teuta

Intervistë me Teuta Ymer Elshanin, e mbijetuara e vetme nga familja e saj e masakruar nga serbët

RKL: E nderuar Teutë, edhe pse kanë kaluar 23 vjet nga tragjedia e madhe që ka përjetuar familja Juaj dhe ju jeni e vetmja e mbijetuar, ajo tragjedi nuk harrohet kurrë, por jeta vazhdon dhe ju përveç dhembjes e pikëllimit ndiheni edhe krenare sepse edhe familja Juaj u bë themel i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës. Babi i Juaj Ymer Elshani, veprimtar profesor shkrimtar, u vra mizorisht nga forcat serbe në fshatin Poklek të vjetër të Drenasit, bashkë me krejt familjen Tuaj të ngushtë: nënën, katër vëllezërit, gjyshen, dhe me afro gjashtëdhjetë bashkëfshatarë Tuaj. Keni shpëtuar vetëm JU, ku ishit në ditën kur ndodhi kjo tragjedi për familjen Tuaj?

Teuta Ymer Elshani: Faleminderit për mundësinë për këtë intervistë. Për fat të keq, gjithçka që thatë më lart është e vërtetë. Fati tragjik i familjes sime nga Korrotica e Poshtme, Dreans, është i njohur. Më 15 Prill 1999, familja ime u dëbuan nga fshati. Ata u vendosën në fshatin Poleku i Vjetër, disa km larg. Në mëngjesin e 17 Prillit 1999, familja ime dhe fshatarë të tjerë u përpoqën të hynin në Drenas, por policia ktheu gjysmën e turmës mbrapa, duke premtuar se nuk do t’i prekte ata. Gjatë kthimit mbrapa, familja ime, strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit për të tharë rrobat e tyre të lagura nga shiu që binte në rrëke, me vetëtima dhe bubullima të pandalura. Në të njëjtën ditë, në orën 17:00, policia serbe hyri në shtëpinë e Sinan Muçollit dhe nxori prindin tim, Ymerin, dhe Sinan Muçollin nga turma e strehuar, ku kishte shumë fëmijë, gra dhe vajza. Sapo u nxorrën, u dëgjuan të shtënat me armë automatike, të cilat u kishin shuar jetën mizorisht. Pas kësaj, policia kishte hedhur një bombë në dhomën ku po qëndronin të strehuarit e tjerë, pesëdhjetë e shtatë vetë. Ndërkohë, përmes tymit që mbështjellë krimin e paparë në atë dhomë, një polic zbraz breshëri plumbash nga automatiku. Pesëdhjetë e tre njerëz mbetën të vdekur. Midis tyre ishte nëna ime, Nafija (45 vjeç) me katër vëllezërit: Ardiani (25), Mirani (20), Kujtimi (15) dhe Nderimi (10), si dhe gruaja e xhaxhait tim, Shukrija. Unë qëllova në Prishtinë në atë kohë (studente) tek axha Zymer, pasi lëvizja ishte e pamundur, veçanërisht pas fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Babai im nuk shkoi në mal për të luftuar me pushkë, por pushka ishte pena e tij, e cila me dekada, e në një kohë kyqe, frymëzoi breza të tërë për arsimim, ngritjen e vetëdijes dhe fuqizimin e ndjenjës së lirisë, përmes vargjeve dhe shkrimeve të tij.

 

RKL: Gjyshja e Juaj, Nailja ishte 75 vjeçare, ishte motër e veprimtarit të shquar, të vrarë më 1964 nga UDB-a, Fazli Greiçevci, thuhet se trupin e saj kriminelët serb e kishin hedhur në një pus të thellë, sa qëndron kjo e dhënë?

Teuta Ymer Elshani: Po, gjyshja ime, Nailja, ishte motra e madhe e Fazli Greiçevcit. Dhe ditën e masakrës së Poklekut, ajo ndodhi që të ishte në një shtëpi tjetër në Poklek, me gjyshin dhe djalin e saj, axhën Veli, domethënë ata ishin ndarë nga pjesa tjetër e familjes, ashtu si kishin qenë në gjendje të strehoheshin. Një ditë pas masakrës së Poklekut, ajo u qëllua nga forcat serbe dhe u hodh në një pus në të njëjtin fshat. Mendohet se ajo nuk dinte për masakrën e Poklekut, ku humbi djalin e saj të madh Ymerin, me katër nipërit, gruan e Ymerit dhe gruan e Veliut.

 

RKL: Si u ballafaquat me lajmin makabër për shuarjen e krejt familjes dhe si gjetet forcë te vazhdoni jetën?

Teuta Ymer Elshani: Kah fundi i marsit, unë, së bashku me axhën Zymber, vëllain e madh të Ymerit dhe familjen e tij, si dhe disa studente që jetonin me ne, u zhvendosëm nga Prishtina për në Bllacë me trenin famëkeq që largoi nga Kosova me mijëra shqiptarë. Nga Bllaca, pas disa ditësh të vështira pritjeje atje, hymë në Maqedoni, kur u vendosëm në një kamp refugjatësh që UN po ndërtonte për ne të zhvendosurit. Nga atje, pas disa javësh, unë, së bashku me disa shoqe studente, u kaluam në një familje shqiptare në rrethin e Shkupit. Qëllova aty kur ndodhi masakra e Poklekut dhe isha në dhomën e pritjes, vetëm, duke dëgjuar lajmet, kur u dha lajmi famëkeq.  Forcën për të vazhduar pas kësaj fatkeqësie të madhe nuk mund ta shpjegoj as sot. Krenaria për familjen, se si ishin kaq të mirë dhe të pafajshëm, dhe si e vetmja që mbeta për t’i kujtuar dhe vazhduar gjakun e tyre, ishin ato që nuk më linin të dorëzohem. Gjithashtu, vepra e babait, dorëshkrimet që mbetën të pabotuara, kur dëgjova se kishin shpëtuar, ishin një shtytje e madhe për të vazhduar më tej.

 

RKL: E nderuar Teutë, na përshkruaj rrugëtimin Tuaj, si vendosët të shkonit në Amerikë, si u gjendet atje fillimisht, me cilat vështirësi u përballët?

Teuta Ymer Elshani: Pas disa muajsh në Maqedoni, unë, së bashku me shoqet, vendosëm të shkonim përsëri në kamp, ​​në mënyrë që të transferohemi nga kampi në një vend perëndimor. Kthimi në Kosovë më dukej i pamundur në atë kohë. Në kamp u regjistruam për të lëvizur dhe SH.B.A. që ishte një nga opsionet. Shoqet ndërkohë vendosën të ktheheshin në Kosovë, pasi kufiri ishte tashmë i hapur. Gjatë asaj kohe, erdhi të më vizitojë daja Imer, vëllai i vogël i nënës sime, dhe duke parë se sa e vështirë do të ishte të kthehesha në Kosovë, ai vendosi të qëndrojë me mua, të ishte afër meje për çdo vendim që do merrja. Kështu që vendosa të shkoj në Shtetet e Bashkuara, gjë që ndodhi në gusht 1999. Dhe shteti Gerorgia ishte vendi ku na dërguan, së bashku me dajën dhe shumë refugjatë të tjerë. Gjithçka dukej se filloi nga e para. Një vend me dinamikë, për ne si refugjatë, gjithçka qe nga fillimi, duke mësuar gjuhën, kulturën dhe gjithçka tjetër. Ndoshta i riu i përballon të gjitha këto ndryshime, përndryshe nuk mund ta shpjegoj se si kemi arritur të mbijetojmë në fillim. Unë menjëherë fillova të mësoj anglisht, si kusht për të filluar punën. Pas disa muajsh fillova të punoja si teknike në një laborator, ku u deshtë të mësoja kompjuterin së bashku me gjuhën, të dyja nga fillimi. Kishte shumë vështirësi, mbase një ditë do t’i fus të gjitha me hollësi në një libër për jetën time, për të mbetur një dokument dhe shpresoj një motivim për mbijetesë dhe mosdorëzim para jetës.

 

RKL: Ju, me kohën keni krijuar familjen Tuaj, keni vazhdimësuar jetën nga atje ku e ndërpreu dhunshëm e barbarisht regjimi vrastar serb. Na tregoni tani ku jetoni ku punoni, a po shkollohen fëmijët, si janë ata?

Teuta Ymer Elshani: Po, pas një viti u ktheva në Kosovë, plot dhimbje, por pa u dorëzuar, gjatë asaj vizite mbrojta temën e fakultetit të kimisë që më kishte mbetur pakryer para luftës. U ktheva në SH.B.A. dhe pas një viti u takova në Kosovë me shokun e jetës, Zenunin. Tani kemi 4 fëmijë, 3 vajza dhe një djalë (Ejona 16, Era 14, Mirana 12, Ardiani 8. Fëmijët janë të gjithë në shkollë këtu në Atlanta, dhe qëndrojnë mirë me mësime.

 

RKL: Ju herë pas here vini në vendlindje vizitoni memorialët e dëshmorëve dhe martirëve sa keni arritur që fëmijëve Tuaj tu krijoni lidhjet me Atdheun e të parëve?

Teuta Ymer Elshani: Çdo verë vizitojmë Kosovën gjatë pushimeve verore të fëmijëve. Lidhja me Kosovën nuk ka humbur aspak, përkundrazi, ajo veçse është duke u rritur, sidomos nga fëmijët, aq sa mbase në një të ardhme të afërt mund edhe të kthehemi dhe të jetojmë këtu.

 

RKL: Babi i Juaj ka lënë shumë  vepra të botuara, por edhe disa dorëshkrime, sa i kanë kushtuar kujdes institucionet krijimtarisë së shkrimtarit , Ymer Elshani?

Teuta Ymer Elshani: Sa ishte gjallë, Ymer Elshani botoi një numër të madh veprash për fëmijë (poezi, prozë, romane, kritikë, studime, etj.). Por, për shkak të kushteve të vështira, sidomos nga viti 1981, kur mbeti i papunë, edhepse krijoi shumë letërsi, ato i la në dorëshkrim, të cilat për mrekulli i shpëtuan luftës. Kur u nisa për në SHBA, i kisha vendosur vetes mision, botimin e dorëshkrimeve të prindit, të cilin e arrita, plot 11 vëllime që botuam pas luftës, së bashku me ndihmën e xhaxhallarëve të mi, Zymberit dhe Arifit, që u kujdesen për të nxjerrë në mënyrën më profesionale çdo dorëshkrim të vëllait të tyre. Mbështetja e vetme shtetërore ishte financimi kompletit të Ymerit nga ministria e arsimit (200 kopje), në 2019, pas përpjekjeve të mia shumë vjeçare, pasi e shihja të arsyeshme të paktën të mbështesin këtë pjesë, si detyrë shtetërore ndaj shkrimtarit dhe sakrificës së tij për çështjen kombëtare.

 

RKL: Cila do të ishte porosia për institucionet e Kosovës lidhur me krijimet e Babit Tuaj, por edhe të shkrimtarëve të tjerë që kanë pësuar nga kriminelet serb?

Teuta Ymer Elshani: Është e dhimbshme që për 22 vjet tani, asgjë nuk është bërë në dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Po aq e dhimbshme, që shumë figura kombëtare janë harruar nga shteti dhe organet përkatëse, dhe një prej tyre është edhe prindi im. Ne nuk kemi pasur ndonjë mbështetje, as morale dhe as njerëzore gjatë këtyre viteve, përkundrazi, injorancë totale, e cila fatkeqësisht është mosnjohje e vlerave dhe kontributeve të njerëzve për lirinë e Kosovës. Babai im nuk shkoi në mal për të luftuar me pushkë, por pushka ishte pena e tij, e cila me dekada, e në një kyqe, frymëzoi breza të tërë për arsimim, ngritjen e vetëdijes dhe fuqizimin e ndjenjës së lirisë, përmes vargjeve dhe shkrimeve të tij. Më vjen keq që në Kosovë, kontribute të tilla janë anashkaluar dhe pesha e tyre është lënë në hije, por vlerat nuk humbasin, ato bëhen vetëm edhe më të mëdha me kalimin e kohës.

 

RKL: Ju personalisht sa jeni e pranishme në përvjetorët që organizohen qoftë nga komuna apo edhe nga vet familjarët?

Teuta Ymer Elshani: M’u desh një kohë e gjatë për të marrë forcën për të marrë pjesë në përvjetore, hera e parë në 2019, në 20 vjetorin e masakrës, e cila ishte shumë e vështirë për mua, por në të njëjtën kohë më dha forcë të re dashuria dhe respekti nga të gjithë. Tani është pak më e lehtë për mua të përballem me realitetin dhe të flas me njerëzit për këtë tragjedi, se sikur i detyrohem vetes që të jem zëri i atyre që nuk janë, dhe të ngre zërin në zbardhjen e rastit, përmes lidhjes me organet përkatëse, pasiqë ka pak më shumë lëvizje në këtë drejtim kohët e fundit.

 

RKL: Me kërkesë të ligjshme që kriminelet serb ta marrin dënimin meritor për gjenocidin që kanë kryer në Kosovë, të urojmë nga zemra shëndet harmoni familjare dhe realizim të projekteve për Familjen.

Teuta Ymer Elshani: Unë nuk do të ndalem me forcat e mia për të kërkuar dënimin e gjenocidit serb kundër popullatës shqiptare në Kosovë, në çdo mundësi që më jepet, si një borxh dhe si një e drejtë njerëzore për jetët e pafajshme që u morën,e kemi për detyrë. Gjithashtu, një tjetër mision që i kam vënë vetes, por ende pa sukses, është të punoj me organet përkatëse për të ruajtur shtëpinë e shkrimtarit si një monument muze, për hir të brezave të rinj, si një fakt historik për sakrificat e popullit tonë në rrugën e lirisë. Faleminderit për respektin dhe mundësinë për të treguar historinë time. Suksese edhe për ju në punën tuaj të pandalshme në kujtimet e së kaluarës sonë të dhimbshme, por shumë të lavdishme.

 

Biografi – Ymer Elshani

Poeti, prozatori dhe kritiku letrar, Ymer Elshani, u lind në fshatin Korroticë e Ulët të Drenasit më 14 qershor 1948. Rrjedh nga një familje e varfër. Babai, Nazifi, i rriti me vështirësi gjashtë djemtë dhe katër vajzat. Ymeri ishte djali i madh i tij. Shkollën fillore e kreu në vendlindje (ciklin e ulët) dhe në Komoran (ciklin e lartë) Shkollën normale dhe Fakultetin filozofik, Dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe, i kreu në Prishtinë. Po aty, më 1978, magjistroi në lëmin e poezisë për fëmijë. Që nga viti 1968 punoi në arsim në shkollën fillore “Jeta e Re” të Komoranit. Aty ligjëroi lëndën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Me të kryer fakultetin, punoi si profesor në gjimnazin “Skënderbeu” të Drenasit. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, punoi edhe pak kohë si profesor, e pastaj u zgjodh drejtor i shkollës së mesme “Skënderbeu”. Para se të kryente mandatin, më 2 prill 1981, shpërthyen demonstratat në Drenas. Ymerin e hoqën nga pozita e drejtorit dhe e përjashtuan nga puna si përgjegjës për demonstrata dhe fajtor i ngjarjeve “kundërrevolucionare”, që ndodhën në atë vit. Mbeti pesë vjet pa punë. Më 1985 zuri punë në “Ferro-nikel” si përkthyes, sepse në arsim nuk iu lejua të punonte. Shkrimet nuk i botoheshin dhe në çdo hap ndiqej nga shërbëtorët e SPB-së. Pas vitit 1990 zgjedhet në kryesinë e Sindikatave të Pavarura të “Ferro-nikelit”, kurse më 1992 largohet nga puna, si tepricë teknologjike. Më 1994 kthehet në Gjimnazin “Skënderbeu” si zëvendësdrejtor. Aty punoi një vit e gjysmë. Më 1996 emërohet këshilltar pedagogjik i lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Vitet e fundit të jetës me terë qenien u zotua për pavarësimin e shkollës shqipe. Shkonte në çdo shkollë fillore të komunës. Hospitonte në orë, udhëzonte dhe përpiqej për mirëvajtjen dhe përparimin e arsimit. Me krijimtari letrare u mor qysh si nxënës i shkollës fillore, që në moshën 10-vjeçare. Librin e parë “Anija e miqësisë” e botoi në moshën 19 vjeçar, si normalist në Prishtinë. Gjatë gjithë jetës së vet Ymer Elshani shkroi dhe botoi në periodikun letrar në Kosovë dhe Maqedoni, kryesisht poezi, tregime, drama e romane për fëmijë. Nga viti 1967 e deri më 17 prill 1999, kur u vra mizorisht nga barbarët serbo-sllavë, botoi një varg librash artistikë (4 vëllime me poezi për fëmijë, 5 vëllime me tregime dhe 2 romane për fëmijë): Anija e miqësisë (vjersha, 1967), Çka ëndërrojnë lulet (vjersha, 1971), Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman, 1971, 1979), Loti udhëtar (tregime, 1972), Ishulli i lumturisë (tregime, 1973), Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman, 1975), Guri i çmueshëm (tregime, 1977, 1999), Unaza magjike (vjersha, 1980), Plaku me violinë (tregime, 1984), Kalorësi i bardhë (poemë, 1987), Përjetimet e Bardhoshit (tregime, 1989). Qe njohur edhe në “dheun amë”, me romanin Ndodhitë e Hundëkarrotës të ribotuar në Tiranë më 1987. Ndërsa zgjedhje poezish e tregimesh nga vepra e këtij autori u botuan edhe në Tiranë, Shkup, Beograd dhe Lubjanë. Postmortum, familja ia botoi te gjitha doreshkrimet e Ymer Elshani, vellezerit dhe vajza, plote 11 vellime. Në vitin 2019, me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe shtëpisë botuese ”MESHARI”, në Prishtinë u botua vepra letrare e plotë e Ymer Elshanit, në 11 vëllime. Vjersha per femije:

  1. Anija e miqësisë (vjersha). Pionieri, Prishtinë 1967
  2. Çka ëndërrojnë lulet (vjersha). Rilindja, Prishtinë 1971
  3. Unaza magjike (vjersha). Rilindja, Prishtinë 1980
  4. Kalorësi i bardhë (poemë). Rilindja, Prishtinë 1987
  5. Ylli ëndërrimtar (vjersha). Rilindja, Prishtinë 2000
  6. Përralla për ylberin (poemë). ROZAFA, Prishtinë 2000
  7. Zogu i lirisë (vjersha). ZEF SEREMBE, Prishtinë 2001
  8. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha). GUTENBERG, Prishtinë 2003
  9. Le të vijë në Sharr pranvera (poema).ROZAFA, Prishtinë 2002

Tregime për fëmijë:

  1. Loti udhëtar (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1972
  2. Ishulli i lumturisë (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1973
  3. Guri i çmueshëm (tregime). RILINDJA, Prishtinë, 1977; OSCE 1999
  4. Plaku me violinë (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1984
  5. Përjetimet e bardhoshit (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1989
  6. Vajza e diellit (tregime). RILINDJA, Prishtinë 2000
  7. Njohja e trimave (tregime e përralla). ROZAFA, Prishtinë 2000
  8. Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura). ASDRENI, Sh. 2000 9. Flokargjendta (tregime të zgjedhura). ROZAFA, Prishtinë 2004

ROMANE PËR FËMIJË:

  1. Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman). RILINDJA, Prishtinë 1971, 1979, 1987 (romani u botua nga ShB “NAIM FRASHERI”, Tiranë 1987)
  2. Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman). RILINDJA, Prishtinë 1975
  3. Udhëtimet e Xhuxhimaxhuxhit (roman). Prishtinë 2008 Punim studimor (Tema e magjistraturës):
  4. Aspekte të poezisë sonë për fëmijë (1945-1976). ANDENA, Prishtinë 2013

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …