Isen Elezi është i lindur më 1. 8. 1948, në fshatin Sllatinë të Kaçanikut. Prindërit e tij, Rrustemi dhe Zilfija kishin 12 fëmijë: tetë djem e katër motra. Familja e ngushtë e Isenit ishte 8-anëtarëshe. Ai me bashkëshorten kishte katër vajza dhe dy djem.
Arsimin fillor e ka kryer në fshatin Doganaj të Kaçanikut, kurse në vitin 1968, kishte kryer dhe kursin për murator. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në armatën jugosllave, në vitin 1970 shkoi për të punuar në Zvicër. Më parë kishte punuar edhe në Shkup të Maqedonisë.Në vitet ’80 të shekullit të kaluar u punësua në fabrikën e gëlqeres në Kaçanik, ku punoi disa vite. Pastaj punoi si inkasant në ndërmarrjen e ujit në bashkësinë lokale të Doganjve dhe në komunën e Kaçanikut deri në vitin 1990. Në vitin 1993, policia serbe i kërkonte një armë Isenit dhe ia bastisi edhe shtëpinë. Në fillim të vitit 1994 u detyrua të largohet nga vendlindja dhe të shkojë ilegalisht në Gjermani, ku përveç punës fizike u angazhua edhe për çështjen kombëtare, sipas instruksioneve të të vëllait, Remziut, i cili më 13. 9. 1985 u burgos dhe vuajti dënimin deri ne vitin 1991.
Me daljen në skenë të UÇK-së, Iseni u vu në përkrahje të saj dhe më 15 gusht të vitit 1998 iu bashkua radhëve të saj, në Jezerc të Ferizajt. Pas ofensivës triditore të forcave serbe në fund të shtatorit 1998, ai arriti në fshatin e tij të lindjes, së bashku me rreth 40 bashkëluftëtarë me në krye Qamil Ilazin (komandant Bardhi), ku qëndroi tri ditë. Ndërkohë radhëve të UÇK-së iu bashkuan edhe katër vëllezërit e Isenit: Ilmiu, Azemi, Remziu dhe Xhabiri, icili u emërua komandant i Policisë Ushtarake në Brigadën 162 “Agim Bajrami”.
Iseni mori pjesë në luftimet e zhvilluara në Jezerc të zonës së Nerodimes. Gjithashtu mori pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në Ivajë e në fshatrat e tjera të Kaçanikut, ku operoi Brigada 162 “Agim Bajrami”.
Më 12. 4. 1999, komanda e njësisë së tij e lejoi Isenin të shkojë në shtëpi, pasi edhe ishte paksa i sëmurë. Mirëpo, në ditën e hershme të 13 Prillit, militarët serbë, të mbështetur edhe nga disa shqipfolës, rrethuan fshatin Sllatinë, duke pasur informacion se aty ishin mbi 100 pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në atë rrethim ra dëshmor edhe Isen, në shkëmbim zjarri kundër ushtrisë serbe. Atë ditë ra edhe ushtari i lirisë Ramadan Xhokli, kurse u plagos bashkëluftëtari i tyre, Ramadan Murseli. Po ashtu pësuan edhe shumë banorë të fshatit Sllatinë, i cili u dogj tërësisht.
Isen Elezi ishte pjesëtar i Batalionit të Parë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
Rivarrimi i dëshmorit Isen Elezi u bë në varrezat e dëshmorëve në Kaçanik. Në shenjë respekti për veprën e tij dhe bashkëluftëtarëve të tij, në vendin e rënies, në Sllatinë është vendosur pllaka përkujtimore. Familja e tij ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Kuvendi Komunal i Kaçanikut, Brigada 162 “Agim Bajrami” etj.
Isen Elezi ishte i martuar me Feriden me të cilën pati fëmijët: Rrustemin, Jetonin, Imrijen, Mirijen, Meritën, Lirijen, të cilët ndihen krenarë për veprën heroike të babait të tyre dëshmor. (H. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …