RKL: Z. Agani mirësevini në valët e Radios Kosova e Lirë. Për fillim të bisedës do të donim të na njihnit në mënyrë të përmbledhur me sfidat që përballeni prej se e keni marrë postin e ministrit?
Agani: T’ju them të drejtën, sfidat kanë qenë të ndryshme, prej asaj personale meqë jam larguar nga një resor ku kam investuar në katër vitet e fundit dhe preokupimeve në reformën e sistemit shëndetësorë të vendit. Sfidat vazhdojnë edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë me një portofol shumë të gjerë meqë në Republikën e Shqipërisë kjo mbulohet nga tri ministri. Pra, është një spektër shumë i gjerë i aktiviteteve në fushën e mjedisit që përfshinë gjithë problematikën që ka të bëjë me ajrin, ujërat, tokën, mbeturinat e deri te ndryshimet klimatike që kohën e fundit po bëhen më aktuale. Aty përfshihet edhe sfera aplikimit hapësinorë deri te ngritja e standardeve të kujdesit gjatë zbatimit të procedurave ndërtimore. Më pas kalojmë tek një fushë të tretë specifike që i ka mbetur kësaj ministrie siç janë zonat e mbrojtura, përkujdesi i veçantë për parqet nacionale, zonat e mbrojtura që janë të lidhura me pasurinë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë e kështu me radhë. Pra dihet se ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor bashkë-kryeson një këshill për monitorim dhe zbatim bashkë me udhëheqësin e Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, z. Zhbogar. Me fjalë të tjera, është një spektër i gjerë i aktiviteteve, një fushëveprim tejet kompleks i cili paraqet shumë sfida, por unë jam njeri i cili nuk i ik sfidave. Kam një energji të madhe për të përvetësuar gjithë problematikën dhe do të provojmë t’i bëjmë hapat e parë në drejtime pozitive.
RKL: Cila janë projektet tuaja në fushën e mbrojtjes së mjedisit?
Agani: Projekti prioritar kur kam ardhur në këtë detyrë ka qenë brenga me ajrin. Si ish-ministër i Shëndetësisë kam pasur të dhëna të mjaftueshme se 60% e sëmundjeve në Kosovë kanë të bëjnë me sistemin e traktit respirator të frymëmarrjes dhe cilësia e dobët e ajrit që e thithim është një prej shkaktarëve kryesorë për këto sëmundje. Prandaj preokupimi im ka të bëjë me shëndetin mjedisor, ndërtimin e kapaciteteve në këtë aspekt, ndërmarrjen e veprimeve konkrete në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Kam qenë i befasuar me mos-zbatimin e një udhëzimi administrativ të nxjerrë nga Qeveria në fund të vitit 2011 për kontrollimin e misioneve te gazrave nga automjetit, i cili kurrë nuk është zbatuar ne Kosovë.
RKL: Kush është dashtë ta zbatojë?
Agani: Zbatimi ka qenë drejtpërdrejt me Ministrinë e Infrastrukturës, ndërkaq ministrisë sonë i ka takuar kontrolli teknik dhe mbikëqyrja e zbatimit. Në këtë drejtim kam punuar bashkë me ministrin, Zharku që të zbatojmë udhëzimin ekzistues ose të nxjerrim një udhëzim të ri i cili do të zbatohej. Ky është një nga prioritetet me të cilin po merremi gjatë këtyre ditëve. Çështja e dytë ka qenë mos-shfrytëzimi i taksës mjedisore dihet se çdo qytetar i vendit paguan 10 euro për regjistrimin e automjeteve.
RKL: Do të thotë ministria nuk i ka shfrytëzuar ato taksa që paguhen?
Agani: Nga Ministria e Financave kur grumbullohen ato mjete derdhen në Buxhetin e Kosovës, por nuk është bërë shfrytëzim i plotë i mjeteve sepse nuk janë destinuar në adresën e duhur.
RKL: Cila masa do t’i ndërmerrni dhe sa mjete përafërsisht mund të grumbullohen gjatë një viti?
Agani: Janë rreth 3 milionë euro në vit që grumbullohen për këtë qëllim. Këto mjete fillimisht i kemi paraparë në kornizën afat-mesme të shpenzimeve dhe do të provojmë t’i kalojmë në Ministrinë e Financave në mënyrë që Buxheti i ministrisë i cili është shumë i ultë për projekte mjedisore. Kjo i bie se do të ketë një rritje afër 50 % për këto projekte, gjë që do të na ndihmonte shumë. Prioriteti tjetër ka të bëjë me rishikimin afat-mesëm të Buxhetit, në rast se arrijmë të sigurojmë një buxhet i cili na mundëson një komunikim më të mirë me shoqërinë civile dhe gjithë ata që duan të bashkëpunojnë me shtetin. Ne nuk kemi as një cent që t’u ofrojmë projektet e tyre që janë shumë dobiprurëse. Për mua parësore është vetëdijesimi i qytetarëve. Kemi nevojë të vetëdijesohemi për ruajtjen e mjedisit ku jetojmë, meqë që e kemi personale e mbajmë shumë pastër por kur dalin në rrugë nuk veprojmë njëjtë Ky është një hendikep i madh për institucionet sepse synimi parësor është të zvogëlojmë ndotjen e ambientit, të krijohen sa më pak mbeturina ose të riciklohen ato. Vetëdijësimi i qytetarëve në këtë aspekt është i domosdoshëm . Bashkëpunimi me shoqërinë civile do të ndihmonte shumë procesin.
RKL: Keni pasur takime me zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit të Republikës së Shqipërisë? Si qëndron bashkëpunimi ndër-shqiptar në fushën e mjedisit?
Agani: Bashkëpunimi në aspektin formal është jashtëzakonisht i mirë. Ka memorandume e projekte bashkëpunimi por ato zbatohen fare pak për shkak të prioriteteve në vendet që i përmendët. Preokopimi vetjak në secilin shtet lë pak hapësirë për realizimin e bashkëpunimit. Sidoqoftë, jemi të përkushtuar që me ministrat e të dy shteteve të punojmë në mënyrë sistematik. Duke parë gatishmërinë e homologëve tanë në Shqipëri, kam shpresë të madhe se edhe tek ne do të punohet në këtë drejtim. Ka shumë sfida sidomos në Parqet Kombëtare. Siç e dini, Ministria jonë menaxhon me Parqet Kombëtare, malet e Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna, ndërkohë që Shqipëria dhe Maqedonia janë në proces të identifikimit dhe të deklarimit të parqeve në territoret e tyre. Me Republikën e Shqipërisë kemi një projekt bashkëpunimi te Liqeni i Fierzës dhe puna jonë përqendrohet në ujërat e pellgut të Drinit që derdhen në këtë liqen. Poashtu në Maqedoni ka filluar procedura e licencimit të arkitektëve, një problem ky që për 15 vite nuk është zgjidhur te ne, prandaj në këtë drejtim do të shfrytëzojmë përvojat nga shtetet e tjera.
RKL: Për vite me radhë, jo vetëm Ministria e Mjedisit por edhe institucionet e tjera relevante si dhe ato të nivelit lokal po përballen me problemin e rriqrave ose etheve hemorragjike, sidomos rajoni i Malishevës. Meqë mbeten edhe pak muaj nga sezoni kritik, cilat janë disa nga masat që do të ndërmerren për t’u ballafaquar me këtë problem, kuptohet në bashkërendim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe komunën e Malishevës?
Agani: Në kohën sa kam qenë ministër i Shëndetësisë, bashkëpunimi dhe kontributi i Ministrisë së Mjedisit në këtë drejtim ka qenë shumë formal dhe larg çdo angazhimi përmbajtjesor. Jam shumë i lumtur me punën që kemi bërë në Ministrinë e Shëndetësor ku kam udhëhequr Këshillin Ndërministror për Ethet hemorragjike, madje vitin e kaluar nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes nga ethet hemorragjike, dhe numri i personave të infektuar ka zbritur në pesë. Kjo ishte një arritje e madhe në krahasim me një vit më parë ku ka pasur një situatë fatale me 12 raste të vdekjes dhe 16 të tjera të infektimit. Sivjet është situatë shumë e mirë . Masat e ndërmarra në Këshillin Ndërministror për ethet hemorragjike sivjet kanë dhënë rezultate. Me kohë kanë filluar fushatat e vetëdijesimit të popullatës, ka filluar repelimi i kafshëve që të ndërpritet cikli i zhvillimit biologjik të tyre. Deri te ky konkludim kemi ardhur pas analizave të shumta gjatë përpilimit të strategjisë për luftimin e etheve hemorragjike në Kosovë, dokument ky i cili është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
RKL: Prej se keni marrë mandatin si ministër, keni shpeshtuar takimet në konferenca e forume ndërkombëtare për mbrojtjen e resurseve ujore. Dihet se në Kosovë, mbrojtja e këtyre resurseve jetike lë shumë për të dëshiruar. Lumenjtë kryesorë në vend dhe gjithë ekosistemi i tyre po shkatërrohet nga dita në ditë si pasojë e derdhjes së ujërave të zeza, mbeturinave, kimikateve dhe shfrytëzimit të pakontrolluar të zhavorrit. Hiç më mirë nuk është gjendja as në liqenet artificiale, ku në shumë syresh, si psh në Badoc, derdhen ujëra të zeza. Cilat janë hapat që do t’i ndërmerr Ministria e Mjedisit për të frenuar një fenomen të tillë negativ?
Agani: Kjo është një problematikë mjaft komplekse, pra një sferë e veçantë e angazhimit tim. Para pak kohësh jam kthyer nga Forumi i Ujërave i mbajtur në Korenë e Jugut, ku kisha mundësinë unike për të parë sesi shtete të veçanta i qasen problemit të ujit. Dihet se uji sot trajtohet si pasuria më e madhe e shteteve, kurse mungesa e tij rrënon zhvillimin ekonomik të vendit brenda vitit. Gjendja në Kosovë sa i përket ujërave lë shumë për të dëshiruar, ndonëse janë arritur disa përparime sa i përket mbikëqyrjes së cilësisë së ujërave. Sidoqoftë mbetet shumë për të bërë. Në radhë të parë kemi probleme me rregullimin e shtretërve të lumenjve, të cilët janë të degraduar dhe sjellin vërshime si në rastin e Sitnicës dhe Moravës së Binçes. Duhet adresuar edhe derdhja e ujërave të zeza në liqenin e Batllavës, ndërsa atë të liqenit të Badocit e kemi adresuar në mënyrë adekuate në Qeveri përmes një projekti të Qeverisë çeke. Mendoj se është bërë një zgjidhje mjaft e mirë në pellgun e lumit Drin sa i përket ndërtimit të impianteve të mëdha në Prizren, Gjakovë e Pejë. Këto janë investime dhjetëra-milionëshe që do të përmirësojnë gjendjen brenda 3-4 viteve. Në këtë drejtim, duhet të gjendet një zgjidhje edhe në për pjesën lindore, përkatësisht për Mitrovicën, Prishtinën, Ferizajn dhe Gjilanin. Për kryeqytetin ekziston një ofertë mjaftë e mirë nga Banka Gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim e cila do të jap rreth 60 milion, kurse Qeveria e Kosovës do të sigurojë rreth 20 milionë të tjera shtesë për ndërtimin e një impianti të madh si kolektor për qytetin i cili do të përmirësonte dukshëm gjendjen për derdhjen e ujërave të zeza. Ajo që më ka penguar shumë kur kam ardhur në ministri është se sistemi i mbikëqyrjes së cilësisë se ajrit, ujit dhe tokës kryesisht varet nga donacionet e jashtme, pra nuk janë sisteme të cilat mirëmbahen në mënyrë të rregullt. Fatkeqësisht këto nuk janë paraparë në buxhetin e ministrisë, por janë paraparë të menaxhohen dhe mirëmbahen nga donacione të ndryshme që është e palejueshme.
RKL: E nëse mungojnë ato?
Agani: Atëherë vijmë në situata si gjatë vitit të kaluar, kur në Feronikel nuk është matur cilësia e ajrit për shkak të prishjes së sistemit të matjes së cilësisë së ajrit. Këtë problem do ta sanojmë në mënyrë urgjente. Prioritet do të jetë edhe mbikëqyrja e cilësisë së ujit në formën e bashkëpunimit me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë. Duhet adresuar edhe çështja e ujërave nëntokësore dhe mbitokësore, pra është një problematikë mjaft komplekse me të cilën duhet të merremi të gjithë.
RKL: Keq-planifikimi urban ose ‘krimi urban’, siç ndodh të quhet shpesh, është një problematikë tjetër të cilën e adreson Ministria juaj. A po arrini të bashkërendoheni edhe me nivelin lokal për të harmonizuar politikat në drejtim të kontrollit të planifikimit urban, pasi që dihet se pas përfundimit të luftës janë evidentuar 150 mijë ndërtime pa leje?
Agani: Ky është një projekt i cili varet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Jam i kënaqur që në muajt e parë kemi arritur të zbatojmë ligjin mbi trajtimin e ndërtimeve pa leje, meqë siç e përmendet edhe ju janë mbi 150 mijë ndërtime pa leje të paraqitura në zyrat komunale. Me këtë rast, ne kemi paraqitur një regjistër të përkohshëm të këtyre objekteve dhe deri me 11 qershor vazhdon procedura e aplikimit e më pas fillon procedura e ankimimit në ato lista, ndërkaq në shtator do behet shqyrtimi i aplikacioneve për legalizimin e tyre. Kjo është një problematikë mjaft serioze, prandaj edhe ministria ka punuar jashtëzakonisht shumë duke krijuar në strategji cilësore. Kemi strategji edhe për problematika të ndryshme mjedisore dhe të ndërtimit dhe planifikimit hapësinorë. Legjislacioni është në pajtim me standardet evropiane, por kur vije tek zbatimi ka kapacitete të ulëta të implementimit të legjislacionit për shkak të mungesave evidente brenda shërbimit civil të ministrisë por edhe organeve inspektuese të cilat nuk janë aq të fuqizuara sa duhet për të kryer rolin e tyre monitorues dhe kontrollues. Problematika e ndërtimit dhe planifikimit hapësinorë është diçka me të cilën nuk mund të mburremi pas degradimit urban që iu është bërë hapësirave të banimit në Kosovë. Në masë të madhe këtu kanë kontribuar edhe mos-pajtimet brenda komitetit profesional. Ndër problemet e para në ministri janë kundërshtimet e mëdha ndërmjet grupeve të profesionistëve p.sh të arkitektëve, të cilët kanë vizione të ndryshme të organizmit, të strukturimit, menaxhimit etj. Por në këtë drejtim, jemi të vendosur që të lëvizim dhe jam i përkushtuar që shumë shpejt brenda këtyre ditëve ta formojmë një grup të punës për elaborimin e ligjit për odat e inxhinierëve të arkitektëve dhe ndërtimtarëve. Ky ligj do të organizoj themelimin e odave, mënyrën e themelimit dhe menaxhimit të tyre dhe pastaj do të japim profesionin dhe përgjegjësinë publike profesionisteve, d.m.th arkitektëve dhe ndërtimtarëve që të analizojnë veprimet dhe të ndikojnë institucionet shtetërore në dizajnimin e politikave dhe legjislacionit që të përmirësojmë këto gabime. Në ministri është nxjerrë dhe përpiluar kodi për ndërtime, një dokument ky tejet me rëndësi i cili është në Qeverinë e Kosovës para miratimit. Pra ka lëvizje, ka punë por ajo që është më e rëndësishme është zbatimi i strategjive dhe legjislacionit meqë ka mungesa evidente.
RKL: z.Agani ju faleminderit për kohën që ndatë për këtë intervistë dhe ju urojmë punë të mbarë në punën tuaj?
Agani: Ju faleminderit shumë për mundësinë që të ju drejtohem dëgjuesve të Radios ‘Kosova e Lirë’ , një radio tejet e respektuar nga ana ime, mu për atë se gjithë programin e bazoni mbi vlerat e mirëfillta të popullit tonë, vlera të cilat për fat të keq nga këto stuhitë dhe zhvillimet e pas-luftës shpesh janë mjegulluar. Është nder për mua dhe e ndiej vetën të privilegjuar që pata mundësi t’ju drejtohem dëgjuesve tuaj . Këtë bisedë po e mbaroj me rezultatin e një hulumtimi që e patëm me rastin e Ditës së Tokës. Ky punim është punuar praktikisht nga ekipi hulumtues i udhëhequr nga prof. dr. Sallaku nga Republika e Shqipërisë, një konzorcium i financuar nga Komisioni Evropian, lidhur me cilësinë e tokës së Kosovës. Hulumtimet dëshmojnë se në 17 komuna të Kosovës është dokumentuar se toka është e pastër. Ndotja me metale të rënda është shumë e ulët, përkundër të gjitha këtyre zhvillimeve negative dhe mungesave evidente. Megjithatë ende toka, uji dhe ajri i Kosovës po i përballojnë këtij sulmi të pa-kontrolluar, duke harruar që mjedisi është pasqyra e jonë. Mendoj se jemi në fazën që ende mund ta ruajmë këtë shëndet ndonëse të prekur të mjedisit tonë por është momenti i fundit kur duhet të vetëdijesohemi të gjithë dhe të punojmë së bashku. T’i ndalim kahet negative dhe t’i kthejmë nga një përparim i përgjithshëm.
Intervistoi:
Jeton SYLA
23 prill 2015