Intervistë me rektorin e Universitetit ‘Hasan Prishtina’, Ibrahim Gashi

RKL: Z. Gashi ju jeni një nga kandidatët e vetëm  që jeni zgjedhur në mënyrë unanime nga këshilli drejtues i Universitetit të Prishtinës duke fituar votat e 9 anëtarëve aq sa gjithsej ishin në këtë këshill. Tani kur po bëhen për afërisht një vit që jeni në këtë post sa keni arritur ta përmbushni programin tuaj?

Gashi: Të them të drejtnë, zgjedhja ime në mënyrë unanime është e rëndësishme në këtë në një post të rëndësishëm në një institucion akademik siç është Universiteti. Ky post është jo vetëm një privilegj por në të njëjtën kohë  edhe përgjegjësi e madhe. Të gjithë personat që kanë qenë në atë garë për rektor, e kanë pranuar rezultatin dhe e kanë pritë  mirë zgjedhjen time, dhe në fakt kjo më ka bërë që të ndjehem shumë komod dhe t’i përmbushi detyrat që më ka dhënë këshilli drejtues i Universitetit të Prishtinës. Me rastin e zgjedhjes së menaxhmetit të ri, ne kemi marrë të gjitha masat që ta incizojmë se si e kemi gjendjen. Tërë muaji tetor dhe fillimi i nëntorit ka qenë me vizita nëpër njësitë akademike me dëgjim nga afër të gjitha nevojave dhe shqetësimeve që kanë ngritur dekanët, prodekanët por edhe stafi akademik si dhe me këshillat studentore pothuaj nëpër të gjitha njësitë akademike. Një nga problemet më të ngutshme që kërkonte zgjidhje asokohe ishte edhe ngrohja. Menaxhmenti ka marrë në mënyrë urgjente masa dhe në fakt ka lidhë një kontratë me ngrohtoren e qytetit, të cilët kanë dërguar një ekip mobil i cili ka punuar për 2 muaj në sanimin e të gjitha defekteve në rrjetin tonë të brendshëm. Një çështje tjetër ka qenë  edhe hapësirat e studentëve përkatësisht rregullimi i orareve në atë mënyrë që numrin e madh të studentëve në një farë mënyre ta akomodojmë në kushte më të mira pune sepse nëpër disa njësi akademike kemi mbi-popullim të studentëve siç është  Fakulteti Ekonomik dhe ai Juridik.  Një proces tjetër ka qenë monitorimi i procesit të mësimit, i mbarëvajtjes së procesit mësimor, i vijimit të rregullt të profesorëve dhe studentëve. Në raste ku kemi gjetur mungesa nga ana e profesorëve kemi vepruar ashtu siç parasheh statuti, dmth heqja e 50 eurove për orën e humbur. Brenda një muaji kemi bërë ndalesa mbi 1000 euro në të gjithë stafin. Një prej prioriteteve të mija ka qenë edhe rritja e transparencës, hapja e universitetit për opinionin e përgjithshëm. Me këtë rast, kemi filluar me aktivizimin e ueb-faqes së Universitetit, duke plasuar të gjitha aktivitetet që ndodhin në universitet në baza ditore.  Që nga 15 tetori e deri më sot, ne kemi marrë 36 mijë pëlqime në faqen tonë, gjë që është njëfarë treguesi i mirë për punën tonë.  Në fillim të këtij viti kalendarik d.m.th në periudhën janar – shkurt kemi filluar përgatitjet për hapjen e një konkursi, sepse ne e kemi pa që një prej sfidave të Universitetit të Prishtinës është mungesa e stafit të rregullt mësimor dhe numri i madh i stafit të angazhuar që punon gjysmë orari  pas orës 4 dhe jo gjithmonë jemi të kënaqur me cilësinë e punës që e bëjnë ata. Më këtë rast, kemi konstatuar se ai angazhim ka një kosto për Universitetin e Prishtinës. Menaxhmenti e ka pa të nevojshme që të hapet një konkurs afirmativ për krijimin e vendeve të reja të punës, për stafin mësimdhënës, qoftë profesor apo asistent për ta zëvendësuar stafin e angazhuar që e kemi aq të madh. Këto ditë në të gjitha të përditshmet e kemi shpallur konkursin më afirmativ në 5-6 vitet e fundit që nënkupton 180 vende të reja pune për profesor dhe asistent dhe tash jemi në fazën e pranimit të dokumentacioneve të tyre. Konsideroj se kjo është një e arritur pasi që më parë ka pasur një disproporcion midis numrit të studentëve dhe profesorëve, si p.sh  në Fakultetin Ekonomik ku ka 14 mijë studentë aktivë, ndërsa nuk janë më shumë se 42 profesor. Po ashtu një përpjekje e jona ka qenë rregullimi i kampusit. Ne kemi plane që të bëjmë gjelbërim si në pranverë ashtu edhe në vjeshtë. Poashtu i tërë kampusi i Universitetit do të mbulohet me ‘wireless free’ që do të thotë se studentet në hapësirën e Universitetit mund ta përdorin internetin pa para. Ne kemi kontraktuar edhe një autobus, i cili i bart falas studentët nga Stacioni i Autobusëve deri te konviktet e më pas edhe tek Fakulteti Ekonomik dhe ai Juridik, gjë që është mirëpritur nga studentët. Kemi punuar edhe në sektorin e shkencës dhe të kërkimit shkencor, duke inkurajuar shumë studiues të rinj e fakultete që të organizojnë konferenca shkencore e të marrin pjesë në grupet e ndryshme hulumtuese. Ndonëse e kemi pasur buxhetin e kufizuar,  kemi disa rezultate të prekshme meqë para disa javëve u përmbyll një konferencë ndërkombëtare shumë e madhe me pjesëmarrje nga 18 vende të botës në një temë nga fusha e ndërtimtarisë dhe arkitekturës, një seminar për arkitekturë, ku kanë marrë pjesë ekspertë nga Japonia. Më pas është publikuar tërë ai material në gjuhën angleze me standarde të revistave shkencore me recension ndërkombëtar dhe kjo është një e arritur e Universitetit të Prishtinës. Poashtu ka pas një konferencë nga fusha e antropologjisë në bashkëpunim me Universitetin e Gracit që u mbajt në Prishtinë, ku Universiteti jonë nuk ka participuar  me mjete po ka qenë nikoqir. Këtë vit, Universiteti i Prishtinës ka aplikuar në 23 aplikacione për programin Tempus dhe po t’i fitojë gjysmën e tyre i bie që në forma të ndryshme si pajisje ose shërbime që në Universitet të Prishtinës mund të futen rreth 5 milon euro nga Komisioni Evropian. Kemi konkurruar  në 16 grande të ambasadës amerikane dhe aty synojmë që t’i fitojmë të gjitha sepse të gjitha kërkesat kanë shkuar nga Universiteti i Prishtinës dhe jo nga institucionet e tjera.  Universitetet e Turqisë na kanë zgjedhë neve si partner. Unë deri tash kam nënshkruar  4 marrëveshje të tilla me ç’rast do të kemi disa përfitime si universitet. Ka edhe shumë aktivitete të tjera që është shumë vështirë t’i përmbledh, por mendoj që deri në fund të vitit ta përmbushim një pjesë të vizionit tim në planin e veprimit. Unë sapo jam zgjedhë kam kërkuar edhe dy këshilltar nga ambasada amerikane dhe USAID-i, të cilët janë duke më ndihmuar shumë.  Këto në total janë disa të arritura që mund të konsideroj se e kanë lëvizë performancën e funksionimit të UP, i cili në rrethanat që vepron është Universiteti më i madh në vend dhe rajon me 54 mijë studentë, por që ka buxhetin më të vogël në botë. Sot financimi në UP bëhet për kokë studenti e që aftësia e financimit për kokë studenti duhet të jetë 40-50 % e GDP-së të të ardhurave vjetore për kokë banori dhe për të qenë diku me standarde duhet të jetë dyfishi i kësaj.

RKL: Në programin tuaj në cilësinë e rektorit është thënë se do të jetë çështja e profesorëve që mbajnë pozita në qeveri, postet e të cilëve do të ngrihen. Më vonë doli që këta profesorë, që në të njëjtën kohë ushtrojnë poste publike, mund të vazhdojnë punën në UP. Pse ky komoditet ndaj këtyre rasteve, që përbëjnë konflikt interesi?

Gashi: Të them të drejtën, mediat e kanë problematizuar punën e profesorëve në institucione të larta të shtetit edhe në mësimdhënie, por më duhet të theksoj se ligji i punës nuk i pengon këta njerëz që krahas funksionit publik, nëse munden t’i kryejnë detyrat që dalin nga kontrata e punës së tyre në Universitet ta mbajnë postin e mësimdhënësit. Kosova është vend i vogël dhe nuk ka lukse që të ketë akademik që do të merreshin vetëm me politikë ose akademik që do të punonin vetëm në Universitet. Kemi konstatuar se një pjesë e tyre mbajnë me korrektësi në kohën e lirë që kanë pas orës 4 leksionet ashtu siç i kanë me orare. Ka profesorë që i kanë ngrirë marrëdhëniet p.sh Ministri i Punëve të Jashtme nga viti 2007 apo 2008. Gjithashtu kemi konstatuar se këta njerëz nuk janë duke e dëmtuar Universitetin.  Në bazë të një hulumtimi ka rezultuar se janë nja 60 profesor ose asistentë të UP-së që në të njëjtën kohë mbajnë pozita në administratë të shtetit dhe ku vendi i punës kërkon të jenë nga ora 8 deri në 16 dhe kjo bien ndesh me ligjin. E para është që personeli nuk mund të punoj me ligjin e punës 40 ose 42, një person nuk mund të ketë dy marrëdhënie të rregullta pune që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës. Për momentin ne jemi me dy kategori: me ata që punojnë si shërbyes civil të zgjedhur me konkurs që është në kundërshtim me ligjin, me ç’rast atyre do t’u themi me përfundimin e semestrit se ku dëshirojnë të orientohen dhe kategoria tjetër që janë me gjysmë orari të zgjedhin vetëm një kolegj, ndërsa për politikanë çdo kund botë është privilegj që një Ministër i Financave të mbajë lëndën e financave në ekonomi, ose një Ministër i Jashtëm të mbajë diplomacinë, ose një zëvendëskryeministër të ligjërojë të drejtën ndërkombëtare e kështu me radhë.

RKL: A konsideroni se janë krijuar kushtet për ngritjen e niveli studimor gjatë kësaj kohe sa jeni në këtë pozitë ?

Gashi: Çështja e përmirësimit të kushteve është proces për të cilin jemi munduar të krijojmë disa lehtësira shtesë, siç është siguri me ngrohjen, orar funksional, qasje në internet, literaturë, dhe në vitet në vijim është bërë ndarja e Bibliotekës Universitare nga ajo Kombëtare dhe krijimi injë biblioteke të tipit të hapur.

RKL: Sa ja ka dalë mbanë Rektorati të përballet, është fjala në aspektin e menaxhimit financiar, me mungesën e mjeteve por edhe me borxhet e papaguara për një kohë të gjatë?

Gashi: Njëra prej sfidave më të mëdha me të cilën jemi marrë prej ditës së parë, ka qenë gjendja financiare. Universiteti,  mënyrën e pagesës  të të ardhurave personale  për stafin e ka prej dy burimeve: prej të hyrave të shtetit dhe prej të hyrave të veta. E kemi një kuotë të lejuar për paga në muaj që e paguajmë. Pjesa që na jep shteti është e sigurt, por kjo pjesa që duhet të plotësohet prej të hyrave të studentëve jo gjithherë plotësohet. Në disa periudha kemi më shumë të hyra, i kalojmë dhe i shpërndajmë për muajin tjetër, por në disa periudha kemi deficit dhe pastaj shteti na  huazon deri sa të vjen koha  e grumbullimit të pagesave të studentëve. Tani për shembull kemi shpërndarë mjete për bursa të studentëve, 50 %. i kemi shpërndarë dhe kemi liruar prej pagesave një numër të studentëve, të cilët janë në gjendje të vështirë sociale dhe tash këto mjete që kanë hyrë kanë shkuar përsëri te studentët. Muajt e verës janë kritik sepse nuk kemi të hyra të tjera. Në shtator pastaj studentë kur e bëjnë regjistrimin e vitit gjendja ndryshohet, por në përgjithësi jemi marrë me menaxhimin e kësaj situate financiare që ka qenë problematike, dhe kur t’ia shtosh kësaj edhe disa obligime që kanë mbetur jo vetëm nga menaxhmenti që ne e kemi trashëguar, por edhe nga menaxhmentet e mëhershme, ato e kanë rënduar situatën shumë. Për shembull, është një borxh i Administratës Tatimore të Kosovës që mbërrin një shumë tepër të madhe. Ne jemi duke negociuar edhe me ndihmën e Qeverisë dhe besoj se të gjitha interesat pra kamatat në këtë borxh do të hiqen dhe ne kemi gjetur një mundësi që ta paguajmë atë borxhin bazë që e kemi rreth 300 000 euro. Nuk jam për herë të parë në pozitë dhe e di që mediat kanë dëshirë që të bëjnë nganjëherë edhe senzacion. Dua të them se  përballë këtij buxheti dhe këtyre obligimeve, kemi vështirësi të paguajmë për shembull Agjencionin e Akreditimit, që nuk është paguar në vitin e kaluar. Ka qenë një gjashtëmujor i tensionuar në aspektin e menaxhimit të financave dhe të borxheve me një buxhet shumë të kufizuar. Tani kemi bërë një projekt për rishikim të buxhetit, që t’i bartim disa mjete nga investimet kapitale, për ta çliruar pak veten nga obligimet që i kemi për shërbime, mallra dhe pagesa. Jemi duke e përgatitur një arsyetim për këtë dhe e kemi bërë një plan nga ana jonë për një rritje të buxhetit, sado që Qeveria në atë kornizën afatshkurtër e ka paraparë që të rritet vetëm 5 %, me një progresion të rregullt vetëm nga 5 % çdo vit. Kemi bërë arsyetime se kemi rritje të numrit të studentëve, rritje të numrit të profesorëve dhe neve na duhet një rritje pak më e ndjeshme. Tash sa do t’ia dalim, sigurisht se këtu duhet lobim dhe negocim me instancat më të larta të qeverisë, të cilat kërkojnë prej neve kualitet dhe mësim cilësor, dhe ne duhet natyrisht t’ju kërkojmë atyre që ta rrisin pak vëmendjen dhe mbështetjen për këtë institucion.

RKL: Pra e thatë edhe ju se numri gjithnjë e më i madh i studentëve ka krijuar një sërë problemesh. Infrastruktura  e Universitetit është e kufizuar për të përballur një numër kaq të madh studentësh. Cilat janë lëvizjet e radhës për të zgjidhur këtë problem?

Ibrahim Gashi: Ne kemi qenë shumë ambicioz dhe gjithashtu kemi pasur premtime nga qeveritarët se do të na përkrahin për disa investime kapitale në Universitet. Ne e kemi argumentuar gjendjen e vështirë që e kemi ne Fakultetin Ekonomik dhe Juridik, ku duhet që domosdoshmërisht të krijohet një objekt i ri për njërin fakultet dhe objekti ekzistues t’i mbetet njërit. Kështu që i nisëm menjëherë përgatitjet për objektin e ri të Fakultetit Ekonomik, jashtë asaj pjese ku është aktualisht. Deri më tani, në disa takime që i kemi pasur me autoritetet komunale, që janë përgjegjëse të urbanizmit dhe të lejeve të ndërtimit, premtimet i kemi pasur gjithmonë pozitive por përgjigjet nuk i kemi marrë konform këtyre premtimeve. Kemi përgjigje që ka edhe njëfarë implikimi çështja e pronës, që në mënyrë tepër arbitrare e të jashtëligjshme gjatë viteve  të okupimit i është dhënë kishës ortodokse, me ç’rast një pjesë e madhe e tokës në librat kadastral figuron si pronë e kishës. Ndërkohë, Kisha e ka edhe një padi dhe mos marrja e lejes na ka pamundësuar shpalljen e tenderit për të filluar punën. Tani i bie që Fakulteti Ekonomik përveç Amfiteatrit, ku shpresojmë që me 1 tetor do të lëshohet, të tjerat shumë vështirë që do të realizohen këtë vit. Për  Fakultetin e Bujqësisë më në fund e kemi lejen dhe është shpallur tenderi dhe shpresoj se shumë shpejt do të kemi fituesin, ku në fakt fillojnë edhe punimet. Një fakultet i ri i kompletuar me të gjitha objektet përcjellëse, që nënkuptojnë specifikat e fushave të veterinës, të agroekonomisë etj,  do të bëhet në pronë të UP-së që është në drejtim të Fushë Kosovës, në një hapësirë më të madhe. Atje është kompletuar leja e ndërtimit dhe në këtë rast dua ta përshëndes gatishmërinë ë Komunës që e ka dhënë këtë leje, por në fakt përmes  Radios suaj të respektuar po kërkoj edhe njëherë që të reflektojë te lejet që po i kërkojmë, sepse kampusi i Universitetit është fakt i ditur që i  takon Universitetit të Prishtinës dhe askujt. Aq më tepër vendi ku kemi kërkuar që ta bëjmë Administratën Qendrore dhe Fakulteti Ekonomik, është ngjitur me Rektoratin e Universitetit, është qindra metra larg kishës dhe në fakt s’do duhej të ishte pengesë, por unë po pres që do të kemi një përgjigje pozitive, pas insistimeve tona te Komuna. Një objekt tjetër që nuk guxojmë ta fillojmë punën pas 1 tetorit, është Departamenti i Biologjisë, që është një godinë shumë e vjetër dhe  kemi kërkuar prej komunës lejen për ta rrënuar dhe për ta ndërtuar në afërsi të vendit se ku ka qenë, pra në pjesën ku ka më shumë hapësirë të ndërtohet një department i ri apo një fakultet i Shkencave Matematiko- Natyrore. Është edhe një kërkesë, që Komuna e ka kthyer si shkresë që nuk mund marr vendim për dhënie të pronës  para zgjedhjeve, por pas tyre besoj që do ta kemi një përgjigje pozitive për ta nxjerr nga këtu edhe Fakultetin e Shkencave Sportive. Është premtuar një parcelë jashtë Prishtinës 4 hektarësh, ku do të bëhet një kampus vetëm për këtë fakultet dhe atëherë do të na lëshohet kjo pjesë për ta zgjeruar pak Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, që është në afërsi. Janë disa projekte që ne në fakt i kemi menduar t’i realizojmë më lehtë se sa po arrijmë t’i realizojmë, anipse nuk kemi hequr dorë prej asnjërit dhe jemi duke insistuar, por pak koha po na ikën dhe mjetet dhe premtimet për mjete mund ta zhgënjejnë dikënd ( ju i kërkuat mjetet, po ja q s’po i realizoni). Ne kemi shumë përkushtime, edhe unë edhe dekanët e fakulteteve. Gati s’ka javë që s’jemi në komunë, por procedurat e pajisjes me leje janë shumë komplekse.

RKL: Sa ka arritur Universiteti “Hasan Prishtina” të krijojë një linjë të ngushtë bashkëpunimi me dy universitetet e tjera shqiptare-atë të Tiranës dhe të Tetovës?

Gashi: Të them të drejtën, unë nuk mund të mburrem shumë në këtë drejtim. Në fakt unë kam zhvilluar dhe kam vazhduar traditën e mirë të bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës dhe Universitetin Shtetëror të Tetovës si rektor i ri. Ne jemi munduar ta intensifikojmë me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë, ku kemi promovuar dy programe të përbashkëta të doktoratës, në fushën e Albanologjisë dhe në fushën e Historisë. Unë tash isha në Tiranë ku u takova me Rektorin, me Ministrin e Arsimit madje edhe me Presidentin dhe nga këto tri instanca mora mbështetje të pakontestueshme për ta thelluar bashkëpunimin. Universiteti i Prishtinës ka lëvizur në fushën e përgatitjes së programit për histori dhe për letërsi. Për letërsi, në fushën e filologjisë të dy fakultetet përkatëse veç janë dakorduar rreth përmbajtjes së programit. Historianët janë në fazën e përfundimit dhe ne e kemi bërë një draft, të cilën është duke e shqyrtuar tani pala e universitetit, dega Histori-Filologji Tiranë, ku shumë shpejt besoj se do të marrim përgjigje pozitive. Ideja është që më 2 tetor të fillojnë këto dy programe. Ndërkaq Universitetin e Tetovës, mund të them që Universiteti i Prishtinës e ndihmon shumë meqë170 profesorë të Kosovës shkojnë çdo javë atje. Me të marrë detyrën më është bërë një kërkesë prej Universitetit të Tetovës dhe prej autoriteteve politike shqiptare në Maqedoni që ta vazhdojmë këtë praktikë se në të kundërtën shumë programe mund të mbyllen atje. Ministria e Arsimit e Maqedonisë ka kërkuar me shkrim që ne t’i lejomë ata profesorë, përndryshe do ti mbyll programet. Ne i kemi lejuar dhe tash me këtë, në njëfarë mënyre Universiteti i Tetovës dhe menaxhmenti atje  është shumë mirënjohës. Këta profesorë janë urë e bashkëpunimit mes Universiteteve, sepse shumica janë nëpër komisione të masterave e doktoratave. Ndoshta ne e kemi nisur si mbështetje për Universitetin e Tetovës në kohë shumë të vështirë në aspekt të solidaritetit kombëtar që të ndihmohet emancipimi i shqiptarëve në Maqedoni, mirëpo sot po ndihmojmë konsolidimin e Universitetit Publik Shqiptar në Maqedoni. Por ka edhe projekte tjera të bashkëpunimit me Universitetet e Tetovës dhe të Tiranës. Nuk janë vetëm fushat e shkencave nacionale por edhe në fushat e shkencave ekzakte. Tri Universitetet tona kanë konkurruar në projekte të përbashkëta të Tempus-it dhe tani janë si bashkë-partner me ato projekte.

RKL: Cilat janë mundësitë e studentëve për të studiuar jashtë vendit sepse siç dihet Universiteti më parë ka pasur një marrëveshje transferi me universitetet nga Austria? Ndërkohë, studentët ankohen që po përfitojnë pak nga programet e bursave për studime jashtë…

Gashi: Austria ka qenë shumë krahhapur për studentët nga Kosova edhe në kohë të vështira, atëherë kur diplomat e paraluftës nuk njiheshin askund në Evropë, pa ndonjë nostrifikim të veçant. Kjo traditë e bashkëpunimit ndëruniversitar me Austrinë ka vazhduar edhe pas luftës dhe është thelluar edhe më shumë. Të them të drejtën edhe sot Austria prinë në ofrimin e granteve të ndryshme për qëndrimet studimore, për studimet e masterit dhe doktoratës. Ka shumë studentë, por ka edhe shumë asistentë dhe profesorë që janë duke kompletuar gradat e tyre nëpër universitetet e Austrisë. Dua ta falenderoj Qeverinë Austriake, Ministrinë e Shencës dhe universitetet atje  për krejt këtë ndihmë që kanë dhënë. Poashtu edhe Gjermania përmes programeve të saj ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm për çdo vit. Tash para disa ditësh ka dhanë bursa përsëri për diku 114 student nga Kosova nga nivelet e ndryshme si baçellor, master por edhe kishte edhe doktoraturë. Kanë fituar bursa të plota për qëndrim deri në përfundim të studimeve. Jemi në pritje të fillimit të zbatimit të një projekti të madh të shkëmbimit akademik me universitetet e SHBA, që është pjesë e një projekti, një donacion  në mes të Qeverisë  të Qeverisë të Kosovës dhe asaj amerikane, që është bërë vitin e kaluar mes Kryeministrit tonë dhe Ambasadorit të atëhershëm, Dell në Prishtinë. Bëhet fjalë për një fond 20 milion dollarësh, që nënkupton  tri vitet e ardhshme dërgimin e qindra studentëve për të bërë studimet e masterit dhe doktoratës në top universitetet amerikane, d.m.th do të përzgjidhen universitetet më të mira amerikane. Por ende s’ka filluar zbatimi i tij dhe për më tutje nuk kam informacione sepse është më shumë Ministria ajo që duhet ta inicojë këtë. Kohëve të fundit, gatishmëri të madhe që të pranoj student shqiptar kanë  treguar universitetet turke. Ato kanë rritur bashkëpunimin shumë me universitetet e rajonit e Ballkanit perendimor, sidomos me ato të Kosovës, Maqedonisë, të Shqipërsië dhe të Bosnjës dhe kam përshtypjen se nuk jemi duke i shfrytëzuar sa duhet. Në universitetet turke, ku kam pasur rast ti vizitoj disa prej tyre, tani kanë standarde të larta të mësimdhënies, kushte tepër të mira pune dhe  bëhet një punë e mirëfilltë shkencore dhe studimore në to. Shumë prej tyre kanë filluar me programe vetëm angleze, që në fakt i bie që studentët që dinë anglisht mund të shkojnë në Turqi. Përparësia e saj është se i kanë të gjitha shpenzimet e mbuluara dhe nuk janë kuotat e limituara që të pranojnë një ose dy studentë. Ka universitet, p.sh. Universiteti i Stambollit që më kanë thënë se nuk ka rëndësi a janë 20, 30 apo 100 studentë sepse ata do të pranohem me nënshkrimin tim si rektor i Universitetit. Natyrisht se këta student duhet ta kenë njohjen e gjuhës angleze së paku  të mirë. Ka mundësi por përgjithësisht në vendet e zvilluara të Evropës studimet universitare janë shumë të shtrenjta, përveç Gjermanisë, Austrisë dhe Francës. Kriza finaciare e ka reduktuar dhënien e bursave për të huajt në shumicën e universiteteve evropiane. Franca poashtu është e gatshme të pranoj studentë tanë, me tarifa tepër të vogla të studimeve, por është pak problem gjuha frënge e cila nuk është kultivuar shumë kohëve të fundit në Kosovë. E kemi nxitur tani pak këtë, ku Aleanca Franceze që vepron në kuadër të Fakultetit Filologjik ka sjellur ligjërues falas për të mësuar frëngjishten nëpër të gjitha fakultetet, ku mund të krijohet një grup i mësimit të gjuhës frënge si gjuhë të dytë dhe ata e paguajnë profesorin. Për këtë kemi bërë një memorandum bashkëpunimi me ta dhe ky është një kontribut i madh që na jep Franca.

RKL: Universiteti herë pas herë është kritikuar për stafin e vet akademik, është fjala për ata që janë në moshë. A po i lë vend Universiteti prurjeve të reja akademike, profesorëve dhe asistentëve të rinjë?

Gashi: E përmenda konkursin tash që është shpallë. Në fakt edhe një konkurs që ka mbetur i pashqyrtuar nga menaxhmenti i kaluar, është dashtë ne ta shqyrtojmë. Mëqenëse ndërkohë është ndërruar edhe statuti i Universitetit dhe mosha e profesorëve dhe studentëve është zbritur, pra asistentët do të pranohen deri në 30 vjet. Nëse kanë doktoratë mund të pranohen deri në 40 vjet. Ndërkaq profesorët nga 50 vjet e poshtë, d.m.th mbi 50 vjet statuti e ndalon. Sado që kjo dispozitë duket edhe diskriminuese, por për momentin është kështu dhe ne jemi të interesuar ta rrespektojmë. Në konkursin e mbetur në konkursin e kaluar, kemi parë shumë raste që është dhënë mendimi pozitv, por që është kaluar mosha. Ne të gjitha ato i kemi kthyer mbrapsht. Bëhet fjalë për asistentë 40-45 vjeçar, i kemi kthyer edhe njëherë dhe e kemi rishpallë, vetëm që mos të interpretohet se i kemi pranuar më të moshuar në postet e asistentëve, bëhet fjalë në Mjekësi dhe po i mbyllim dyert për të rinjtë. Konkursi i ri do të implementohet në mënyrë strikte, në frymën e statutit dhe kjo i bie që i kemi hapur rrugë të rinjëve, që  kanë kryer gradën master deri në moshën 30 vjeçare, kanë rezultate të larta për tu pranuar asistent. Nëse janë mbi 30 dhe kanë edhe doktoraturën, deri në 40 mund të pranohen asistentë. Por nëse janë mbi 50 vjet dhe i kanë të gjitha, e kanë të vështirë të pranohen profesorë. Dhe nëse ligjin ne zbatojmë, vet ligji i qelë dyertë të rinjëve, ndërkaq për profësorët e vjetër flas me shumë rrespekt se Kosova nuk e ka lluksin të largojë akademikë prej angazhimeve të tyre, sepse ne nuk kemi krijuar aq shumë. Me të gjitha këto diploma te doktoratës, 1100 doktorë i ka Kosova. Gjithë ata profesorë me një vendim të Këshillit Drejtues më herët, dhe me qëndrim të qeverisë është thënë se të gjithë profesorët mbi moshën 60 vjeçare, mund të punojnë si të angazhuar deri në moshën 70 vjeçare. Ne e kemi zbatuar këtë dhe asnjë profesor nuk e kemi larguar para moshës 70 vjeçare, por tani me ligj nëse e vazhdojmë t’ua mundësojmë pas 70-tave angazhimin, kam drojën se do të interpretohet se po i mbyllim vendet për të rinjtë. Poashtu edhe ligji nuk e lejon, kështu që ne sivjet jemi munduar që mos ta kemi asnjë angazhim mbi moshën 70 vjeç, vetëm ata qe kanë filluar në tetor pa i mbushur 70 vjet dhe i kanë mbushur mbushur në ndërkohë, vazhdojnë deri në fund të shtatorit. Përndryshe të tjerët nuk i kemi penguar që janë deri në 70 vjet, dhe që kanë vitalietin dhe freskinë e nevojshme dhe i kemi inkurajuar. Ne nuk jemi apriori që ti përjashtojmë të vjetrit që i kanë mbushur 65 vjet, sepse ata në atë moshë mund të jenë shumë të përshtashëm për të ofruar ligjërata master, doktoraturë, për tu bërë mentorë të kandidatëve në master dhe doktoratë. Kanë një eksperiencë të madhe pas vetes, por natyrisht është mirë të zëvendësohen me kuadro të tjerë, sepse përballja e moshës mbi 65 vjeç me studentat e nivelit baçellor nuk është e mirë, ku janë 200-300 studenta në klasë. Ne jemi munduar dhe po mundohemi që këta profesorë mbi 65 veç të mbahen të angazhuar për nivelin master dhe doktoraturës dhe për të udhëhequr kandidatë, ndërkaq profesorët më të rinjë t’i marrin lëndët në nivelin “baçellor”.

RKL: Falemnderit për kohën që ndatë për të realizuar këtë intervistë. Në emër të stafit të Radios Kosova e Lirë ju dëshirojmë suksese të mëtutjeshme në punën tuaj…

Gashi: Ju falenderoj juve për mundësinë që ma dhatë.  Në fakt për këtë radio, Universiteti i Prishtinës dhe gjithë opinioni në Kosovë ka një respekt të veçantë dhe ne ju dëshirojmë punë të sukseshme në kushte të reja, jo si dikur në luftë.

30 maj 2013

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …