RKL: E nderuara zonja Lumnie Hoxha-Rama, për fillim të interviste na rrëfeni disa të dhëna për familjen në kohën kur vëllai juaj, atdhetari Xhavit Hoxha dhe ju të tjerët kishit filluar rrugën e shkollimit dhe arsimimit.
Lumnie Hoxha- Rama: Familja Hoxha ka qenë gjithmonë pjesë e familjeve intelektuale dhe ka jetuar ndër breza me parime dhe motive kombëtare, Babë Hysniu lindur në kullën e Junikut, bir i Avdyl Hoxhës një pleqnari, i cili kishte qenë prijës në luftën për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë nga serbo-malazeztë dhe nuk e pranoi luftën e përbashkët me serbin. Në vitin 1944, në po të njëjtin vit për arsyet e lartë cekura Avdyl Hoxha bashkë me të birin Ymer Hoxha arrestohet për tu ekzekutuar më pas me shumë burra të tjerë të Junikut nga Regjimi i atëhershëm. Nënë Nuria ishte e lindur në Dobrosh, bija e Sali Bajramit një atdhetari me oratori të shkëlqyer. Nëna si e re kishte qëndruar te dajat e babait në Buçaj të Tropojës, në familjen e njohur të Ali Ibrës. Tërë mallin për dajat që kishte dhe për Shqipërinë, me një impresion të rrallë, i barti te ne fëmijët. Nëna ishte e dhënë shumë pas prindërve që kishin mbetur pa djalë, prandaj edhe fëmijën e parë Xhavitin ia fali atyre. Pas Xhavitit ishim ne 7 vajzat, të cilave nëna Nurie na inkurajoj gjatë gjithë shkollimit. Andaj edhe Xhaviti ishte rritur dhe edukuar fillimisht nga familja me po të njëjtat parime, mirëpo Xhaviti ishte edhe njeri i cili e shihte edukimin e shqiptarëve si esenciale për të formuar një shoqëri shqiptare të edukuar dhe të bashkuar. Si vëlla i Edit dhe i 7 motrave, ai ishte inspirim dhe shtysë e fortë që ne si motra të shkollohemi, kjo ishte një dhunti e madhe për ne duke pasur parasysh ditët e vështira të atyre kohërave të pasigurta, ku sidomos vajzat rrallë herë mund të vazhdonin edukimin universitar. Të gjithë mbaruam universitetin në lëmi të ndryshme, duke përfshirë Mjekësi, Ekonomi, Gjeodezi, Gjuhë dhe Letërsi dhe profesione të tjera.
RKL: Xhavitit me sa dimë ne qysh herët ishte orientuar në përpjekjet që po bënte në atë kohë brezi I lëvizjes atdhetare në angazhim për liri, drejtësi e barazi. Na thoni diçka më shumë për punën dhe aktivitetin e tij në atë drejtim.
Lumnie Hoxha- Rama: Xhaviti në vitin 1976 mbaroi studimet për Gjeografi në FMSH dhe filloi të punojë në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë. Shtëpia jonë vlonte Brenda, gumëzhinte si zgjua bletësh. Idila familjare begatohej sidomos netëve kur vinte Xhaviti.
Më 10 janar të vitit 1979 Xhavitin e rekrutojnë në shërbimin ushtarak. Edi qau me ngashërim , ashtu i larë me lot mezi belbëzonte fjalët: “Edhe unë du ushtarë nuk e lo bacën vetëm”.
Asokohe edhe nëna ishte shumë e sëmurë, ndërsa frika nga vdekja po i rritej nga dita në ditë. “Kam frikë se po e lë jetim Edin, e ju me këto libra nuk do të keni kohë për të”, na qante hallin neve. Pas kthimit të Xhavitit nga shërbimi ushtarak shtëpisë sërish ju kthye gjallëria dhe hareja e dikurshme. Mirëpo tani Xhaviti ishte shumë aktiv sepse kishte marrë detyra nga organizata që ishte LNÇKVSHJ.
Xhaviti kishte filluar të merret me punën propagandistike, sillte në shtëpi gazeta të ndaluara nga Regjimi (Lajmëtari i Lirisë, Liria, Bashkimi dhe libra të ndaluara ). Ne ishim shumë të kujdesshëm e mbyllnim derën dhe dëgjonim Radio “Tiranën”.
Komitetin e parë e formoi në Besianë me Muhamet Rugovën nga Gjakova dhe Beqir Hajrizin nga Podujeva.
Ai thoshte se lufta është e pashmangshme dhe se duhet të përgatitemi fizikisht dhe psiqikisht për të.
“Ta dini që borxh nuk i kam askujt, të jeni të qëndrueshëm”. Më 11 mars 1981 filluan demonstratat, së pari nga studentët dhe pas arrestimeve vazhduan demonstratat gjithë popullore me 1 dhe 2 prill, ku neve si student na u bashkua edhe populli, amviset na hapën dyert, na ushqyen dhe na strehuan ndërsa ne mezi shihnim nga gazi lotsjellës.
Organizata e tyre (komiteti i Deçanit), tani më dolën hapur, shkruanin parulla, shpërndanin pamflete, thërrisnin punëtorët që të fillojnë me greva, organizonin bojkotimin e mbledhjeve diferencuese dhe sabotonin veprimtarinë e armikut.
Vlen të ceket se Xhaviti gjatë udhëtimeve ishte gjithmonë nën vëzhgimin e individëve të paguar nga regjimi.
Këto aktivitete i kushtuan Komitetit të Deçanit, ngase Xhaviti me shokë u zbuluan dhe filloi përndjekja dhe burgosja e tyre.
Xhaviti kishte pasaportë dhe kishte mundësi të ikte në Shqipëri për më tepër atë zonë e njihte shumë mirë, mirëpo ai nuk e bëri këtë veprim sepse nuk donte të arratisej. Ai thoshte se ka ardhur koha që të mbushen burgjet jugosllave me atdhetarë shqiptarë që të dëshmohej para botës kauza jonë e drejtë për lirinë kombëtare.
RKL: Ku ndodhej vëllai juaj Xhaviti, kur e arrestoi policia, dhe a e dinit Ju, pse ishte arrestuar?
Lumnie Hoxha- Rama: Xhaviti më 10 maj 1981 ishte në shtëpinë tonë në Junik. Para lindjes së diellit dëgjova një zhurmë të vrazhdë dhe shqetësuese, të gjithë u zgjuam dhe vërejtshim dyert e oborrit duke u luhatur nga shqelmat e tyre që me force donin t’i hapnin, derisa Nënës i thanë: “Qiti djemtë ku i ki”, kam hyrë në dhomë ku ishte Xhaviti dhe e zgjova u vesh shpejt dhe doli ne secila gjenim një vend për të fshehur materialet (librat dhe gazetat) që ishin. Oborri u mbush nga forcat e mëdha të Milicisë së bashku me individë shqiptarë të shërbimit sekret serb. Xhavitin e morën si nacionalist të përbetuar që për në sytë e tyre ishte një kriminel. Pasi e morën Xhavitin, erdhën forca tjera të Milicisë, pjesëtarë të sigurimit, inspektorë prej tyre edhe shqipfolës dhe bastisën shtëpinë, mirëpo asgjë që kërkuan nuk arritën të gjejnë.
Edi ishte 6 vjeçar dhe u zgjua duke e shikuar me habi situatën dhe ishte shumë i shqetësuar për arrestimin e Bacës. Që nga ajo ditë ai vazhdimisht thoshte: “Unë do t’i vrasë shkijet që ma morën bacën”.
Kur e pyesnim se çfarë lodra dëshiron të ketë, Edi gjithmonë kërkonte armë. Pastaj pasoj diferencimi i familjes tonë. Anëtarë të komitetit qendror erdhën nga Prishtina për ta larguar me dhunë nga puna babën (“armikun e popullit” sipas tyre). Ne motrat që ishim në konvikte na përjashtuan dhe na larguan nga konvikti që të mos infektojmë studentët tjerë më bindjet tona. Masa tjera të rrepta ndalese pushteti i aplikojë edhe tek qytetarët e Junikut që të mos ketë hyrje-dalje me familjen tonë.
RKL: Dihet se pas arrestimit inspektorët e UDB-së e kanë keqtrajtuar fizikisht, madje mizorisht. Çka dinit ju asokohe, a kishit informacione.
Lumnie Hoxha- Rama: Fillimisht Xhavitin e dërguan në burgun e Pejës. Sa ka qëndruar atje vetëm një herë e kemi parë sepse ishte izoluar në vetmi. Hetuesit silleshin si bisha edhe me ne, duke ndaluar çdo gjë që i dërgonim. Xhaviti u dënua me 4 vite burg mbi akuzën për zhvillimin, zgjerimin dhe formimin e komiteteve të reja, për detyra speciale për mbledhjen e informatave me qëllim publikimi, si dhe për iniciativën lidhur me sigurimin e armatimit. Pas shqiptimit të dënimit, e transferuan në burgjet nam zeza në Leskovc e në Nish. Ne kishim të drejtë të shkonim për vizitë por jo më shumë se katër persona. Gjatë vizitave kemi pasur momente shumë dëshpëruese ngase udhëtime të largëta e të mundimshme, ndodhte të ndërpritej vizita sepse ne nuk flisnim serbisht me Xhavitin. Xhaviti qëndronte mirë, dhe kjo na jepte kurajë edhe nuk mund të bisedoje ndonjë gjë me rëndësi apo në detaje sepse nuk lejonin. Tortura ka pasur sepse ne e vërejtshim në bazë të shenjave në fytyrë.
RKL: Pas daljes nga burgu ku e vazhdoi aktivitetin e tij, vëllai i Juaj dhe veprimtari ndër më të dalluarit e kohës së tij, Xhavit Hoxha.
Lumnie Hoxha- Rama: Pas daljes nga burgu prapë vazhduan me provokime të njëpasnjëshme dhe me përcjellje të vazhdueshme nga ana e UDB-së. Një moment interesant ishte në muajin korrik kur ishte caktu dita e marteses Xhavitit. Baben e thirren organet e UDB-së, dhe e kërcënuan të mos bejë dasmë mirpo baba nuk ua vuri fare sepse e ndiente veten shumë të fortë moralisht sepse kullës ju kish kthy Xhaviti. Ditën e dasmës kishin dalur milicia për ti penguar dasmorët disave iu kanë derdhë sheqerin që ishte rregull në atë kohë ti sillnin për urime. Prandaj edhe masat e pushtetit përfunduan me turp.
Në dhjetor të vitit 1989 për t’i ikur arrestimit të serishëm, Xhaviti emigroi në Zvicër. Për 10 vjet pa asnjë kompensim material ushtroi detyrën e pedagogut në arsimin plotësues me nxënësit shqiptarë. Pastaj për 5 vite vepron si kryetar i bashkimit të sindikatave në Zvicër si lidhje me sindikatat në atdhe, ku grumbulluan ndihma të mëdha materiale për Kosovën. Edhe pse pa pasaportë gjente mënyra për kalimin e kufijve dhe merrte pjesë në të gjitha demonstratat në shtetet Evropiane dhe Skandinave. Një kohë të gjatë veprimtarinë e zhvillojë si anëtarë i Këshillit Drejtues të Lëvizjes Popullore Të Kosovës, Dega jashtë vendit. Xhaviti i ofroi ndihmë edhe veprimtarëve të rrezikuar si dhe të ushtarëve që braktisnin frontin e luftës nga hapësirat jugosllave.
RKL: Me fillimin e luftës së lavdishme të UÇK-së, familja e juaj u mobilizua për t’i dalë zotë atdheut, dhe Ju familjarisht keni dhënë një kontribut të çmuar në luftën e lavdishme çlirimtare dhe fitimtare? Na tregoni diçka për angazhimin e vëllezërve tuaj, Xhavitit e Edmondit në radhët e UÇK-së.
Lumnie Hoxha- Rama: Edmondi ka rënë në Altarin e Lirisë më 31 janar të vitit 1997, së bashku me figurat kryesore të UÇK, Zahirin dhe Hafikin, para fillimit të luftës mbarë popullore, ndërsa Xhaviti gjatë kohës së UÇK-së kryente aktivitete Logjistike, mobilizonte veprimtarë, ofronte shtëpinë e tij për takime, mblidhte dhe dërgonte fonde”, komunikonte dhe koordinohej vazhdimisht me krerët e UÇK-së, rekrutonte dhe përgatiste të rinjtë që donin t’i bashkoheshin luftës.
RKL: Edmondi edhe pse ishte në moshë të re, kishte rënë në kontakt me celulat e para të UÇK-së, çka mund të veçoni për këtë rast?
Lumnie Hoxha- Rama: Edi nuk mund të ishte një përjashtim nga struktura familjare e të menduarit dhe parimet kombëtare të rrënjosura thellë në trashëgiminë dhe mentalitetin e asaj kohe. Ai u rrit në atmosferën e demonstratave, persekutimeve dhe të burgosjeve masive ndaj shqiptarëve kudo në Kosovë. Edi në shkollën e mesme ishte e kishte kaplua malli për bacën e për fëmijët e tij si dhe për Jashar Salihun që thoshte e dua si bacën dhe menjëherë udhëtoi për Zvicër. Shtëpinë që e kishte blerë Xhaviti në Durrës ishte e dedikuar për takimin me familjar pasi që në Kosovë nuk mund të hynte i sigurt. Mirëpo kjo shtëpi u bë bazë e takimeve të shokëve dhe veprimtarëve të përndjekur të ilegales. Vitet 1992-1996 Edi çdo verë I kalonte në Durrës. Shpesh herë Edi edhe gjatë dimrit udhëtonte atje, këtë e kam vërejtur pasi që ishim afër me banesë në Prishtinë.
Më kujtohet viti 1994 kur u nisëm për Durrës që ta vizitojmë Xhavitin, aty takova shumë veprimtarë që zhvillonin biseda për çlirimin e Kosovës, Edi vetëm i shoqëronte dhe i dëgjonte me vëmendje bisedat. Deri vonë natën oborri ishte përplot shokë të Xhavitit por edhe vendas nga Shqipëria. Njëri prej tyre i propozoi Edit që të bëhej Oficer i Ushtrisë Shqiptare, një tjetër i tha se Edi duhet të ketë shume kujdes dhe të ruaj[ veten sepse ai ishte i djali i vetëm në shtëpi pasi që Xhaviti është larg Kosovës. Atëherë foli Edi: “E gjithë Kosova është kështu, të gjithë kanë prindër, motra e vëllezër, mirëpo dikush duhet të punojë për Kosovën”.
Asokohe e lexonim revistën “Zëri i Kosovës” që ishte organ i LPK-së dhe botohej jashtë atdheut dhe shpërndahej ilegalisht edhe në Kosovë.
RKL: Edi, kishte marrë pjesë në aksione dhe kishte treguar aftësi të shkëlqyera në kryerjen e tyre, a ishte në dijeni familja për këto aksione që kryente Edi me shokë?
Lumnie Hoxha- Rama: Edi ushtronte fizikisht në mënyrë intensive dhe bëri një trup që rrallë kush e kishte. Prindërit ishin në merak për të e këshillonin dhe e lutnin që të rrijë urtë dhe të ruhej sepse ishim në shënjestër si familje. Nëna i thoshte: “Ti je i ri, mjaft kemi vuajtur deri më sot, detyra jote është vetëm mësimi, edhe punëve të mëdha ju vjen koha”. Edi e shikonte me mirëkuptim dhe buzëqeshte “Po sikur të gjithë fëmijët ti dëgjonin prindërit atëherë ku do të përfundojmë ne si popull, i robëruar dhe si komb I ndarë”. Më 11 janar te vitit 1997 Edi erdhi në Junik, natën vonë dhe kam dëgjuar se i kërkonte të holla Nanës, dhe menjëherë ka dalë, ndërsa nëna doli me të duke e përcjellë dhe duke e lutur që të ruhet dhe ai ia kthente se po ruhej por jo duke ndenjur në shtëpi. Gjithmonë Edi na thoshte: “Pse po më thoni të ruhem, a po e shihni na i morën konviktet na lanë nëpër podrume, nuk ka mënyrë tjetër, Shkau do plumb e jo llafe”.
Më 16 janar 1997 kur është gjuajtur rektori Popadiqi, mu afrua nëna dhe më tha: “Sa është larg banesa e Edit me këtë vend ku ka ndodhur vrasja?”, kjo më bëri të dyshoj dhe të nesërmen erdha në Prishtinë të banesa e Edit. Kur arrita Edi doli i zbehtë dhe pretendonte se ishte ftohur, ndërsa më pyeste se mos kishte qenë ndokush nga pushteti në shtëpinë tonë. Unë ju përgjigja se nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme në shtëpi dhe të gjithë janë mirë. Pastaj u ktheva në Junik dhe i tregova nënës që Edi ishte mirë dhe i bënte të fala. Të martën me 28 janar jemi kthyer në Prishtinë sepse fillonte mësimi i fëmijëve. Atë natë Edi erdhi në iftar në banesën time. Të nesërmen e takova te banesa e tij kishte qenë me një shok dhe më bëri përshtypje pse nuk me njoftoi Edi me të. Kur e dhanë lajmin se janë vra tre persona kanë dal fotot ne media e kuptova se ai kishte qenë, Zahir Pajaziti.
RKL: Tani në këtë përvjetor të përjetësimit të vëllait, Edmondit, çka do të mund të veçonit për të, ndonjë kujtim të rrallë, ndonjë fjalë apo porosi të tij?
Lumnie Hoxha- Rama: Po kemi kujtime shumë. Gjatë ndejave të gjata me ne, Edi krejt befasisht shqiptonte mesazhe të trishta si dhe thoshte se çdo natë shihte ëndrra me luftë kundër milicisë. Kur është vrarë e kuptuam që ai kishte filluar të na përgatisë ne në familje për momentet e fundit të jetës së tij. Herë pas here në mënyrë të vazhdueshme na thoshte që nëse vritet të mos vajtojmë por të qëndrojmë të forta dhe krenare. Ne si motra u trishtoheshim nga këto fjalë, mirëpo ai prapë thoshte “I gjallë ta dini se në dorë të tyre nuk bie, po ku ka vdekje më të bukur sesa të vdesësh për Atdhe e të mbulohesh me flamur. Unë jam i pamartuar dhe nuk kam fëmijë duke qarë, më takon të bëjë luftën”. Ditën e enjte me 30 janar, një natë para se të përjetësohej në fushën e nderit, Edi erdhi prapë dhe kësaj here ishte me armë dhe as setrën nuk e hoqi dhe dukej i shqetësuar. Kërkojë t’i strehojmë dy persona (të cilëve nuk ua tregonte emrat) në shtëpinë e bashkëshortit tim në fshatin Botushë, për disa ditë. Qëndroi deri vonë kur doli më dhuroi një kasetë të Dervish Shaqës dhe më tha ta dëgjojë nganjëherë. Jemi përshëndetur dhe tha: Lume ja nin krismën këto dy ditë. Me dorën e ngritur lart zbriti shkallëve.
RKL: Rënia e Edmondit, Zahirit dhe Hakifit, ishin humbje e madhe për UÇK-në, për Ju, krejt familjet dhe bashkëluftëtarët e Tij, por në të njëjtën kohë ka qenë dhe ka mbetur për jetë edhe një krenari e përjetshme kombëtare, sepse lufta e tyre vazhdojë deri në çlirim dhe fitore.
Lumnie Hoxha- Rama: Nga shtypi shqiptar i Kosovës, vrasja e tyre u shënua me artikuj, me reportazhe me intervista, me komente, me analiza dhe pas një muaji u mbajt edhe një Akademi përkujtimore në një shtëpi në Velani, të cilin e kishin organizuar studentët. Qindra mijëra shqiptarë që vinin nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria ndanë dhembjen me ne, po ashtu kishte edhe shumë telefonata dhe telegrame ngushëllimi të dërguara nga meridianë të ndryshme të botës. Por ndoshta edhe nga dhembja populli kishte rënë në heshtje, dhe ne e kishim friken se këto sulme do të përfundonin me kaq dhe nuk do të ketë luftë mbarë popullorë.
“Është obligim i të gjithëve që këta tre djem të mos mbeten gjake humbur” – ishte mesazhi i redaksisë së Gazetës “Zëri i Kosovës”.
Në fillimin e shkurtit menjëherë pas vrasjes, njerëzit shkonin për ta ngushëlluar Xhavitin në Zvicër dhe për t’i thënë se do jenë pranë nesh në këto kohë të vështira, kishte shkuar edhe Fehmi Lladrovci me Xhevën dhe dhoma kishte rënë në një heshtje të pazakontë. Atëherë foli Fehmi Lladrovci – citoj: “Më dëgjo o Xhavit Hoxha, po ta jap besën e burrit mos më thënshin në emër, me këto duar do ja marrë hakun Edmond Hoxhës e shokëve të tij”.
Mandej në fillim të marsit filloi lufta e UÇK-së.
RKL: Si ndiheni sot kur ka kaluar 26 vjet nga rënia e tyre?
Lumnie Hoxha- Rama: Si çdo familje tjetër e Dëshmorëve në Kosovë i gëzohemi secilit progres të vendit e po ashtu edhe e përjetojmë rëndë çdo lajm të keq për mos zhvillim të Shtetit. Kemi qenë shumë të lumtur me themelimin e Ushtrisë së Kosovës, pasi që kjo ishte ëndërr e Edit dhe gjithë shokëve të Tij, që kanë luftuar dhe janë sakrifikuar për lirinë e Kosovës. Unë si çdo motër e Dëshmorëve dhe Heronjve të kësaj toke, dëshiroj ta shohë vendin tonë duke u zhvilluar sa më mirë. Ta shohim Kosovën që po ndërton të ardhme dhe perspektivë për gjeneratat e ardhshme, për fëmijët që do të rriten në këtë Shtet, për nipat dhe mbesat e atyre që kanë sakrifikuar për Kosovën.
RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për ta quar në vend amanetin e dëshmorëve, në kohën kur disa nga krerët kryesorë të luftës tonë çlirimtare dhe fitimtare ndodhen ne Hagë, të akuzuar për vepra të paragjykuara penale, madje edhe për sikur thuhet “Ndërmarrje përbashkët kriminale”.
Lumnie Hoxha- Rama: Ne mendojmë si gjithë populli i Kosovës se lufta e UÇK-së, ishte e drejtë në çdo fazë të veprimtarisë së saj. Ishte dhe e bazuar në çdo lloje drejtësie hyjnore, morale dhe njerëzore. Ishte luftë e shenjtë dhe ashtu do të mbetët deri sa të ketë shqiptarë, do të mbahet mend heroizmi dhe madhështia e rezistencës së popullit të Kosovës. Andaj asnjë akuzë ndaj UÇK-së, apo pjesëtarëve të saj nuk mund të dëshmohet. Lufta e UÇK-së ishte mbështetur edhe nga Shtetet aleate të botës përparimtare, demokratike. Ndërsa ne si shoqëri duhet që vazhdimisht të punojmë për të mirën e përgjithshme në mënyrë që të vazhdojmë amanetin e dëshmorëve duke e zhvilluar dhe forcuar Shtetin tonë.
RKL: E nderuara zonja Lumnie, ju faleminderit për kontributin që e dhatë për realizimin e kësaj interviste.
Lumnie Hoxha- Rama: Kisha kënaqësinë të flasë për RKL-në, e cila bënë një punë tejet fisnike për ta ndriçuar veprimtarinë kombëtare të atyre që dhanë çdo gjë për Kosovën duke i përjetësuar ashtu siç e meritojnë. Faleminderit!