Islam Rexhep Krasniqi (6.4.1957 – 24.5.1999)

Islam Rexhep Krasniqi (6.4.1957 – 24.5.1999)

Dëshmori i kombit, Islam Krasniqi u lind më 6 prill të vitit 1957 në fshatin Ratkoc, sot Drinas, të komunës së Rahovecit. Më 1987, për shkak të mundësive të kufizuara për veprimtari bujqësore e kushteve të rënda ekonomike, familja e tij, babë Rexhepi me nënë Nailen, bijë e Tolajve të Burimit të Ulët të Anadrinit, nënë e dëshmorit të kombit dhe me pesë fëmijë shpërngulet në Gjakovë. Pasi Islami ishte fëmija i parë, atëherë edhe kishte barrën më të rëndë që t’i gjendej pranë të atit pothuajse në të gjitha punët më të rënda.

Shkollën fillore Islami e kreu në Drinas, të mesmen në Rahovec, në gjimnazin që mban emrin “Xhelal Hajda – Toni”, të cilin Islami e kishte idol dhe bashkëluftë- tar, ndërsa fakultetin në Prishtinë. Studoi në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Fakultetit Filologjik. Si i ri, ishte mjaft aktiv në të gjitha lëvizjet që asokohe organizoheshin si protesta e demonstrata kundër regjimit serb dhe kundër qëndrimeve të Lidhjes komuniste dhe diferencimeve të formave të ndryshme që bëheshin anambanë Kosovës. Për shkak të veprimtarisë patriotike e cila asokohe cilësohej nga pushtuesi dhe bashkëpunëtorët e tij si “vprimtari armiqësore kundër popullit dhe shtetit”, “në emër të popullit” burgoset për herë të parë më 1975 dhe për “veprimtari armiqësore” dënohet me një vjet burg të cilin e vuajti në burgun e Prizrenit.

Shquhet me kontributin rreth organizimit të demonstratave të Janarit të vitit 1990 në krye të të cilave marshoi Ukshin Hoti kur ranë dëshmorët e parë të Anadrinit: Nesimi Elshani, Halim Hoti, Agron Fetahu dhe Hilmi Krasniqi. Për veprimtari të këtilla ndiqej dhe shpesh arrestohej dhe dënohej me nga një vit burg. Qysh më 1981, Islam Krasniqi si student mori pjesë si organizator në demonstratat e Marsit kur edhe plagoset rëndë pranë veprimtarit të madh të Çështjes Kombëtare Dervish Hazir Çadrakut, të burgosurit të parë të Anadrinit. Kështu Islami detyrohet t’i ndërpresë studimet, ta braktisë familjen dhe të emigrojë në Gjermani, duke lënë në fshat bashkëshorten, Veziren, bijë e Hotëve të Drinasit, me pesë fëmijët, tri vajzat: Linditën, Afroren dhe Arbenitën, dhe dy djemtë: Arbërin dhe Arsimin. Edhe në mërgim Islami është në kontakt me veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare të cilët asnjëherë nuk e ndalën veprimtarinë patriotike, prandaj ai vazhdon veprimtarinë pavarësisht rrezikut të ndjekjes së sërishme kur do të kthehet në Kosovë.

Pas kthimit nga Gjermania angazhohet në Shoqatën Bamirëse “Nëna Tereze”, e së shpejti u zgjodh edhe kryetar i kësaj shoqate dhe merr pjesë aktive në të gjitha segmentet e vetorganizimit kombëtar anembanë Kosovës gjatë viteve kur pushtuesi serb i drejtuar nga kryekrimineli Slobodan Milosheviq pati shuar çdo segment të jetës. Islami ishte shumë i vendosur dhe i përkushtuar dhe tërë jetën qëndroi në ballë të shumë organizimeve për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Më 1978 së bashku me një grup bashkëveprimtarësh Islami gris flamurin jugosllav dhe atë serb në ndërtesën e kuvendeve komunale të Prizrenit e të Rahovecit. Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e gëzoi shumë Islamin prandaj lidhet me familjen Leka nga Gjakova e së andejmi vepron në sektorin e logjistikës. Më vonë kalon në operativë, së bashku me të birin, Arbrin dhe vallanë, Rrustemin, ndërsa në vijën organizative dhe furnizuese e angazhoi tërë familjen.

Më 24 mars 1998, kur krisën pushkët e Gllogjanit, Islam Krasniqi gjendet pranë luftëtarëve të Rrafshit të Dukagjinit dhe është krah i djathtë i Sahititi, kushëri, dëshmor i kombit.

Një kohë të gjatë shërbeu në fshatin Maznik të Deçanit, por më 24 maj të vitit 1999, ndërsa ishte i angazhuar në sektorin e logjistikës, duke bartur të plagosurit, bie heroikisht në vijën kufitare të Bogiqes. Luftoi heroikisht së bashku me të vëllain Rrustemin, krah për krah me Elez Bekën dhe Avdyl Mushkolajn, ndërsa për trupin e pajetë nuk dihej një kohë të gjatë. Në saje të testeve të ADN-së, trupi i tij ishte gjetur në varrezat masive të Batajnicës në Serbi dhe deri më 21 shkurt të vitit 2006 konsiderohej i zhdukur si edhe shumë luftëtarë e civilë të vrarë.

Dëshmorin e kombit Islam Krasniqi me shkrime e nderoi autori Hasan Hasani, ndërsa lapidari që shkëlqen buzë magjistrales Gjakovë-Pejë, në zemër të Dardanisë (ish-Piskotës) ruan me nderim emrin e Islam Krasniqit. Një rrugë në Rahovec dhe tjetra në Gjakovë ruajnë emrin e dëshmorit Islam Krasniqi. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …