumë informata se sot në Kosovë nuk respektohet nga operatorët tjerë privat, mirëpo ne jemi shumë të vëmendshëm dhe të sigurt se çdo qytetari do të mundohemi që maksimalisht t’u kryejmë shërbimin e kërkuar. Desha të ndalem edhe te faturat e hapura që dërgohen nga ndërmarrjet si publike ashtu edhe private në Kosovë. Agjencioni për Mbrojtjen e të Dhënave ka dalë me një deklaratë ku ka theksuar se është e pakuptimtë dhe joligjore që secili të di për borxhin e secilit ndaj ndërmarrjes apo kompanive. Kjo konsiderohet si privatësi, prandaj mbrojtja e privatësisë do të bëhet dhe është e obliguar që të bëhet me zarfimin e faturave të tyre. Në momentin kur fatura zarfohet, në bazë të ligjit për shërbimet postare, ajo hyn në fushën e shërbimeve postare dhe njihet si shërbim postar. Në këtë kontekst, asnjë kompani tjetër nuk ka të drejtë që nuk është e licensuar të kryej shërbime postare që ta bëjë shpërndarjen dhe dorëzimin e atyre faturave.

RKL: Kush duhet të reagoj?

Hoxha: Ne kemi reaguar si Postë e Kosovës. Do të reagojnë edhe institucionet tjera  dhe Agjencioni për Mbrojtjen e të Dhënave duhet të jetë më këmbëngulës në këtë pozicion. Unë kam informata që disa nga kompanitë kanë filluar t’i zarfojnë faturat, por e dimë se edhe ata kanë probleme, për arsye se një numër të madh të inkasantëve që kanë trashëguar, pothuajse e kanë kryer të njëjtën punë, ndoshta edhe shpërndarjen e faturave dhe matjen e njehsorëve të KEK-ut. I kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe jemi të gatshëm që të marrim përgjegjësitë tona për shpërndarjen e të gjitha faturave në Kosovë.

RKL: Sa është i trajnuar stafi aktual për ofrimin e shërbimeve financiare?

Hoxha: Në momentin që kemi bërë aplikimin në BQK për të marrë licensën për shërbime financiare jobankare, ne kemi themeluar një ekip të veçantë prej ekspertëve të teknologjisë informative në kuadër të Postës së Kosovës, i cili ka filluar me trajnime pothuajse qe dy muaj. Ka filluar me trajnimin e sportelistëve që i kemi në zyra postare, në mënyrë që në momentin kur ne pajisemi me licensë të jemi gati të fillojmë dhe mund të them që në të gjitha ato zyra postare jemi të gatshëm qysh sot që të fillojmë me ofrimin e shërbimeve financiare jobankare. Vlen të përmendet që nuk kemi organizuar trajnime vetëm për këto shërbime, por kemi organizuar trajnime për të gjitha shërbimet që sot kryhen në Postën e Kosovës. Gjithë sportelistët tanë janë certifikuar nga Komisioni Profesional.

RKL: Sa është e dobishme për Postën e Kosovës marrëveshja me Postën e Sllovenisë dhe me çka dallohen postat e vendeve të rajonit me Postën e Kosovës?

Hoxha: Kemi pasur mjaft vizita, madje personalisht  kam vizituar Postën e Sllovenisë dhe postat e vendeve të tjera. Fokusi ynë kryesor ka qenë edhe bashkëpunimi ndërkombëtar, dmth, Postës së Kosovës t’i hapim dyert e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Slloveninë dhe Turqinë. Fokusi ynë maksimal me Postën e Sllovenisë është ndihmesa që ajo mund ta bëjë në anëtarësimin tonë në mekanizmat ndërkombëtar dhe trajnimet e stafit.  Të gjitha këto marrëveshje kanë rezultuar me gjëra konkrete. Unë mund të them që nuk jemi larg postave tjera, në ofrimin e shërbimeve në krahasim me postat tjera. Vlen të përmendet që posta e Sllovenisë ofron edhe shërbime të kredituara apo kredi dhe ofrimin e shërbimit të pagesave. Në fazën e parë ne do të bëjmë ofrimin e shërbimit të pagesave për të kaluar më vonë edhe me shërbime të tjera bankare.

RKL: Cilat janë disa nga objektivat e Postës në drejtim të rritjes së të hyrave financiare?

Hoxha: Ne shumë shpejt do të fillojmë me shërbimin më të ri – shërbimet financiare bankare. Avantazhi ynë në këtë pikë është se zyrat postare janë të hapura deri në orën 9 të mbrëmjes, duke e ditur se shumica e bankave në vend mbyllën në orën 16. Shumica e tyre që punojnë në orarin administrativ kanë mundësi të kryejnë të gjitha shërbimet. Në bisedime jemi edhe me operatorë të tjerë për transferin e parave nga Kosova në vendet e tjera. Ky projekt realizohet përmes marrëveshjeve që kemi me Western Union, Money Gramm dhe kompani të tjera që kryejnë këto lloj shërbimesh.

RKL: Pse pikërisht me këto banka…

Hoxha: Sepse ne nuk kemi lincesë si Postë e Kosovës që të bëjmë transfere parash nga zyrat postare. Kështu që ne shfrytëzojmë softuerët e tyre, mirëpo Posta merr provizion nga të gjitha këto shërbime që ofron. Mendojmë se këtë do ta zgjerojmë në zyra dhe komuna tjera ku ka nevojë. Projekt tjetër yni është ofrimi i shërbimeve më të mira, pastërtia në zyrat postare dhe renovimi i tyre, projekt i cili është afër përfundimit. Ne do të shohim gjithnjë e më tepër që ta rrisim bashkëpunimin me çdo institucion. Vlen të përmendet se këtë vit kemi marrëveshje për herë të parë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të kryer shërbime gjatë zgjedhjeve. Marrëveshje kemi edhe me EULEX-in dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.  Duke marrë parasysh këto projekte, shihet se ka rritje të besueshmërisë të institucioneve të tjera për të bashkëpunuar me Postën, të cilën synojnë ta bëjmë një kompani të besueshme dhe rentabile për vendin tonë.

RKL: A i ka rritur Posta të hyrat e saj në krahasimin me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar?

Hoxha: Në bazë të raportit gjashtëmujor të cilin e kemi dërguar në Njësinë e Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht në Qeveri. Shihet se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 kemi rritje të të hyrave për 20% më shumë si dhe 60% reduktime të shpenzimeve krahasuar me planin e biznesit. Sidomos për këtë të fundit kemi bërë çmos për të reduktuar shpenzimet e panevojshme, përdorimin e veturave zyrtare, vizitat jashtë vendit si dhe kemi reduktuar pagat e stafit menaxherial. Jam i sigurt se me punën që janë duke e bërë i gjithë stafi, brenda një periudhe të shkurtër do të stabilizohemi ekonomikisht si kompani.

RKL: Posta dihet se i ka rreth 970 punëtorë. Sa janë të sigurt ata për vendet e tyre të punës ?

Hoxha: Për hir të opinionit më duhet të sqaroj se ne kemi arritur për herë të parë të harmonizojmë gradat në Postën e Kosovës sepse para kësaj periudhe kemi pasur raste kur dy persona kanë bërë punë të njëjtë, por kanë marrë paga të ndryshme. Kjo gjë, sigurisht se nuk ka qenë e lehtë, por mund të them se ata që janë ndjerë të diskriminuar e kanë marrë meritën e tyre, ndërsa ndonjëri edhe nëse ka qenë i privilegjuar e ka marrë vetëm atë që meriton. Vlen të përmendet se deri në gradën 10, pra deri te stafi menaxherial, të gjithë punëtorët i kemi pajisur me kontrata të përhershme në Postën e Kosovës në përputhje me Ligjin e Punës të miratuar nga Kuvendi. E shpreh falënderimin tim ndaj të gjithë punëtorëve që ndjejnë një përgjegjësi të lartë në kryerjen e detyrave, sepse kompania ka raste kur rrezikohet më tepër nga stafi menaxherial sesa punëtorët.

RKL: A keni mbështetje të plotë nga Qeveria si aksionare e Postës?

Hoxha: Ne besoj se kemi bërë një punë të mirë sa i përket menaxhimit të Postës, gjë që e ka bërë si Qeverinë ashtu edhe institucionet e tjera të ndihen mirë. Nuk ka qenë e lehtë që në një periudhë pas ndaljes, një kompani të pavarësohet në kuptimin e funksionimit. Jemi munduar të jemi korrekt edhe me mediet, duke treguar transparencë në menaxhim. Pra, ne kemi tejkaluar një proces të rëndësishëm, pa kurrfarë problemi në kuptimin e ofrimit të shërbimeve që e kemi për obligim si kompani. Vlen të përmendet se për herë të parëPosta e Kosovës ka filluar të mbështetet nga Qeveria për projekte kapitale. Ne kemi arritur që këtë vit në planin e biznesit për vitin 2014 të fusim në një projekt kapital një vlerë prej 1 milionë eurosh. Synimi ynë është që Qeveria e Kosovës mos të ketë barrë në ofrimin e mjeteve financiare për paga, mallra dhe shërbime.

RKL: Cila do të ishte porosia juaj për stafin e Postës dhe të gjithë konsumatorët?

Hoxha: Unë mund të them se ne do të jemi shumë të përgjegjshëm me konsumatorët që kemi kontrata afariste me ta. Çdo vërejtje e tyre do te trajtohet brenda ditës dhe do t’i kthehet përgjigje. I falënderoj të gjithë punëtorët dhe stafin menaxherial që janë të përkushtuar në ofrimin e shërbimeve dhe kryerjen e detyrave që kanë. E përsëris se nuk do të bëjmë tolerime ndaj asnjë akti i cili e dëmton imazhin e Postës.

Intervistoi:
Jeton SYLA
6 shtator 2013

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …