Për shkak të aktivitetit dhe punës e obligimeve të shtuara, në fillim të Gushtit të vitit 1989, me vendim unanim u pranua Izmi Zeka anëtar në Këshillin Drejtues të rrethit e më pas, me rekomandimin e Degës së LPRK-ës jasht vendit kooptohet edhe Nazim Zylfiu. Puna vazhdonte me organizime të ndryshme, si me demostrata, manifestime, pjesëmarrje në aksionin e pajtimit të gjaqeve, përkujtimin e dëshmorëve të lirisë etj . Vlenë të theksohet se në fillim të Janarit të vitit 1991 KD i LPRK -së të Rrethit – Gjilan, Kamenicë dhe Viti, gjithnjë nën drejtimin e Xhevatit, mori vendim që të shpërndahen pamflete në këto tri Komuna, në mënyrë që sa më masivisht të përkujtohen e nderohen me homazh gjithëpopullor, tek varrezat, dëshmorët Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha. Vlen të theksohet se në përkujdesjen, veçanërisht, të Xhevat Qerimit, varrezat e shumë heronjve të rënë viteve të fundit, ishin stolisur me Flamurin Kombëtar dhe me lule! Që nga atëherë është bërë traditë në Gjilan, Manifestimi Flaka e Janarit dhe Homazhet te Varrezat e Dëshmorëve!
Për të gjitha këto punë të mirëorganizuara dhe pandërprerë asnjëherë, që për kohën dhe rrethanat ishin punë mjaft të mëdha dhe shumë të rëndësishme, padyshim se më meritori ishte kryetrimi, kryeudhëheqësi Xhevat Qerimi, që për idol të veprimtarisë kishte luftëtarin e pathyeshëm e të pamposhtur Çelikun e Qëndresës Shqiptare Heroin e Kombit Rexhep Malaj!
Fillimi i shumëpritur i shpartallimit të Jugosllavisë, situata e krijuar në Kosovë e rreth sajë si dhe mbajtja në Shkurt të vitit 1991 e Konferencës së Dytë të Jashtëzakonshme të OMLK-ës- LPRK-ës brenda territorit të Kosovës (me një pjesëmarrje të një numri shumë të madh të veprimtarëve) si dhe nxjerrja e konkluzioneve nga kjo Mbledhje, njëra ndër udhëzimet prioritare ishte edhe përgatitja e ushtarakëve të ardhshëm për luftë të armatosur. Pra tani detyrimisht kërkohej rritja e shkallës së përgjegjsisë me forma të reja të organizimit e përgatitjes. Kështuqë, Xhevati vendos të shkojë në Shqipëri për stërvitje ushtarake bashkë me një numër të konsiderueshem shokësh të Lëvizjes ilegale, me Grupin e Parë. Pas kthimit nga Shqipëria, ai ishte njeriu i parë në cilësinë e Ushtarakut e në bashkëpunim të ngushtë me shokun Ahmet Alia që të fillojë organizimin konkret më shokët e organizatës, në përgaditjet e bërthamave të para luftarake në Anamoravë, pararendëse të UÇK-ës, (të tri Ushtrive Çlirimtare në tokat tona të pushtuara ) e që më vonë mori emrin Zona Operative e Karadakut me Komandant Ahmet Isufi . Pas kthimit nga Shqipëria të grupit të Dytë që poashtu kishte qenë në stërvitje dhe dekonspirimit të tij, zbulohet edhe Grupi i Parë, por me gjasë edhe dikush nga radhët tona kishte dekonspiruar dhe kishte filluar bashkëpunimin me UDB-ën! Kështu që filloi përndjekja dhe shtimi i masave policoro – ushtarake, me një brutalitet të shtuar e të shfrenuar duke burgosur pjestarë të atyre grupeve si dhe pjestarët tjerë të Organizatës. Andaj një pjesë mjaft e madhe e veprimtarëve që i kishin shpëtuar burgosjes kishin emigruar jashtë vendit, një pjesë kishte kaluar në Shqipëri, e një pjesë tjetër në gjysëm ilegalitet dhe ilegalitet të thelllë vepronin akoma brenda vendit.
Përkundër këtyre zhvillimeve, Xhevati nuk pushoi asnjëherë, kudo e ngado që shkonte krijonte baza të reja, duke kontribuar që të forcoheshin lidhjet tona tanimë të krijuara nga ai edhe në Shqipëri për çështje armatimi me synimin kryesor, bashkimin e të gjitha forcave për luftë të armatosur kundër armikut tonë shekullor.
Ishte kthyer vetëm një natë më parë nga Shqipëria për të realizuar detyrat e lëna përgjysmë, për mos ta lënë asnjë qëllim të pa përmbushur në jetën e tij, që e deshti shumë dhe atë donte të i’a falte vetëm Atdheut, që shpesh e thoshte:” Jetën tonë ja kemi borxh vetëm Atdheut”!
Xhevati kishte dëshirë mbi dëshirat ta shihte të lirë vendin dhe popullin e tij duke sakrifikuar gjithqka nga vetja e vet deri në frymën e fundit të jetës së tij, të marrë padrejtësisht e pabesisht, më 10 Janar 1993 , me vrasje të kurdisur edhe “aksidentale” në komunikacion (të provuar edhe dy a tre herë më parë), në mënyrë shumë të kamufluar dhe tinzare nga njerëz të shërbimit sekret serbo-sllav! Ngjarje dhe rast misterioz i heshtur qëllimisht, i pasqaruar as atëherë zyrtarisht me asnjë Raport nga organet përkatëse, as edhe sot, nga asnjë organ përgjegjës! Lavdia i takon Xhevatit dhe veprimtarisë së tij heroike, ndërsa krenaria do të qëndrojë e jetojë gjithmonë tek nëna Rexhije, baba Basri, motrat e vëllezërit e tij, bashkëshortja dhe bijat Qëndresa e Jetmira, si dhe tek të gjithë ata që e patën shok, bashkëveprimtar, mik dhe familjarë. Xhevati e ka fituar pavdekësinë me veprimtarinë e tij të dëshmuar si luftëtarë i denjë i lirisë për idealin e shenjtë të Qëndresës për çlirim dhe bashkim kombëtarë, për ndjenjën e tij patriotike e njerëzore, që populli shqipëtar të Jetë mirë, në begati dhe i lirë në tokat e veta të bashkuara në një shtet e nën Flamurin kuq e zi me Shqipen dykrenare !
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së heroit Xhevat Qerimi dhe të gjithë heronjve tjerë!
10 Janar 2015
Irfan Musmurati
Shok, bashëkveprimtar dhe mik i Heroit Xhevat Qerimi.