leoni

Intervistë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi

RKL: z. ministër a mund të  na jepni një pasqyrë të shkurtë të Ministrisë gjatë këtyre viteve ?

Krasniqi: Shpresoj se edhe komunitetet me të cilat ne bashkëpunojmë, dhe që punët tona ndikojnë në aktivitetet dhe punën e tyre, do të pajtoheshin me konstatimin se për këto tri vite sa kemi pasur  përgjegjësinë ta udhëheqim Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me të vërtetë kemi shënuar të arritura të mëdha, duke shënuar avancime në të gjitha fushat që i mbulojmë e që janë kultura, trashëgimia kulturore, sporti, rinia por edhe e drejta e autorit. Ne që nga fillimi nuk e kemi pasur luksin që të merremi vetëm me një fushë për shkak të ngecjeve të së kaluarës, por jemi ballafaquar në një situatë ku është dashur që të merremi me 10-15 çështje prioritare në të njëjtën kohë dhe më vjen mirë që bashkë me kabinetin tim, kemi arritur që t’i trajtojmë shumicën e këtyre prioriteteve dhe që t’ju japim drejtim zhvillimeve pozitive të gjitha këtyre fushave për të cilat kemi përgjegjësinë. Do të ishte ndoshta e tepërt që t’i listojmë një nga një të arriturat, sepse vërtetë janë të shumta, por ajo që mua më bënë të ndjehem mirë fakti që kemi shënuar avancime konkrete, të prekshme në të gjitha ato fusha, qoftë në sport, qoftë në kulturë, trashëgimi kulturore e kështu me radhë. Kemi pasur një angazhim të veçantë tek pjesa e ndërkombëtarizimit të sportit, të strukturës, tek ngritja e cilësisë së përgjithshme në sport. Poashtu kemi avancuar shumë në kuptimin e autonomisë të plotë të institucioneve kulturore publike, rritjes të mbështetjes financiare për ta, por edhe për operatorët e pavarur kulturor. Gjithsesi suksese vërehen edhe në kuptimin e diplomacisë kulturore dhe promovimit të krijimtarisë artistike dhe punës së njerëzve të kulturës dhe artit të Kosovës anekënd botës. Në trashëgimi kemi avancuar kornizën legjislative, sikur edhe çdo fushë tjetër, por edhe kemi arritur që me një sërë programesh të reja siç janë për shembull ndërhyrjet emergjente të objekteve të trashëgimisë, krijimin e listës së trashëgimisë për mbrojtje të përkohshme, pastaj bashkëpunimeve të ndryshme që kemi pasur me instancat ndërkombëtare në këtë drejtim, që të arrijmë të avancojmë këtë fushë, ashtu si te e drejta e autorit kemi arritur që për herë të parë ta kornizojmë në kuptimin legal dhe të kemi hapa konkret, gjë që ka rezultuar me avancimin e kësaj fushe dhe kemi ngitje në rritje të pronës intelektuale. Edhe në fushën e rinisë, përveç që kemi rritur në vazhdimësi buxhetin e Ministrisë, ne kemi arritur që të thithim fonde nga partnerët e ndryshëm ndërkombëtar, ku do ta veçoja projektin për zhvillimin e rinisë në Kosovë, që ka pasur një kosto afër 3 milion euro, përmes së cilës janë1307 të rinj që  kanë përfituar drejtpërdrejtë, pjesa dërrmuese e së cilës vazhdojnë të kenë vende pune. Më vjen mirë që kemi arritur t’i trajtojmë të gjitha çështjet në mënyrë të barabartë dhe të krijojmë mundësi për të gjithë ato komunitete që preken nga puna e jonë në këto fusha.

RKL: Ministria gjatë këtyre viteve ju ka dalë në ndihmë edhe shumë komunave në ndërtimin e palestrave sportive. Për këtë vit a keni planifikuar përfundimin e ndonjë palestre?

Krasniqi: Ne realisht patëm trashëguar një numër të madh palestrash të nisura, e them me keqardhje, pa asnjë planifikim normal financiar. Kostoja mesatare e ndërtimit të një palestre është 2 milion euro, ndërsa ne i kishim të buxhetuara nga 150 000 deri në 200 000 euro në vit, që i binte që këto palestra të mos përfundonin edhe 10 vite. Ne qysh në fillim kemi rimenduar formën e financimit, duke krijuar mundësi që t’i financojmë dhe t’i ndërtojmë, por në një periudhë sa ma të shkurtë. Një pjesë janë përfunduar, pjesa tjetër janë para përfundimit. Nga informacionet që kam nga departamentet përkatëse, ne besojmë që shumë shpejtë do ta përfundojmë palestrën sportive në Drenas dhe shpresojmë që edhe disa tjera do të përfundojnë sa më shpejtë. Në Klinë ka filluar faza e dytë sepse ajo ka qenë një palestër që është filluar në vitin 2014, pastaj është lënë në mëshirën e kohës, ndërsa ne kemi filluar fazën e dytë dhe besoj që vitin e ardhshëm Klina duhet ta përfundoj.

RKL: A keni ndërhyrë edhe në renovimin e palestrave ekzistuese?

Krasniqi: Personalisht kam edhe pakënaqësi edhe në formën e tyre, në kuptimin e asaj që ka pasur edhe defekte në projektet të cilat janë bërë dhe natyrisht ne këto projekte i kemi trashëguar. Këto kanë rezultuar me probleme gjatë gjithë periudhës, pastaj ndryshimet e nevojshme që kanë ardhur me propozimin e ekspertëve dhe këto na kanë vonuar në planifikimet tona, ndërsa palestrat ekzistuese i kemi rinovuar pothuajse anekënd Kosovës. Dy të fundit kanë qenë në Ferizaj dhe Gjilan. Kemi ndërtuar shumë poligone sportive shkollore nëpër komuna të Kosovës. Është program që ne e vazhdojmë edhe këtë vit. Sa i përket përgjegjësisë për infrastrukturën sportive, vlen të theksohet se qysh në vitin e parë kur kam marrë përgjegjësinë, ne i kemi dyfishuar buxhetet dhe vazhdojmë që të kemi një qasje të tillë, madje nga viti i ardhshëm do të ketë edhe një trend edhe më të madh në kuptimin e rritjes buxhetore të infrastrukturës sportive, sepse tashmë edhe me propozimin e kryeministrit Thaçi, Qeveria ka vendosur ndërtimin e një stadiumi modern të futbollit me kapacitet prej 25 -30 mijë ulëse. Lokacioni do të jetë në komunën e Prishtinës. Ne kemi filluar diskutimet me Komunë dhe ne presim që ata të na japin opsionet meritore për lokacionin e stadiumit.

RKL: Kur pritet t’i japin propozimet e tyre meqë deri më tani përfaqësuesit komunal kanë heshtur rreth kësaj çështje? Ndeshja miqësore me Turqinë më 21 maj po afrohet, ndërsa ende nuk dihet nëse do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë apo në kryeqytet?

Krasniqi: Unë nuk dua t’i hyjë në hak askujt. Nuk mund të them se ka një mungesë të bashkëpunimit me qeverisjen aktuale komunale. Ka pasur një injorim të plotë nga qeverisja e kaluar. Ata as përgjigjen me letra nuk e kanë kthyer dhe kurrë nuk na kanë dhanë përgjigje për një sërë projektesh të cilat i kemi pasur në plan t’i ndërtojmë në komunën e Prishtinës për qytetarë të Prishtinës dhe të Kosovës. Por tani kemi një avancim në komunikimin tonë me Komunën e Prishtinës. Kemi pasur takime të vazhdueshme dhe temë e takimit përveç renovimit të stadiumit të Prishtinës, të cilën ne presim që ta bëjmë qe tri vite, janë edhe ndarja e lokacioneve për një sërë projektesh siç është stadiumi ndihmës, stadiumi i ri.

RKL: Ju kanë dhënë kritika dhe është folur se më shumë  keni  favorizuar komunat ku udhëheq PDK. Sa është e vërtetë kjo?

Krasniqi: Absolutisht nuk qëndron kjo. Fillimisht janë në përfundim e sipër 6 stadiume ndihmëse, të cilat do të ndërtohen në qytetet e mëdha të Kosovës, përveç në Prishtinë dhe Prizren, të cilat as në kohën kur janë ndërtuar nuk janë qeverisur të gjitha nga PDK-ja, ndërsa pas zgjedhjeve lokale sot janë në numër edhe më pak, kështu që nuk qëndron një konstatim i tillë, por kjo ka qenë marrëveshje që kemi pasur me Komisionin Evropian dhe KE-ja normalisht ka pasur edhe diskrecionin e vendimit për komunat siç janë Prishtina dhe Prizreni, ku ata nuk kanë pasur interesim të investojnë dhe ne pastaj kemi vazhduar me komunat tjera, ndërsa me Prishtinën dhe Prizrenin kemi marrë përgjegjësinë që vetë t’i financojmë këto stadiume.

RKL: Meqenëse Ministër në fillim ju dhatë një pasqyrim të përgjithshëm për Ministrinë e Kulturës na mbetet që të trajtojmë më tepër sportin dhe në këto vite më duket  tek tash e kemi marrë vesh se një ministër është edhe i sektorit të sportit në Qeverinë e Kosovës. Takimet tuaja janë të shumta, qoftë në rrafshin ndërkombëtar , qoftë në avancimin e sportit këtu brenda në Kosovë, në dhënien e ndihmave materiale. Ju së fundmi vetëm dje ndihmuat Komitetin Olimpik të Kosovës me një shumë prej 50 000 euro që është publike. Ju keni ndihmuar Klubin e Basketbollit “Sigal Prishtina”, keni ndihmuar Klubin e Basketbollit “Peja” në Euroligën Ballkanike….

Krasniqi: Faleminderit për vlerësimin. Konsideroj se unë e kam kryer detyrën time si ministër ndaj sportit. Është e vërtetë se sporti asnjëherë nuk ka qenë ndonjë prioritet në të kaluarën, por unë kam vendosur që në përputhje me përgjegjësitë e mia ta bëjmë sportin si prioritet qendror, pasi që Kosova është një vend me një numër rekord të të rinjve që e duan sportin. Ka qenë e patolerueshme që të vazhdohej me një qasje injoruese si në të kaluarën. Kjo është arsyeja pse i kemi dhënë prioritet sportit edhe në aspektin e ndërkombëtarizimit, ku tani kemi 18 federata të pranuara për dallim prej 4 sa ishin më parë. Kemi suksese evidente në fushën ndërkombëtare të atyre që i përmendet, por edhe të sporteve të tjera. Mendoj se kam pasur një bashkëpunim korrekt me të gjitha Federatat, përfshirë edhe Komitetin Olimpik dhe atë Paraolimpik, të themeluar para disa vitesh. Besoj se kemi arritur një trend, prej të cilit nuk do të ketë kthim prapa. Konsideroj se Komiteti Sportiv e ka kuptuar që tani institucionet shtetërore kanë një qasje dhe trajtim ndryshe ndaj sportit. Ne kemi ndryshuar edhe kornizën legjislative duke e zgjeruar dhe pasuruar me çështje të rëndësishme, siç janë shpërblimet shtetërore që janë më të mëdha sesa në vendet e rajonit e madje edhe në BE.

RKL: A janë të arritshme këto shpërblime në disa sporte?

Krasniqi: Më gëzon fakti se vetëm disa muaj të hyrjes në fuqi të këtyre ligjeve, kemi pasur medaljen e parë të artë në Kampionatin Botëror nga Majlinda Kelmendi. Në përputhje me legjislacionin të cilin e kemi krijuar, ne kemi shpërblyer Majlindën me 40 mijë euro dhe 20 mijë euro trajnerin e saj. Në Kroaci, për shembull, Medalja Olimpike shpërblehet me 13 mijë euro, ndërsa ajo botërore 90 mijë euro. Unë kam besim të plotë se sportistët e Kosovës do të tregojnë suksese të jashtëzakonshme. Është me rëndësi që të kemi edhe trajnerë të përkushtuar, psh te xhudistët e klubit të Pejës, pika e tyre ndërlidhëse është Driton Kuka. Aty përveç Majlindës, të suksesshëm janë edhe disa të rinj të tjerë që kanë fituar medalje, e janë shpërblyer me shpërblime nga shteti. Janë 10 të rinj tanë që marrin mbështetje mujore nga 150 euro  për të vazhduar aktivitetet e tyre, ndërsa presim shumë shpejt të japim edhe pensionet sportive të atyre që kanë arritur suksese të dëshmuara në të kaluarën dhe kanë mbushur moshën e pensionimit sportiv.

Intervistoi: Jeton SYLA

2 prill 2014

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …