Intervistë me z. Bedri Dragusha, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë

RKL : zotëri Dragusha, fillimisht për dëgjuesit tanë është në interes të jepni disa detaje rreth Efiçiencës së Energjisë?

Bedri Dragusha: Termi efiçiencë e energjisë ka kuptimin e shfrytëzimit racional të energjisë, kjo do të thotë të mos shpenzojmë aq sa mundemi por vetëm aq sa kemi nevojë. Pra, ky nuk është term i ri në Kosovë, mirëpo kjo mbetet një sfidë, për një informim më detal të qytetarëve të Kosovës në këtë fushë

RKL: Cilat janë “Sfidat në implementimin e politikave të energjisë  në Kosovë”

Bedri Dragusha: Marrë në përgjithësi, duhet ta kemi parasysh se është shumë me rëndësi që në Kosovë të kemi një siguri të furnizimit të rregullt me energji, si atë termike edhe atë elektrike dhe implementimi i politikave të Kosovës në sektorin e energjisë bazohen edhe në direktivat e bashkësisë evropiane me të cilat jemi obligues ndaj sekretariatit të komunitetit të energjisë në transfuzion të direktivave përkatëse në sektorin e energjisë në përgjithësi, ku në këtë pikë përfshihet edhe efiçienca e energjisë, njëra nga tri njëzetëshet e Bashkimit Evropian.

RKL: Ju keni hartuar Plani Kombëtar të EE dhe obligimet e komunave për hartimin e Planeve komunale për EE, çka mund të thoni në këtë drejtim?

Bedri Dragusha: Po, Kosova ka hartuar planin afatgjatë kombëtar për efiçiencë të energjisë që përfshinë periudhën 2010 – 2018, dhe pritet që kursimet gjatë kësaj periudhe të jenë 9 % të konsumatorëve apo rreth 92 kiloton oil ekuivalent. Në kuadër të këtij plani afatgjatë është hartuar edhe plani i parë afatmesëm për periudhën 2010 – 2012 dhe së fundi, para dy dite është miratuar në Qeveri plani i dytë afatmesëm kombëtar për efiçiencë që përfshinë periudhën 2013 – 2015. Pra në këto dy plane afatmesme është paraparë që kursimet të jenë 3% për secilin plan. Në ndërkohë ne kemi hartuar ose kemi përgatitur raportin e progresit për planin e parë afatmesëm që përfshinë periudhën 2012 – 2013 për planin e parë afatmesëm që përfshinë periudhën 2010 – 2012. Raporti i progresit tregon se ne cakun e paraparë, planin e parë, e kemi përmbushë dhe lehtësisht e kemi tejkaluar, kursimi ka qenë i paraparë 3% kurse ne e kemi arritur 3.1% ose 31.925 kiloton  oil ekuivalent. Në planin e dytë afatmesëm gjithashtu e kemi paraparë që kursimet të arrijnë nivelet në 3 % ose rreth 31 kiloton oil ekuivalent.

RKL: Cilët sektor i përfshinë plani kombëtar?

Bedri Dragusha: Plani i dytë kombëtar për efiçiencë të energjisë edhe plani afatgjatë i përfshinë sektorët kryesor të cilët përfshihen në të, sektori i shërbimeve, transportit, amvisërisë, industrisë dhe bujqësisë, dhe secilin sektor janë të paraparë edhe kursimet përkatëse. Në planin e dytë afatmesëm gjithsesi se i kemi përfshirë edhe projektet konkrete për të arritur këtë qëllim.

RKL: Cilat janë projektet konkrete në këtë drejtim?

Bedri Dragusha: Për momentin jemi duke e zhvilluar një projekt me Komisionin Evropian për ndërrmarjen e masave konkrete në efiçiencën e energjisë, çka domethënë  se kemi izolime të shkollave, ndërrimin e dritareve, ndërrimin e sistemit të ngrohjes, ndërrimin e sistemit të ndriçimit. I gjithë projekti zgjatë dy vjet, ku përfshinë diku 65 ndërtesa publike të nivelit lokal, ku i kemi 62 shkolla dhe dy spitale rajonale. Këtë vit pritet diku në rreth  28 objekte të merren masat, dmth, të izolohen, të bëhet ndërrimi i dritareve, e kështu me radhë. Pastaj kemi planifikuar që në vitin e ardhshëm të fillojmë me projektin e Bankës Botërore, që është projekt mjaft voluminoz dhe në këtë projekt përfshihen ndërtesat publike të nivelit qendror, ku shuma totale investive do të jetë rreth 17 milion euro. Pastaj kemi projektin me KFWV (Bankën Gjermane për Zhvillim), ku do përfshihen ndërtesat e nivelit lokal, pra të menaxhuara nga niveli lokal dhe pritet që shtatë komunat përfituese të fillojnë implementimin e këtij projekti gjatë vitit të ardhshëm.

RKL: Ju përmendët spitalet dhe shkollat. Buxheti që do të merret për këto, do të jetë i komunës apo do të bazohet kryesisht nga donatorët?

Bedri Dragusha: Për nderrmarjen e masave konkrete për efiçiencën e energjisë gjithsesi do të jetë buxhet nga donatorët apo kredidhënësit, ndërsa komunat nuk do të përfshihen fare. Buxheti është i ndarë varësisht  që dalin nga auditimet energjetike që bëhen për secilën ndërtesë, atëherë parashihet investimi në atë objekt, shkollë apo spital.

RKL: Cili është bashkëpunimi i juaj me Komunat?

Bedri Dragusha: Mund të themi se me komunat kemi një bashkëpunim relativisht të mirë. Ka hezitime, aty-këtu edhe ndonjë pengesë, mirëpo në përgjithësi jemi të kënaqur edhe me komunat, sepse pa ndonjë  bashkëpunim të mirëfilltë  me to  nuk mund t’ia arrijmë ti mbledhim së paku të dhënat në masat e ndërrmara nëpër komuna, sepse dihet se shumica e shkollave, spitaleve, shtëpive të shëndetit menaxhohen nga niveli komunal, kështu që për ne është mjaft i rëndësishëm ky faktor

RKL: Keni hapur info këndin e parë fushë Kosovë, cilët janë hapat e mëtejmë drejt kësaj çështje.

Bedri Dragusha: Po është fakt se para dy ditësh kemi hapur indo këndin e parë efiçiencë të energjisë në Komunën e Fushë Kosovës, planet në të ardhmen janë që të përfshihen të gjithë Kosovën në këtë kënd të informimit qëllimi i hapjes së këtyre info këndeve është që të zbresim apo ti ofrohemi qytetarit më afër dhe ta informojmë më në detale  rreth masave që duhet ndërmarrë në fushën e efiçencës.

RKL: Është realizuar një anketë lidhur me këtë , cilat janë rezultatet e kësaj ankete?

Bedri Dragusha: Në përgjithësi sondazhet tregojnë se mbi 60% e qytetarëve nuk e kuptojnë sistemin e energjisë efiçente, çka do të thotë se për ne edhe si agjenci por edhe si ministri e Zhvillimit Ekonomik na mbetet shumë punë për të bërë në informimin e qytetarëve rreth kësaj fushe edhe pse në përgjithësi mundë të themi nga sondazhi qe diku rreth 30% e qytetarëve kanë marrë masa në këtë fushë, relativisht mundë të themi se jemi të kënaqur, por qëllimi i këtij sondazhi ka qenë se çfarë hapa të mëtutjeshëm mundë të ndërmarrin në këtë fushë.

RKL: Ju në këtë drejtim keni filluar një fushatë sensibilizimi  me reklamim në radio, televizion …

Bedri Dragusha: Së fundi kemi filluar një fushatë mjaft të bujshme mundë të themi për informim të qytetarëve rreth efiçiencës së energjisë, ku kemi një projekt që është duke u zhvilluar me UNDP-në dhe kemi projektin të financuar nga ministria e zhvillimit ekonomik i cili përfshin efiçiencën e energjisë dhe burimet e ripërtritshme, gjithashtu presim së shpejti të fillojmë edhe me një projekt nga Banka Botërore për informim të qytetarit mos të themi për vetëdijesim por për informim rreth masave ose rreth efiçiencës së energjisë në përgjithësi. Mundë të themi se sa i përket informimit jemi në përgatitje e sipër të një materiali informues të financuar nga UNDP-ja edhe nëpër shkolla dhe në të gjitha institucionet në tërë territorin e Kosovës.

RKL: Ku mund të marrin informata më të hollësishme qytetarët, cila është adresa zyrtare?

Bedri Dragusha: Adresa zyrtare e Agjencisë së Kosovës për efiçiecë të energjisë është ake-rks.net, ku aty mundë të gjendën disa informacione jo edhe shumë sepse kemi një ueb faqe që është hedhë edhe për aplikacione mundë të themi qe nja një muaj, mirëpo kursimet mund ti llogarisin së paku në ndriçim ku e kemi bëre një kalkulator ku aty, dhe nëse dikush parasheh ndërrimin e poçeve elektrik klasik me poqa elektrik efiçient, atëherë mund të themi se aty i merr drejtpërsëdrejti kursimet e energjisë dhe rezultati do të jetë i dukshëm. Mund të japim edhe një informacion se para një periudhe të caktuar kemi bërë një kalkulim shumë të thjeshtë vetëm për 14 komunat e Kosovës ku për ndriçime publike paguajnë rreth 1.700.000 euro në vit, por nëse do të ndërmerren hapat për ndërrimin e poçeve klasik me ata efiçient, kursimi do të jetë diku rreth 50% apo në shumë prej 850.000 euro.

RKL: Faleminderit që ndatë kohën të jeni mysafir në radion Kosova e Lirë, ju urojmë suksese dhe të arritura në këtë drejtim.

Bedri Draguasha: Faleminderit për ftesën dhe shpresojmë për një bashkëpunim edhe në të ardhmen me Radion Kosova e Lirë, i  përshëndes gjithë dëgjuesit e radios Kosova e Lirë.

Realizuar më 5 dhjetor 2013

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …