Ish-ministri i Arsimit nga radhët e LDK-së, Rexhep Osmani që ligjëron në Fakultetin e Edukimit në UP, është shoqëruar në Polici pas dyshimeve se ka kërkuar favore seksuale nga një studente në shkëmbim të notës. Me urdhër të prokurorit i njëjti është liruar në procedurë të rregullt. “Viktima femër K-Shqiptare ka raportuar se i dyshuari mashkull K-Shqiptar e ka ngacmuar seksualisht. Viktima nuk ka pësuar lëndime trupore. I dyshuari pas intervistës me urdhër të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës. Ndërkohë, burime brenda Fakultetit të Edukimit bëjnë të ditur se Rexhep Osmani është përfshirë në një përleshje fizike. Sipas po këtyre burimeve, studentja që ka qenë e martuar ka lajmëruar bashkëshortin e saj duke pretenduar se është ngacmuar seksualisht nga profesori i saj. Më pas, rasti ka eskaluar në përleshje fizike mes bashkëshortit të saj dhe Rexhep Osmanit. Ky i fundit në një prononcim për mediet online ka sqaruar rastin, duke thënë se gjithçka ka qenë keqkuptim dhe se nuk ka pasur kurrfarë ngacmimi në këtë mes.
