Ish-ambasadori i Holandës në vendin tonë, Robert Bosch ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Gjykatës Speciale, për të cilën ka thënë se është skandaloze. Ai ka përkujtuar se procesi për krijimin e kësaj Gjykate ka nisur sa ai ishte ambasador në Kosovë. “I gjithë procesi nisi kur kam qenë në Prishtinë si ambasador, nisi kur u publikua raporti i (senatorit zviceran, Dick) Martyt dhe gjithkush u befasua tmerrësisht për akuzat rreth trafikimit të organeve. Kjo ka qenë arsyeja mbi të cilën serbët arritën ta shtyjnë komunitetin ndërkombëtar për formimin e Gjykatës Speciale. Dhe nëse ato pretendime do të qëndronin, patjetër që do të ishte e tmerrshme prandaj ndërkombëtarët e mbështetën krijimin e Gjykatës. Pas 2 vjetësh, (ish-kryeprorkurori i Speciale, Clint) Williamson, prokurori që hetoi këto pretendime, erdhi në përfundim se nuk kishte trafikim organesh por ka krime tjera që mund të jenë kryer. Por, sipas meje, nuk kishte kuptim të vazhdohej sepse një Gjykatë e tillë kushtonte shumë dhe do të duhet të krijohej vetëm për diçka të tmerrshme si trafikimi i organeve. Gjithë këta prokurorë dhe gjyqtarë që duan të kenë punë që paguhet mirë, vetëm po e vazhdojnë, e vazhdojnë dhe vazhdojnë, por mendoj se në një situatë normale, e kjo për faj të politikanëve që e lejojnë këtë të vazhdojë sepse këto janë taksat e evropianëve që vazhdojnë të paguajnë për këtë Gjykatë” ka theksuar mes tjerash, ish-ambasadori i Holandës në vendin tonë, Robert Bosch.
