RKL: Ju keni premtuar shumë investime gjatë qeverisjes suaj. A mund të na thoni se në cilin sektor keni arritur t’i përmbushni premtimet dhe ku ka më tepër nevojë për investime të reja në komunën e Gjilanit?
Mustafa: Së pari t’iu them se ka ndodhur një kthesë revolucionare. Këtë e them përherë kur bëhet fjalë për investimet, në nivelin lokal dhe në atë qendror, prej kohës kur PDK-ja ka ardhur në pushtet. Kanë ndodhur zhvillime pozitive në të gjitha fushat e jetës, por me theks të veçantë në infrastrukturën rrugore, shkollore, në ambient, në trajtimin e ujit të pijshëm, ujërave të zeza dhe në hapësirat e gjelbëruara. Përkundër kërkesave të mëdha që ka qytetari ynë, pavarësisht që ne, kryetarët e komunave, kemi dëshirë që të kemi projekte dhe zhvillim më të madh, kjo kthesë me të vërtetë është e paparë.
Nëse merren dhe maten investimet e këtyre viteve të fundit me vitet e kaluara, madje edhe në dy e më shumë dekada të fundit, del që zhvillimi i komunës ka qenë më i hovshëm në këto pesë vitet e qeverisjes së PDK-së.
RKL: Cili është roli i qeverisë në këto investime dhe zhvillim të komunës?
Mustafa: Roli i qeverisë është dominues, për arsye se investimet kapitale vijnë nga Qeveria dhe donatorët e huaj. Ndërkaq komunat nga shpërblimet dhe të hyrat e veta, e kanë një fond të rregullt për investime kapitale, e që në fakt, ne i themi kapitale, por nuk janë të tilla. Ky është një fond për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore, shkollore, rrjetit parësor të shëndetësisë, mirëmbajtjen e objekteve të komunës, pastrimit të qytetit, hartimit të planeve rregulluese, sinjalizimit të rrugëve, pra nuk flitet këtu për investime të reja kapitale, por vetëm një fond i veçantë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së përgjithshme komunale. Investimet e reja kapitale vijnë kryesisht nga fondet qeveritare për investime kapitale dhe nga donatorët e huaj.
Në vitet 2008 dhe 2009 ka pasur fonde të mjaftueshme për investime kapitale dhe kanë ndodhur zhvillime mjaft pozitive. Në vitin 2010 fillon një rënie për komunat, kur bëhet fjalë për Gjilanin. Investimet për vitin që po flasim ishin 2.5 deri në 3 milionë, që për kapacitetet çfarë ka komuna e janë është vlerë simbolike. Ndërkaq në vitin 2011 dhe këtë vit, investimet janë edhe më të vogla.
RKL: A i dini arsyet…
Mustafa: Arsyet janë ato që publikisht dihen. Koncentrimi i fondeve në autostradë, rritja e pagave në vitin 2011 në fushën e arsimit dhe në disa sektorë të tjerë që kapin shifrën deri në 100 milionë euro dhe në nevoja të tjera makro-infrastrukturore të cilat i ka qeveria.
Kryesisht, në dy vitet e fundit, investimet kanë rënë për komunat në një masë të konsiderueshme.
RKL: Si e vlerësoni punët në administratë dhe të drejtorive komunale, a keni ndonjë vërejtje të caktuar?
Mustafa: Po! Përherë ka vërejtje. Tash duhet krahasuar angazhimin e tyre në rrethanat aktuale edhe në mundësin për t’i motivuar.
Pagat janë shumë të ulëta për punën që bëjnë drejtorët ndërsa pavarësisht se cilët dikaster i udhëheqin pagat e tyre janë të një niveli. Krahasuar me stimulimet dhe rrethanat në të cilët punojnë ku kërkohet shumë angazhim mendoj se kanë dhënë kontributin e tyre. Megjithatë, ka vërejtje sepse të gjithë nuk mund të jenë të njëjtë, ka raste kur janë bërë edhe tejkalime dhe kam qenë në situatë edhe për të bërë shkarkime, siç veprova muaj më parë me drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për tejkalime të shpeshta të kompetencave .
RKL: Megjithatë nuk keni pasur nevojë për shkarkime të shpeshta?
Mustafa: Para një viti e gjysmë pata shkarkuar edhe drejtorin e Urbanizmit sepse është gjetur në një konflikt pak sa më të rëndë të interesit, mirëpo prapë është mbetur shërbyes civil në komunë.
RKL: Si e vlerësoni zhvillimin e sportit në komunën tuaj, ka mjaft klube të sporteve të ndryshme. Sa ka potencial komuna që t’iu dalë me ndihma financiare këtyre klubeve kur dihet se nevojat janë të mëdha, ndërsa Gjilani ka traditë të gjatë sportive?
Mustafa: Rëndësi të veçantë i kam kushtuar sportit dhe kulturës në Gjilan. Ky sektor ka qenë i stërkequr derisa ne nuk kemi ardhur në qeverisje në vitin 2008, pasi me sportin janë angazhuar njerëz jo kompetentë dhe të pa përgjegjshëm, duke e nënçmuar tej mase. Në fakt unë sportin e trajtoj si një nga sektorët më vital pasi bëhet fjalë për rininë që është e shumtë. Pa kulturën dhe sportin nuk mundemi të reflektojmë si komunitet. Ne, në mungesë fondesh, kemi arritur të gjendemi në forma të ndryshme. Shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj donatorët e ndryshëm që nëpër vite kanë investuar në kulturë dhe sport me qindra mijëra euro. Komuna ka participuar kuotizimet e të gjitha klubeve, pastaj ka shpenzuar shumë mjete në transport, gjithashtu do të veçoja investimet në renovimin e stadiumit të qytetit, i cili sot për nga infrastruktura është në mesin e më të mirëve në vend. Nga MKRS-ja përmes fondeve të BE-së pritet ndërtimi i stadiumit ndihmës, shpresoj që punimet do të nisin këtë vjeshtë dhe komunitetin e futbollit do ta kemi të kompletuar.
Në anën tjetër janë bërë investime të shumta në fushat sportive nëpër shkolla, janë përfunduar katër salla sportive të kushtueshme mbi 300 mijë euro secila. Tash po planifikojmë që të kemi nga një zonë për street – ball në secilën lagje të qytetit dhe sipas mundësive edhe nëpër fshatra.
Me 19 .09.2012
Intervistoi: Jeton SYLA