Intervistë me kryetarin e komunës së Drenasit, Nexhat Demaku

RKL: Para disa ditësh është ngritur çështja e ndotjes së ambientit nga Feronikel-i. Qytetarët po bëjnë reagime të shumta,  sidomos ata që janë përreth kësaj fabrike. Cili është roli juaj si kryetar i komunës në zgjidhjen e këtij kontesti ndërmjet relacionit qytetar dhe menaxhmentit të kësaj kompanie?

 Nexhat Demaku:Duke marrë parasysh përgjegjësinë që e kam si kryetar i komunës, natyrisht që jam i obliguar që të gjitha shqetësimet e qytetarëve të shkojnë drejt zgjidhjes ose tejkalimit. Është një problem që është i pranishëm prej fillimit, por gjendja ka filluar të përmirësohet si rezultat i presionit të vazhdueshëm që ushtruar mbi menaxhmentin e kësaj fabrike. Një mundësi që e ka shfrytëzuar menaxhmenti në mos-përmbushjen e disa kritereve ka qenë edhe mungesa e infrastrukturës ligjore. Qëllimi ishte që të tërhiqnim sa më shumë investitorë të huaj në Kosovë, por assesi nuk është dashur të lejohej të shkileshin kriteret, që mund të jenë elementare siç janë: përmbushja e obligimeve që kanë të bëjnë me vendosjen e filtrave ose kontrolli që duhet ta bëjë vetë menaxhmenti për mos lirimin e gazrave që është brengosëse, pastaj pluhuri i madh që është i pranishëm e që dëmton shëndetin e qytetarëve. Më të rrezikuara nga ndotja e madhe janë lagjet  përreth fabrikës. Sidomos pas të reshurave të dëborës është vërejtur një shtresë e pluhurit mbi borë.

RKL: Cili është roli i MMPH-së në këtë drejtim?

Nexhat Demaku: Ne si komunë kemi shfrytëzuar të gjithë kompetencat dhe mundësitë. Përndryshe, në vitin 2008 unë i kam paditur edhe në Gjykatë për këtë çështje, për të cilin dënimi i marrë ka qenë 40 mijë euro. Mendoj se ka qenë dënim simbolik. Tani prapë e kemi edhe një lëndë në gjykatë dhe ne nuk do të heqim dorë derisa të përmbushen të gjitha obligimet që janë në raport me parandalimin e ndotjes. Me këmbënguljen tonë edhe Ministria e Ambientit ka qenë më aktive. Tani së fundi, unë jam i informuar se është duke u përgatitur një infrastrukturë e mirëfilltë ligjore që ka të bëjë me marrjen e licensës nga ana e menaxhmentit të Feronikel-it në Ministrinë e Ambientit. Tani marrja e licensës do të jetë e detyrueshme gjë që do të ndikojë në marrjen më seriozisht nga ana e menaxhmentit të vendosjes së filtrave. Problemi që është vërejtur është se edhe pas vendosjes së një pjese të filtrave, në fakt nuk janë në funksion 24 orë, gjë që ndodh që gjatë natës kur filtrat të dalin jashtë sistemi. Inxhinierët këtë e arsyetojnë me rritjen e kapacitetit të prodhimit. E qëllimi i tyre është shtimi i prodhimit. Në takimet që kam pasur me ta, kam kërkuar që të jenë më të kujdesshëm, ngase gjatë natës janë inxhinierët vendorë që të punojnë më shumë në atë drejtim. Të mos jetë prioritet prodhimi, por shëndeti. Tani është momenti i fundit nga ana e menaxhmentit të bëjnë veprimin konkret.

RKL: Është viti i pestë që jeni kryetar i Drenasit. A mendoni se jeni duke realizuar me sukses objektivat tuaja?

Nexhat Demaku: Jemi të vetëdijshëm që gjithherë ka hapësirë për të bërë më shumë, sikur që jemi të vetëdijshëm se kërkesa do të ketë gjithmonë, ngase kërkesat për kushte më të mira për jetë asnjëherë nuk ndalen. Kur mendojmë periudhën e para vitit 2007, dëmet që kanë ekzistuar, shkatërrimet e mëdha që kanë ndodhur gjatë luftës, pastaj mos-investimet, mendoj se është bërë mjaft punë. Ne kemi filluar nga pika zero. Atë kohë nuk ka pasur qasje të njëjtë ndaj të gjitha komunave, dhe nuk është marrë parasysh fakti se cilat komuna kanë qenë më të dëmtuara nga lufta. Në komunën tonë ishin rreth 10 mijë objekte të shkatërruara plotësisht, 10% e numrit të përgjithshëm të të vrarëve në Kosovë janë nga komuna e Drenasit.   Për shembull tash kryetari i Prishtinës kërkon ligjin për kryeqytetin, që është normale, por pse nuk është kërkuar edhe në atë kohë që të ketë kritere shtesë për komunat e dëmtuara? Përgjithësisht, gjendja tani është e kënaqshme me ndryshimet që kanë ndodhur dhe po ndodhin.  Në vitin 2008, kur kam filluar punën si kryetar, buxheti total për investime kapitale ka qenë rreth 600 mijë euro, qoftë nga grantet apo të hyrat vetanake. Tani arrijmë diku në shifrën 2.5 milionë. Prapë nuk është e mjaftueshme por nëse e krahasojmë me shifrën e cekur më herët, shihet që nga viti në vit janë bërë hapa pozitiv. Përkrahja nuk ka munguar as nga donatorët e jashtëm as nga Qeveria. P.sh, USAID-i  ka investuar në rrjetin e ujësjellësit, duke u nisur nga pompat për furnizimin e qytetit, rritjen e kapacitetit, filtrimin e ujit, zgjerimin e rrjetit e që kap shumën prej 1 milion e 200 mijë euro. Mendojmë që këtë projekt ta përurojmë në pranverë. Një investim ka pasur edhe në ndërtimin e dy shkollave, ndërsa tani kemi bërë kërkesë për renovimin e shkollës ‘Rasim Kiçina’ në qendër të Drenasit bashkë me USAID-in, por kemi kërkuar mbështetje edhe nga MASHT. Kështu që ne kemi pasur një mirëkuptim. Ndërtimi i infrastrukturës së përgjithshme ka qenë sfidë ngase kërkesat e qytetarëve orientohen në këtë fushë. Ne jemi të orientuar edhe në zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit. Qëllimi ynë është që për një periudhë dy vjeçare të mbulohet gjithë territori i komunës. Edhe rrjeti i ujërave të zeza është rehabilituar deri diku. Si sfidë tjetër mbetet edhe punësimi, zhvillimi ekonomik, të cilat janë çështje të ndërlidhura.

RKL: E përmendet punësimin. Sa ka arritur komuna nëpërmjet projekteve të ndryshme që të ulë sadopak numrin e të papunësuarve?

Nexhat Demaku: Nëse i referohem disa statistikave, hapja e bizneseve ka pasur rritje nga viti në vit. Diku rreth 1700 biznese janë të regjistruara. Ato janë biznese të vogla me tendencë të rritjes. Në vitin e kaluar me një projekt të përbashkët me Ministrinë e Tregtisë  është bërë hapja e zyrave në komunë, ku qytetari është i interesuar mbi biznesin nuk ka nevojë më të shkojë në Prishtinë. Ne i përkrahim ata që kanë ide të qarta për krijimin  e një biznesi. Nëse i referohemi numrit të bizneseve, vetëm një anëtar nëse e kanë të punësuar, atëherë del se numri i të punësuarve është rreth 1500.

 RKL: Sa ka arritur komuna të japë mbështetje për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës?

 Nexhat Demaku: Brenda mundësive që kemi pasur, besoj se kemi bërë mjaft. Qysh në 2008’ën, me vendim kemi ndarë një lokacion për ndërtimin e shtëpive. Tash është duke u punuar në infrastrukturë. Mendoj se brenda këtij viti të përfundohet tërësisht rrjeti i kanalizimit. Ne kemi marrë si obligim ndërtimin e infrastrukturës dhe do të ketë edhe mundësi të tjera të ndihmesës. E rëndësishme është nxjerrja e ligjeve për kategoritë e luftës, ngase komunat nuk kanë edhe mundësi të mëdha. P.sh, komuna jonë ku numri është mjaft i madh,  numri i familjeve të dëshmorëve është 195, ndërsa numri i invalidëve llogaritet të jetë rreth 300. Tani në procedurë është Ligji për Veteranët dhe është bërë mirë ngase të drejtat e kategorive të dala nga lufta duhet të garantohen me ligj, kushdo që të jetë në pushtet. Një gjë duhet pasur parasysh: cilat janë burimet tona dhe sa kemi mundësi të krijojmë të hyra si shtet? Unë jam shumë i interesuar që të rregullohet numri përfundimtar i këtyre kategorive, por assesi të mos përfitojnë ata që nuk janë pjesë e këtyre kategorive.

RKL: Do të zhvendosemi në një temë krejt tjetër. Komuna e Drenasit ka mjaft të rinj. Na intereson të dimë më tepër për sportin dhe investimet e komunës në këtë drejtim?

Nexhat Demaku: Paraprakisht, këtë vit do të investojmë bukur shumë në sport. Tani do të fillohet me ndërtimin e fazës së dytë të palestrës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, projekt ky i bashkëfinancuar 20 për qind nga komuna, 80 për qind nga Ministria. E kemi ekipin e henbollit ‘Drenica’ që është në superligë dhe është njëra nga ekipet më të mira në Kosovë. Pastaj kemi edhe gjeneratën e pionerëve dhe ne jemi të interesuar që të dy klubet, ekipi i hendbollit ‘Drenica’ dhe klubi i futbollit ‘Feronikeli’ të jenë në gara vendore dhe evropiane dhe të mos shkojnë gjithnjë Kastrioti dhe Besa. Ne kemi pasur vështirësi të shumta duke filluar nga mungesa e sallës, që e ka bërë të vetën ngase edhe për stërvitje është dashtë të shkohet në palestra të tjera, ose ndeshjet që i kemi pasur si vendas është dashur t’i luajmë sy mysafir. Krijimi i kushteve të mira do të jetë një mundësi më e mirë për sportin. Ne jemi përfitues edhe të ndërtimit të stadiumit nga KE. Lokacionin e kemi ndarë, kurse nga fundi i marsit parashikohet fillimi i ndërtimit. Qëllimi është që në vjeshtë që Feronikel-i të fillojë në Superligë.

RKL: Sa do t’i kushtojë kjo komunës?

Nexhat Demaku: Për të qenë i sinqertë, donatorë kemi qenë ne dhe Feronikel-i dhe biznese të tjera na kanë ndihmuar shumë. Jemi ndër ekipet e pakta që nuk u kemi borxh lojtarëve.

RKL: A mendoni që do ta përmbyllni me sukses mandatin e dytë dhe a do të ri-kandidoheni për mandatin e tretë?

 Nexhat Demaku: Unë do të vazhdojë të punojë me përkushtimin më të madh deri në fund të mandatit. Nuk kam dhënë shumë premtime, por ato që i kam dhënë besoj se do t’i realizoj së bashku me stafin dhe gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces. Besoj se do të jemi dëshmitarë të përmbylljes me sukses të mandatit. Sigurisht që kryetari që do të vijë pas meje do të ketë shumë punë. Ne territorin tonë dikur rreth 30 për qind e popullsisë janë nën moshën 15 vjeç. Është një gjeneratë e re, kurse nga institucionet kërkohet më shumë angazhime në mënyrë që të krijohen kushte më të mira për ta. Mirëpo, synojnë të jemi pjesë e Evropës. Ne do të investojmë shumë në edukim dhe shkollim të këtyre gjeneratave.

Intervistoi: Jeton SYLA

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …