Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa thotë se asnjë kandidat nuk është paraqitur zyrtarisht se do garojë për të zëvendësuar atë. Kanë mbetur fiks dy javë deri në mbajtjen Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, ku pritet që delegatët të zgjedhin kryetarin e ri të kësaj partie. Tanimë janë një numër i personaliteteve të kësaj partie, që si duket kanë shprehur ambicien për të qenë kandidatë. Megjithatë reagimet e fundit të zyrtarëve të LDK-së nëpër rrjetet sociale, tregojnë se bëhet fjalë për ndarjen në dy tabore brenda kësaj partie. Ata që përkrahin Lutfi Hazirin për kryetar dhe ata që e duan Kujtim Shalën në këtë pozitë. Por, ende nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare që është dorëzuar në këtë parti, e që do garonte për të zëvendësuar kryetarin 10 vjeçar të LDK-së, Isa Mustafën. Këtë e ka konfirmuar vetë ish-kreu i kësaj partie.
