leoni

Intervistë me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri

RKL: z.Bahtiri për shumëkë fitorja juaj në komunën e Mitrovicës është konsideruar si mision i pamundur. Por ju arritët të dilni përtej çdo pritshmërie. Si e komentoni këtë?

Bahtiri: Unë kam qenë mjaft i bindur se do të fitojë për arsye se unë me vizionin dhe sakrificën time i kam bindur votuesit që të më votojnë kundër kandidatit tim, me të cilin kemi pasur një dallim shumë të madh.  Unë kam ardhur me një vizion të qartë për një zhvillim ekonomik që t’i ndihmoj këtij populli dhe këtij vendi. Unë nuk kam ardhur për karrierë apo për t’u pasuruar, por kam ardhur thjeshtë për të ndihmuar, duke lënë edhe familjen time për të mirën e përgjithshme.  Këtë sakrificë qytetarët e kanë kuptuar, pasi që nuk është lehtë që të lesh familjen dhe biznesin e të vish këtu si kryetar i komunës. Kjo nuk ka qenë privilegj për mua por e kam marr si një sfidë si një detyrë, një shpirt që më ka mbetur këtu qe 25 vite  në Kosovë dhe këtë shpirt e kam gjetur këtu dhe e kam ditur që do të fitoja.

RKL: Si po funksionon partneriteti në koalicionin qeverisës në komunën e Mitrovicës?

Bahtiri: Jashtëzakonisht mirë, pasi që unë nuk njoh parti fare. Unë i takoj një spektri politik që nuk është i korruptuar si dhe një njeriu të cilin e kam njohur, siç është zoti Pacolli. Prej kur  jam kandiduar, unë e kam njohur vetëm popullin dhe nuk e kam njohur asnjë parti politike. Nuk do të punoj për asnjë parti politike por do të punoj për popullin, dhe të gjitha propozimet, angazhimet dhe vizioni im do të jenë në shërbim të popullit.  Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që kanë votën e popullit, pavarësisht nëse janë në koalicion ose jo, për t’i ndihmuar këtij populli.

RKL: Pritshmëritë e qytetarëve nga qeverisja juaj janë projektet ekonomike. Cilat janë nga projektet kryesore tek të cilat jeni përqendruar aktualisht?

 Bahtiri: Ju e dini që unë kam ardhur këtu për të investuar 105 milion, dhe 27 milion e diçka tashmë janë në Kosovë. Të gjitha pajisjet e parpara për tu ndërtuar fabrikat këtu, tashmë veç janë në Kosovë. Ato janë në depo në pritje të zbatimit të projektit. Kemi vështirësi të mëdha në dhënien në shfrytëzim të tokës për arsye se ligjet janë jashtë normave ligjore dhe njerëzore. Prandaj, ne po shkojmë në procedurë një nga një për mos ia hequr asnjë pikë apo presje ligjit.

RKL: Dihet se shumë projekte komunale lidhen në një mënyrë ose tjetër edhe me nivelet qendrore. A mendoni se do të hasni në mirëkuptimin dhe gatishmërinë e Qeverisë për t’u bashkërenduar me komunën tuaj rreth projekteve të ndërsjella?

Bahtiri: Unë po shpresoj por deri më tani akoma nuk kanë treguar. Si kryetar i komunës, unë i kam dorëzuar dy kërkesa Qeverisë dhe Kryeministrit, por akoma asnjëra nuk është realizuar dhe nuk kam marrë përgjigje për to. Këtë kërkesa ishin:  1. të jetë zonë e lirë ekonomike tërë  territori i Mitrovicës, në mënyrë që të më mundësohet që unë t’i thërras të gjithë biznesmenët e globit për të investuar këtu. Kjo do të më bëhej e mundur vetëm nëse arrihet që kjo zonë të shpallet zonë e lirë. Me këtë rast, do të organizoja një konferencë ndërkombëtarë të biznesit, për shkak se nga përvoja ime si biznesmen e di  se cilat janë interesat e bizneseve që të futen në këtë proces, e ku kërkohen zonat e lira ekonomike. Fatmirësisht,   Kosova gjendet afër Evropës dhe të gjitha shtetet që janë larg Evropës kanë dëshirë që të investojë afër Evropës e sidomos në Zonën e Lirë Ekonomike. Besoj  se ai ligj do të zbatohet dhe të më kthehet ai ligj i miratuar, ku do të ngrisja kapacitete të larta në zhvillimin ekonomik. Kërkesa e dytë ka qenë  ligji i ri mbi Trepçën, dhe fatkeqësisht ai ligj është prej tetorit i kryer, por ende qëndron në sirtarët e Kryeministrit dhe nuk dërgohet në Kuvendin e Kosovës që të miratohet. Me atë  ligj kam kërkuar që Trepça të hiqet nga AKP-ja dhe t’i kthehet menaxhmentit të saj. Në vend se të merret kjo nismë dhe të bëhet diçka që t’i kthehet nami i dikurshëm Trepçës, ata e larguan ekspertin më të mirë që e ka pasur Trepça, ushtruesin e detyrës së drejtorit gjeneral, z. Halil Qelaj, duke e zëvendësuar me një person politik të PDK-së në Mitrovicë.

RKL: A është përtërirë administrata komunale në Mitrovicë, në kuptimin e modernizmit të stafit dhe shërbimeve?

Bahtiri: Mendoj se po.  Ne kemi bërë shumë ndryshime këtu, duke filluar nga respektimi i orarit të punës të punëtorëve komunal. Kjo ishte një pikë e ndjeshme pasi që këtu ishin mësuar që të vinin punëtoret në ora 10:00 dhe të dalin në ora 11:00, kurse qytetarët kishin pritur me orë apo ditë të tëra për të kryer shërbimet e tyre. Kam bërë një ndryshim që në ora 8:02 mbyllet dera dhe të gjithë ata që vonohen tri herë më nuk do të jenë në punë.  Asnjë qytetarë nuk guxon të presë më shumë se 5 minuta për çdo dokument dhe orari i punës tani nuk është vetëm deri në orën 16:00 por deri në orën 19:00. Kjo vlen gjer në maj, sepse prej këtij muaji, orari do të jetë gjer në orën 21:00 sepse fillojnë pushimet dhe kemi një fluks të bashkatdhetarëve të cilët kanë nevojë për t’u pajisur me dokumentacionin përkatës.

 RKL: A ka prurje të reja në qeverisjen lokale në Mitrovicë, e kemi fjalën sa janë kyçur njerëzit e rinj në nivelet udhëheqëse?

Bahtiri:  Janë kyçur shumë të rinj. Drejtorët janë pothuajse 80% të rinj, të shkolluar dhe perspektiv, njerëz që e duan  punën si dhe kanë vullnetin e  guximin për të vepruar. Kur i kam zgjedhur ata, nuk më ka  interesuar se cilit nivel apo cilës parti i takojnë. Prej tyre kam kërkuar ekspert, njerëz që e duan këtë vend, dëshirojnë dhe kanë guximin t’i ndihmojnë këtij vendi. Unë kam gjetur njerëz të tillë dhe jam duke punuar ngushtë. Jam mjaft i kënaqur prej tyre sepse ata kurrë nuk e shikojnë  orarin se a do të përfundoj, por punojnë sa të ketë nevojë dhe mundësi të punohet. Unë për vete punoj prej orës 7:00 gjer në ora 23:00 dhe ata shumë herë më bashkëngjiten gjer në këtë kohë, por në përgjithësi asnjëri nuk është që punon më pak se 10 orë pune.

RKL: Një sfidë e vazhdueshme mbetet edhe komuna në pjesën veriore të qytetit. Tashmë kur është zgjedhur kuvendi komunal dhe kryetari, a është shfaqur ndonjë gatishmëri për zgjidhjen e problemeve kryesore, siç është lëvizja e lirë e heqja e barrikadës në urën e Ibrit?

Bahtiri: Ju e dini se unë kam dhënë një afat gjashtë-mujor për heqjen e zallit mbi urën kryesore në Ibër. Kam kërkuar ndihmë nga Policia dhe kam gjetur mirëkuptim, poashtu edhe nga gjyqësia. Ne e kemi ngritur një ‘mur kinez’ ndaj kontrabandës dhe ju garantoj se tani as një litër derivate e kontrabandës nuk del nga veriu për të hyrë në pjesën jugore. Unë besoj se edhe një muaj ose një muaj e gjysmë, ai zall i hedhur aty nuk do të ketë vlerë më. Ai është hedhur aty vetëm për kontrabandë dhe jo për çështje politike. Ata që i kanë bërë këto janë pasuruar dhe i kanë mbajtur aktive barrikadat, Megjithatë, këto gjëra janë duke u zvogëluar për shkak se jemi duke marrë masa, policia është duke e shtrirë edhe në pjesën matanë urës. E unë besoj që shumë shpejt do të hiqet kjo pengesë mbi urë dhe ne do të organizojmë një koncert të fuqishëm në urën e Ibrit për fitore. Unë pata biseduar edhe me kryetarin e mëparshëm (para se të zgjidhet ky i tashmi) ku i kam thënë se i pari potez që duhet të bëjë, është të marrë lopatën, ai andej e unë këndej, e të fillojmë heqjen e këtij zalli, në mënyrë që të përçohet mesazhi se ne jemi qytetarë të këtij populli. E këtë mesazh do ta çojmë edhe në Bruksel e Uashington, por edhe në Prishtinë e Beograd. E të njëjtën porosi do t’ia jap edhe kryetarit që është zgjedhur tani.

RKL: Keni pohuar disa herë se do t’u ofroni mbështetje shqiptarëve që jetojnë në pjesën veriore të qytetit. Ku do të përqendrohet më tepër kjo ndihmë, në rindërtimin e shtëpive apo diku tjetër?

Bahtiri: Unë jam duke bërë përgatitje për gjetjen e një vendi të përshtatshëm për ndërtimin e një shkolle. Një njeri që jeton në Bruksel të cilit i janë bërë oferta për shitjen e shtëpisë nga serbët, më ka ofruar një çmim shumë të volitshëm. E unë shpresoj që ta blej atë shtëpi tri-katëshe e ta ndërtojmë një shkollë.  Kjo do të bëhet në mënyrë që nxënësit e asaj pjese të mos kenë nevojë të lëvizin me autobusa e të rrezikohen, por ta kenë shkollën e tyre. Kjo shkollë do të ndërtohet sivjet. Por nuk do t’i lëmë anash as ndërtimin e shtëpive, jo vetëm të komunës së Mitrovicës por edhe komunave të tjera.

RKL: Dihet se tri fshatrat e banuara me shqiptarë në komunën e Leposaviqit janë të varura krejtësisht nga Mitrovica. A keni ndonjë projekt për lehtësimin e jetës së banorëve në këto fshatra?

Bahtiri: Sigurisht që po. Unë kam qenë atje dhe i kam vizituar fshatrat Cerajë, Bistricë dhe Koshtovë. Ne kemi dhënë derivate të naftës për t’i bartur fëmijët në shkollën e Bistricës, poashtu kemi dërguar mjekun dhe teknikun. Ne do t’i ndihmojmë në punësim dhe të gjitha format e tjera. Unë do ta kem edhe një takim me kryetarin e Leposaviqit, ku do t’i kërkoj në mënyrë institucionale që t’u ndihmohet atyre njerëzve për shkak se i vetmi zë i tyre jam unë.

RKL: Një sektor tjetër premtues për komunën e Mitrovicës janë edhe bukuritë e pashfrytëzuara natyrore të Shalës së Bajgorës, të cilat do të gjallëronin turizmin në komunë. A do të jetë në fokusin e angazhimeve tuaja ky sektor?

Bahtiri: Jemi duke bërë përgatitje që të krijojmë gjëra të jashtëzakonshme atje. Kam projekte të mjaftueshme që do t’i zbatojmë atje. Më besoni se Shala e Bajgorës do të jetë epiqendër e turizmit.

RKL: Përveç angazhimeve brenda qytetit, cili do të jetë angazhimi i qeverisjes suaj në aktivizimin e sektorit të bujqësisë, i cili tash për tash është burimi ekzistencial për një pjesë të madhe të popullatës?

Bahtiri: Me keqardhje them, se sektori i bujqësisë ka qenë i lënë anash, por në të njëjtën kohë ne nuk kemi edhe aq shumë tokë bujqësore për t’u zhvilluar. Megjithatë, ne kemi marrë masa si p.sh në Frashër, ku një sasi e madhe e tokës është pa ujitje. Ne do t’u dalim në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë. Unë e kam projektin edhe për fabrikën, e cila do të ndërtohet në mënyrën më të mirë të mundshme, e ngjashme me ato në Japoni dhe Korenë e Jugut. Madje shumë shpejt pritet të bëhet hapja e një shkolle japoneze këtu, ku do të shkojnë të studiojnë e punojnë në Japoni . Mendojmë se numri i tyre do të jetë prej 1 mijë deri në 3 mijë punëtorë. Prej tyre do të marrim përvojën, me ç’rast teknikat e tyre do të instalohen këtu. E më këtë shpresojmë që Mitrovica do të bëhet epiqendër e gjithë Ballkanit për eksport.

RKL: Si e paramendoni Mitrovicën pas 4 vitesh të mandatit tuaj qeverisës?

Bahtiri: Mitrovicën e shoh si qytetin më të pasur në të gjithë Ballkanin. Ju garantoj se në qoftëse se Qeveria e Kosovës më del në ndihmë, nuk u kërkoj atyre para por vetëm ligje dhe zbatimin e tyre. Dhe ju do të shihni sesi qeveriste një komunë evropiane. Unë jam duke i ndërmarrë masat e duhura dhe i kam 15 projekte për fillim. Është projekti i rrymës elektrike, i cili pritet të nënshkruhet gjatë këtyre ditëve në vlerë prej 36 milion eurosh , projekt ky që parasheh prodhimin e 12 megavat dhe e cila përpunon si lëndë të parë rreth 300 ton mbeturina në ditë. Kështu do të bëhej pastrimi jo vetëm i qytetit tonë por edhe i Prishtinës, Obiliqit, etj. Unë do të jem i popullit, me popullin dhe gjithçka për popullin dhe 71 mijë banorë në Mitrovicë janë familja e ngushtë e ime dhe do të kujdesem për ta sikur të jenë fëmijët e mi.

27 shkurt 2014

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …