Islam Olluri, është në mesin e poetëve që kanë shkruar e shkruajnë por nuk kanë botuar, dhe, sikur hezitojnë t’i botojnë poezitë e tyre, jo sepse dyshojnë në vlerat e krijimeve të veta, por mbase sepse mendojnë se dikush tjetër, ndonjë institucion apo shoqatë poetësh duhet të interesohet për to, ashtu sikur edhe ka ndodhur në të kaluarën, por tash nuk ndodh më, përveç në raste të veçanta.
Poezitë e Islam Ollurit, shquhen për qartësi mendimesh, seriozitet në shtjellimin poetik, perceptim realist të përshkrimit të realitetit, por me një dozë të shprehur të pesimizmit jetësor, që buron nga një realitet objektiv brenda individit, por edhe brenda shoqërisë përgjithësisht.
Poezia e tij meditative është e mbushur me skena, që sjellin në trajtim të kaluarën dhe pasojat që ka lënë jeta nën robëri, por edhe jeta në liri, sepse njeriu i përmbajtur, i tërhequr dhe i drejtë, prore ndeshet me realitetin e vrazhdë, prore ndodhet para dilemave, prore në luftën e së mirës kundër dhunës e së keqes, sepse e tillë ka qenë është dhe do të jetë jeta njerëzore…
Në krijimet e tij poetike, Islam Olluri është zotërues i vetës dhe i realitetit në kohë e hapësirë, në sinkroni e diakroni, është në elementin e vetë jetës, së ftohtë e të vrazhdë, e tillë çfarë është tani, kur njeriu zhvishet nga ëndërr, synimet dhe ballafaqohet me lakuriqësinë e një jete në të perënduar, por fatit kurrë nuk i dihet “edhe pse jeta kalon si treni i shpejtë, i cili nuk ndalet në asnjë stacion dhe nuk kthen kurrë prapa”, sikur thoshte shkrimtari i madh hungarez, Moric Zhigmond…
Pavarësisht se notat e errëta dominojnë në sekuencat shpirtërore të disponimit, poezia e Islam Ollurit, është dinjitoze, e stisur me mendime e meditime filozofike e poetike, është tejet e frymëzuar nga fati i jetës, nga ndeshtrashat e së kaluarës. Këto poezi të ngelin gjatë në kujtesë, si dromca rrëfimesh nga jeta, nga koha e cila e bën të vetën, nga koha që shëron plagë e vaje, por edhe nga koha që kafshon idhshëm dhe pakthyeshëm… Islami është i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për të gjitha, andaj shkruan, krijon, mediton, nuk dorëzohet, por zbraz edhe zemërimin, duke kujtuar edhe grushtin e Migjenit…
Dilemë
Dy udhë ke në jetë
nuk të them dot cilën ta ndjekësh
biri im,
një të vështirë të krenarisë
dhe një të ligësisë së lehtë
të ulesh krye
e të tërhiqesh edhe kur ke të drejtë
të mbash anën e kapllanëve
e të presësh në besë miq e shokë
për një gradë a për një kockë
të ndryshosh formë e trajtë
për çdo ditë, për çdo javë
të kërcesh ashtu si të rrahin def
thjesht të jesh palaço
me të ngreh zhag nëpër udhë
me të lanë pa bukë, pa ujë
me ditë, me javë, me muaj
me te fye e me të përbuzë
dhe ti mos me ndryshue bindje
as me qite shokë
as krye ulë
as me ulë flamur
as me mbyll sy me shami
edhe kur duan me të varë në litar
edhe kur duan me të mbyll në qeli.
Fund-viti
Më duket se kanë filluar të numërohen mbrapshtë,
nëntë, tetë, tre, dy,
dhe bam fishek-zjarret!
Dhe ti nuk e prishë shumë terezinë
Për Vitin e ri qe po vjen
mbase të kanë tepruar te vjetrit
bile të kanë dalë për hundesh
sa shumë t’ u kanë bërë
sa nuk e dallon dot ma cili është viti i ri
dhe cili është viti i vjetër
O zot! sa pak vite të kanë mbetur
sa gishtat e njërës dorë
sa te dyjave bashkë!
ose në variantin më të keq
vetëm sa një gisht.
Jashtë bie borë
brenda mall e trishtim,
duhet të pi edhe pak verë
deri sa të më bëhet krejt rrafsh
T’i hedh tutje gjysmën e viteve
bile vetëm për një natë
Lëshoja edhe pak zërin televizorit
kjo këngë me pëlqen shumë
kjo këngë me mallëngjen
kjo këngë me shti ne dhe, shtatë pash
(Lulëzoi fusha lulëzoi mali
Bukuri ka ra ne dynja
Ku me je shpirt se me ka marr malli
O sytë e mi janë mbushë me vaj )
Dua të pi edhe pak verë
Edhe një cigare me e ndezë.
Do ta thyej premtimin, do të rebelohem
Ta heq merakun e krejt gjërave të ndaluara,
Ç rëndësi ka të jetosh
një vit me shumë ose një vit me pak
kur miliona vjet nuk je më !
Zhgënjim
Ty asgjë nuk të bie tamam
edhe kur ndoshta është tamam
ty prapë nuk të bie.
Nuk e di përse rebelohesh kot
tash je krejt i lirë, vrapo, kërce
fishkëllo
ndalu !
bir barkas dhe shkarravitu
në bari deri sa të lodhesh
pastaj shtrihu ne kokërr të shpinës
shikoi yjet si vezullojnë në qiell
dhe përpiqu t’ i numërosh
deri sa të zë gjumi
Mos harro të lutesh
nesër të kesh më shumë fat!
Epilog
Pi venë duke dëgjuar Wagnerin
dhe dehu deri ne pafundësi
Bën dashuri si për të parën herë .
pa çka se është hera e fundit
Koha është shumë e shkurtë
batica vetëm sa nuk ka ardhë
Nëse do ta sfidosh ferrin
dhe mes për mes t i biesh
mos shko esëll shko i dehur
Nuk ka asgjë përtej Urës së Siratit
as kopsht me lule as llavë zjarri nuk ka
mos u bën merak !
Pamje vjeshte
Gjithkah gjethe pemësh të kuqërremta
që bien në tokë duke vallëzuar
është fluturimi i parë dhe i fundit
për para se bora ka për t’ i mbuluar.
Për pak kohë të zë trishtimi
të duket vetja gjeth i shkretë
kah do që të ka përplasur jeta
ti përsëri je ngritur vet !
Por atëherë kishe një ëndërr
por dikur kishe një shpresë
Tash të janë zënë damarët në zemër
sikur zë akulli krojet në bjeshkë.
Murtaja
Tash nuk është kohë e mirë
Për të vdekur, dëgjomë mua
Shtyje sa të mundesh
shtyje deri sa të kalojë murtaja
dhe merre vëmendjen e të gjallëve
dhe jepu kohe të qajnë e të kujtojnë.
Tash është pranverë
Është stina e ringjalljeve
dhe jo e mortjeve
mos vdis sot!
ke një mijë arsye mos me vdekë
Askush nuk e do as dasmën
pa ceremoni
e lerë më vdekjen.
Është pranverë e hershme
dhe lule-bozhuret ende nuk kanë qelë
ka me të mbetur merak përgjithmonë
5 prill 2020
Lipjan
Krizë moshe
Mbase të është shurdhuar pipi
dhe më nuk të dëgjon kush
për ditë po të ngushtohet rrethi
mos ngrit krye kot
me gdhend në këmbën tënde
gati të gjithë janë kundër teje
je bërë si cung kovaçi !
aktro
te vyen edhe pak
diplomaci
banjau rrafsh të gjithëve
le të rrezohen pak
a nuk ashtë sharti i parë
me ia ditë hallin vetes
mbase tash ke hy në rreth te fundit
je elektron i lirë
tash ke hy në zonë me rrezik
kujdes!
Këtu minat pëlcasin si gacat
gati pa asnjë paralajmërim
ne çdo vend, në çdo kohë
edhe pa i shkelë me këmbë
edhe pa i prekur me dorë
Çudi kujtimet i mbysin shpresat !
Shifra 65
Edhe kjo puna e punës u krye
tash të ka mbetur vetëm edhe pak
mbase edhe një vrap kali distancë
deri ne fund
deri ne sernishtë
dhe ty te kujtohet hapi i parë
krejt ne fillim te ecjes
ecja këmba doras neper harmoq
dhe përballja e parë me buburrecat e kuq
Nota e parë dysh për vijat e drejta
te shkruara trash dhe shtrembër
të bëra troç si thupra shelgu ne ujë
Çudi sa shpejt ikin vitet
e unë lutesha me u rritë më shpejt
tash nuk kisha dashtë me mbarue kurrë
ajo kohë
më shumë se artriti
të mbytë
shifra 65
Llixhë e Elbasanit, Llixhë
Sfidë
Sonte e kam sosur ta sfidoj
gravitetin
jam duke qëndruar pezull mbi re
pa lëvizur krah as qerpik!
Sonte dua ta ndal rrotullimin
e globit
jam këtu në inkubator
Duke pritur të shtoj në peshë
e me më dal puplat !
Sonte me duket se ia kam hedh
edhe fesë edhe shkencës
mbase vetëm për një natë
deri sa te vije agu.