Islam Olluri: Një tufë poezish III

Iluzion

 

Për çdo ditë bien njerëzit në tokë

si zogj te vramë

dhe ne mezi marrim guxim t’ i varrosim 

dhe mezi gjejmë lot për ti qarë

dhe për ditë bëjmë arsyetime banale  

për vdekjet   

ishin te moçëm  shumë, pa çka

se ndoshta ishin moshatar me ne,

kush ashtë sot në radhë pyesim

duke përjashtuar veten nga goja e ujkut

mbase nuk jam unë,

ka plot te tjerë !

edhe pse pulpat e këmbëve na dridhen

si thupra shelgu ne ujë.

 

Janjeva            

                 

Këtu akrepat e sahatit                      

Janë ndal ne vitin zero

Vetëm ëndrra për arin      

zgjat gati dymijë vjet                                           

Tri kodra ne formë piramide          

Bashkë me dy përroje kanë mbërthyer

Qytezën si me kanxhë         

e nuk te lan shteg me dalë !

Kah ece përpjetë kalldermit të qarshisë          

ende te ushtojnë veshet nga zhurmat e

metal-gdhendësve e të farkëtarëve

dhe kudo neper fytyre te bien ashklat

e strallta te arit si yje te vegjël, vezullues

Dhe ti nuk e len pa hyp deri ne majë

te majës , deri ne konak te Gjeçovit 

me pushu e me kuvendu pak 

Më vone zani i myezinit   

Kryqëzohet  me  kumbonat e kishës

qe ende promovojnë qytetërimet e vjetra 

Vetëm se tani pa parzmore pa heshta.

 

 

Heshtje

 

Sonte due me hesht

due me u ba memec, pa gojë

sikur nuk kam pa,

as nuk kam ndi gja

sonte nuk du me mbajt anë  

as kah i forti dhe as kah i ligu 

jo për frikë,

as për të qarë

gjithë me duket as njëra palë

nuk ka shumë të drejtë 

e drejta është di kund në mes 

ka mbet pezull !

 

 

Metamorfozë 

 

Sot jam lepur i trembur  

dhe zemra më rrah si orë e prishur

kam frikë edhe nga një flutur me pikla

qe me vije befas rrotull

Dje për çudi isha ujk, ujk me gojë te

madhe dhe më dhëmb të mprehtë, qe

mund tē mundja edhe një dem te egër 

Po nesër, çfarë mund te jem nesër

lepur , ujk , breshkë , apo gaforre

apo ndoshta nuk do te jam hiq, asgjë

Do te jem pluhur, si pluhuri i fluturës pikaloshe !

 

Evoluimi

 

Me duket është ngjall gjeni

barbar i te pareve te njeriut

te shimpanzës e te gorillës

Përveç gjeneve te përbashkëta

dhe veseve te këqija

edhe sëmundjet i kemi një lloj 

lia po vjen

Ndoshta ka pas te drejtë Darvini

Për teorinë e famshme te evoluimit

nuk jemi shumë ndryshe

vetëm ecja bipedale na dallon !

 

 

Vdekje klinike

 

Unë e pash babën tim, 

baba im ishte aty përtej hendekut,

Duke  ecë ngadalë neper një lendinë

me qaj mali

ecte lehtë,

si neper një planet pa gravitet,

dhe tufa drite i binin nga pas

si nga prozhektori

Unë doja me shkue tek baba

me kishte marr malli me e pa

gjithë më duket e kam thirrë babë

o babë!

Mos gabo me e kalue hendekun,

më thërriste baba,

kthehu mbrapa!

ashte një kurth !

Me duket e mblodhi pak bebëzën

Dëgjova një zë aty pranë 

Ndërsa trupi ende me rrinte pezull  

si ne hulajë !

 

 

Aromë vendlindje     

                     

Krejt bota ime shtrihej aty      

nen hijen e lisave te gjatë te Blinajës 

dhe aromës dehëse te luleve te blinit                                   

Njëmijë herë jam rrezuar tue vrapue mbas kaprojeve

kam thye kambë e dorë

e jam que  vet si qohen herojt ne perralla

Kam pi ujë te ftoftë akull tek Kroi i Gjergjit 

dhe nuk me ka zane gjumi gjithë natën

nga meraku mos vallë po e shteron kroin kuçedra

Kam ëndërruat ta kaloj Pegazin  ne qiell 

pa fre magjik 

tri kokat e meduzës ia kam pre me nji biçak

e mezi kam shpëtue pa me djeg , pa me ngri 

Me vonë me ka zbut e me ka shtru

Një vashë  sy gështenje

qe ende me vjen ne ëndërr e ne vargje si zane mali !

 

 

Marionetë 

 

Ec symbyllas

dhe mos u bën shumë merak 

cilën udhë duhet më ndjek

as deri ne cilin vend ke me mbërri

as për sa kohë

Jeta të ka shtruar binarë

si ata të trenit

ti vetëm shtrembëroje  kapuçin

dhe mos humb kohë të provosh

me laku udhë

Kot bën plane në mbrëmje

te nesërmen asnjë nuk te del

ashtu qysh ke menduar

Nuk ia del kurrë

Mos harro, ti je një marionetë!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …