RKL: E nderuara Mirlinda, bijë e dëshmorit Maxhun Çekaj, mirë se vini në valët e Radios Kosova e Lirë!
Mirlinda Maxhun Çekaj: Ju faleminderit, kënaqësia është e imja të jem pjesë e emisionit tuaj në një radio shumë të respektuar.
RKL: Babi i Juaj, i takon asaj pjese të intelektualëve të cilët, pa u hamendur iu bashkuan radhëve të UÇK-së, disa prej të cilëve patën fatin e shenjtë të bien dëshmorë të lirisë. Maxhun Çekaj që nga viti 1992 kishte bërë planin ushtarak për mbrojtje nga pushtuesi serb, sa ishit në njohuri me atë aktivitet të babait Tuaj?
Mirlinda Maxhun Çekaj: Aktiviteti dhe veprimtaria e babit në shërbim të atdheut ishte e njohur për tërë vendin. Ai tërë jetën e tij ia kushtoi çështjes kombëtare në forma të ndryshme. Babi, fillimisht u angazhua në arsimimin e popullatës si nevojë imediate duke marrë parasysh nivelin e ulët të arsimit që ekzistonte në Kosovën e atëhershme. Në rrethanat e krijuara në Kosovë në fundvitet 80-ta dhe fillim vitet 90-ta, krahas krijimit të institucioneve paralele që e kundërshtonin regjimin shovinist serb të Millosheviqi, ishte e domosdoshme që të përgatitej popullata për rezistencë ushtarake. Babi ishte i vetëdijshëm se duhet të ndërmerren veprime të nevojshme për mbrojtjen e popullit nga forcat policore dhe ushtarake serbe. Mu për këtë ai së bashku me intelektualët tjerë të fshatit – shokët e tij të idealit filluan përgatitjet për krijimin e aradheve ushtarake për çlirimin e vendit nga okupatori. Ai ishte zgjedhur komandant i shtabit me vendim unanim të të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, pasi që e kishte edhe përgatitjen profesionale në fushën ushtarake. Kur ishte në pyetje çlirimi i atdheut, babi nuk hezitoi asnjëherë të merrte përgjegjësi komanduese. Këto përgatitje nuk morën përkrahje institucionale dhe lufta çlirimtare nuk filloi në vitin 1992. Ne si fëmijë ishim të ri dhe nuk dinim saktësisht se çka po përgatit babi, por ishim të vetëdijshëm se ai po angazhohej për çlirimin e atdheut.
RKL: Ofensivat e gushtit të vitit 1998 ishin ndër më të ashprat, ku forcat serbe kishin mobilizuar mijëra këmbësorë, ndërsa babai juaj Maxhun Çekaj me 50-60 ushtarë të UÇK-së, të cilët për disa orë me radhë i bënë ballë sulmit të armikut serb. Çka keni dëgjuar ju, çka dini të na thoni për luftimet e asaj dite kur babai u ka rënë dëshmor?
Mirlinda Maxhun Çekaj: Atë çka babai nuk arriti ta realizojë në vitin 1992 – të fillonte luftën çlirimtare, e bëri pa hezitim dhe më dëshirë të madhe në fillim të vitit 1998. Sapo filloi lufta në Dukagjin, ai ishte ndër të parët që u rreshtua përkrah luftëtarëve të lirisë. Babi luftën në shërbim të vendit e bëri me përkushtim dhe nderë. Siç dihet ofensiva e gushtit të vitit 1998 e ndërmarrë nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe në Rajonin e Dukagjinit, përkatësisht në harkun e tri komunave Pejë, Deçan dhe Gjakovë, në Zonën e Lirë (pjesë të komunës së Pejës, Gjakovës dhe po thuajse e tërë komuna e Deçanit kishin krijuar zonën e çliruar nga forcat serbe), është ndër betejat më të mëdha që ka zhvilluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës në dy vite luftë. Unë personalisht nuk kam qenë në fshat gjatë asaj dite, por kam dëgjuar rrëfimet e nënës, vëllait, motrave dhe bashkëluftëtarëve të babit. Forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kishin ndërmarr një ofensivë disa javore në këtë rajon, ky synimi ishte shkatërrimi i zonës së lirë të Dukagjinit, e cila shërbente si furnizuese e tërë UÇK-së me armë, stërvitjen e ushtarëve dhe shërimin e ushtarëve të plagosur. Në fshatin Irzniq, ku babi ishte komandant lokal, ishte vendosur komanda e Zonës Operative e Rrafshit të Dukagjinit, ishte vendosur Njësia speciale, “Shqiponjat e Zeza”, pastaj policia ushtarake dhe spitali ushtarak në të cilin u shëruan shumë luftëtarë të lirisë që plagoseshin në vijat e frontit. Irzniqi atëbotë shërbente edhe si vend strehim i popullatës së zhvendosur nga zonat tjera të luftimeve. Me gjithë këto përparësi që kishte kjo zonë dhe humbjet që luftëtarët e lirisë u shkaktonin forcave serbe, ishte e qartë se do të ndërmerren veprime të fuqishme ushtarake nga ushtria serbe. Në këtë ofensivë, forcat serbe kanë përdorur edhe aeroplanë ushtarak, më shumë se 200 mjete ushtarake të rënda – tanke dhe mjete tjera të rënda, artileri të rëndë, raketa tokë – tokë, etj. Pra, forcat serbe nuk kursyen asgjë nga arsenali ushtarak për të shkatërruar zonën e lirë të Dukagjinit dhe për të shkatërruar UÇK-në. Imazhet e atyre ditëve të paraqitura nga rrëfimet e familjarëve, dhe pamjet filmike të medieve të huaja, janë vërtetë rrëqethëse dhe trishtuese – bombardime, shkatërrime, djegie të shtëpive, deri të përndjekjet e qytetarëve dhe vrasjet e ushtarëve dhe civilëve të pa armatosur. UÇK-ja për disa ditë i përballoi me sukses këto mizori të forcave serbe në të gjitha vijat e frontit edhe pse kishte shumë ushtarë të vrarë dhe të plagosur. Duke qenë superiore në aspektin e përgatitjes ushtarake dhe me armatim modern, forcat serbe ia arritën të thyejnë vijat e frontit në Dukagjin. Në këto beteja të përgjakshme, duke mbrojtur vijën e frontit në vendin e quajtur Gërdaja në Carrabreg, vritet edhe babi im, përkatësisht me 11 gusht 1998.
Babi, edhe pse ishte i vetëdijshëm se ishte një situatë e rëndë dhe pa shpresë, ai nuk u dorëzua dhe refuzoi të tërhiqet deri sa goditet për vdekje nga forcat ushtarake serbe. Kjo ngjarje ka mbetur në kujtesën e të gjithë banorëve të Dukagjinit, posaçërisht për ne si familje, pasi që humbën njeriun tonë më të dashur – babin tonë të dashur. Ai ra, por kujtimi për të mbetet i freskët edhe pas afro 20 vitesh për neve si familje, për bashkëluftëtarët dhe rajonin e Dukagjinit në përgjegjësi. Ne dhe brezat e ardhshëm do të jemi krenar me veprën dhe heroizmin e babit tonë.
RKL: Cilët janë disa nga bashkëluftëtarët e babait Tuaj dhe a ju vizitojnë, a mbani kontakte me ta?
Mirlinda Maxhun Çekaj: Babai ka qenë një njëri i urtë dhe i dashur. Me lehtësi ka krijuar miq dhe dashamirë. Pa dashur t’u mbes borxh ndonjërit prej miqve, unë po përmendi disa të cilat kanë qenë bashkëpunëtor të tij gjatë luftës çlirimtare si: profesor Bajram Daci i cili ishte zv. Komandant lokal, pastaj profesor, Shefqet Haskaj anëtar i shtabit, mësuesi i nderuar Hajdar Çekaj, Beqir Berisha, po ashtu anëtar i shtabit të Irzniqit. Përveç këtyre, babi ka pasur edhe shumë miq nga gjimnazi “Vëllëzërit Frashëri” në Deçan dhe gjimnazi “Sami Frashëri” në Irzniq, prej të cilëve po përmendi profesor, Selim Lokaj dhe profesor, Isa Aliçkaj. Ne, si familje kemi mbajtur kontakt me të gjithë të përmendurit dhe kemi shkëmbyer vizita miqësore, sidomos gjatë përvjetorit të rënies së babait. Si familje lidhjet më të ngushta i kemi mbajtur me profesor Bajram Dacin i cili ka qenë personi i cili e ka tërhequr nga vija e frontit pas vrasjes së tij.
RKL: Ju bijtë e bijat e dëshmorit, ku jeni tani, a keni studiuar, a punoni?
Mirlinda Maxhun Çekaj: Ne jemi rritur në fshatin Irzniq dhe kemi pasur një ngrohtësi të madhe familjare, falë prindërve tanë: babit, Maxhun dhe nënës, Fatime. Nëna jonë ka qenë forca që na ka mbajtur pas vdekjes së babait. Ne i jemi shumë falënderues për kujdesin që ka treguar dhe kurajën që na ka dhënë pas vdekjes së babait. Familja jonë ishte relativisht e madhe, pesë motra dhe një vëlla. Motra jonë e madhe Violeta pas shkollimit për matematikë në Shkollën e Lartë në Gjakovë “Bajram Curri” është martuar dhe jeton në Gjermani që në fillim të viteve 90-ta. Ajo vazhdimisht ka ndihmuar tërë familjen tonë. Motra jonë e dytë Teuta, për shkak të kushteve ekonomike dhe situatës së rënduar politike të viteve 90-ta nuk arriti të shkollohej dhe u martua. Ajo sot jeton e lumtur me familjen e vet. Unë (Mirlinda) jam fëmija i tretë i prindërve të mi. Kam përfunduar Fakultetin Ekonomik, punoj në Komunën e Deçanit, përkatësisht në zyrën e Kryetarit të Komunës. Motra jonë e katër Florinda, gjimnazin e përfundoi në vitin 1998 dhe e kishte të pa mundur të vazhdojë studimet. Ajo u martua pas luftës dhe së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët në Gjermani. Vëllai ynë i vetëm Orhani është fëmija i pestë i prindërve tonë. Ai u shkollua dhe mbanë gradën shkencore Doktor shkence në fushën e drejtësisë dhe punon profesor në Universitet. Nga martesa e vëllait me Venerën kanë lindur 2 djem dhe 1 vajzë. Djali i Orhanit me nder dhe krenari mban emrin e babait, Maxhun. Dhe në fund është motra jonë e vogël e cila ka mbaruar studimet për Turizëm dhe Hoteleri, punon në kontabilitet, është e martuar dhe ka fëmijë.
RKL: Cili është mendimi i Juaj, lidhur me trajtimin e familjeve të dëshmorëve nga qeveritë e deri te kjo, e tanishmja?
Mirlinda Maxhun Çekaj: Jam e mendimit se shoqëria kosovare nuk ka respektuar sa duhet familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranët e luftës. Në këtë kontekst edhe shteti i Kosovës nuk ka qenë shumë i përfshirë në kujdesin ndaj këtyre kategorive. Institucionet shtetërore fillimisht ishin të fokusuara në Pavarësinë e Kosovës dhe nuk janë marrë shumë me problemet me të cilat janë hasur kategoritë e përmendura. Pas shpalljes së pavarësisë janë krijuar kushtet që të trajtohen me dinjitet këto kategori dhe situata është përmirësuar pak viteve të fundit.
RKL: Çka ruani kujtim nga Babi Juaj, ?
Mirlinda Maxhun Çekaj: Është e vështirë të veçojmë diçka nga babi, pasi ai tërë kohën është përkujdesur në maksimum ndaj neve. Babi gjithmonë na ka trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë fëmijët e tij, nuk ka bërë dallime. Porosia e tij gjithmonë ka qenë që shkollohemi dhe përparojmë në nivel shkencor – akademik. Në memorien time ka mbetur buzëqeshja e tij e lehtë, përkëdhelja dhe përqafimi i ngrohtë. Për një përqafim të tij do jepja botën!
RKL: E nderuara Mirlinda, të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Suksese dhe shëndet.
Mirlinda Maxhun Çekaj: Faleminderit edhe Juve, punë të mbarë e suksese.