Intervistë me kryetarin e Hanit të Elezit, Rufki Suma

RKL: Cilat janë prioritet tuaja për këtë vit?

Suma: Si zakonisht edhe në vitin 2013, prioritet mbetet zhvillimi i infrastrukturës, kanalizimi, rregullimi i varrezave të dëshmorëve dhe disa projekte që kanë mbetur në gjysmë nga viti paraprak.

RKL: Sa keni përkrahje nga Qeveria e Kosovës në realizimin e projekteve të ndryshme me interes për qytetarët e komunës suaj?

Suma: Ne kemi pasur përkrahje nga niveli qendror prej ministrive të ndryshme, sidomos nga MAPL, ku çdo vit kemi realizuar nga një projekt, pastaj asaj të Infrastrukturës, ku jemi duke rregulluar rrugën nga Hani i Elezit deri te varrezat e dëshmorëve në Puset e Nikes. Këto janë ndër projektet më të rëndësishme për Hanin e Elezit. Me këtë edhe përfundon e tërë infrastruktura rrugore për asfaltimin e rrugëve në rajonin e komunës sonë. Mbeten disa rrugë lidhëse pre fshatit në fshat, të cilat janë më pak se një kilometër.

RKL: Marrë në përqindje sa keni arritur të realizoni asfaltimin e rrugëve dhe rregullimin e kanalizimit në komunën tuaj?

Suma: Lirisht mund të themi se 80% e rrugëve dhe kanalizimeve janë realizuar. Kemi kanalizime edhe në fshatrat më të largëta deri në Han të Elezit. Sa i përket zonës urbane, krejt infrastruktura rrugore është e rregulluar.

RKL: Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur gjatë këtyre viteve të mandatit tuaj?

Suma: Sfidë kryesore edhe gjatë viteve të kaluara por edhe tani është furnizimi me ujë për qytetarët e Hanit të Elezit për shkak se këtu kemi disa përzierje të kompetencave nga niveli qendror në atë lokal. Si kompani e cila duhet të menaxhojë çështjen e ujit në Han të Elezit është kompania ‘Bifurkacioni’ që është në Ferizaj, por realisht ajo kompani asnjëherë nuk ka menaxhuar dhe nuk ka kryer obligimet e veta ndaj qytetarëve të Hanit të Elezit. Për këtë arsye edhe ne kemi probleme ngase qytetarët vijnë dhe ankohen në komunë e nuk shkojnë tek kompania ‘Bifurkacioni’ në Ferizaj.

RKL: Kur mendoni ta tejkaloni këtë problem?

Suma: Ky problem mund të tejkalohet vetëm përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Jemi në bisedime me këtë ministri, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje ose të na lejojnë që ne të menaxhojmë me ujin në komunën tonë ose në fund të fundit kompania regjionale ta marrë përsipër edhe komunën e Hanit të Elezit. Na është thënë derisa komuna e Kaçanikut është e shkyçur edhe Hani i Elezit nuk ka mundësi të menaxhohet nga kompania ‘Bifurkacioni’.

RKL: Jeni kryetari i vetëm jo-partiak dhe shembull për ruajtjen e parasë publike. Si ia del të funksionojë kabineti juaj kur keni hequr dorë nga shumë benefite, çka nuk është rasti me kolegët tuaj nëpër komuna e tjera të vendit?

Suma: Realisht si komunë kemi shpenzime. Mirëpo ne kemi hequr dorë nga benefitet personale që janë të parapara për kryetarin. Nga këto unë kam hequr dorë dhe asnjë faturë për shpenzime të ndryshme si dreka e darka nuk e përcjell në komunë.

RKL: Sa ka arritur t’u dalë në ndihmë komuna e Hanit të Elezit familjeve të Dëshmorëve?

Suma: Mendoj se sa i përket familjeve të dëshmorëve kemi përmbushë një obligim meqë unë kam qenë edhe komandant i UÇK-së e TMK-së. Edhe në kohën kur ne nuk kemi qenë komunë, ne jemi kujdesur për këtë kategori. Menjëherë pas luftës kemi rregulluar varrezat e dëshmorëve. Gjithherë në festat e ndryshme kombëtare fillimisht vizitohen familjet e dëshmorëve e pastaj të tjerët. Pas lufte, çdo familje të dëshmorëve në Han të Elezit u kemi ndarë nga një parcelë, ku kanë ndërtuar nga një lokal afarist në afërsi të kufirit. Gjithashtu nga një anëtar të familjes së dëshmorëve, fjala është par ata që kanë pasur anëtarë të moshës madhore, janë punësuar nga një. Tani kemi bërë edhe nga një beneficion tjetër, jo vetëm për familjet e dëshmorëve por për të gjithë qytetarët e komunës, ku i heqim të gjitha shpenzimet e varrimeve. Për familjet e dëshmorëve të rënë në Maqedoni, pushteti ka lënë pas dore dhe nuk kanë pasur beneficione. Ne si komunë, nga momenti kur unë jam zgjedhur kryetar, atyre familjeve u japim paga të rregullta mujore.

RKL: Cilat janë planet tuaja në të ardhmen, sigurisht qe keni oferta edhe nga partitë e tjera?

Suma: Ka pasur oferta edhe më herët por edhe tani për hyrjen time në partitë politike, por unë kam treguar vendosmërinë time që nuk do të jem  pjesë e asnjë partie politike. I përkrah të gjitha partitë politike që kanë interesa madhore e që punojnë në interesin  qytetarëve. Me vetë mos-pranimin e kyçjes në ndonjë parti politike nënkuptohet që nuk jam i interesuar të jem udhëheqës i komunës, por kjo do të varet vetëm nga kërkesat e qytetarëve.

RKL: Cilat janë raportet e komunës me bizneset që operojnë në Han të Elezit?

Suma: Raportet janë të shkëlqyeshme. Në momentin kur jam bërë kryetar komune, taksat për bizneset kanë qenë ndër më të lartat në Kosovë. Menjëherë kemi filluar nga zbritjet e taksave komunale. Janë zbritur taksat për bizneset, vitin e kaluar janë zbritur për 20%, pastaj janë marrë edhe disa beneficione për bizneset, p.sh bizneset e reja që do të regjistrohen do të lirohen edhe nga taksat komunale. Bizneset që punësojnë deri në 10 punëtorë do të lirohen për 3 vite, ndërkaq ato që punësojnë më shumë se 10 punëtorë do të lirohen për mbi 5 vite.

RKL: Sa jeni të kënaqur me punën e drejtorive brenda komunës?

Suma: Realisht drejtoria e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale duhet të bëjë punë më tepër për shkak se ne si komunë kemi krijuar të gjitha kushtet që personeli mjekësor të punoj ngase Hani i Elezit ka mungesë të doktorëve. Zakonisht ata vijnë nga Prishtina dhe vende të tjera. Në këtë rast i kemi siguruar edhe shpenzimet e udhëtimit. Përkundër punës që bëjnë drejtorët, ne llogarisim se duhet bërë më shumë ngase funksionimi nuk do të jetë ashtu si duhet nëse punët dhe obligimet nuk kryhen ashtu siç janë paraparë.

1 mars 2013
Radio KOSOVA E LIRË

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …