Në postimin e tij të dytë lidhur me rrjedhat politike e qeveritare në vend, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa shkruan: Do të kisha dëshiruar që të shkruaj se si , PDK, VV, Lista Serbe, AAK, Nisma, përfaqësuesit e turqve, boshnjakëve, romëve, ashkalinjve, egjiptasëve në Kuvend dhe qytetarët vlerësuan një punë me përkushtim në rritjen ekonomike stabile prej 4%, për dy vitet e fundit ( më të lartën në regjion) dhe punësimit të mbi 40 mijë njerëzve, se iu gëzuan rritjes së buxhetit të Kosovës, për herë të parë në mbi 2 miliard euro, stabilitetit buxhetor dhe financiar, rritjes së pensioneve; pensioneve të veteranëve të UÇK-së, Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Kodit shtetëror telefonik të Kosovës, integrimit të komunave të veriut dhe zhbërjes së Mbrojtjes Civile në Veri, përmbushjes së 93 nga 94 kriteret për liberalizimin e vizave; vlerësuan se nuk e dëmtuam paranë publike gjatë kësaj periudhe dhe ndërtuam standarde të reja qeverisëse.
Me mirësjellje dhe mirëkuptim do të shkruaja se na kritikuan dhe bënë vërejtje me vend për proceset, të cilat duhet t’i qojmë më shpejtë, për punësim më të madh të të rinjve dhe grave, për tërheqje më të madhe të investimeve nga jashtë, për shëndetësi më të organizuar, për arsim më të mirë, për jetë më të begatshme kulturore,… për procese më demokratike ….
Kjo nuk ndodhi, sepse ata që e rrëzuan qeverinë i dhanë të drejtë dhunës. Legalizuan gurët dhe flakën e hedhur mbi policët tanë (djem dhe vajza të këtij vendi që shërbejnë për një pagë për të mbajtur familjet e tyre dhe për të mbrojtur shtetin e tyre). Promovuan akterët e flakës së vënë ndërtesës së Qeverisë dhe të Kuvendit, të sulmeve me mollotov dhe bomba në shtëpi private, të kanonadave të gazit lotsjellës dhe dhunës në Sallën ku aprovohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Të predhave të drejtuara në Kuvendin e Kosovës, ka shkruar mes tjerash kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.