Isa Mustafa e vendosi në Prishtinë, Rugovën, Thaçi e Krasniqi nuk e vendosen, Adem Jasharin

Kryetari i Prishtinës dhe kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, në prag të fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit dhe në përmbushje të premtimeve që i kishte dhënë elektoratit për rregullimin e Sheshit, “Ibrahim Rugova”, solli në Prishtinë dhe vendosi mu në qendër të kryeqytetit, Shtatoren 4 metra e gjysmë të kryetarit, tashmë të ndjerë, Ibrahim Rugova. Duke qenë se Prishtina  ka qenë dhe po vazhdon të mbetet  bastion i fuqishëm i LDK-së, kryetari Isa Mustafa është përkujdesur që Prishtinës t’i japë fizionomi sipas konceptit të LDK-së, duke qenë se qysh prej mbarimit të luftës, kryeqyteti i Kosovës është qeverisur dhe po qeveriset nga zyrtarët e lartë të LDK-së. Duhet pranuar realisht se Prishtina sot ka ndryshuar rrënjësisht nga ajo e pas luftës, edhe pse ka mbetur  shumë punë për t u bërë, meqë në një gjendje të tillë, në të cilën ndodhet përgjithësisht Kosova, por edhe kryeqyteti, ka qenë vështirë të bëhet më shumë. Natyrisht se kundërshtarët politikë dhe konkurrentët për postin e të parit të kryeqytetit i shohin vetëm të metat e dobësitë, por realiteti i demanton shumicën e konstatimeve të tyre në paraqitjet publike nëpër medie

Isa Mustafa, para se të jetë fanatik partiak është politikan pragmatist, punëtor dhe shumë i vyeshëm. Gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes së Prishtinës ka bërë mjaft punë në rregullimin e infrastrukturës së kryeqytetit, rregullimin e rrugëve në tërë komunën e Prishtinës, rregullimin e qendrës së kryeqyteti dhe ka realizuar shumë projekte të cilat nuk do t’ i numërojmë me këtë rast.

Vendosja e Shtatores së dr. Ibrahim Rugovës në qendër të Prishtinës, është një sukses i radhës i kryetarit Mustafa, sepse me këtë veprim, ai ka përforcuar bindjen te elektorati se është një kryetar i cili meriton ta ketë edhe një mandat tjetër të qeverisjes së kryeqytetit. 

Me rastin e zbulimit të shtatores ai ka premtuar që në të ardhmen do ta sjellë edhe shtatoren e Legjendarit, Adem Jashari, e cila i mungon Prishtinës prej vitit 1999, kur luftëtarët e lirisë, invalidët e veteranët kishin bërë kërkesë që një shtatore e Komandantit të UÇK-së doemos duhej të vendosej në Prishtinë.

Sot më shumë se 14 vjet pas çlirimit të Kosovës, Prishtinës i mungon shtatorja e Adem Legjendarit. Një shtatore të tillë kanë mundur ta vendosin 14 herë deri tani, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, të cilët ishin edhe bashkëluftëtarë të tij dhe të cilët kanë pasur e kanë shumë më tepër obligim ta ngrehin një shtatore të tillë sesa ka Isa Mustafa, edhe pse kjo nuk do të thotë se ai duke qenë kryetar i LDK-së nuk paska të drejtë ta ngrehë shtatoren e Legjendarit, sepse Adem Jashari i takon tërë Kosovë, i takon krejt shqiptarëve dhe botës përparimtare liridashëse e demokratike.

 

Pse Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi nuk u interesuan ta sjellin në Prishtinë Adem Jasharin edhe 14 vjet pas luftës?

 

Është kjo një pyetje jo e lehtë për t’i dhënë një përgjigje të shkurtë apo të thjeshtë. Fakti se shtatorja e Adem Jasharit i mungon Prishtinës, por nuk i mungon Tiranës e Shkupit është paksa edhe skandaloz, është pak më shumë se indolencë, është pak më tepër se mungesë përgjegjësie, është një lëshim të cilin nuk mund ta arsyetosh në asnjë mënyrë dhe me asnjë fakt të qëndrueshëm.

 

Pak vite pas luftës komandanti i Zonës Operative të Llapit dhe veteranët e UÇK-së patën vendosur në Prishtinë Shtatoren e heroit, Zahir Pajaziti, në sheshin i cili mban emrin e këtij komandanti të UÇK-së, po ashtu luftëtar emblematik i luftës për liri dhe pavarësi. Veteranët dhe bashkëluftëtarët e Legjendarit kishin propozuar që shtatorja e Adem Jasharit të vendosej në qendër të Prishtinës, në Sheshin famëkeq të bashkim vëllazërimit, në simbolin e treshesh komuniste jugosllave: serb-shqiptar-malazez. Po propozimi i tillë, jo vetëm që nuk u përfill, por si duket të gjithë hoqën dorë dhe u mjaftuan me faktin se Shtatorja e komandantit të UÇK-së ishte vendosur në Skënderaj, afër Prekazit, në vendlindjen e tij.

 

Sot kur në sheshet  kryesore të Prishtinës janë vendosur shtatoret e Skënderbeut, Zahir Pajazitit, “Nënë Terezës” alias Gonxhe Bojaxhiut dhe Ibrahim Rugovës, mungesa e shtatores e Adem Jasharit, nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë dhe me asnjë fakt të qëndrueshëm e të besueshëm.

Nëse dikush ka pasur për detyrë ta vendos Shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë, në radhë të parë këtë detyrë e kanë pasur dy ndër shumë bashkëluftëtarët e tij, dy krerët e pushtetit në Kosovë, kryeministri, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, të cilët emrin dhe mbiemrin e Adem Jasharit e kanë fjalën e parë të alfabetit të tyre politik, e kanë ombrellën që iu ka siguruar pushtet, famë, pasuri, respekt, nderim dhe çka jo. Është vështirë të besosh se mosmarrëveshjet dhe mos pajtimet e tyre kanë të bëjnë me vonesën e vendosjes së Shtatores së Legjendarit, Adem Jashari në Prishtinë.

Po ja që ka ndodhur kështu. Nuk mund të arsyetohet  kjo mangësi me faktin se Prishtina qenka kryeqytet i Kosovës dhe nuk paska vend për shtatoren e një legjendari nga Drenica, sepse Adem Jashari luftoi dhe u sakrifikua me tërë familjen,  jo për t’ i mbrojtur pragjet e jasharëve të Prekazit, (edhe pse pacifistët bënë dhe bëjnë përpjekje për ta përkufizuar veprën e tij heroike si mbrojtës pragu), por për ta çliruar Kosovën dhe për ta bashkuar me Shqipërinë. Mungesa e Shtatores së Adem Jasharit në Prishtinë nuk mund të arsyetohet as me faktin se këtu qenka një “qendër e madhe e botës” e denjë vetëm për emra të mëdhenj, meqë këtu ndodhet  shtatorja e ngritur për së gjalli e Bill Klintonit, por jo edhe ajo e britanikut, Toni Bler,  i cili në mos më shumë ka qenë dhe është po aq meritor për çlirimin e Kosovës, sa  ish-kryetari i Amerikës.

Adem Jashari në Prishtinë ka dy pano të mëdha prej letre, një në objektin ku janë vendosur shoqatat e luftës së UÇK-së dhe një në ambientin e jashtëm të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë.

Duket se nuk qenka e lehtë ta meritosh vendin për një shtatore,  në Prishtinë as kur je Adem Jashar, se lerë më, Isa Boletin apo Ismail Qemal.

(Ahmet Qeriqi)

 

1 Tetori i vitit 1997 paralajmëronte ndeshjen e çlirimtarëve të Kosovës me regjimin kriminal të Milosheviqit

 

Në shtator të vitit 1997, studentët militantë të Universitetit të Prishtinës, të cilët studionin nëpër shtëpitë private, kishin marrë një vendim të prerë për ta shfaqur revoltën e tyre publikisht dhe jo vetëm nëpër tryezat e sallave të shtëpive private të Velanisë së velanisur nga robëria, gjumi dhe deliri pacifist. 16-vjet më parë kreu pacifist i Kosovës nuk ishte bindur dhe nuk pranonte që të mbaheshin protesta publike të studentëve, për shkak se sikur thuhej “do të sfidohej Beogradi dhe do të pësonte edhe imazhi i mirë i Lëvizjes durimtare të Ibrahim Rugovës dhe shumicës së kryetarëve të partive të tjera, po ashtu pacifiste”. Asokohe, krerët e Lëvizjes studentore kishin kërkuar përkrahje në nismën e tyre të rezistencës, por nuk e kishin marrë mbështetjen e asnjë partie, përveç mbështetjes parimore të një segmenti të  PPK-së, të cilën e drejtonte Adem Demaçi. Gazetarët e “Kohës Ditore” të Veton Surroit kishin bërë përpjekje ta bindnin kreun e Lëvizjes Studentore, Albin Kurti që të lajmëronte protestën në akord me ligjet e Serbisë dhe të kërkonte zyrtarisht nga Policia kriminale e Milosheviqit që ajo të lejohej e të mbahej sipas rendit dhe ligjit.

Studentët militantë që kishin pritur 7 vjet politikën qyqare e pacifiste të Ibrahim Rugovës, më në fund kishin vendosur të shpalosnin alternativën e tyre të Lëvizjes së rezistencës aktive, e cila ishte stopuar dhunshëm qysh në fillim të viteve 90, nën represionin serb dhe kërkesat për durim popullor, që i bënte për ditë në çdo “xhuma politike”, kreu i Lëvizjes pacifiste, në barakën e drurit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në afërsi të Stadiumit të Prishtinës.

Ashtu sikur edhe ishte paraparë, protesta kishte filluar në orën dhe në vendin e caktuar, në Prishtinë. Në protestë kishin marrë pjesë mijëra studentë, profesorë dhe liridashës,  jo vetëm nga Kosova por nga të gjitha trojet e robëruara shqiptare të mbetura nën Serbi, në ish-RJM dhe në Mal të Zi. Edhe pse kërkesat kishin të bënin kryesisht me kthimin e studentëve në fakultete e në konvikte dhe kjo nënkuptonte autonominë e plotë të Universitetit si dhe kërkesat legjitime  për liri e barazi, forcat policore të Milosheviqit u vërsulen mbi demonstruesit paqësorë, mbi studentë e profesorë, të cilët demonstronin duarthatë. Policët fillimisht përdorën gazin helmues lotsjellës, pastaj u vërsulen si të çartur duke rrahur e gjymtuar sa e sa studentë e profesorë dhe duke  marrë në pyetje e duke burgosur shumë prej tyre.

Shtypja e dhunshme e protestës studentore të 1 tetorit të vitit 1997, paralajmëronte ndeshjen ballë për ballë të forcave të Lëvizjes së Rezistencës kundër forcave kriminale serbe. Kreu serb në Beograd po u bënte të qartë shqiptarëve se nuk duronte asnjë protestë, as një organizim tjetër përveç organizimit pacifist dhe pajtimit definitiv me robërinë.. Rreth dy muaj  më vonë në fshatin Rezallë e Re, ish-Ludovik, në Drenicë, trimat e UÇK-së në krye me Komandantin  Adem Jashari sulmuan konvojin  e motorizuar serb, duke i shkaktuar humbje të mëdha në teknikë dhe në njerëz. Më 28 Nëntor 1999, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor, Halit Geci në Llaushë, tre komandantë të UÇK-së, heroi i luftës, Mujë Krasniqi, pastaj komandantët, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi  prezantohen publikisht para mijëra shqiptarëve liridashës që po merrnin pjesë në varrimin e mësuesit. Ishte kjo dalja e parë publike e UÇK-së që shënonte edhe fillimin e luftës së organizuar kundër regjimit kriminal dhe shqiptarë-vrasës të Serbisë okupatore.

 

Në 16-vjetorin e revoltës studentore të 1 Tetorit  Kosova nuk është më ajo e dikurshmja, por nuk është as në pozitën e merituar pas tërë gjakut të derdhur rrëke për liri e pavarësi. Edhe pse me luftën heroike dhe fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me ndihmën e forcave të NATO-s Serbia vrastare e kriminale u dëbua përgjithmonë nga vendi ynë, politika aktuale e dominuar nga forcat pacifiste, “pragmatiste”, ka bërë dhe po vazhdon t’i bëjë një varg koncesionesh Serbisë, edhe pse ajo krejt haptas dhe në mënyrë tejet virulente po shpreh pretendimet kolonialiste e hegjemoniste  për t’u rikthyer në Kosovë, duke mos e njohur pavarësinë dhe duke vepruar në çdo drejtim për devalvimin e kësaj pavarësie.

Sot, studentët e Kosovës kanë arsye ta kujtojnë me nderim dhe pietet protestën e 1 tetorit të vitit 1997. Ata ndihen krenarë se mundi, djersa dhe gjaku i tyre nuk shkoi kot dhe nuk ka forcë brenda dhe jashtë Kosovës që do të arrijë ta kthejë gjendjen e para 11 qershorit të vitit 1999.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe deri tani këtë pavarësi e kanë njohur zyrtarisht 103 shtete të botës, në këtë mes Shtetet  e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e madhe, dy ndër shtetet më kontribuuese për lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit.

 

Sot  Viti i ri akademik 2013/2014 në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka filluar me rreth 13 mijë studentë të rinj që janë pranuar këtë vit. Rektori i Universitetit, Ibrahim Gashi, është cituar të ketë deklaruar, se ky numër i studentëve mund të rritet pasi të bëhet edhe shqyrtimi i ankesave. Ai theksoi se në Universitetin e Prishtinës ka vende për rreth 18 mijë studentë të rinj.  “Deri më datë 4 tetor do të bëhet edhe shqyrtimi i ankesave, do të vijnë edhe listat nga shoqatat e dala nga lufta, dhe kjo shifër mund të rritet. Kemi bërë maksimumin dhe ne kemi hapësirë për të pranuar deri në 18 mijë vetë, por nuk besoj se do ta kalojë shifrën 14 mijë deri në 15 mijë studentë”. Nga ky numër rreth 3 mijë studentë do të shpërndahen në universitetet e reja publike. Rektori Gashi tha se viti i ri akademik po fillon me një numër më të madh të stafit akademik dhe që është i lidhur në marrëdhënie të rregullt pune me Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu, janë duke u bërë përpjekje për krijimin e hapësirave.

Studentët e Kosovës kanë arsye të plotë të ndihen mirë, meqë kolegët e tyre, në kohën e luftës kishin lënë përgjysmë studimet, kishin marrë armët në krah dhe ishin bashkuar me çetat çlirimtare të UÇK-së. Për çlirimin e Kosovës kanë rënë më shumë se treqind studentë e studente. Gjaku i tyre  i pastër i derdhur për liri është bazamenti mbi të cilin është ngehur godina e lirisë, e arsimimit dhe edukimit. Universiteti i Prishtinës dhe disa universitete të tjera në qytetet më të mëdha të Kosovës janë,  jo vetëm krenaria jonë por edhe shpresa për një të ardhme më të mirë, më të lumtur e më të ndritur.

1 Tetori është pika referente, që u përkujton sot dhe do t’ iu përkujtojë  brezave në të ardhmen se e kaluara nuk na fali asgjë, përveç territ dhunës dhe paditurisë, se ajo nuk na kurseu, nuk na anashkaloi nga asnjë zezonë. Ajo nuk e pranoi as të drejtën tonë të ligjshme dhe të natyrshme për të jetuar në paqe e në liri në trojet tona autentike, ashtu sikur jetojnë edhe popujt e tjerë të botës. U desh ngritja në këmbë, rrëmbimi i armëve, sakrifica e sa e sa brezave, dalja zot Atdheut për të arritur këtu ku jemi sot. Studentët e Kosovës kurrë nuk do ta harrojnë gjakun e derdhur për liri, nuk do t’i harrojnë kolegët që kanë rënë në të gjitha frontet e luftës në Kosovës, nuk do ta harrojnë amanetin e tyre për ta ruajtur dhe për ta zhvilluar vendin, jo për hir të Evropës e BE-së, jo me çdo kusht për hir të partnerëve ndërkombëtarë, por për hir të bashkimit të trojeve të Atdheut për hir të krijimi të një shteti të përbashkët shqiptar në Ballkan, me të njëjtat të drejta që gëzojnë edhe popujt e tjerë të këtij Gadishulli.

(Ahmet Qeriqi)

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …