leoni

Isa Memishi: Kontributi i dr. Mehdi Polisit në revistën, Dituria Islame III

Isa Memishi: Kontributi i dr. Mehdi Polisit në revistën, Dituria Islame III

Profesor Polisi në vazhdim të këtij artikulli, për lexuesit e revistës ”Dituria Islame”, përcjell literaturën që e kishte konsultuar, e që vetë Samiu e kishte prezantuar në parathënie të enciklopedisë ”Kâmûs al-a’lâmin” . Profesor P0lisi rreth literaturës së përdorur nga Samiu gjatë hartimit të kësaj enciklopedie në fusnotë jep të dhëna të studiuesit turk Aga Siir Levnedit. 10)

Profesor Polisi më tej thotë se Samiu, gjatë hartimit të kësaj enciklopedie, jo vetëm që kishte përdorur mjaft vepra të autorëve nga bota e Lindjes por ai  shpeshherë ishte edhe kritik për metodologjinë që kishin përdorur ata autorë. Samiu kishte vërejtje për shumë vepra të kësaj natyre, e sa për ilustrim po përmendim atë që Profesor Polisi shkëput nga parathënia e Samiut. Fjala është për veprën e Jakut Hameviut “Mu’xhem elbuldân” 11  për të cilën thotë se “ndonëse është shkruar pak gjerë, sepse flet gjerësisht për gjëra të dorës së dytë, meriton të quhet fjalor gjeografik.

Nga të dhënat që na prezanton Profesor Polisi shihet se Sami përcillte me kujdes gjithçka që botohej nga orientalistët evropian në fushën e studimeve orientale nëpër qendrat evropiane. Mjafton të përmendim këtë të dhënë që Sami flet për orientalistin Vustenfildi,12 dijetar dhe orientalist gjerman. Sami thotë se këtë vepër të famshme të Jakut Hameviut, kohëve të fundit Vustenfildi e botoi në Lajpcig (Laipsig) dhe me këtë i bëri një shërbim të madh shkencës arabe.

Në vazhdim të këtij punimi Profesor Polisi vazhdon duke thënë se Sami Frashëri nuk ishte i kënaqur me hapësirën që i kushtonin autorët perëndimorë Orientit nëpër enciklopeditë dhe fjalorët e tyre. Ai në vazhdim citon një pjesë nga parathënia e Samiut në ”Kâmûs al-a’lâmin”: ”Ka dallime të mëdha në mes botës islame dhe asaj perëndimore. Fjalorët gjeografikë e historikë në gjuhët evropiane bëjnë fjalë gjerësisht për personalitetet dhe vendet e tyre, kurse për personalitetet dhe vendet islamike shkruajnë shkurtimisht. Përkthimi nga këto gjuhë nuk i plotëson nevojat tona. Për të përgatitur një fjalor historik e gjeografik për nevojat tona, duhet mbledhur vepra të tilla, të shkruara si në gjuhët evropiane ashtu edhe në gjuhët islamike, me qëllim që të bëhet një zgjedhje nga të gjitha. Sikurse evropianët që u kanë dhënë më shumë rëndësi çështjeve që u interesojnë atyre e që i kanë lënë në rend të dytë ato që na interesojnë neve, natyrisht, edhe ne do të kujdesemi më shumë për personalitetet dhe vendet islamike e osmane dhe do t’i trajtojmë në shkallë të dytë ato të tyre”.

Sipas Profesor Polisit, për Samiun puna më e vështirë me të cilën ishte përballur ai ka qenë përzgjedhja e zërave që duhet prezantuar në këtë enciklopedi. Ai nga parathënia shkëput: ”… të përfshihet materiali që do të ishte për interesat tona”.

Ndër vështirësitë kryesore me të cilat është ballafaquar Samiu gjatë hartimit të  zërave që i dedikoheshin Perandorisë Osmane dhe Anadollit në enciklopedinë ”Kâmûs al-a’lâm”, sipas asaj që shkëput Profesor Polisi nga parathënia e vet Samiut, ka qenë mungesa e literaturës së mirëfilltë. Ai lidhur me këtë kishte shkruar: “Të shkruash për personalitetet dhe ngjarjet historike të kohës së Perandorisë Osmane është një punë e vështirë, vazhdon Samiu, sepse, vështirë mund të nxjerrësh dhe të gjesh atë që e kërkon nga disa libra historikë dhe të gjesh histori të rregulluara të kësaj kohe. Për Anadollin dhe Rumelinë është vështirë të gjendet një hartë ose një gjeografi e plotë në gjuhën tonë, por edhe shkrimet që janë në gjuhët evropiane e që lidhen me ne nuk mund të jenë mbështetje e fortë”.

Profesor Polisi më tutje, duke u bazuar në parathënien e enciklopedisë ”Kâmûs al-a’lâm”, shton: ”Samiu kishte qëndruar në mesin e qindra librave dhe kishte shëtitur bibliotekat e shumta dhe kishte shfrytëzuar librat e lënë në pluhur dhe të ngrënë nga krimbat, ia kishte marrë plot 11-12 vjet të jetës”.

Në vazhdim të  këtij punimi Profesor Polisi, pasi që përfundon me prezantimin e parathënies së enciklopedisë ”Kâmûs al-a’lâm”, shton se Samiu në vazhdim jep shpjegime rreth metodologjisë së prezantimit të zërave që nuk i përkasin gjuhëve orientale.

Profesor Polisi thotë se radhitja e lëndës është bërë sipas alfabeti. Një dukuri që vëren Profesor Polisi është edhe prezantimi i datave në dy mënyra, varëshit se zëri i prezantuar cilës botë i takon,. Zërat e botës islame janë prezantuar sipas vitit hixhri, kurse zërat e botës perëndimore janë prezantuar sipas kalendarit miladi. Në fund të kësaj pjese Samiu, sipas Profesor Polisit, i kërkon falje lexuesit për ndonjë lëshim eventual.

Serinë e artikujve, nëpërmjet të cilëve Profesor Polisi, pa asnjë shkëputje, për nëntëmbëdhjetë numra të revistës ”Dituria Islame” e kishte titulluar ”Nga Trashëgimia jonë kulturore nga ”Kâmûs al-a’lâm i  Sami Frashërit”, kurse pas këtij titulli ai prezantonte zërat që do t’i përkthjë në atë numër.

Zërat, me të cilët Samiu i kishte prezantuar personalitet shqiptare, Profesor Polisi i përcjell në mënyrë besnike duke përkthyer tekstin e plotë dhe në mënyrë origjinale mu ashtu siç i kishte hartuar vetë autori.

Profesor Polisi thotë se Samiu datat që kanë të bëjnë me personalitete e botës islame i shënon vetëm sipas kalendarit hixhri13, ai megjithatë gjatë përkthimit të zërave lexuesit të revistës ”Diturisë Islame” ia prezanton edhe datën sipas kalendarit miladi.14)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …