Iriqi i kamufluar nga Rexhë Idrizovski i kishte dhënë alarm Komandës së Garnizonit të Krizhevskit, në Kroaci

Iriqi i kamufluar nga Rexhë Idrizovski i kishte dhënë alarm Komandës së Garnizonit të Krizhevskit, në Kroaci

(Ahmet  Qeriqi: Rrëfim  nga romani në  dorëshkrim, “Vegimtari”)

   Në javën  e dytë pas kthimit nga stërvitja, Urtan Qirin e caktojnë roje javore në vendrojën numër 2, e cila ndodhej afër vendrojës pasuese, jo larg treshit. Atje takon ushtarin,  Rexhë Idrizovski.  Ai gëzohet pa masë, meqë kishte afër dy muaj që nuk ishin parë, duke qenë se Rexha  kishte kryer stërvitjet një muaj më parë se Urtani.

   Regjimi në roje ishte sforcuar. Ushtarëve iu kishin ndaluar të merrnin me vete transistorët. Ishte ndaluar rreptësisht dalja jashtë rrethit të vendrojës. Me qëllim të vendosjes së disiplinës së hekurt, apo edhe nga frika e ndonjë invadimi, sikur kishte ndodhur në Çekosllovaki në vitin 1968, raportet në mes të RSFJ-së dhe Bashkimit Sovjetik ishin acaruar tejmase, andaj edhe ishte ngritur skajshëm shkalla e disiplinës ushtarake.

   Në rojën numër 2 ndodheshin tri pika ku ushtarët ruanin  pa ndërprerë, meqë vendi ku ruhej kishte afër tre hektarë pronë nën rrjetin me tela gjemborë. Njëra pikë ndodhej në shtëpizën e efektivit të rojtarëve, ndërsa dy pika afër magazinave me municion. Atje ishte magazina më e madhe ushtarake e garnizonit, mbase edhe e Zonës ushtarake të Zagrebit.

   Në natën me hënë të fillim korrikut të vitit 1968, Urtani caktohet roje në të njëjtën kohë me Rexhë Idrizovskin. Edhe pse ishte e ndaluar që ushtarët gjatë natës të kontaktonin apo të bisedonin, kur ndodheshin në vend-roje, shumica syresh përgjithësisht nuk i përfillnin rregullat. Atë natë, Rexha, kishte sajuar një plan të rrezikshëm. Me rrjetin  që e kishte sajuar, tinëz, gjatë ditës, kishte kapur një iriq dhe ishte afruar te Eknati.

  -Mbaje për pak kohë, derisa ta marr kovën e metalit, i thotë Urtanit.

  -Po ç të duhet iriqi, ore taj?- e qesëndis Urtani.

  -Do të shohësh se ç` do t’ iu bëj kaurrëve që paraqiten si trajma. Rexha kishte gropuar një vend te teli gjembor rreth 200 metra larg nga vendroja, afër telit të brendshëm. E kishte futur iriqin në dhe, dhe e kishte mbuluar sipëri  me kovën e metalit. Sipëri kovës  kishte vendosur një gur, pastaj e kishte mbuluar me dhe. Urtani që po e përcillte sesi Rexha po e varroste iriqin, fillon të frikësohet, duke menduar se shoku i tij i ngushtë kishte lozur mendsh.  Mbase ka sëmundjen e hënës, kishte menduar dhe mornica të ftohta ia kishin kapluar trupin.

  -Dhe ç bëre pra, o i gjorë!-varrose të gjallë, një iriq. Përse je aq i egër, aq mizor?- i thotë Urtani pasi Rexha kryen punën  dhe kthehet në vendroje.

Rexha shikon orën. Pas dhjetë minutash duhej të vinte, ndërrimi.

  -Mos kij merak se nuk ngordh, i kam lënë vrimën nga merr ajër, por ama do ta kuptosh më vonë qëllimin. Do t`ua luaj majkën kaurrëve,  se më shiten trajma.

Urtani nuk e merrte dot me mend atë kurdisje që i dukej fare pa vend, për të mos thënë edhe e çoroditur.

   Ndërrimi i rojës ishte bërë në kohën e caktuar. Rexha dhe Urtani futen në shtëpizën e rojës, të shoqëruar nga tetari kujdestar. Para hyrjes në shtëpizë në vendin e caktuar, bëhej heqja me komandë e fishekëve nga armët.

   Kur futen në kthinën e vogël ku duhej të binin në gjumë, ndihet nga larg një zë i thekshëm i ushtarit që sapo e kishte marrë detyrën e rojës. Ai kishte bërtitur tri herë ndalo, dhe pa vonuar kishte filluar të zbrazte një nga një pesë fishkët e pushkës, M 48. Pas pak kishte shkrepur edhe pushka e rojtarit tjetër. Dhjetari i vendrojës kishte dhënë alarmin dhe kishte zgjuar ushtarët.

  -Zgjohuni edhe ju dy! Iu drejtohet përgjegjës i rojës Rexhës dhe Urtanit që sapo kishin rënë për të fjetur. Nata ishte me hënë, ndërsa lisat ravijëzonin konturat gjigante të hijeve.

  -Lere e mos shkakto panik, të kam thënë se janë frikacakë këta që lavdërohen gjatë ditës. Ka kaluar ndonjë egërsirë dhe ata i kanë mbushur brekët, ia kthen Rexha.

  -Mund të na kenë sulmuar armiqtë, iu urdhëroj të gjithëve të dalim në vende të caktuara!- thotë përgjegjësi i rojës, Hamzo Kurtiq, derisa rojtarët e tjerë ishin zgjuar të përgjumur dhe po përgatiteshin për të marrë urdhrin vijues.

  -Vijmë unë dhe Urtani me ty, të tjerët le të rrinë, – i thotë Rexha përgjegjësit të rojës, fare indiferent duke e marrë  me mend se kishte filluar të realizohej plani që e kishte sajuar një orë më parë.

  -Të shkojmë atëherë!- dëgjohet zëri i shqetësuar i përgjegjësit të rojës. Pas dhjetë minutash, ushtarët që kishin zbrazur fishekët në drejtim, ku Rexha kishte futur iriqin, ende po qëndronin në pozitë sulmi.

  -E keni vrarë apo?- iu ngërmohet Rexha me qesëndisje.

  -Me siguri, meqë nuk po lëviz më! -thotë ushtari që dridhej nga frika por pushkën e mbante në shënjestër, në drejtim të vendit ku kishte zbrazur një karikator. Pak më tutje qëndronte shtrirë në pozitë sulmi me gishtin në këmbëz edhe ushtari tjetër.

  -A kanë lehur qentë? Pyet përgjegjësi i rojës.

  -Jo, përgjigjen njëzëri, duke shikuar hutueshëm.

  -Eja të shkojmë e të shohim, me siguri keni vrarë ndonjë lepur!- i thotë Rexha me qesëndi dhe duke ngritur fortë zërin, me qëllim që ta frikësonte iriqin, edhe pse gjatë natës ndalohej të flitej me zë të lartë.

  -Unë nuk luaj nga vendi, i di rregullat e sjelljes në vendroje. Të shkojë komanduesi dhe ti që tregohesh trim, ia kthen ai.

  -Tërhiquni nga pozita e sulmit se po na vrisni!-  urdhëron përgjegjësi i rojës.

   Kontrolli ishte bërë me dritë të reflektorit dhe nuk ishte shënuar asnjë rrethanë e dyshimtë. Pas 20 minutave Rexha dhe përgjegjësi i rojës, boshnjaku Hamzo Kurtiq, konstatojnë se të dy ushtarët janë frikësuar nga ngatërrimi në telat me gjemba të ndonjë egërsire. Mirëpo mbetej enigmatik fakti se nuk kishin lehur qentë e rojës, të cilët zakonisht lehin në rast të kalimit të egërsirave.  Eknati vetëm atëherë e kishte kuptuar kurdisjen me pasoja të Rexhës, por përmbahej, për të mos treguar as më të voglin dyshim.

   Pas gjysmë ore, ishte përsëritur e njëjta. Njëri nga ushtarët, pasi kishte thirrur tri herë ndalo, edhe ai  kishte zbrazur pesë fishekë. Përgjegjësi boshnjak i rojës Kurtiq, kishte lajmëruar oficerin kujdestar të kazermës, ndërsa kishte ndërruar nga vendroja të dy ushtarët, duke dyshuar se kishin zbrazur municionin qëllimisht. Në vend të tyre kishte emëruar dy rojtarë të tjerë.

   Në kohën kur përgjegjësi i vendrojës, po i qortonte ushtarët që kishin shkrepur kot, ndërsa ata mundoheshin ta bindnin me çdo kusht se ishte diç e panjohur, ose nga jashtë ishte hedhur ndonjë mjet eksplodues, dëgjohet britma e ushtarit tjetër, duke thirrur ndalo! dhe pastaj, edhe ai shkrep disa fishekë. Alarmi ishte dhënë edhe në vendrojën numër një dhe numër tre, për shkaqe sigurie.

    Oficeri kujdestar kishte dhënë alarmin në kazermë, dhe kishte siguruar përgjegjësin se së shpejti do të rrethohej pylli ku ndodheshin magazinat e armatimit në të tri vendrojat. Rexha, tashmë kishte filluar të frikësohej nga kurdisja, mirëpo nuk pendohej. Eknati nuk bëzante edhe pse kishte frikë se po të zbulohej iriqi të dy do të ndëshkoheshin, mbase edhe do t`i dërgonin në gjyqin ushtarak, meqë do të zbulohej se  qëllimisht i kishin dhënë alarmin tërë garnizonit.

   Ushtarët e vendrojës numër dy ishin sistemuar në vende të caktuara. Rexha dhe Eknati kishin kërkuar që të dilnin roje vullnetarisht, deri sa të zbardhte dita, por përgjegjësi i rojës Kurtiq kishte refuzuar. Roja ishte dyfishuar. Rexha fliste me zë të lartë i bindur se iriqi frikësohej nga zëri i njerëzve dhe në rast të tillë ai mblidhej, meqë nuk e kishte futur thellë, por iriqi nuk arrinte ta largonte kovën e metalit, në të cilën ndesheshin ashpër therrat e tij. Po të pushonte zhurma, ai do të bënte përpjekje për të dalë nga kova e metalit, ku ferrat e tij të shumta e të forta fërkoheshin në brendësinë e kovës metalike dhe krijonin zhurmërimën hutuese, e cila nuk identifikohej dot në terr  dhe në një sipërfaqe malore të dendur e të mbushur  me shkurre.

  -Po ju them unë se nuk ka asgjë të dyshimtë, përndryshe, po të kishte diversantë, deri tani do të na kishin vrarë të gjithëve, thotë Rexha me zë të lartë.

  -Nuk dihet jo, mund të kenë hedhur ndonjë mjet eksplodues, me orë të caktuar për eksplodim. Përgjegjësi po mundohej ta bindte Rexhën se çështja megjithatë ishte serioze, meqë e panjohura iu kishte ndodhur katër ushtarëve, në dy radhë të rojeve.

  Në orën 3 e 30, kishte filluar të zbardhte drita. Përforcimet tanimë kishin arritur nga kazerma, ndërsa autoblindat dhe mjete e motorizuara ushtarake dëgjoheshin duke marshuar përreth  kompleksit pyjor të quajtur, Hrastovica. Ishte përforcuar dyshimi se dikush kishte minuar vendin dhe pa vonuar qe dërguar togu i deminimit.

   Rexha nuk merakosej fare, të paktën ashtu dukej. Vetëm ndonjëherë tinëz i luante syrin Urtanit, i cili kishte filluar të frikësohej nga pasojat e mundshme.

   Oficeri kujdestar i kazermës, Kapiteni Radoviq, sapo kishte arritur në vendroje, merr raport nga përgjegjësi i rojës dhe së bashku me të nisen në drejtim të vendit të dyshuar.

   Në një distancë prej 100 metrash sërish dëgjohen gërvishjet më pak të shprehura e ferrave të iriqit në kovën e metalit. Kapiteni Radoviq urdhëron të gjithë ushtarët të largohen nga vendroja, në anën tjetër urdhëron ekipin e deminimit të fillojë punën, meqë dyshohej për vendosjen e një minë tokësore, mbase  teledirigjuese, e cila mund të kishte defekt në sistemin komandues për aktivizim.

  -Na u luajt nëna me ditën e sotme, -i thotë Urtani, Rexhës.

  -Nuk kanë çka na bëjnë. Kur ta zbulojnë, në rastin më të keq të mundshëm kaurrët do të plasin duke qeshur.

  -Nuk ka këtu asgjë për të qeshur! – o vëlla! por me ditën e sotme na mori lumi, ia kthen Urtani tejet i brengosur.

  -Nëse e zbulojnë unë pranoj, meqë iriqi ndodhet në pikën time të rojës, ndërsa  ti asnjë fjalë! – ia kthen Rexha.

  -Në rast të tillë nuk të lë vetëm, edhe unë do ta pranoj.

  -Në asnjë mënyrë!- urdhëron  Rexha.

Pas një orë kontrollimi të terrenit, ekipi deminues zbulon kovën e metaltë dhe iriqin e futur në të. Frika e madhe nga e papritura ishte fundosur në një shaka të tmerrshme dhe banale, të cilën e kishte   kurdisur me mençuri ushtari trim, por edhe sfidues i rrezikshëm, Rexhë Idrizovski, të cilin e njihnin të gjithë në kazermë. Një iriq i futur në një kovë metali, kishte dhënë alarmin tërë një brigade. Dyshimi binte në mesin e ushtarëve, që ia kishin kurdisur njëri-tjetrit.

   Kapiteni Radoviq jep urdhër që të gjithë ushtarët e vendrojës numër dy të tubohen te vendi ku ishte zbuluar iriqi i ngujuar,  në kovën  metalike.

   Tetë ushtarët rojtarë, përgjegjësi i rojës dhe zëvendësi i tij ishin rreshtuar përballë vendit .

  – Ko je od vas jebo jezha (Kush prej jush e ka …iriqin?? pyet ai me cinizëm të tejdukshëm lakonik, duke reflektuar shprehjen serbe,  mjaft të përdorur në komunikim të përditshëm në mesin e  ushtarëve dhe eprorëve, shprehje kjo e cila tanimë kishte lidhje figurative, lifjur me pasojat e mundshme.

  -Unë e kam kurdisur shoku kapiten! thotë Rexha dhe shton:

– E pranoj se kam gabuar për shkak të pasojave, dhe alarmimit mendjelehtë që është dhënë për ju në kazermë, përndryshe e kam bërë me qëllim për të sprovuar këta shokët e mi që  tërë ditën më lavdërohen se janë trima!

  -Dhe mirë ke bërë, të lumtë!- ia kthen kapiteni duke iu afruar me hap ushtarak. Fjalët i kishte shqiptuar figurativisht. Ushtarët nuk nxirrnin zë nga goja. Të gjithë ndiheshin fajtorë nga pasojat e mundshme. Të gjithë prisnin kur do të shkrepte rrufeja e pasuar me urdhrin për arrestimin e Rexhës.

   Kurdisja e Rexhë Idrizovskit kishte ndarë në dysh opinionet në mesin e ushtarakëve të lartë të Garnizonit ushtarak të Krizhevcit. Kapiteni Radoviq, edhe pse nuk kishte arsyetuar veprimin e pamatur të ushtarit Rexho, kishte shfaqur mendimin se veprimi i tij nuk kishte shkaktuar pasoja, përveç rrëmujës, zbrazjes së dhjetëra fishekëve dhe shpenzimeve, që ishin bërë gjatë kohës së alarmit, por që të gjitha këto kishin nxjerrë në sipërfaqe gatishmërinë ushtarake të efektive të ndërlidhura me një situatë në rrethana të mundshme. Kishte kërkuar që rasti të mbyllej, meqë nuk kishte asnjë prapavijë, për ndonjë veprim subversiv. Disa nga oficerët që i urrenin shqiptarët, kishin kërkuar që Rexhë Idrizovski dhe Urtan Qiri të dënoheshin me nga një muaj burg, aq sa ishte shkalla më e lartë e dënimit, që e shqiptonte komanda e Garnizonit për kundërvajtje të natyrës së tillë. Falë angazhimit të kapitenit Radoviq, i cili kishte ndodhur kujdestar atë natë, Rexha dhe Urtani kishin shpëtuar. Tri ditë më vonë Rexhë Idrizovskin e transferojnë në një kazermë të Zagrebit.

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …