Intervistë me Sekretarin e Përgjithshëm të Universitetit ‘Iliria’, Arbër Reçi

RKL: Fillimisht ju dëshirojmë mirëseardhje në valët e Radios ‘Kosova e Lirë’! Do të ishte në interesin e dëgjuesve tanë, por edhe të studentëve që të njihen më tepër dhe më imtësisht me ofertën e Universitetit Iliria për këtë vit të ri akademik?

Reçi: Ju faleminderit për ftesën. Universiteti ‘Iliria’ tashmë njihet jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e rajonit, duke fituar mjaft reputacion dhe përkrahje nga institucione dhe partnerë evropianë. Kështu që me shumë mburrje mund të them se Universiteti ‘Iliria’, pas 10 viteve të themelimit, është një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në rajon. Universiteti ‘Iliria’ gjatë dhjetë viteve funksionimi, e kanë përshkuar mbi 10 mijë studentë, që kanë studiuar në drejtimet që ofron ky institucion. Kemi një numër të madh të stafit akademik, që me përkushtim punon në përkrahjen e studentëve gjatë dhe pas studimeve. Jemi një institucion shumë mirë i konsoliduar, duke arritur një reputacion edhe ndërkombëtar. Punësueshmëria e studentëve që kanë diplomuar në Universitetin ‘Iliria’ është shumë e lartë. Por ne nuk mjaftohemi me këtë si sukses, pasi që ne mundohemi t’i përkrahim studentët edhe pas studimeve. Kjo nënkupton që studenti pasi përfundon studimet, nuk do të thotë se nëse ka gjetur një vend pune, atëherë institucioni nuk ka kurrfarë obligimi ndaj tij. Është shumë e rëndësishme që studenti pasi t’i përfundojë studimet, të avancohet në karrierë dhe që pozita e tij të jetë meritore. Universiteti ‘Iliria’ edhe këtë vit, ashtu si dhe vitet e tjera akademike, studentëve u ka ofruar mundësi studimi në disa programe, të cilat ne konsiderojmë se janë të rëndësishme për zhvillimin e tyre në karrierë por edhe avancimin e tyre shkencor. Ne këtë vit kemi hapur konkursin për studime në drejtimin Biznes – Ekomomik, konkretisht Fakultetin Ekonomik, drejtimi Banka Financa dhe Kontabilitet, Menaxhment dhe Informatikë dhe Biznes Ndërkombëtar, që janë drejtime si në nivelin bachelor ashtu edhe në atë master. Gjithashtu edhe në Fakultetin Juridik kemi hapur konkursin për Drejtimin Juridik të Përgjithshëm, me mundësi specializimi në pesë drejtime të ndryshme: civil, penal, kushtues, administrativ e kështu me radhë si dhe master në drejtimin Juridik-Civil, master një vjeçar ose dyvjeçar varësisht prej viteve të studimit në nivelin bachelor. Gjithashtu në Fakultetin e Shkencave Politike, kemi hapur konkurset për studimet bachelor dhe master në drejtimet Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Ndërsa, së fundmi kemi hapur edhe konkursin në Departamentin e Shkencave Kompjuterike, drejtim ky mjaft i kërkuar nga studentët. Ata kanë mundësi të studiojnë në nivelin bachelor Shkenca Kompjuterike, ndërsa master në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri Softuerike. Në nivelin bachelor studentët mund të specializohen për inxhinieri softuerike, robotikë, megatronikë, databazë e kështu me radhë.

RKL: Cilat janë drejtimet më të kërkuara nga të rinjtë, ku vërehet më tepër interesim?

Reci: Në të gjitha këto drejtime ka një rritje të interesimit si në Biznes-Ekonomi, Juridik e Shkenca Politike, por edhe në Shkenca Kompjuterike. Ne po vazhdojmë t’i kultivojmë dhe mirëmbajmë këto programe, duke ofruar cilësi sa më të lartë. Ne synojmë të ngrisim cilësinë dhe imazhin e këtyre programeve edhe në nivelin ndërkombëtar, ku studentët tanë kanë mundësi që me diplomat e tyre të vazhdojnë studimet në universitet evropiane, mund të transferojnë studimet, por edhe të pajisen me diploma të përbashkëta me universitetet me të cilat kemi partneritet. Universiteti ‘Iliria’ është anëtare e shumë asociacioneve kredibile ndërkombëtare të universiteteve si Asociacioni i Universiteteve të Adriatikut, ai i Asociacioni i Universiteteve të Evro-Azisë që numëron afro 200 universitete. Së fundmi, jemi Universitet që jemi anëtar i Asociacionit të Universiteteve për Teknologji Informative, ku bëjnë pjesë vetëm universitetet e Unionit Evropian. Në takimin e fundit që kemi pasur në Helsinki, Universiteti jonë është pranuar si anëtar me të drejta të plota dhe kështu gëzojmë reputacion të mirë. Sa i përket studimeve në Universitetin ‘Iliria’, opinioni tashmë është mjaft mirë i informuar por gjithmonë dëshiroj të theksoj përkrahjen që u japim studentëve gjatë studimeve sepse është e rëndësishme për një student të gëzojë një frymë përkrahje. Përveç përkushtimit të madh të profesorëve dhe asistentëve, ne ju ofrojmë aftësime pa pagesë brenda universitetit. Ne jemi institucion që jemi certifikuar edhe nga Microsoft IT Academy, ku studentët kanë mundësi të fitojnë diploma të Microsoftit, gjithashtu jemi të licencuar si akademi e CISKO-s. Poashtu kemi Klubin e Debatit, që është i pranuar në Asociacionin e Klubit të Debateve, ku studentët aftësohen për komunikim. Përkrahja jonë është e vazhdueshme përgjatë gjithë viteve të studimeve, në mënyrë që kur ata të diplomojnë të jenë konkurrentë në tregun e punës në një kohë kur konkurrenca gjithnjë e më shumë po rritet.

RKL: Një sfidë që prek thuajse të gjitha institucionet e arsimit privat në vend është edhe çështja e akreditimit. Ju vetëm i përmendet programet që ofroni si Universitet, a janë të gjitha të akredituara?

Reçi: Sigurisht. Që nga vitit 2007 kur ka filluar procesi i akreditimit, ne kemi arritur me sukses të bëjmë akreditimin e të gjitha programeve. Universiteti ‘Iliria’ asnjëherë gjatë funksionimit të tij,  nuk ka ofruar ndonjë program pa qenë i licencuar dhe akredituar. Për ne si institucion kjo nuk paraqet ndonjë problem. Së fundmi edhe një lajm i mirë është njohja formale që është bërë nga Enca, Asociacioni Ndërkombëtar i Agjencive të Akreditimit. Universiteti ‘Iliria’ është akredituar nga Këshilli për Arsim të Lartë nga Republika e Turqisë, ku jemi i vetmi institucion ku diplomat tona nostrifikohen nga Këshilli për Arsim të Lartë i Turqisë, që përben një të arritur shumë të madhe. Kjo na bën të mburremi si institucion dhe mendoj që me kapacitetet që kemi mund të vazhdojmë të jemi një nga institucionet më prestigjioze në rajon.

RKL: Meqë jemi në fillim të vitit të ri akademik, sa ka paraparë Universiteti ‘Iliria’ lehtësime për studentët që vijnë nga familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës së UÇK-së, por edhe nxënësve që kanë pasur sukses shembullor gjatë shkollimit të mesëm?

Reçi: Kur flasim për kategoritë e dala nga lufta, ne kemi një konsideratë të veçantë për këta njerëz, familjet e të cilëve, kanë dhënë shumë për këtë vend që të kemi mundësi të punojmë. Normalisht nuk do të ishte mirë që t’i lëmë në harresë këta njerëz, përkundrazi ne duhet me përulje e përkushtim t’i ndihmojmë. Sidoqoftë, ne mundohemi që në vazhdimësi t’u japim përkrahje maksimale këtyre studentëve. Ne kemi një Program të Bursave, që është për studentët që tregojnë sukses gjatë studimeve, si për ata që kanë pasur sukses gjatë shkollimit të mesëm, ku rreth 200 studentë në vit përfitojnë nga ky program. Kemi edhe programe të tjera nga donatorë të ndryshëm, me të cilët jemi partnerë.

RKL: Një pyetje tjetër është si qëndron përbërja e stafit akademik, a ka prurje të reja në këtë drejtim?

Reçi: Universiteti ‘Iliria’ që nga fillimi ka investuar në stafin e tij akademik, duke pasur parasysh që numri i profesionistëve në Kosovë ka qenë i limituar. Ne kemi investuar në këtë drejtim, duke qenë të përkushtuar në avancimin dhe zhvillimin e stafit akademik. Ne tani kemi një numër të konsoliduar të stafit akademik, duke qenë gjithnjë të hapur për prurjet e reja, por edhe duke i përkrahur edhe ata ekzistues në specializimin e tyre profesional. Kemi sjellë gjithashtu edhe profesorë nga universitete të tjera evropiane, të cilët me përvojën e tyre e pasurojnë gjithë punën tonë që e bëjmë për studentët. Mendoj se me staf akademik qëndrojmë shumë mirë, ku ka profesorë që janë të përkushtuar në ligjërata, në përkrahjen e studentëve dhe thellimin ne fushën e studimeve shkencore. Për dallim prej shumë universiteteve, Universiteti ‘Iliria’ shquhet me numrin e madh të publikimeve shkencore në revistat me indeksim ndërkombëtar. Nuk është e rastësishme edhe përkrahja që na bëhet njohja nga shumë universitete e asociacione ndërkombëtare. Universiteti ‘Iliria’ është shumë aktiv në fushën e publikimeve shkencore. Jemi të vetmit që kemi revistë shkencore me indeksim ndërkombëtar në bashkëpunim me një botues nga Gjermania, ku publikimet shkencore janë të indeksuara në data-bazat më të mëdha në botë dhe kjo revistë gjendet në bibliotekat më të mëdha në botë. Ne kemi arritur që të jemi të pranishëm në nivel ndërkombëtar me punën e stafit akademik.

RKL: Për fund edhe një pyetje, cilat vlerësoni se janë sfidat që e presin Universitetin ‘Iliria’ në veçanti dhe arsimit privat në përgjithësi?

Reçi: Mendoj se arsimi i lartë duhet të përkrahet në vazhdimësi. Në përgjithësi, vendet e rajonit dhe Kosova, ka çaluar në përkrahjen e studimeve shkencore, por edhe në përkrahjen e menaxhimit të institucioneve të arsimit të lartë sepse duhet t’i kushtohet shumë rëndësi këtij aspekti dhe qasjes së këtyre institucioneve ndaj studentëve dhe shoqërisë. Duhet të kuptojmë që institucionet e arsimit të lartë kanë një përgjegjësi shumë të madhe sociale dhe duhet të kemi kujdes sesi i trajtojmë ato. Kosova, sidoqoftë, ka bërë mjaft hapa të mirë në këtë drejtim, por duhet të kemi kujdes gjatë procesit të akreditimit të universiteteve. Nuk jemi përkrahës të hapjes së universiteteve në qendra të vogla, për shkak se mendojmë se universitetet duhet të jenë në qendra të mëdha, aty ku gravitojnë njerëzit sepse vetëm kështu diversiteti i kulturave e pasuron universiteti. Ne kemi qenë gjithmonë kritik në akreditimin e universiteteve në qytete të vogla, jo pse na kanë rrezikuar, por në afat të gjatë ajo mund të jetë e dëmshme për shoqërinë sepse ato nuk mund të arrijnë në nivele të dëshiruara në bashkëpunime ndërkombëtare.

 Radio Kosova e Lirë

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …