RKL: Znj. Kusari, ju deklaruat të dielën në konferencën përmbyllëse te këtij viti se e gjetët MTI-ne me një mori problemesh te grumbulluara. Na thuani se për çfarë lloj problemesh bëhet fjalë dhe sa keni arritur t’i evitoni gjatë këtyre dhjetë muajve të udhëheqjes tuaj me këtë ministri?
Mimoza Kusari – Lila: Kam deklaruar për faktin se MTI ka qenë një prej ministrive që nuk ka pasur ministër dhe zv/ministër për një periudhë katërmuajshe, si rezultat i tërheqjes së LDK-së nga qeverisja. Natyra e problemeve ka qenë e ndryshme prej çështjes së menaxhimit politik, administrativ dhe profesional. Në nivelin profesional, çka kisha dashur të theksoj, është se kjo ministri ka pasur dhe ka një peshë të rëndësishme në nivelin e bërjes së politikave të legjislacionit për disa sektorë që rregullojnë veprimtarinë ekonomike në Kosovë dhe nuk ka pasur një adresim të qartë dhe një komunikimin midis institucioneve përkatëse të cilat ndërlidhen me këtë institucion, qoftë në nivelin qendror apo lokal. Kundërthënia dhe zvarritja e një procesi i cili lidh nivelin qendror me atë lokal ka të bëjë me inspektoratin, gjegjësisht mbi zbatimin e ligjit mbi inspektoratin, për shkak se në kohën kur ka kaluar ky ligj, në vitin 2010, asociacioni i komunave ka qenë i përjashtuar nga diskutimi për ndryshimin e ligjit mbi inspektoratet, me kalimin e disa prej kompetencave në MTI prej komunave. Prandaj, edhe ka pasur rezistencë nga krerët e komunave që të zbatohet ky ligj. Ky ka qenë një prej problemeve që ne po shpresojmë që në janar të vitit të ardhshëm do të evitohet në tërësi dhe do të fillojë funksionimi pas disa bisedimeve me kryetarë të komunave, edhe me asociacionet e komunave me ndryshimin e një pjese të memorandumit i cili duhet të ketë bashkëpunim midis nivelit lokal dhe atin qendror. Në nivelin qendror gjithashtu ka pasur mungesë të koordinimit midis ministrive. Puna e MTI lidhet ngushtë edhe me Ministrinë e financave, MBZHR dhe me Ministrinë e Shëndetësisë deri në njëfarë mase. Për këtë ne kemi thelluar bashkëpunimin sidomos me Ministrinë e Bujqësisë në raport me import/eksportin e prodhimeve ushqimore dhe atyre bujqësore, pasi që edhe Qeveria e Kosovës i ka vënë fokus të veçantë zhvillimit të bujqësisë dhe zhvillimit të prodhimeve vendore . Krahas kësaj, këtë vit ne kemi arritur t’i tejkalojmë disa prej barrierave tarifore dhe jo tarifore të cilat kanë qenë të vendosura ndaj prodhimeve të Kosovës. Natyrisht se vlen të shënohet se janë pranuar vulat e Kosovës nga Serbia dhe Bosnja, por gjithashtu në mënyrë pro-aktive janë zgjidhur problemet që kanë ekzistuar me Shqipërinë dhe Maqedoninë në raport qoftë të ngritjes së çmimeve referente, qoftë të prezantimit të disa standardeve që shtetet e cekura i kanë gjetur si arsyetim për të penguar mallrat e Kosovës. Gjithashtu, në kuadër të sfidave në MTI kam gjetur ligjin për rezervat që nuk ka qenë i zbatueshëm, është ngritur departamenti i rezervave gjatë këtij viti, është pajisur me staf, është përgatitur politika për krijimin e rezervave shtetërore, është përgatitu trupi ndër-ministror për përpilimin e listës për rezervat shtetërore. Ka mbetur vetëm çështja logjistike për vitin 2012 që të mbushen rezervat. Udhëzimi i ri administrativ i MTI-së ka zvogëluar sasinë e sulfurit në karburante prej 50 ppm në 10 ppm e cila është konform rregullave të Bashkimit Evropian, kurse më parë sasia e sulfurit ka qenë 5 herë me madhe sesa që është e lejuar. Në Parkun e Biznesit në Drenas është intensifikuar vendosja e bizneseve dhe është arritur përparim në përfundimin e projekteve kapitale të filluara, pasi që atje ka pasur ngecje të punimeve në këtë park për një kohë të gjatë. Ne i kemi intesifikuar proceset, kemi ndryshuar kontratën në mënyrë që t’i përshpejtojmë dhe t’u japim obligime kompanive që t’i shpejtojnë punët. Gjithashtu, synojmë punësimin e qytetarëve sidomos atyre nga komuna e Drenasit në mënyrë që ky park që gjendet në një lokalitet të komunës së Drenasit t’i shërbejë me të vërtetë kësaj komune me rritjen e punësimit dhe zbutjen e varfërisë dhe të shërbejë për atë që është krijuar, që të ndihmojë dhe gjenerojë një ambient më të favorshëm të biznesit.
RKL: Me 7 dhjetor, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e Vetëvendosjes për marrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë, ndërsa Vetëvendosja i ka dhënë afat Qeverisë së Kosovës që deri më datën 1 janar të vitit të ardhshëm të fillojë të zbatojë masat e reciprocitetit me Serbinë. Në të kundërtën, kjo Lëvizje nga data 14 janar do të bllokojë mallrat e Serbisë që hyjnë në Kosovë në dy pikat kryesore kufitare me Serbinë, në Merdare dhe Dheu i Bardhë. Cili do të jetë reagimi i Qeverisë?
Mimoza Kusari – Lila: Unë e kam thënë disa herë deri më tash se në raportet tregtare ka reciprocitet me Serbisë, ka pranim të ndërsjellë të vulave. Masat që janë vendosur me 20 korrik kanë arritur qëllimin, duke e shtyrë Serbinë që t’i pranojë vulat. Tash nëse flasim për masa shtesë të mbrojtjes së ekonomisë, gjegjësisht reciprocitetit që ata kanë kërkuar edhe në aspektin politik dhe ekonomik po kalojmë te faza ku Kosova nuk duhet ta ketë për bazë kushtetutën e vet por t’i ketë për bazë sjelljet e Serbisë sepse është e palogjikshme të kërkohet reciprocitet i plotë me Serbinë në sferën politike dhe ekonomike kur dihet që ajo sjellë apo nxjerrë ligje të cilat janë në kundërshtim me vlerat evropiane.
RKL: Çka nuk e obligon Kosovën?
Mimoza Kusari – Lila: Natyrisht që nuk është dashtë ta obligojë. Është dashtë që ta obligojë që të sillet njëjtë sikur që ne sillemi ndaj tyre. Nëse Vetëvendosja fillon bllokimin e rrugëve ose pikave kufitare, atëherë kjo kalon përtej kompetencës së MTI-së ose dikastereve ekonomik, d.m.th kalon në çështje të rendit dhe ligjit dhe unë shpresoj që të mos vie deri të kjo, për shkak se Kosovës nuk i duhen bllokime të mëtutjeshme. Ne shpresojmë që të lirohen ato bllokada që janë vendosë në veri të Kosovës pasi që tani edhe marrëveshja për lëvizje të lirë ka filluar së zbatuari. Kemi parë vetëm fluksin e makinave nga pikëkalimi në Mërdare në mbrëmjen e 26 dhjetorit, prandaj më tepër sesa t’u krijojmë pasiguri, duhet t’u krijojmë siguri se gjendja po normalizohet. Ne duhet të punojmë për brenda, t’i rregullojmë politikat në mënyrë që të jenë të favorshme për prodhimin vendor, që të jenë të favorshme për rritjen ekonomike sesa të marrim masa radikale të cilat do të bëjnë bllokada rapide ose arbitrare.
RKL: Çka konkretisht e obligon Qeverinë ky mocion?
Mimoza Kusari – Lila: Ky në fakt i rithekson parimet që Qeveria është duke i zbatuar. Sa i përket reciprocitetit tregtar atë e kemi. Për lirinë e lëvizjes keni dëgjuar se reciprociteti është i njëjtë në momentin që Serbia ndërmerr ndonjë veprim, Kosova ka të drejtë t’i kundërpërgjigjet në të njëjtën masë.
RKL: Aktuale këto ditë ishte edhe vendosja e çmimeve referente për prodhimet tona (patatet dhe verërat) nga doganat e Shqipërisë. Si e pranuat ju këtë vendim të Qeverisë shqiptare pas Marrëveshjes e cila thuhet se ishte vetëm gojore për heqjen e çmimeve të referencës, e arritur në qershor të këtij viti pas disa takimeve në nivel ministror?
Mimoza Kusari – Lila: Mendoj që është shumë e qartë raporti i Kosovës me Shqipërinë, nuk është i njëjtë sikur ai me Maqedoninë, Serbinë apo Malin e Zi. Gjithashtu fjala reciprocitet po keqkuptohet për shkak se po nënkuptohet që reciprociteti me Shqipërinë do të thotë mbyllje e kufirit ose diçka e ngjashme siç ka ndodhur me Serbinë. Vendosja e çmimeve referente ndaj ndonjë prodhimi tjetër që nënkupton se vetëm do të ngritej baza doganore ndaj ndonjë produkti të Shqipërisë që hyn në Kosovë. Prej momentit të parë, unë kam deklaruar se gjithmonë do të kujdesemi që ngritja e bazës doganore të produkteve të importuara të mos jetë në dëm të konsumatorit kosovar, gjegjësisht që nëse nuk ka zëvendësime për ato produkte në Kosovë, atëherë të mos e bëjmë një gjë të tillë për faktin se do ta dëmtojmë shumë shportën e konsumatorit dhe nuk kam pasur qasjen e njëjtë. Mënyra si është perceptuar nga ambasadori është çështje tjetër. Menjëherë e kam informuar kryeministrin Berisha, duke shpresuar se ajo çfarë ka ndodhur do të ishte një keqkuptim i organeve zbatuese, gjegjësisht doganave sesa që ishte një vendim i kryeministrit. Gjithashtu edhe në shpjegimin nga ana e Shqipërisë u kuptua që ka ekzistuar një keqkuptim, por ai u evitua shumë shpejt. Prandaj edhe vetë fakti i zgjidhjes së këtij problemi aq shpejtë tregon që Kosova dhe Shqipëria nuk janë në raporte të njëjta sikur Kosova me Serbinë ose Kosova me Maqedoninë. Mendoj se në kuadër të perceptimit publik u ekzagjerua menjëherë termi reciprocitet, duke u menduar diçka e njëjtë si me Serbinë. Nuk ka pasur kërcënim, por ka qenë një rikujtim ndaj Qeverisë shqiptare që ne jemi dakord që të shkojmë jo në ndryshim të politikave, por në të kundërtën, në unifikim të politikave fiskale. Bile edhe ekzistojnë grupet e formuara në qershor të këtij viti në takim me kryeministrin Berisha dhe ministrin e financave Bode. Ka pasuar vizita e ministrit të financave z. Hamza me ministrin Bode, ku janë dakorduar me një grup të përbashkët punues që të bëhet unifikimi i politikave, i procedurave duke përfshirë dhe normën e tatimit të vlerës së shtuar. Kosova dhe Shqipëria do të hapen përfundimisht si një treg i përbashkët për të rritur konkurrentshmërinë e këtij tregu, kur dihet se Ballkani si Ballkan është mjaft i fragmentuar me shtete.
RKL: Pakoja e re fiskale për vitin 2012 pritet te jete në funksion të zhvillimit të bizneseve dhe të ekonomisë në përgjithësi. Çka konkretisht përfitojnë bizneset nga kjo pako?
Mimoza Kusari – Lila: Është një pako cila është diskutuar mjaft gjatë. Pritet dakordimi i fundit në FMN në shkurt të vitit të ardhshëm. Dihet se ne jemi në një program që po monitorohet për së afërmi nga FMN në aspektin e të hyrave dhe buxhetit. Në këtë pako kërkohen lirime për paguesit e doganës dhe shtyrja e pagesës së TVSH-së.
RKL: Për sa ditë nënkupton kjo shtyrje?
Mimoza Kusari – Lila: Mund të shtyhet pagesa deri në gjashtë muaj ose deri sa të realizohet shitja. Gjithashtu jemi duke shikuar masat për industrinë e teknologjisë informative për arsye se në shumicën e vendeve, pajisjet e teknologjisë informative nuk doganohen për faktin se inkurajohet përdorimi i një teknologjie të tillë dhe ngritja e nivelit qoftë të arsimit, proceseve në biznes dhe natyrisht ne do të bisedojmë edhe me asociacionet e bizneseve dhe do të prezentojmë në dogana listën që janë specifike për industrinë në Kosovë. Gjithashtu në mbledhjen e fundit të Qeverisë janë amandamentuar edhe disa ligje, përfshirë edhe ligjin për administratën tatimore që janë reduktuar disa prej procedurave, por gjithashtu edhe është përcaktuar transferimi i bordit të ankesave dhe parashtresave në një degë të gjykatës ekonomike ku në një formë shumë të shpejtë do të prezantohen lëndët dhe do të ketë mundësi të zgjidhjes në mënyrë që të krijohet një siguri të personat kompetent që i shqyrtojnë lëndët por edhe që të mos ketë akumulim të dënimeve ose gjobave. Ne do të kalojmë pjesën e parë të pakos fiskale, prandaj nëse ka kërkesa të tjera dhe nëse shohim se ndryshon ambienti do të duhet të bëjmë edhe lehtësira por gjithmonë duke ruajtur një stabilitet mikrofinanciar.
RKL: A do të ketë ri-formatim të Qeverisë dhe Koalicionit për Kosovë të Re a do t’i ndahet edhe një ministri nëse po cila është ajo?
Mimoza Kusari – Lila: Kjo është një pyetje që në vazhdimësi po përsëritet për faktin
RKL: Ne po e parashtrojmë për herë të parë…
Mimoza Kusari – Lila: Po! Po shtyhet zbatimi i kësaj marrëveshjeje për disa arsyeje. Njëra prej arsyeve kryesore ka qenë situata e cila është krijuar dhe fokusi i të gjithëve në zgjidhjen e problemit në veriun e Kosovës. Ri-formatimi është paralajmëruar, por ende nuk ka filluar diskutimi për ri-formatimin e qeverisë, gjegjësisht diskutimi dhe shqyrtimi i raporteve për secilën ministri, Secila ministri, ka dorëzuar raporte në qeveri për punën e angazhimeve dhe planeve për dy vitet e ardhshme. Natyrisht, kur të vie momenti i duhur për riemërime ose ndryshime pozicionesh, atëherë dy krerët e partive përbërëse të koalicionit, KKR dhe PDK si partia më e madhe në pushtet do të diskutojnë dhe do të shohin cilat janë lëvizjet të cilat mund të bëhen brenda kabinetit qeverisës. Në secilin rast unë ju sigurojë të gjithëve se do të bëhet zgjidhja më e mirë për shqiptarët e Kosovës dhe KKR d.m.th nuk do të insistojë në asgjë që do të jetë në dëm të buxhetit ose qytetarëve. Do të jemi konstruktiv, do të vazhdojmë të mbetemi konstruktiv dhe do të punojmë në dobi të gjithëve sidomos në zbatim të planit ekonomik, prandaj nuk është ndonjë situatë e cila mund të shkaktojë krizë ose mund të shkaktojë luhatje. Në të kundërtën është një situatë e cila synon vetëm përmirësim të mëtutjeshëm të cilësisë qeverisëse.
RKL: Mesazhi i juaj i vitit të ri për qytetarët e Kosovës?
Mimoza Kusari – Lila: Shpresoj, uroj të gjithë qytetarët për një vit të mbarë. Gjithashtu e di se nuk i kemi zgjidhur problemet aq sa kemi dashur për arsye se realiteti në Kosovë është mjaft kompleks por që mund të garantoj dhe siguroj se po punoj me përkushtim dhe shpresojmë që ajo çfarë kemi punuar në vitin 2011 do të jep rezultate pozitive në vitin 2012. Duhet të angazhohemi edhe më shumë duke marrë parasysh që tano fillojmë vitin prej janarit, kur dihet se këtë vit e kemi filluar prej marsit. Gjithashtu e kemi një buxhet të miratuar dhe çdo gjë do të shkojë mbarë dhe Kosova që përfundimisht në vitin 2012 ta bëjë kthesën pozitive në raport të proceseve ekonomike dhe problemit të zvogëlimit të papunësisë dhe varfërisë.
Intervistoi: Jeton SYLA
29 dhjetor 2011