Fshati Mallapolc i Shtimes, luftës së UÇK-së i ka dhënë dëshmorët: Islam Neziraj, Sadik Mujota, Skënder Salihaj dhe shumë martirë.
Islam Neziraj lindi në fshatin Mollapolc, më 6 shtator të vitit 1981. Shkollën fillore e ka kryer në Mallapolc dhe në fshatin Petrovë. Pasi kryen shkollën tetëvçare, më 1996 dhe pas një viti pause, u regjistrua ne Shkollën e Mesme “Naim Frashëri”, në Shtime, në drejtimin e Veterinarisë. Vitin e parë e ka përfunduar me sukses ndërsa të dytin nuk e vazhdoi fare, sepse ishte inkuadruar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në pranverën e hershme të vitit 1998, Islami duke qenë nxënës i shkollës se mesme, së bashku me shumë shokë të tij mori pjesë në protestat dhe demonstratat që zhvilloheshin në Shtime dhe në qytete të tjera të Kosovës kundër dhunës serbe, në përkrahje të Drenicës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kontaktet e para me luftëtarët e lirisë i pati gjatë muajve qershor, korrik 1998. Fillimisht me disa bashkëfshatarë mori pjesë në hapjen e istikameve ne fshatin Carralevë. Në muajin korrik të po atij viti Islami se bashku me djalin e axhës, Bajram Neziraj, u regjistrua si rekrut I radhëve të ushtrisë në fshatin Rancë, ku komandant i pikës ishte Isak Musliu, i njohur me emrin e luftës “Qerçizi”. Meqë nuk kishte armë të mjaftueshme për të gjithë vullnetarët, Islami merr pjesë në vëzhgim por edhe në punë të ndryshme në shërbim të luftës.
Më 21 Shtator 1998, së bashku me Bajram Neziaraj u bë pjesëtar i UÇK-së në fshatin Rancë. Shokët e pagëzuan me nofkën “Qershori” ndërsa Bajramin e quanin, “Shtatori”.
Gjatë kohës sa ishte pjesëtar i UÇK-së mori pjesë në stervitjet ushtarake të cilat asokohe ishin organizuar nga Emrush Xhema “Lushi” e të tjerë.
Fillimisht ishte caktuar në Pikën e Rancës ku edhe kishte qëndruar gjatë tërë asaj kohe. Në kohën e strukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Islam Neziraj caktohet në radhët e Brigadës 161 “Ahmet Kaçiku” në Batalionin e Parë, që vepronte në fshatrat Rancë e Petrovë.
Duke qenë i ri në moshë, eprorët e luftës e kishin caktuar në detyrën e korrierit, të rojtarit në shtab, por edhe në aksione të ndryshme.
Ishte kurdoherë në mesin e shokëve të tij të luftës dhe idealit. Ka bashkëvepruar me kushëririn Bajrma Neziraj, Fadil Ademaj, Xhemë Tërshani, Arsim Hajrizi, Sokol Rexha e shumë të tjerë.
Si pjesëtar i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka marrë pjesë në betejat që kohë pas kohe janë zhvilluar në Rancë, Carralevë, Belincë, Petrovë, e në fshatin Dramjak ku edhe shtrihej forca mbrojtëse Batalionit të Parë të Brigadës 161, e cila kishte marrë emrin e komandanti dëshmor, Ahmet Kaçiku, i cili kishte rënë në altarin e lirisë më 18 janar të vitit 1999, në mbrojtje të kufomave të Masakrës së Reçakut.
Pas fillimit të bombardimit të avionëve të NATO-s, forcat ushtarake dhe policore serbe kishin bërë përpjekje të pareshtura për ta eliminuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për këtë qëllim ata kishin sjellë në Kosovë dhjetëra mijëra ushtarë, policë, mercenarë e paramilitarë.
Duke parë se po u vinte fundi, serbët po bënin përpjekje që të shkatërronin çdo gjë shqiptare. Lufta po merrte përmasa. Islami tashmë ishte ushtar i kalitur ndër beteja edhe pse ende i ri në moshë.
Komanda e batalionit e kishte caktuar në pikat e vëzhgimit në relacionin Petrovë-Rancë territor të cilin e njihte mjaft mirë. Më 10 maj 1999 ndodhej në detyrë ushtarake së bashku me luftëtarët: Baki Rashiti dhe Nebih Sopa. Papritmas goditet nga breshëria e armës armike dhe po atë ditë, gjaku i tij i njomë djaloshar kishte përskuqur tokën e Kosovës, të etur për liri. Bashkëluftëtarët dhe eprorët e tij, edhe pse në rrethana të luftimeve të pandërprera, më 14 maj, me nderime ushtarake e varrosin në “Varrezat e Dëshmorëve”, në fshatin Mollapolc, në vendlindjen e tij të dashur.
Në përvjetorin e dytë të rënies, bashkëluftëtarët i kanë ngritur përmendore në vendin e rënies.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e ka shpallur dëshmor të kombit.
Familja e dëshmorit është nderuar me Mirënjohje nga manifestimi kulturor Flaka e Janarit. Po ashtu është nderuar me Mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeveris së Përkohshme të Kosovës. Familja e dëshmorit ka marrë Mirënjohje nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.
Islami ka lënë babain, Asimin, vëllezërit: Hyzerin, Ylberin dhe Lulëzimin. Në nderim, përkujtim e mos-harrim, vëllai i tij Ylberi, e ka emëruar djalin e vet, me emrin e vëllait dëshmor, Islam Neziraj. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …