Ragip Begaj

Intervistë me kryetarin e Malishevës, Ragip Begaj, lidhur me gjendjen e pandemisë në këtë komunë

RKL: I nderuar kryetar, Ju jeni edhe kryetar i shtabit komunal  për menaxhimin e gjendjes emergjente në komunën e Malishevës për krijimin e pandemisë me virusin Corona,  aktualisht komuna që ju drejtoni është me numrin me një numër të lartë të të prekurve me Covid 19, cila është gjendja e tyre shëndetësore?

 

Ragip Begaj: Fillimisht faleminderit që keni shfaqur interesim për të ndarë me ne shqetësimin e kësaj pandemie në komunën tonë.  Sipas informatave që ne kemi gjendja e tyre është e qetë, stabile. Shqetësimi ynë është se Malisheva është komuna më e prekur nga të gjitha komunat. Neve tradicionalisht na përcjellin disa gjendje të rënda. Gjendja shëndetësore që është e mirë edhe neve na jep vullnet për të kaluar edhe ketë situatë tejet të rendë jo vetëm për ne e vendin  për mbarë njerizimin.

 

RKL A ka mjaftueshëm material shpenzues shëndetësor, për të përballura gjendjen momentale në të cilën ndodhet komuna e Malishevës?

 

Ragip Begaj: Te ju them të drejtën jo, nuk kemi mjaftueshëm material por përkundër kësaj ne po përpiqemi të menaxhojmë situatën në të cilën ndodhemi. Ne nga data 12 mars 2020 kemi themeluar shtabin emergjent ku jemi në aktivitet të pandërprerë  tërë ditor. Punojmë me nga dy ndërrime, jemi në punë deri në orën 24 ku kemi kontakte me persona kompetentë, me qëllim  për të udhëhequr sa më mirë ketë gjendje për njerëzit tanë, për ata që aktualisht kanë më shumë nevojë.

 

RKL: Sa po zbatojnë urdhëresën e kufizimit të lëvizjes qytetarët e Malishevës?

 

Ragip Begaj:  Përgjithësisht i zbatojnë urdhëresat e kufizimit të lëvizjeve në orët e caktuara, por dëshiroj që në këtë drejtim të jenë edhe më të disiplinuar, pra të zbatojnë urdhëresën me përpikëri, të zbatojnë rekomandimet e IKSHPsë, për arsye se janë të dobishme për të gjithë ne. Apeli i eksperteve por edhe të gjithë neve është që të rrimë të izoluar, të mbajnë distancën,  të mos rrinë në grupe mos të dalin nga shtëpia, sepse kjo na ndihmon që më shpejt të kemi rezultate në këtë drejtim. Megjithatë ka raste kur në markete, blerësit  qëndrojnë grumbull, andaj ju tërheq vërejtjen për një element të tillë, pra të jenë më të kujdesshëm t’ i ndihmojnë vetës vendit e shëndetit dhe jetës së njerëzve.

 

RKL: Kryetar, sa është arritur të bëhet dezinfektimi i hapësirave publike në komunën e Malishevës?

 

Ragip Begaj: Deri tani kemi bërë dy herë dezinfektimin e hapësirave publike dhe parqeve në komunën e Malishevës. Herën e parë kemi pasur një donator nga Prizreni i cili falas e ka kryer dezinfektimin, mandej edhe komuna e ka paguar një kompani tjetër për dezinfektim. Pra janë trajtuar të gjitha rrugët parqet, shkollat, shtëpia e shëndetit, policia etj.

 

RKL: kur jemi tek donacionet apo ndihmat, a më shume keni pranuar ndihma nga qeveria apo nga sektori privat, dhe sa janë të mjaftueshme këto ndihma?

 

Ragip Begaj: Mbase po i bie se vetëm po kritikoj por realiteti faktik është që shumë më shumë na kanë furnizuar donatorët se niveli qendror. Ndoshta edhe ata s kanë pasur mundësi, megjithatë ne kemi vërejtjet tona ngase Malisheva ka qenë dashur të trajtohet ndryshe për faktin  sepse në këtë komunë  është numri më i madh i të infektuarve. Po kështu numri më i madh i mërgimtarëve nga komuna e jonë kanë qenë në Itali me punë jashtë vendit. Për këtë arsye kërkesa jonë ka qenë e drejtë që Malisheva të trajtohet me kohë nuk them që vetëm komuna jonë të ketë prioritet,  por tërë kjo të shkoj në raport me kërkesat.

 

RKL: Kryetar cila është porosia e Juaj për fund për kujdesin që ka për obligim Qeveria por edhe për banorët e komunës Suaj?

Ragip Begaj: porosia jonë për Qeverinë është që të ketë një furnizim në akord me nevojat, të shtohen masat furnizuese. Po shpresoj se tani e tutje do ta kenë parasysh komunën e Malishevës. Ndërkaq qytetarëve të komunës u apeloj edhe njëherë t’ i përfillin rekomandimet e IKSHP-së, me këtë rast e falënderoj publikisht Institutin që ka qenë  në nivel të detyrës. Po ashtu   i shpreh mirënjohje edhe dhe Qendrës Infektive e cila i ka trajtuar pacientet mjaftë mirë,  i jam shumë mirënjohës, po ashtu edhe stafit mjekësor në Malishevë që po bëjnë një punë të shkëlqyer dhe po menaxhojnë mirë situatën. Megjithatë ne po përpiqemi t ia dalim mbanë me donacionet që kemi marrë, me një vendim që e kemi marrë ne Kuvend,  që ende nuk kemi filluar jetësimin e tij po synojmë ti dalim në ndihmë çdo qytetari të komunës sonë. Furnizimi me ujë e rrymë është në rregull, kompanitë janë në nivel të detyrës.

 

RKL: I nderuar Kryetar, ne ju falënderojmë për këto informata që ndatë për dëgjuesit e radios Kosova e Lirë. Urojmë që ta kaloni këtë gjendje sa me mirë dhe të përfundojë sa më shpejtë kjo pandemi që ka pllakosur mbarë vendin.

 

Ragip Begaj: Faleminderit edhe Juve, do Zoti ta kalojmë këtë situatë sa më shpejtë. Pacientet tanë kanë shenja të përmirësimit dhe po presim nga ta sa më shpejtë të përmirësohen dhe të kthehen pranë familjeve të tyre dhe pranë nesh.

 

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …