RKL: I nderuar Abedin, mirë se vini në valët e radios Kosova e Lirë
Abedin Daka: Mirë se iu gjejë, jeni te mirëseardhur!
RKL: 22 vjet më parë, në Llapushnik është zhvilluar një luftë e ashpër ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pushtuesve serbë, në hyrje të Grykës Llapushnikut, fshat i komunës së Drenasit, në Drenicë. Luftimet janë zhvilluar me 8, 9 dhe 10 maj të vitit 1998. Na tregoni si nisen luftimet në atë Betejë dhe cilët ishin luftëtarët që zhvilluan me heroizëm të pashoq luftimet në këtë betejë ?
Abedin Daka: Po, me datën 8 Maj 1998 në fshatin Balincë Komuna e Malishevës është organizuar dhe e ndërmarrë sulmi i parë nga njësiti Korbi dhe Komandanti i këtij njësiti Mirush Dakaj së bashku me ushtarët e tij, ky sulm është ndërmarrë duke ua bllokuar rrugën konvojeve ushtarake të Serbisë dhe luftimet që janë bërë ne distancë shumë të afërt ne pak metra largësi, pra këto luftime janë nis nga Komandant Korbi me ushtarët e tij e pas disa orëve luftime për të ua humbur vëmendjen ushtrisë serbe i dalin ne ndihmë njësitit Korbi edhe disa ushtarë nga njësitet tjera po ata ishin ne largësi. Arsyeja e bllokimit të rrugës ne këtë fshat është ndërmarrë për te bllokuar udhëtimin e konvojeve serbe nga Prishtina në drejtim te Pejës edhe anasjelltas për të iu ardhur në ndihmë ushtrisë serbe qe po sulmonin fshatrat Gllarevë, Zabergjë dhe Kijevë. Për këtë sulm ndaj këtyre ushtrive serbe flasin edhe dëshmitarë të tjerë civil që flasin për këtë ngjarje e cila do mbahet mend shumë gjatë kohë. E ky sulm i paraprinë luftimeve qe vazhduan me 09 Maj 1998 për bllokimin e Grykës së Llapushnikut.
RKL: Vëllai i Juaj Mirush Daka – Komandant “ KORBI” tani Dëshmor i Atdheut, i takon plejadës së luftëtarëve të përkushtuar të lirisë, gardës së liridashësve e liribërësve, cili ishte roli i Tij në këtë betejë?
Abedin Daka: Me datën 8 Maj 1998 është organizuar ky sulm që i paraprinte bllokimit të Grykës së Llapushnikut, ndërsa roli i Mirush Dakaj ishte Komandant Njësiti dhe organizator i këtij sulmi dhe shume e shume sulmeve të tjera që janë ndërmarrë në shume zona të Kosovës.
RKL: Ai aksion kishte shënuar edhe fillimin e krijimit të zonave të lira të kontrolluara nga UÇK-ja edhe në zona tjera, çka ju kujtohet nga ato luftime tre ditore?
Abedin Daka: Me kujtohet edhe me ka mbetur në mendje që nuk më largohet kurrë është momenti kur kam shkuar në ndihmë edhe kur i pyes ushtarët se ku ishte Komandant Korbi edhe i kam parë ushtarët e tij duke qarë dhe me gjysmë zëri më kthenin përgjigjeje se Korbi nuk ishte askund dhe se dy opsione ishin që ose ishte vrarë gjatë luftimeve ose ishte i zënë rob. Pas shumë orë kërkimesh e gjejmë Korbin te lënduar sepse luftimet aq të afërta nga gjuajtjet e mëdha kishin bërë që ai te lëndohej me disa lëndine të vogla trupore. Ndërsa luftimet tre ditore ishin një ndjenjë aq e madhe sa kur e dinim që armikut po ua ndërprisnim hovin e pushtimit.
Edhe ne fund do iu bëja thirrje të gjithë bashkëluftëtarëve të Komandant Korbit dhe banorëve të fshatit Balinc dhe Gjurgjicë që të flasin të vërtetën në lidhje me këtë sulm të datës 8 Maj 1998 sulm që i parapriu mbylljes dhe bllokimit të Grykës së Llapushnikut dhe atij të Dollcit, sepse ky sulm u nis dhe u përfundua nga Mirush Dakaj dhe ushtarët e tij e jo lavdet që po i marrin Njësitet tjera. Mos e bëni këtë gjë e mos e shkelni veprën e punën e atyre qe i dhanë me te shtrenjtën e tyre jetën për këtë tokë. Ne nuk jemi kundër të asnjë njësiti që përmendet këtu se ndoshta i kanë dalë në ndihme por ta flasin të vërtetën se kush e organizoi e kush u doli në ballë këtyre konvojeve serbe.
Respekt për ju dhe redaksinë tuaj.