Intervistë me Sanije Jasharin, motra e dëshmorit të kombit Sylejman Jashari

Intervistë me Sanije Jasharin, motra e dëshmorit të kombit Sylejman Jashari

RKL: Mirë se vini në valët e Radios Kosova e Lirë e nderuara Sanije, motër e dëshmorit të kombit Sylejman Nazmi Jashari.

Sanije Jashari: Mirë se ju gjeta e faleminderit për ftesën.

RKL: E nderuar Sanije,  si e mbani në mend vëllanë Tuaj. Në kohën e luftës me krejt familjen keni qëndruar në zonat e luftës. Cilat momente ju kujtohen gjatë asaj kohe?

Sanije Jashari: Sylejmani, vëllai im dëshmor, gjithmonë ka qenë i interesuar për luftën dhe e ka dashur lirinë. Ai ka qenë sypatrembur dhe trim i madh.  Unë e mbaj mend kur i kanë kryer trajnimet ushtarake në Prapashticë. Si ka filluar lufta ne kemi shkuar në bunker. Babai me xhaxhain dhe vëllezëirt kanë shkuar në roje. Ne kemi qenë me nënën dhe gjyshen në bunker. Nëna ishte duke gatuar në atë moment kur Sylejmani erdhi për vizitë në mbrëmje. Ai atë kohë ishte në roje dhe erdhi i vetëm për vizitë. Ne kishim një motër dhe vëlla të vogël që u kujdesesha për ta. Sylejmani ka ardhur në atë moment kur motra Merita po kërkonte ujë dhe për momentin nuk kishim tek bunkeri. Ai ka pyetur se pse po qan motra e vogël që asokohe nuk i kishte as 3 vjet. Unë thash që po kërkonte ujë. Ai doli vet dhe shkoi më larg tek një krua për të marrë ujë për motrën dhe ja solli. Po ashtu e mbaj mend momentin e fundit kur e kam takuar. Ai ka ardhur për të marrë bukë në shtëpi për vete dhe për rreth 20 ushtarë të tjerë. Nëna ia ka përgatitur bukën dhe ai e ka marrë për t’ia dërguar të tjerëve. Atë kohë ne ishim në lagjen Miftaraj në Keqekollë ndërsa  ata ishin në roje në Batalionin II, Brigada 153, në Prapashticë.

RKL: Përveç Dëshmorit, Sylejmanit, kush ka qenë në luftën e UÇK-së, nga familja e Juaj?  

Sanije Jashari:  Përveç  Sylejmanit pjesë e luftës ka qenë babai Nazmi Jashari, xhaxhai Jashari dhe tre vëllezërit. Ata ishin pjesë e Brigadës 153, Batalioni i II.

RKL: Cilët kanë qenë disa nga  bashkëluftëtarët e tij para luftës dhe në luftë. Natyrisht se nuk i njihini të gjithë, por me cilët ka zhvilluar më shumë aktivitet luftarak? 

Sanije Jashari: Vëllai Sylejmani ka qenë pjesë e Brigadës 153, Batalioni i II.  Me komandantin Musli Halimi, pastaj  me Memin Bajramin, Alban Asllanin, Halil Brahimin, dhe dhe  Ramadan Ibrahimi, Tefik Behrami, Afrim Haliti e shumë të tjerë. Vëëai im Sylejmani ka qenë me ta deri në ditë  kur ka rënë dëshmor.

RKL: Rënia në krye të detyrës e vëllait Tuaj, Sylejmanit ishte humbje e madhe për UÇK-në, por edhe për familjen. Ku keni qenë asokohe dhe kush ju ka mbështetur më shumë?

Sanije Jashari: Ne kemi qenë duke u strehuar nëpër male. Përveç nesh ka pasur edhe shumë familje të tjera. Na kanë mbështetur familjarë të tjerë që kanë qenë me ne, po ashtu edhe ushtarakët, si të gjithë të tjerët gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

RKL: Ju faleminderit për këtë intervistë dhënë Radios-Kosova e Lirë.

Sanije Jashari: Faleminderit edhe Juve!

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …