Intervistë me kryetarin e komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi

RKL: Gjatë kohës sa jeni i pari i komunës së Vitisë a mendoni se punët kanë rrjedhur ashtu si i keni parashikuar apo siç i keni premtuar elektoratit kur fituat besimin e tyre për herë të dytë brenda dy vitesh?

 

Nexhmedin Arifi: Ne si ekzekutiv i komunës në vazhdimësi jemi të orientuar në kryerjen e sa më shumë punëve në interes të qytetarëve. Projektet që i kemi planifikuar për t’i realizuar po shkojnë në drejtim të duhur, por kuptohet që jot ë gjitha nuk kemi arritur t’i përfundojmë. Mirëpo ka mbetur kohë e mjaftueshme që përfundimi i tyre të jetë në kohën e duhur dhe në interes të qytetarëve të komunës së Vitisë.

RKL: Konkretisht për cilat projekte bëhet fjalë dhe që mund të krenoheni që keni arritur t’i përfundoni prej vitit 2008 kur fituat mandatin e parë?

 

Nexhmedin Arifi: Premtim shumë serioz para qytetarëve gjatë fushatës kur fitova mandatin e dytë ishte në rend të parë shtruarja dhe rregullimi i trotuareve. Gjatë kësaj kohe kemi shtrua dhe rregulluar trotuare në gjatësi prej 30 km. Projekt ky shumë i rëndësishëm për qytetarët e komunës tonë pasi tani ata lirshëm mund të lëvizin dhe pa u penguar nga dendësia e madhe në komunikacion.

 

RKL: A përfshihet në këtë projekt edhe ndriçimi i rrugëve?

 

Nexhmedin Arifi: Në shumicën e rrugëve po. Mirëpo me rëndësi është se fëmijët tanë lirshëm mund të ecin dhe pa u penguar. Dihet se të gjitha rrugët e vendit janë të stër ngarkuara sidomos nëpër vendbanime përfshirë edhe qytetin tonë prandaj shtrirja dhe zgjerimi i trotuareve ishte e domosdoshme Ne do të vazhdojmë në shtrirjen e trotuareve edhe në drejtime tjera. Në plan është rregullimi i trotuareve në drejtim të fshatit Tërbesh dhe nga ura në drejtim të ambulantes.

RKL: Në takimet me drejtorët e drejtorive të komunës vazhdimisht kërkoni ofrimin e projekteve të reja. Për çfarë projekte bëhet fjalë?

Nexhmedin Arifi: Qëllimi kryesor i kërkesës sime nga drejtorët e drejtorive është plotësimi i ligjshmërisë ku kemi arritur mjaft në këtë drejtim, pastaj kërkohet vizioni i tyre për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që paraqiten para qytetarëve tanë dhe bashkërisht t’i shikojmë mundësit tona buxhetore në bashkëpunim edhe me qeverinë e Kosovës dhe donatorët tjerë për të realizuar sa më shumë projekte.

Për ne por edhe për vetë Kosovën prioritet mbetët ndërtimi i pendës ku tashmë kemi filluar bisedat me firma të ndryshme.

RKL: Për këtë qëllim ju javën e kaluar qëndruat për disa ditë në Zvicër ku zhvilluat takime me përfaqësues të firmës VDS?

Nezhmedin Arifi: Po! Unë para disa javësh qëndrova në Zvicër dhe Gjermani ku zhvillova biseda me pronarin e kompanisë. Ju e dini se në Kosovë kishte muaj më parë një krizë institucionale dhe biznesmen të rangut të lartë njoftohen shumë shpejt nga qarqet e caktuara për krijimin e rrethanave të reja jo vetëm në Kosovë por në çdo shtet ku ata mendojnë të investojnë. Ashtu ka ndodhë pra edhe me këtë projekt i cili është i vlefshëm rreth 20 milion euro, prandaj stagnimi I punëve ishte i natyrshëm për shkak të rrethanave të krijuara.

Duhet të them se nga ky takim kam marrë premtime se gjatë muajit do të njoftohemi me shkrim për mundësit e vazhdimit të procedurave Nga ana jonë është pozitive që Ministria për Zhvillim Ekonomik ka ngritur një komision i cili duhet të gjejë rrugë dhe të krijoj lehtësira për investitorët e huaj që të kyçen në realizimin e këtij projekti i cili thashë është i rëndësishëm jo vetëm për komunën por edhe vetë vendin tonë.

RKL: Në bashkëpunim me qeverinë zvicerane keni dizajnuar projektin për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit për gjashtë fshatra të komunës?

 

Nexhmedin Arifi: Fillimisht duhet të potencoi se Komuna e Vitisë ka mjaft ujë të pijshëm, bile mund të them edhe për komunat tjera. Por fatkeqësisht nuk është punuar shumë në këtë drejtim kur flasim për kontrollimin e ujit dhe ngritjen e cilësisë.

Kështu që është me rëndësi që afro 10 mijë banorë të këtyre gjashtë lokaliteteve do të përfitojnë nga ndërtimi i ujësjellësit i cili iu siguron atyre ujë të kontrolluar të përpunuar dhe cilësor të mjaftueshëm për pije edhe gjatë verës. Për këtë qëllim është paraparë edhe ndërtimi i fabrikës për përpunimin e ujit.

Projekti tashmë është i nënshkruar me CDI-në dhe punimet presim të fillojnë shumë shpejtë.

RKL: Çështja e ndërtimit të objektit të administratës së re ka kaluar nëpër procedura gjyqësore. Në një deklaratë për media keni thënë se falë profesionalizmit të këshilltarit juridik Ramadan Avdiu keni fituar kontestin gjyqësor dhe tashmë pritet ndërtimi i objektit i financuar nga Komisioni Evropian në vlerë prej 1.2 milion euro?

Nexhmedin Arifi: Komuna e Vitisë aktivitetet e veta ditore i zhvillon madje në shtatë lokacione. Hapësirat ku zhvillohen këto aktivitete për qytetarët tanë por edhe punonjësit e administratës janë jo adekuate, nuk përputhen me norma dhe standarde. Kështu që nga fillimi i mandatit tim të parë kam pas prioritet të gjejmë hapësirë adekuate për ndërtimin e një objekti të ri funksional me hapësira të hapura. Kjo më në fund falë edhe Komisionit Evropian do të realizohet shumë shpejt. Mirëpo kemi hasur në mjaft vështirësi në çështjen e shpronësimit pasi aty ku do të ndërtohet objekti kanë banuar tetë familje të cilët kanë pasur lejen e banimit nga ish pushteti i kaluar. Për këtë arsye gjërat kanë ardhur t’iu them sinqerisht shumë ngushtë. Unë personalisht jam angazhuar bashkë me Ramadan Avdiun që e cekët në pyetjen tuaj. T’iu them se për këto konteste të kësaj natyre nevojitet profesionalizëm i nivelit të lartë dhe këtë e dëshmoi z. Avdiu.

Komuna jonë për herë të parë arriti të fitoi një proces gjyqësor mu në saje të njohurive profesionale të këshilltarit tonë juridik dhe presim që deri në fund të vitit të ardhshëm të kemi një objekt të ri me norma dhe standarde evropiane ku qytetarëve tanë por edhe stafit të administratës do t’iu krijohen lehtësira të shumta në kryerjen e punëve të përditshme. Hapësirat do të jenë të hapura të shoqëruara me informatikë pa ndërhyrje siç shprehim ne “me të njohshëm a pa të njohshëm” dhe me sinjale të digjitalizuar.

RKL: Gjithashtu keni premtuar se vlera e kompensimit të jetë sa më e lartë dhe të paguhet brenda dy muajve!

Nexhmedin Arifi: Është shumë e vërtetë. Ne e kemi bërë vlerësimin në bazë të gjendjes faktike, mirëpo kemi arritur që këtë çështje të klasifikojmë në bazë të gjendjes juridike. Kemi marrë parasysh se edhe ata janë qytetarë të komunës tonë dhe kam kërkuar që vlera e shpronësimit të jetë sa më e lartë dhe të paguhet në afat sa më të shkurtë.

 

RKL: Për një administratë sa më funksionale dhe me përgjegjësi të reja keni fituar besimin e 20 këshilltarëve komunal nga 27-të sa është numri i tyre për miratimin gjegjësisht aprovimin e ndryshimit dhe plotësimit të statutit të ri të komunës?

 

Nexhmedin Arifi: Komuna e Vitisë ka pasur një statut të licencuar nga Ministria e Administratës së Pushtetit Lokal, por gjërat kanë evoluar në aspektin juridik dhe të ligjeve që janë miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Pas miratimit të këtij statuti, në komunën tonë kanë ardhur edhe 10 ligje të reja që ka qenë dashtë të gjejnë zbatim në statutin e komunës. Unë e falënderoi komisionin që ka hartuar statutin e ri. Të gjitha veprimet deri në mbledhjen e fundit ishin të përkrahura unanimisht dhe nga të gjitha partitë politike që përfaqësohen në Kuvendin Komunal. Unë i falënderoi të gjithë ata që e kanë votuar statutin por edhe ata që nuk e kanë votuar është e drejtë e tyre, demokracia i ka këto gjëra, i kuptoi edhe ata që bëjnë nga pak edhe politikë, por me rëndësi është që ai ka kaluar me më tepër se 2/3 e votave.

RKL: Sa jeni i kënaqur  me punën e deritashme të drejtorëve të komunës?

Nexhmedin Arifi: Së pari nuk jam i kënaqur për aq sa duhet edhe me vetveten.

Do të dëshiroja shumë më tepër dhe në këtë aspekt mendoj edhe për drejtorët për të cilët nuk kam ndonjë vërejtje por kërkoi çdo herë një punë më tepër.

 

RKL: Cilën drejtori do të veçoje me punë efikase dhe që është dalluar në përfitimin e donacioneve për projekte të reja. Në këtë aspekt do të veçonim projektin më të ri – ndërtimin e  shkollës së re në fshatin Sllatinë e Epërme?

 

Nexhmedin Arifi: Nuk do të dëshiroja të bëjë dallime për arsye se çdo drejtori është në suaza të normales, ndërsa tjetër është që unë dëshirojë gjithnjë më shumë. Nuk ndalem. Ashtu jam prej natyrës. Dhe kam dëshirë të bëjë punë të pamundshme sepse të mundshmet i bënë gjithkush. Por kur të kryejmë ndonjë punë të pamundshme për qytetarët kishte me qenë ajo mrekullia që kërkohet.

Sa i përket ndërtimit të shkollës së re që tashmë është vënë gur themeli ka filluar punimet nga të hyrat vetanake janë siguruar dhe lejuar 95 mijë euro, ndërsa projekti është i kushtueshëm rreth 500 mijë euro dhe mbetët që pjesa tjetër të sigurohet nga MASHT-i. Unë dje pata takim me ministrin, Ramë Buja dhe nga ai mora premtimet për shkollat fillore në Sllatinë dhe në Pozharan, por me prioritet mbetët shkolla e re në Sllatinë të Epërme e cila pritet të jetë e gatshme deri në shtatorin e vitit të ardhshëm.

Më duhet të shtoi se kushtet aktuale në këtë shkollë janë tepër të rënda si për nxënësit ashtu edhe vetë arsimtarët dhe është shkolla me infrastrukturën më të dobët në komunën e Vitisë e ndoshta edhe më gjerë dhe paraqet rrezik për nxënësit dhe mësimdhënësit.

 

RKL: Prioritet mbetët edhe rregullimi i shtratit të lumit Morava e Binqes projekt ky që pritet të financohet nga Komisioni Evropian në vlerë prej 1.7 milion euro!

Nexhmedin Arifi: Po! Komuna e Vitisë tashmë ka autorizuar firmën përkatëse për ta bërë një projekt edhe për lumin Morava e Binqës I cili do të përfshin edhe komunat e Kllokotit dhe të Parteshit. Projekti është nda në tri etapa Nuk do të fillojmë nga Komuna e Vitisë, por do të fillojmë nga pjesa që kufizohet me Komunën e Parteshit. Pra pjesa e pare fillon prej fundit e tutje për arsye se këtë e dikton vetë rrjedha e lumit. Rëndësia e këtij projekti përveç rregullimit të shtratit është I dobishëm edhe për bujqësinë, pasi në të dy anët e shtratit kemi një tokë të pjellore e cila pothuajse çdo vit është dëmtuar nga vërshimet.

 

RKL: Sa arrin Komuna e Vitisë t’i vjelë taksat e tatimit në pronë nga qytetaret dhe nga bizneset? E shtruam këtë pyetje pasi këtyre ditëve nga Organizata logos që financohet nga Qeveria zvicerane ka filluar trajnimi tetë ditor i zyrtarëve komunal të tatimit në pronë? A do të thotë kjo se nuk jeni sa duhet të suksesshëm në mbledhjen e këtyre taksave?

 

Nexhmedin Arifi: Përkundrazi, Komuna e Vitisë është njëra ndër komunat më të mira në nivel vendi për vjeljen e taksave. Këtë e konfirmon edhe Drejtori i Departamentit për tatim në nivel të Kosovës. Realizimi i të hyrave vetanake dhe sidomos tatimit në pronë është gjithherë 100%, përjashtim bënë vetëm borxhi i vjetër i trashëguar nga administrate e kaluar. Dhe më këtë rast komuna jonë është privilegjuar dhe besoj që jemi të vlerësuar pozitivisht edhe nga donatori në këtë rast nga qeveria zvicerane, por edhe nga qeveria e Kosovës, gjegjësisht Departamenti I tatimeve në pronë që na u është dhënë mundësia që 6 punëtorë tanë t’i aftësojmë për këto çështje të evidentimit të pronave të pa regjistruara në komunën e Vitisë.

 

RKL: Këtyre ditëve Qeveria e Kosovës,  gjegjësisht kryeministri ka emëruar drejtorin e administratës Daut Xhemajlin në pozitën e zëvendës ministrit të drejtësisë. Në njërën anë mund të jetë kjo një privilegj për ju por ndoshta edhe hendikep pasi zoti Xhemajli në të njëjtën kohë është edhe kryetar i degës së PDK-së?

 

Nexhmedin Arifi: Ne në nivel të komunës nuk i lidhemi fare ato çështje me parti. Edhe unë edhe kryetari degës jemi në shërbim të qytetarëve. Në këtë aspekt drejtori i deritashëm ka dhënë një kontribut gjatë kësaj periudhe sa ishim bashkë në realizimin e një varg projektesh për qytetarët tanë. Unë besoj që për komunën e Vitisë dhe qytetarët e Komunës së Vitisë shkuarja e Xhemajlit në detyrën e zëvendësministrit të Drejtësisë është një inkurajim për arsye se edhe Vitia për herë të parë po merret parasysh nga Qeveria e Kosovës dhe unë besoj se pas tij do të ketë edhe shkuarje tjera. Ne jemi komunë e vogël por kemi dhënë shembull për shumë çështje ku jemi të parët në Kosovë, si p.sh. Miratimi i Planit Zhvillimor dhe Planit Urbanistik të Komunës, plan ky I vlerësuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si më i avancuari në nivel të Kosovës. Pra edhe pse komunë e vogël kemi angazhime, parime, principe, respektojmë ligjet dhe në këtë drejtim kemi edhe rezultate.

RKL:  Pesë maji është dita e dëshmorëve të Komunës së Vitisë. Nga kjo komunë dihet se për çlirimin e atdheut kanë rënë 29 dëshmorë. Konkretisht cilat janë mundësit e komunës për mbështetjen e këtyre familjeve!

 

Nexhmedin Arifi: Çështja e familjeve të dëshmorëve është e rregulluar me ligj në nivel qendror të Republikës së Kosovës. Ata gëzojnë respekt për arsye se bijtë e tyre, dëshmorët tanë të kombit me heroizmin e tyre kanë mundësuar që ne sot t’i kryejmë lirshëm aktivitet tona. Ne takohem shpesh me këto familje, konsultohemi, i dimë brengat e tyre, dhimbjet e tyre, por ndonjë ndihmë të veçantë nuk mund ta përmendi, por si shenjë respekti për vlerën e tyre të madhe kemi bërë emërtimet e rrugëve, shkollave, institucioneve të ndryshme me emrat e tyre. Pesë maji me statutin e ri të komunës është shpallur edhe ditë pushimi në komunën tonë.

RKL: Z. Arifi nëse nuk keni diçka për të shtuar, ne ju falënderojmë për kohën që ndatë për realizimin e kësaj interviste për dëgjuesit e radios Kosova e Lirë

Nexhmedin Arifi: Nuk kam diçka të veçantë për të shtuar, vetëm do të kërkoja nga qytetarët tanë që të jenë në nivelin e përgjegjësive që iu takojnë si qytetarë, të përkujdesën në ruajtjen e ambientit në ruajtjen e hapësirave gjelbëruese sepse kjo nënkupton edhe ruajtjen e shëndetit. Edhe unë shprehi falënderimet e mia për ju dhe stafin e radios Kosova e Lirë. Jeni të mirë se ardhur çdo herë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …