Isa Boletini, Robin Hudi i Shqipërisë

          Më 23 janar të vitit 1916, sipas një skenari të përgatitur nga ambasada franceze, ajo e Austohungarisë  dhe Kral Nikolla  i Malit të Zi, në Urën e Ribnicës, karshi Kishës Katolike në Podgoricë, Isa Boletini  me trimat e tij bie në pritë të qindra forcave të armatosura malazeze. Pas një luftimi për jetë a vdekje bie Isai, “Robin Hudi” i shqiptarëve, sikur shkruante asokohe shtypi në Angli. Ai ishte vrarë tradhtisht dhe në përgatitjen e vrasjes së tij kishin marrë pjesë dy fuqitë e mëdha botërore, Franca dhe Austrohungaria. Sipas burimeve historike, dhe shënimeve të nipit të tij, Tafil Boletini, Isai nuk iu kishte besuar evropianëve, por nuk kishte pasur shteg tjetër. Në ditën kritike, kur ai po priste se do ta merrte në mbrojtje ambasada e Francës, edhe pse paraprakisht i kishte ofruar mbrojtje ambasada angleze,  “Një oficer komandues malazez u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini i përgjigjet- Jo besa! S’ja kam dorëzue, as Krajlit, as Mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie  të drejtim të Isait ishte, Pero Buriqi nga fisi malazez Vasojeviqëve. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të gjithë luftëtarët e tij,  me nga dy revolverë në duar. Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, bien  trimërisht: Trimi Pikërisht në atë ditë, shteti kukull i Rusisë dhe i shteteve evropiane, Mali i Zi po i dorëzohej Austrohungarisë, pa asnjë kusht dhe pa e shkrepur asnjë plumb. Ishte dita kur malazezët po e hanin turpin me lugë, ndërsa me vrasjen  e Isa Boletinit në pritë, Krali i Malit të Zi, ishte munduar të tregonte se ai ishte gjallë, edhe pse me turp të dyfishtë.

 

         Shumë vite më vonë Millovan Gjillasi, disidenti i njohur jugosllav i kohës së Kominternit,  kishte shkruar për atë turp të babait të tij dhe çuditërisht, e kishte interpretuar si ditën e turpit të dyfishtë të Malit të Zi.

“Beteja me trupat e parregullta (jo ushtarake) të Isës nuk zgjati shumë, me gjithë heroizmin e Shqiptarëve. Në fushën e betejës ranë si prijësi ashtu edhe shumica e ndjekësve të tij, grupi shoqërues i Isës u shfaros i tëri ndërsa pjesa tjetër u shpërnda. Isa vetë u vra por ai luftoi gjatë dhe trimërisht edhe kur mbeti i vetëm në rrugë. I plagosur u ngrit mbi gjunjë dhe duke qenë se ishte tepër i dobët për të ngritur një pushkë shtiu me pistoletë që të merrte të paktën një jetë në shkëmbim të jetës së tij. Babai vrapoi drejt tij e Shqiptari  e mbështeti pistoletën mbi krahun e tij të majtë. S’pati kohë të qëllonte. Një ushtar e kish vënë në shënjestër dhe ai ra. Babai e arriti dhe Isai e shikoi e shikoi me ato sytë e mëdhenj të gjakosur, tha diçka në gjuhën e tij që Babi s’e kuptoi dhe lëshoi frymën e tij të fundit. Babai i mori Mauzerin e tij të madh me dorezën e larë me argjend dhe e mbajti si kujtimin e tij më të çmuar. S’është çudi që ne fëmijët mbajtëm zi për Isën. Edhe Babai mbajti zi, paçka se ishte krenar që ishte grupi i tij ai që e vrau. Nuk ishte admirim, por një zi e veçantë për një hero të Shqipërisë që luftoi deri në fund në një rrugë të zbrazët mes një fushe të zbrazët pa kërkuar mëshirë, pa kërkuar të falur, në këmbë dhe pa mbrojtje. Kishte edhe admirim në zinë tonë. Nëse dikush duhet të vdesë është mirë të biesh si Isa Boletini. Le të kujtohet kështu, të paktën nga ata që e panë dhe dëgjuan”. (Interpretuar nga libri, “Vend pa drejtësi”, i Millovan Gjillasit, botuar në vitin 1958.).

 

Isa Boletini  lindi në vitin 1864, në fshatin Boletin të rrethit të Mitrovicës. Ka marrë pjesë aktive në të gjitha lëvizjet e kohës së tij, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881. Ka udhëhequr kryengritjet antiosmane në vitet 1910-1912. Ka përfaqësuar Kosovën dhe viset shqiptare në Linde e Verilindje në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912. Gjithmonë i armatosur, në krye të  mijëra kryengritësve, Isa Boletini ka shtegtuar jo vetëm nëpër malet e qytetet e Shqipërisë, por ka marrë pjesës edhe në korpusin diplomatik shqiptar të Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit e të tjerëve. Edhe pse nuk ka kryer ndonjë shkollim të rregullt, ai për veten e tij kishte zgjedhur rrugën e çlirimit të tokave të atdheut me armë në dorë.

           Duke qenë trim, i drejtë dhe njeri i besës, Isai tuboi rreth vetës mijëra kryengritës nga Dukagjini, Drenica nga Rrafshi i Kosovës, Nga Ferizaj e Shkupi e deri në Malësinë e Madhe, në Hot e Grudë.

Jo rastësisht, Isa Boletinin shtypi i kohës e ka krahasuar me Robin Hudin. Ai realisht edhe ishte një Robin Hud i shqiptarëve, sepse tërë jetën e tij ia kushtoi çlirimit të popullit, tërë jetën e kaloi me armë në dorë ashtu sikur edhe në ditën kur ra për të mos vdekur kurrë.  Ai me cilësitë e tij tradicionale të malësorit shqiptar, besën, burrërinë, gjakftohtësinë, maturinë, komunikimin me të gjithë, mbi të gjitha trimërinë e lindur, u bë emër i njohur jo vetëm në Shqipëri e në Ballkan por edhe në Evropë e më gjerë.

 

          Rënia  e Isa Boletinit dhe trimave të tij, në pritën e organizuar nga sllavët e Malit të Zi dhe nga fuqitë e mëdha të Evropës, në Podgoricë, ku kishte shkuar “në besë” të evropianëve, po  i tregonte botës se çështja shqiptare në Ballkan po varrosej, me qëllim për të ngopur orekset gjakatare të serbëve, bullgarëve, e grekëve.

        Evropa diplomatike  asokohe ishte pajtuar që të varrosej çështja shqiptare për hir të paqes dhe me qëllim për të ndëshkuar shqiptarët, që kishin pranuar islamin dhe që trajtoheshin si element i rrezikshëm për të ardhmen e popujve fqinj, pavarësisht faktit se shqiptarët qysh prej kohës së Skënderbeut kishin luftuar në vazhdimësi kundër pushtimit turk, pavarësisht faktit se ata i kishin çliruar të katër Vilajetet e tyre, në kohën kur në tokat e çliruara nga turqit, ishin vërsulur hordat që vinin nga Rusia, Ukraina, Moldavia, Serbia, Bullgaria e Greqia, të cilat vranë masakruan rreth 400 mijë shqiptarë, turq, e hebrenj, shkatërruan e dogjën të gjitha qytetet shqiptare, dëbuan dhunshëm për në Turqi qindra mijëra shqiptarë, boshnjakë, hebrenj e të tjerë. Duke folur për ato krime e masakra të çoroditura thellësisht antinjerëzore, Gjergj Fishta në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, në fytyrë  ua  kishte përplasur mllefin e zëmirimin: Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin, pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë myslimanë, sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sado  Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vitit 1915, italianët pushtojnë Vlorën, gjoja  për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmurë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.

E sot Konferenca e Paqes lypë që pikërisht ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!

 

Sot në përkujtim të  100-vjetorit të rënies së Isa Boletinit, në përkujtim të  janarit  të pësimeve e pikëllimeve shqiptare, reflekton edhe gjendja e rëndë në kacafytje me po ata armiq, serbë, grekë, bullgarë, të cilët edhe sot po i përkrah Bashkimi Evropian, Rusia e Kina.

Sot në përkujtim të Isa Boletinit vëmendja e liridashësve shqiptarë është orientuar në veri të Kosovës, në vendlindjen e Isait, ku Serbia po bën përpjekje ta krijojë një Republikë të vogël përbrenda Kosovës,  atje ku Boletini i Isait, vendlindja e tij e dashur  po mbahet në okupim të Serbisë. Kosova Lindore sot është ajo troha e vogël që ka mbetur nga Sanxhaku i Nishit, nga Kurshumlia e Prokupja, atje ku dikur kishin jetuar  shqiptarët autoktonë, të cilët nuk janë më. Pjesa shqiptare e mbetur nën Serbi është rrudhur në një “Dolinë” në një si Luginë të Preshevës. Rrahja gjoks e krerëve tanë institucionalë në Prishtinë dhe në Tiranë, tingëllon bosh para këtij aktualiteti të vrazhdët, para kësaj gjendje gjithnjë e më të rëndë, për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Ahmet Qeriqi

23. 1. 2016

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …