RKL: I nderuar kryetar Smajl Latifi, tanimë edhe në komunën Tuaj ka raste me virus Covid 19, cila është gjendja momentale?
Smajl Latifi: Përshëndetje, faleminderit shume për mundësinë. Gjendja momentale në komunën e Rahovecit momentalisht është e qetë, stabile dhe për momentin e qëndrueshme.
RKL: Sa jeni të pajisur me material shpenzues shëndetësor, a mendoni se ju ka pajisur mjaftueshëm MSH-ja, për ta përballuar deri ne fund këtë gjendje?
Smajl Latifi: Furnizimet nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë nuk janë të mjaftueshme, por megjithatë ne po e administrojmë situatën, kemi një komunikim të jashtëzakonshëm me donator, sidomos kompanitë tregtare, maketet e mëdha, pronarët e mullinjve, bashkatdhetarët, njerëz të vullnetit të mirë. Kemi shpërndarë mbi 1.200 pako ushqimore për familjet në nevojë. Kemi edhe depozita për të ardhmen nëse eventualisht paraqitet nevoja do ti ndihmojmë familjet skamnore.
RKL: Sa janë të disiplinuar banoret e komunës së Rahovecit për të zbatuar masat e kufizimit të lëvizjes.
Smajl Latifi: Kryesisht jemi të kënaqur me zbatimin e rekomandimeve nga IKSHP, nga profesionistet shëndetësor, konsideroj se po zbatohen edhe udhëzimet e OBSH, sikurse edhe vendimet që ka ndërmarr shtabi emergjent komunal. Ne kemi krijuar edhe nën shtabet komunale nëpër çdo fshat, dhe në lagjet urbane të qytetit si dhe kemi marrë masa konkrete për parandalim të virusit.
RKL: Kryetar, sa është arritur të bëhet dezinfektimi i hapësirave publike në komunë
Smajl Latifi: Kemi dezinfektuar hapësirat publike, rrugët, rrugicat, objektet shëndetësore disa herë, objektet komunale, madje kemi dezinfektuar edhe objektet që nuk janë kompetencë të komunës si qendra e regjistrimit civil, objektin e gjykatës, bashkësitë fetare, dhe të gjitha hapësirat ku kemi konsideruar se ka qarkullim të njerëzve. Kemi ndërprerë aktivitetet në sheshe, parqe, vende piktoreske, kemi mbyll tregjet, kështu që besoj se në masë të madhe po respektohen rekomandimet dhe udhëzimet që vijnë nga profesionistet shëndetësor.
RKL:I nderuar kryetar, sa janë të mjaftueshme këto intervalet kohore që u morën së fundi për bujqit duke e ditur se tani është koha të punohet toka, a do të kërkoni kohë shtesë apo si e keni menduar një zgjidhje më të arsyeshme?
Smajl Latifi: Ne kur e kemi dëgjuar vendimin e ministrit në detyrë të shëndetësisë dhe ministres së MAPL, sigurisht se kemi shprehur pakënaqësi dhe mospajtime serioze me mënyrën se si merren vendime për komunat pa u konsultuar fare me to. Ne nuk jemi konsultuar fare se cilat do të ishin masat më adekuate që do të merreshin për komunat, së dyti ishin të pastudiuara dhe të pa analizuara mirë që binin ndesh me realitetin dhe gjendjen momentale në teren, dhe së treti kishte kufizime për bujq e fermer dhe ne jemi angazhuar në mënyrë të jashtëzakonshme sikur edhe kemi pas një presion nga fermerët ne pastaj kemi bërë kërkesat tona me fermer unë si kryetar komune por edhe me asociacionin e komunave ju kemi drejtuar Ministrisë së Bujqësisë. Tashme kemi një zgjidhje bujqit dhe fermerët do të pajisen me certifikata adekuate me numër identifikues të fermës që të kenë lëvizje të lirë drejt tokave të punës, në vreshta dhe punët tjera që i presin në ketë fazë, pavarësisht pandemisë.
RKL: Muaji prill si në gjithë Kosovën por edhe në komunën e Rahovecit shënon shumë Beteja lavdiplote por edhe shume ditë rënie të Dëshmorëve, sa dhe si po arrini ti kujtoni këto data në ketë kohë të pandemisë?
Smalj Latifi: Të gjitha datat e rëndësishme të historisë së përgjakshme të popullit tonë, të Dëshmorëve të UÇK së, masakrat e shumta në fund mars por edhe tani në muajin prill po i kujtojmë me respekt e pietet por natyrisht nuk mund të themi se kemi organizime masive, pjesëmarrësit janë më të pakët, unë marr pjesë në secilën datë përkujtimi që me bashkëluftëtaret e mi me organizatat e dala nga lufta, por duke i respektuar masat mbrojtëse distancën nga njëri tjetri, po i kujtojmë këto ngjarje edhe tani kur po kërcënohemi nga pandemia globale Covid 19. Përulemi me respekt po i përkujtojmë në një mënyrë më ndryshe, por jeta dhe vepra e tyre është e pavdekshme.
RKL: Kryetar cila është porosia e Juaj për fund për nivelin qendror por edhe për banoret e komunës Suaj
Smajl Latifi: Banorëve të komunës së Rahovecit ju bëjmë thirrje çdo ditë që të rrinë në shtëpi, të mos dalin pa nevojë. Mot të lëvizin në grupe, të mbajnë higjienën personale, unë mendoj se së shpejti bashkërisht do t ia dalim mbanë me sa më me pak dëme si në njerëz ashtu edhe në ekonomi ngase bujqit tanë tani janë në pozitë të vështirë por uroj ti realizojnë detyrat e veta që të kemi bereqet sivjet. Sa i takon Qeverisë së Republikës së Kosovës, të merren me tema konkrete të bisedojnë me kryetar të komunave që janë organe të zgjedhura, të marrin vendime në bashkëpunim me kryetar të komunave. Nga Ministria e Shëndetësisë kërkojmë shumë më shumë furnizime, nga Ministria e Bujqësisë kërkojmë realizimin e pagesave direkt që një pjesë e fermerëve ende nuk i kanë marrë subvencionet për vitin 2019, të lëshohen thirrjet për subvencione të këtij viti. Nga qeveria në detyrë kërkojmë të përfshihemi në pakon emergjente për të ndihmuar sektorët e bujqësisë, sepse deri tani nuk kemi par që janë përfshirë në pakon emergjente që e ka prezantuar Qeveria e Kosovës.
RKL: Ju falënderojmë për këto informata që ndatë për dëgjuesit e radios Kosova e Lirë. Urojmë që ta kaloni ketë gjendje sa me mirë dhe të përfundoj sa më shpejt kjo pandemi që ka pllakosur mbarë vendin, dhe ti kthehemi normalitetit
Smajl Latifi: Faleminderit edhe Juve ju uroj punë të mbarë, uroj që qytetaret tanë, bashkombasit tanë, kudo ku janë nëpër botë edhe në trojet e veta amtare, ta përballojnë sa me lehtë e sa më mirë dhe sa më me pak pasoja në jetën dhe shëndetin e tyre.