Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po bëjnë Epopenë e vazhdimit të luftës, deklaron ish-gjenerali, Kudusi Lama. Ai thotë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë të zënë peng dhe prapa grilave po vazhdojnë luftën për ta bërë të fuqishëm kombin shqiptar. Në 27-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral Lama thotë se fjalime do të mbajnë, ata që nuk marrin vesh nga lufta. Këtë e quan të neveritshme dhe shërbim ndaj Serbisë, teksa shprehet i pakënaqur me trajtimin që i bëhet sot luftës çlirimtare. Gjenerali i luftës deklaron se Kosova e Shqipëria nuk po bëjnë asgjë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Ata nuk janë tjetër vetëm se të marrë peng për interesa të Serbisë. Kështu që për fatin e keq nuk ka asnjë kujdestar që merret me ta nga atdheu i tyre, nga shteti i tyre edhe nga kombi i tyre. Ata janë shumë të fortë dhe vërtet ata po bëjnë një Epope atje në Hagë, prapa hekurave. Po bëjnë Epopenë e tyre, Epopenë e vazhdimit të luftës për ta bërë fuqishëm kombin shqiptar, nënvizoi gjenerali, Kudusi Lama.
