Intervistë me kryetarin e Kuvendit Komunal të Shtimes z. Naim Ismajli

RKL: Z. Ismajli  keni qenë  pjesëtar i UÇK-së në pozitën e ndihmës  komandantit në Batalionin për mobilizim dhe personel në Batalionin “Ruzhdi Salihu” gjatë luftës ndërkohë që pas luftës keni kaluar nëpër pozita  të shumta komunale, dy mandate jeni në postin e kryetarit të komunës së Shtimes, na thoni diçka më shumë për aktivitetet e zhvilluara gjatë kësaj kohe ?

Naim Ismajli: Ju veç e filluat dhe e treguat  shkurtimisht biografinë time. Është e vërtetë që unë kam filluar aktivitetin tim para luftës në arsim. Lufta është pjesa më e vlefshme, ndoshta edhe pse është më e vështira, është pjesa që më së shumti e çmoj dhe e vlerësoj. Ndërsa pas luftës duke pasur njohuritë dhe mundësitë e mia profesionalizmi im mund të kontribuoj në aspektin e ndërtimit të institucioneve lokale, angazhimet e mia në fillim më tepër kanë qenë që të kontribuoj në ndërtimin e strukturave të para në komunën e Shtimes. Fillimisht kam pasur pozitën e drejtorit të drejtorisë së Bujqësisë, më vonë krye-shef ekzekutiv i komunës së Shtimes, tash kam hyrë në mandatin e dytë të kryetarit. Të gjitha këto janë një përvojë për mua ndonëse kanë kërkuar shumë mund dhe energji dhe punë, por megjithatë kjo  është një përvojë shumë e mirë për mua, sepse gjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë angazhimet që të tejkalojnë shumë sfida dhe në këtë aspekt ne kemi arritur rezultate. Sot kur flasim për këtë periudhë për mandatin e dytë të kryetarit të komunës, për mua është një punë më e lehtë, sepse prapa meje qëndron përvoja, por njëkohësisht këtu do të thosha se konfirmimi i qytetarëve për mandatin e dytë për mua është një obligim shtesë për qytetarët, sepse kur qytetarët të japin vetëbesimin dy herë, ata sigurisht se para vetës kanë parashtruar  të pritura, e unë besoj se mandati dytë në afatin kohorë është më i gjatë dhe unë me punëtorët e mi të gjitha ato që i kam prezantuar në programin zgjedhor, të gjitha projektet që janë identifikuar se do të realizohen  për katër vitet e ardhshme besoj se me ndihmën e stafit tim profesional  me bashkëpunëtorët do t’i realizojmë.

RKL:  Sa dhe cilat projekte janë realizuar në  komunën e Shtimes?

 

Naim Ismajli:Nëse i referohemi mandatit dy vjeçar investimet në komunën e Shtimes kanë qenë mbi 16 milionë euro, investime këto që janë bërë  në shumë fusha, duke filluar nga ngritja e kapaciteteve të administratës në shëndetësi dhe arsim, përmirësimin e kushteve të këtyre shërbimeve, por mbi të gjitha shumica e projekteve kanë qenë në fushën e infrastrukturës, në shkolla në rrugë të asfaltuara në ujësjellës, një pjesë në kanalizime , në objekte tjera  siç janë ndërtimi i zyrës së punësimit, ndërtimi i qendrës së regjistrimit civil, pastaj faza e parë e palestrës së sportit, përfundimi i fazës së parë të Kompleksit Memorial të Reçakut, kemi një projekt që është përfunduar në kompleksin e varrezave janë këto disa nga projektet që e identifikojnë atë infrastrukturë që është ndërtuar në komunën e Shtimes.

RKL: Z. Kryetar, si vlerësoni punët dhe angazhimet që janë bërë në komunën tuaj?

Naim Ismajli: Besoj se punët të cilat kanë përfunduar në këtë mandat janë të punë të cilat kanë refleksion pozitiv te qytetarët sepse kanë ndryshuar imazhin e qytetit tonë, mbi të gjitha kanë krijuar mundësinë  që qytetarët të komunikojnë shumë më lehtë me komunën përmes infrastrukturës, të kenë një jetë shumë më të mirë, dhe projektet që kanë hapur perspektivën e  zhvillimit të komunës sonë sepse pa realizimin e këtyre projekteve edhe interesimi për të investuar në komunën tonë nuk do të ishte. Në komunën e Shtimes mund të investohet sepse të gjitha shërbimet kanë refleksion të mirë jo vetëm të qytetarët por edhe te të gjithë ata që duan të investojnë në komunën e Shtimes.

RKL: Po sfidat me të cilat jeni përballur në punën e deritashme?

Naim Ismajli: Po fillimisht do të thotë si sfida do të thosha se ka pasur një ndryshim në mandatin tim dy vjeçar. Ne kemi filluar me një rregullore 2007 /30 e cila e ka përcaktuar një formë tjetër të udhëheqjes, ku kryetari ka udhëhequr kuvendin dhe drejtorët, pastaj është dashur të punohet në të gjitha aktet normative, statusi i komunës, të ngrihet e tërë ajo strukturë organizative. Pastaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nxjerrjes së kushtetutës, ligjit për administrimin e pushtetit lokal ka obliguar që komunat të punojnë sipas kushtetutës dhe këtij ligji, ne është dashur që të bëjmë menjëherë reformën administrative, t’i bëjmë zgjedhjet tjera të strukturave, dhe këto me njëfarë forme na kanë marrë një kohë në kuptimin e aktiviteteve të tjera të përditshme.  Sfidë tjetër konsiderohet  buxheti i pamjaftueshëm, sidomos në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, të cilat nganjëherë ndikojnë që shërbimet të mos jenë të nivelit që ne i dëshirojmë, por mbi të gjitha ne si komunë kemi arritur t’i përballojmë edhe këto sfida dhe mund të themi që suksesshëm e kemi përmbyllur një mandat dy-vjeçar duke bërë investime të mëdha, duke ngritur kualitetin e punës së punëtorëve, dhe përkundër këtyre sfidave kemi dalë me një rezultat të mirë.

RKL:  Ç’ mund të na thoni  për zhvillimin e komunës së Shtimes deri më tani?

 

Naim Ismajli: Tashmë në vitin që po e lëmë pas kemi hartuar strategjinë e Komunës së Shtimes, pastaj planin zhvillimor dhe urban të komunës, që janë tri dokumente shumë të rëndësishme  ku vendosen kahet e zhvillimit të komunës, pastaj përcaktohen qasjet, cilat do të jenë zonat e banuara cilat do të jenë zonat e bizneseve ku kreative. Të gjitha këto në këtë plan janë të identifikuara, se cilat janë mundësitë e komunës dhe cilat do të jenë prioritetet e zhvillimit. Të gjitha këto na bëjnë të themi se në mandatin e ri jemi me një plan strategjik dhe janë të identifikuar secili projekt dhe secili burim i financimit. Ne presim, që në këtë mandat katër vjeçar, t’i realizojmë të gjitha projektet sipas këtij plani, dhe në këtë aspekt me prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik i komunës, sepse që tani është hapur perspektiva e këtij zhvillimi, i cili do të ndikoj direkt në zbutjen e papunësisë, në ngritjen e cilësisë edhe në fushat e tjera dhe në arsim e shëndetësi.

RKL: Cila do të ishte porosia për punëtorët tuaj e cila  për qytetarët e komunë të cilën e drejtoni?

 

Naim Ismajli: Punëtorët të vazhdojnë të kenë përkushtimin ndaj punës sikur në të kaluarën, tani për punëtorët niveli i ngritjes së performancës është më i mirë se ai që ka qenë. Nga ta unë kërkoj që të punojnë me shumë përkushtim, vazhdimisht t’i rrisin kapacitetet profesionale dhe menaxhuese karshi kërkesave që dalin ngase çdo periudhë kohore ka kërkesa të veçanta për aplikim të standardeve  të ndryshme dhe aplikim të teknologjisë tjetër informative, dhe unë i lus punëtorët që t’i përcjellin këto dhe t’i absorbojnë këto njohuri dhe të jenë gjithmonë konkurrent karshi kërkesës që qytetarët kanë ndaj tyre. Ndërsa porosia për qytetarët e komunës së Shtimes është që besimi i dhënë ndaj këtyre institucioneve do tu kthehet në shërbimin më të mirë të mundshëm, një rikonfirmim i këtij besimi na shton obligimet edhe më të mëdha që ne tu shërbejmë atyre në baza ditore, por njëkohësisht duke realizuar projektet kapitale ne do t’i ndryshojmë fizionominë e komunës së Shtimes, komunën e Shtimes do ta bëjmë një qytet të vogël e të pastër, por mbi të gjitha me një arsimim dhe shëndetësi më të avancuar.

RKL: Faleminderit për kohën që ndatë për ne  dhe  Ju urojmë të arritura e suksese të tjera.

Naim Ismajli: Ishte kënaqësi dhe nderë  të jem pjesë e emisionit në radion Kosova e Lirë, radio  shumë e respektuar. Suksese në punën tuaj të përditshme

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …