Mbiemri origjinal i familjes Boletini, është Maksutaj, nga fisi shalë, të vendosur në fshatin Isniq të Deçanit. Më vonë migruan drejt fshatit Boletin, prej nga morën edhe mbiemrin. Bëmat e tij u bënë legjenda, dhe arratisjet e tij nga turqit e serbët përralla. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane.
Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe qarqeve shoviniste fqinjë. Ai mori pjesë në atë kuvend në krye të delegatëve të Mitrovicës ku u mori përsipër që vendimet e Kuvendit do t’i zbatonte me përpikmëri. Por armiqtë shekullor të Shqipërisë si gjithmonë, sa e panë se shqiptarët filluan të organizohen, gjetën një kalë troje që e futën në mes për të perçarë shqiptarët. Pikërisht kur Lidhja e Pejës po merrte po atë shtrirje e atë karakter Kombëtar si të Lidhjes së Prizrenit, me dorën tradhtare të shqiptarit Mahmut Zajmi të shitur te osmanlia e te Serbia, më 1901 e vrau kryetarin e Lidhjes së Pejës, të madhin Haxhi Zeka.
Betejën e parë me ushtrinë osmane Isa Boletini e ka bërë në vitin 1895. Valiu i Kosovës Hafiz Pasha i dha urdhër majorit Mehmet Efendiut që ta sulmonte në befasi Isa Boletinin ditën e Bajramit. Por Isai ishte mësuar me pabesitë e osmanlijve dhe rrinte gjithmonë në pritje për çdo të papritur. Në atë kohë majori turk në krye të një taborri ushtarësh u nis për Boletin. Ndërkohë Isai i kishte zënë pusi atje ku ai nuk e priste dhe jo vetëm që e shpartalloi ushtrinë osmane po vrau shumë prej tyre dhe vetë majorin që e la kokën në luftë. Ndërsa Isai me forcat e tij i shkoi në fshatin Banjë dhe i çoi fjalë Veliut: “Shnosh e mirë arrita në Banjë, ndërsa majorin Mehmet Efendiun e lash në Boletin. Po të doni urdhnoni edhe ju se po ju pres si majorin”. Kjo fitore u përhap si rrufe në tërë Kosovën dhe autoriteti i Isait urrit shumë sidomos në Kosovën Veriore. Në atë kohë Kulla e Boletinëve u bë një vend peligrinazhi ku shkonin shumë vizitor jo vetëm shqiptar, po edhe gazetarë e korrespondent të huaj gjë e cila i ra në sy qeverisë osmane. Mbështeti rilindësit shqiptarë, veçanërisht për shkollat, madje ndërtoi shkollën e parë në gjuhën shqipe për Boletinin e Shalës.
Në vitin 1902 u hap lajmi në të gjithë Kosovën se së shpejti në Mitrovicë Rusia do të hapte një konsullatë. Qëllimi i saj ishte për t’i shkuar në ndihmë Serbisë. Në atë kohë Isa Boletini, sa e mësoi atë lajm, i çoi fjalë Valiut duke i thënë se ai nuk do ta lejonte që të hapej konsullatë ruse në Mitrovicë. “Na nuk do të lejojmë kurrë që të vijë kangjalloz të Miskokit në Mitrovicë”, i tha Isa atij. Ky ultimatum e shqetësoi shumë qeverië osmane sepse ajo e kishte pranuar me protokoll qeveritar hapjen e konsullatës dhe ajo vendosi që me çdo kusht ta largonte nga Kosova Isa Boletinin. Por ajo e kishte shumë të vështirë ta bënte atë veprim se me Isain nuk ishte më vetëm Shala, por Mitrovica me Vushtëri e Llap. E ndodhur para këtij fakti, ajo vendosi që ta bindë me të mirë Isa Boletinin.
Mbas shumë përpjekjesh ajo ia arriti qëllimit që ta bind Isain që ai të shkonte në Stamboll, por Isai iu vuri këto kushte:
1) Konsullit rus t’i ndalohej ardhja në Mitrovicë
2) Të lihem i armatosun e me shokë
3) Të banojë vetëm në Stamboll
Mirëpo në pikën e parë qeveria e tradhtoi, sepse konsulli rus shkoi në Mitrovicë. Por populli që ishte lidhur me besë se nuk do ta lejonte të hapej konsullata ruse në Mitrovicë, u çua në këmbë dhe filoi luftën. Në atë kohë Konsulli rus që ishte artilier, doli vetë të komandonte topçijt kundra shqiptarëve. Një rezervist shqiptar në ushtrinë osmane pyeti: “Po kush asht ai që po komandon topçijt? Dhe kur i thonë se ishte kangjalozi rus, ai menjëherë ia ktheu pushkën dhe e vrau. Në Stamboll Isai mbajti një qëndrim të papërfillshëm ndaj pashallarëve e qeveritarëve dhe shtëpia e tij ishte kthyer në një vend strehimi për patriotët dhe shtëpi bamirësie për hallexhinjtë që shkonin nga Kosova. Nga Stambolli Isa Boletini u lirua të kthehej në Kosovë pas katër vitesh, më 1906 kur Rusia u mund në luftë nga Japonia se përndryshe s’kishte për t’u liruar kurrë. Kur ia komunikuan lrimin ai tha: “Ma çoi Zoti Zhapanin (Japonezin) në ndihmë e ia theu kryet Muskovit (Rusisë) e mue m’u dha mundësia të kthehem në Kosovë”. Sulltani i dha titullin Bej, (pasha) e çifliqe në Stamboll, vetëm të rrinte atje, por ai iu përgjigj: “Ma i mirë asht Boletini, se Stambolli”.
Mbas kthimit në Kosovë Isai priti e përcolli miq e dashamirë dhe merrte informata nga ata që e vizitonin se si i kishin punët me qeverinë në vendet e tyre. Me këtë ai ia blente mendjen seicilit e duke pa se pothuaj të gjithë ishin të pakënaqur e të gatshëm për veprim, ai me shaka u thoshte: “Po sikur të fillonim ndonjë kryengritje për të fituar të drejtat tona, a jini të gatshëm të baheni fidakqor? (flijuar)”, dhe të gjithë iu përgjigjën se ishin gati. Më 1901-1902, Boletini u caktua si koka e “Rojeve shqiptare” të Sulltan Abdul Hamid II (1876-1909) në Stamboll, ku kaloi 4 vitet e ardhshme. Ai qëndroi në këtë pozitë deri më 1908, kur në nëntor ai i dhá përkrahjen Revolucionit Xhonturk. Ishte një nga organizatorët e Kuvendit të Ferizajt (1908) që luajti rol të rëndësishëm në shpalljen e Kushtetutës. Iu kundërvu politikës reaksionare e antishqiptare të xhonturqëve. Kur Xhavid Pasha dërgoi 7,000 burra me në krye Dervish pashën drejt Shqipërisë që të nënshtronte Kosovën, Isa Boletini me një grusht burrash shtjelluan një mbrojtje të guximshme. Gjatë dëbimit trupat osmane dogjën kullën e familjes së tij në shenjë hakmarrje. Armiqësia ndaj serbëve nisi po më 1908, kur Isa me njerëzit e vet çarmatos bandat serbe të komanduara nga konsulli rus i asaj kohe, të furnizuara me armë po nga Rusia. Në 1909 Boletini udhëhiqte betejat nga Prishtina në Prizren e më tej edhe më gjërë, Burri i Kosovës luajti rolin qendror si kryetar i kryengritjes të përgjithshme në pranverë të 1910 kur udhëhoqi luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910 ku turqit thyhen keqas e më pas ndërton edhe njëherë shkollën shqipe dhe kullën që edhe sot qëndrojnë, e më tej kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë (kjo e fundit u përball me aneksimin e synyar të Sanxhakut) në Shqipëri. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore antiosmane të viteve 1910-1912. Mbështeti kryengritjen antiosmane të v. 1911, udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën Drenicë-Mitrovicë dhe Podujevë-Prishtinë më 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë. Në këtë periudhë emri i tij u lakua e komentua shumë në shtypin e kohës i lidhur me betejat e Cernalevës, Kaçanikut, Shkupit dhe të Kalasë së Mitrovicës, ku gjeti vdekjen edhe konsulli rus që ndihmonte serbët në operacionet kundër shqiptarëve.
Isa Boletini në Vlorë
Në ditët e pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës,- ku tregohet se Ismail Qemali i ofroi një post ministri, e Isa ìa ktheu “Jo Ismail, se duhen njerëz të shkolluar”, dhe i rekomandoi M. Derallen. Këtu ngarkohet dhe krijon Gardën e parë të Ushtrisë shqiptare duke vendosur rregull në disa zona të jugut e duke mbrojtur zonat e bregdetit nga forcat greke. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar e përfaqsues i Ushtrisë Shqiptare, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Historiani Edwin Jacques tregon një anekdotë që trajton sa vijon: “Sa hyri në godinën e Ministrisë së jashtme britanike që të mbronte çështjen e kombit të tij, polici i sigurisë i kërkoj të hiqte revolen nga brezi dhe t’a linte në vendin e posaçëm ngaqë duhet të hynte i paarmatosur. Ai e dorzoi pa u ankuar. Gjatë takimit, ministri i jashtëm, Sir Edward Grey, e shoqëroi Boletinin drejt vendit për të rimarrë revolen e tij. Ku ministri qeshi, ‘Gjeneral, gazetat mund të shkruajnë nesër se Isa Boletini, që as Mahmut Shefqet Pasha s’mund t’a çarmatoste, sapo u çarmatos në Londër.’ Boletini ia ktheu me një përqeshje të butë, ‘Jo, jo, as në Londër!,’ dhe nxori nga prapa një revole të dytë.”
Shqiptarët që shkuan në Londër lanë përshtypje të mira (edhe pse në rrezerva i vetmi që përballonte nivelin e homologëve ishte Luigj Gurakuqi,- sipas At Gjergj Fishtës). Në një rast kur Aubrey Herbert si kryetar i komitetit bashkë me Tonin Prekên shërbyen si përkthyes mes Isa Boletinit e z. Lloyd George ku u tha sa vijon,
“Thuaji atij,” tha Isa, “që unë jam malësor, ashtu si është ai, dhe që unë e di që zemra e tij është e sjellshme karshi atyre që vuajnë.” E tha me shumë shprehi, ”E thuaji që kur të vij pranvera, do të plehërojmë Fushë Kosovën me eshtrat e serbëve, sepse ne shqipëtarët kemi vuajtur shumë për të harruar.”
Në takimet e shpeshta Gjenerali me qeleshe të bardhë la një mbresë të fortë të zakoneve shqiptare, ku askush nuk mund ta shihte pa e admiruar atë. Ai zuri shumë miq, që i treguan lavdinë e Londrës. “Por prapë,” ai i thoshte mikut të tij Aubrey Herbert, “madhështore siç është, e të sjellshëm siç jeni ju Anglezët, Unë nuk do ta ndërroja këtë me shkëmbijtë dhe lumejt e mi.” Ai u kthye në Shqipëri, ku trupat e tij mbrojtën Princ Wilhelm zu Wied deri në nisjen e tij nga Shqipëria, dhe me mbështetjen e kolonelit holandez Thomson, krijon xhandarmërinë e parë shqiptare. Më vonë Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet të madh si udhëheqës popullor. Isa Boletini e lidhi jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët “Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnis. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia!” kur Ibrahim Pasha u kërkoj shaljanëve me Isën në krye të mos niseshin për në Shkup e u premtoi poste. Më 1916 gjendet në Shkodër për të organizuar mbrojtjen nga malazezët. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin dhe tre luftëtarë të tjerë.
Bëhet fjalë mbase për një sekuencë, së cilës fare pak i afrohen versione të ngjashme të historisë botërore, qofshin të hiperbolizuara nga fantazistë. Ja skena e papërsëritshme: “I futur në kurth, Isa Boletini qëllohet nga të gjitha anët me plumba, por nuk bie teksa arrin të qëllojë deri në fund mbi ekzekutorët e vet. I bërë sallatë nga predhat, ai nuk shtrihet, nuk nxjerr zë, nuk dridhet, nuk bën asnjë hap pas, si të ishte prej shkëmbi. Dikur plagët e rrëzojnë në gjunjë, por sërish ai arrin të mbajë armën në duar duke qëlluar… Dhe në momentin që dora e djathtë i copëtohet, e kalon revolen në të majtën…”.
Vrasja në pabesi
Vrasësit e njeriut më të fortë në krah të Ismail Qemalit, njeriut që shpalli Shqipërinë të pavarur, ishin xhandarët malazezë të urdhëruar nga qeveria e këtij vendi, kurse ata që e prenë në besë ishin disa diplomatë francezë. Ishte janar i vitit 1916, pikërisht koha kur trupat austriake pushtonin Malin e Zi, pothuaj pa hasur në asnjë rezistencë. Porse qeveritarët e Malit të Zi, pa u turpëruar nga ky pushtim, pa u turpëruar prej faktit se nuk rezistuan deri në fund, u kujdesën gjithsesi të hiqnin qafe armikun e hershëm, shqiptarin e tmerrshëm, Isa Boletinin, të cilin e mbanin prej disa kohësh të izoluar. Sipas rrëfimeve të një të afërmi të Isa Boletinit, të pasqyruara në librin e Skënder Luarasit “Isa Boletini”, botim i vitit 1971, kthesa përfundimtare e jetës së shqiptarit të madh nis me përfshirjen e Kosovës nën Jugosllavinë, sipas vendimeve të fuqive më të mëdha të Evropës në takimin e Londrës më 1913. Në vitin 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën dhe legjendës së rezistencës për bashkim kombëtar i mbetet të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve. Francezët afrohen dhe konsulli i tyre në Shkodër, Bikok, i thotë Isa Boletinit dhe njerëzve të tij që të shkojnë në Ambasadën Franceze në Cetinë, asokohe kryeqytet i Malit të Zi, nga ku do të merrnin vizë për të shkuar në ndonjë vend neutral. Pikërisht këtu nis edhe plani për ekzekutimin e shqiptarit të madh. Njerëz të Boletinit kishin vënë re një lidhje të çuditshme të diplomatëve francezë me ata malazezë në Shkodër, por kjo do u vinte në mendje më pas. Gjithsesi Isa Boletini dhe shpura e tij mbërrijnë në Cetinë dhe më tej bëjnë një vizitë në ambasadën franceze, ku u tregohet një telegram i paraqitur si urdhër i ministrit të Jashtëm francez për t’i nxjerrë në një vend neutral. Ndërkohë, anglezët, më bujarë, e ftojnë Boletinin ta marrin nën mbrojtje, por nisur nga ligjet e maleve, ai preferon “mikun që i hapi derën i pari”. Pak orë më pas, në mëngjes, Isa Boletini sheh se shtëpia ku bujte ishte rrethuar me xhandarë malazezë. Shqiptarët merren dhe dërgohen në Nikshiq, duke u mbajtur gjatë gjithë kohës nën survejim.
Ekzekutimi
Thyerja e frontit malazez nga austriakët në të njëjtën periudhë kohe dënon me vdekje përfundimisht Isa Boletinin. Ushtarët malazezë e shoqërojnë atë bashkë me njerëzit më të afërt në Danilograd dhe më pas në Podgoricë. Më 23 janar 1916, në ditën kur malazezët po u dorëzonin kryeqytetin pa luftë austriakëve, duket urdhri për vrasjen e Boletinit dhe njerëzve të tij nuk mund të shtyhej më tej. Ekzekutimi i besohet një njësie ushtarake që kishte për qëllim mbajtjen e rregullit në qytet, deri në dorëzimin e tij trupave austriake. Ja rrëfimi i Tafilit, nipit të Isa Boletinit, që i mbijetoi ngjarjes, sipas librit të Skënder Luarasit: “Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin: Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!”. Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje. “Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S’ja kam dorëzue, as Krajlit, as Mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolverë në duar. Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”, rrëfen i mbijetuari.
Sipas Gjillasit
Nuk ka ndodhur shpesh që sllavët të shkruajnë me respekt për shqiptarët, aq më pak ata të jugut. Por duket madhështia e Isa Boletinit i ka kaluar caqet. Millovan Gjillas, shkrimtari i njohur disident, në veprën e tij “Toka pa Drejtësi”, botuar në versionin anglisht në Nju Jork, në vitin 1958, shkruan me respekt për shqiptarin në këtë vepër të tijën, që shumë e kanë krahasuar të barasvlershme me “Donin e Qetë” të Shollohovit. Ja si e sjell ai momentin e vrasjes së Boletinit: “Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë. Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr. Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rënë përdhe. Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte vështruar me sytë e mëdhenj dhe të përgjakur, kishte thënë çka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt. Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndienim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq, megji-thëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij. Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur, në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kërkujt dhe pa falur askënd, ashtu drejt në këmbë, i pambrojtur. Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të! Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë, se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qenë Isa Boletini vetë, apo ndonjë nga oficerët e tij, kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe, sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini, ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe kjo mjaftonte për të, fakti i rënies së tij ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”.
Varrimi
Të marrë në pyetje nga autoritetet austriake, ministrat malazezë u justifikuan se kishin pasur informata se Isa Boletini do të provokonte ngjarje për të djegur dhe plaçkitur qytetin. Sipas tyre, ai ishte vrarë duke sulmuar prefekturën në përpjekje me patrullat e ushtrisë. Organizatorë të drejtpërdrejtë të vrasjes ishin ministri i Luftës, gjenerali Veshoviq, i kunati i Krajl Nikollës, komandanti i Përgjithshëm, gjeneral Janko Vukotiqi, ministri i Punëve të Brendshme, Plamenac, prefekti i Podgoricës, Ramadanoviçi e të tjerë. Trupat e Isa Boletinit dhe njerëzve të tij u vendosën fillimisht në një dhomë të prefekturës, ku u bë edhe identifikimi. Varrimi u bë në Podgoricë dy ditë më pas me pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve banorë të zonës. Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti një fjalim para se arkivoli i Boletinit të futej nën dhe. Gjithsesi askush nuk besonte për vrasjen e Boletinit, pasi nuk ishte hera e parë që lajmet e bënin të vrarë. Po kështu nuk u besua dhe një komunikatë zyrtare e ushtrisë austriake, që jepte lajmin e vrasjes së tij “gjatë një përpjekjeje me malazezët”. Eshtrat e tij u transportuan në Boletin me 25 shtator 2004.
Isa Boletini i dha kuptim luftës së kosovarëve për Shqipëri të përbashkët.Vepra e Isa Boletinit është nderuar në çdo kohë në gjithë Shqipërinë etnike. Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje e sheshe. Gjithashtu ka një batalion special të ushtrisë shqiptare, që u instalua në Irak, që mban emrin e Isa Boletinit.
Tituj popullorë:
Hero i Popullit.
Referencat:
Kujtimet e Aubrey Herbert
Zbulohen eshtrat e humbura t’Isa Boletinit
Jeta dhe vdekja e Isa Boletinit :: Shpirti i Shqiptarit :: Shqiptare te bashkuar per nje Shqiperi te bashkuar ! (Vikipedia)
Tafil Boletini: Pranë Isa Boletinit, kujtime…