Të pakta janë stuhitë e kurdisura gjatë historisë, e të mos kenë kaluar nëpër Krushën e Madhe të Anadrinit, nëpër Krushën e Bajram Currit e të profesor Ukshin Hotit. Pothuajse asnjëherë shtrëngatat e këtilla nuk i kursyen Gashët e këtij fshati, por këta bartën mbi supet e veta çdo barrë që u ra për hise, me shpresë se një ditë do të frymojnë lirshëm në Kosovën e Lirë dhe në Trojet Shqiptare.
Më 27 janar të vitit 1990, në Krushë të Madhe u hapën themelet për shtëpinë e amshueshme të Halim Hotit, në dhjetor të vitit 1998 edhe shtatë shtëpi, sepse ky fshat mbeti pa Muhamet Malësorin, pa Hysniun, pa Sinanin, pa Hidanë, pa Sedatin, pa Isakun, pa Ismetin e në prill të vitit 1999, Krusha mbeti pa Fitimin e Islamit, pa Enverin e Eqremit, pa Bekim Gashin e pa Dalip Behrën, ndërsa në Betejën e Mileskës, më 28 maj të vitit 1999, Malush Gashi (Plaku) pasi i përcolli një nga një, të gjithë Ata që ranë në Rogovë të Hasit më 29 janar, e Ata që ranë nëpër fshatrat e Anadrinit, u forcua me gajretin e burrave dhe përcolli edhe të birin Ismail Gashin, të anë e Pajtimit dhe Mendimit, që sot duken të burrëruar para kohe dhe rrëfejnë për Betejën e Mileskës por, më shumë flasin për bashkëluftëtarët e t’ët, veçanërisht për nipat Samiun dhe Shaniun, vëllezër të dëshmorit Hysni Duraku.
Ismail Malush Gashi, i Malush Plakut të njohur gjatë të gjitha fazave përgatitore të rezistencës së armatosur në Rrafshin e Anadrinit, e veçanërisht në fshatin Krushë e Madhe, është i lindur më 21 dhjetor të vitit 1967. I takonte grupit më aktiv për organizimin e formave të ndryshme të manifestimit të revoltës kundër sistemit të ingrinuar në mekanizmin e dhunës dhe të terrorit që shtrihej si gjarpër, prej Beogradi e deri në Krushën e Madhe.
Shkollën fillore, Ismaili, e mbaroi jo larg strehëve të profesor Ukshinit, por me dëshirën e prindërve, shkollën e mesme e vazhdon në Gjimnazin Matematikor të Prizrenit. Edhe këtu, në Qytetin e Lidhjes për Bashkimin e Trojeve Etnike, bashkëvepron me grupet që në ilegalitet ishin hedhur në “Vallen e Haresë së Madhe”. Kështu, më 27 janar të vitit 1990, Ismail Gashi u bashkohet shokëve dhe në krye me profesor Ukshin Hotin, niset prej Krushës së Madhe kah Rahaveci, por në Lakun e Dëshmorëve, afër fshatit Brestos, Ismaili mbetet pa Halim Hotin, pa Agron Fetahun, pa Hilmi Krasniqin dhe pa Nesimi Elshanin dhe kështu krisën pushkët jo larg Bregut të Drinit.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, Ismaili regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë, por rënia e anadrinasve të parë te Laku i Dëshmorëve lë pasoja në shpirtin e tij dhe më me dëshirë hynte në aksione guerile të grupeve të organizuara nëpër fshatrat e Anadrinit, sesa në ligjërata; ëndërronte për ta çuar në vend amanetin e shokëve të rënë.
Me formimin e Këshillit Luftarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Anadrinit e të Këshillit për fshatin Krushë e Madhe edhe Ismaili me Bekimin, me Fitimin, me Enverin e me Hysniun, merr me veti Dalip Behrën dhe kur “Kreshtat e Kosovës morën ngjyrë të kuqe” e kur “Në Gllogjan u dha kushtrimi” krushjanët u bashkohen djelmoshave nga Drenica e Gllogjani dhe u radhitën në “Krushqit e Dardanit”.
Ndër detyrat e para të cilat i mori mbi supet e veta ishte thyerja e Pashtrikut Plak dhe shtegtimi nëpër udhët nga vinte “Zjarri i lirisë” e krahas bartjes së armatimit Ismail Gashi merr pjesë edhe në të gjitha aktivitetet stërvitore. Këtë fazë e kreu në fshatrat Zatriq e Drenoc, ku stërviteshin luftëtarët e parë të Anadrinit, ndërsa më 12 maj të vitit 1998 djelmoshave të Krushës së Madhe u ra të ballafaqohen me forcat serbe, paramilitare e ushtarake, në Lugun e Bardhatinit, ndërsa më 14 maj në Betejën e Gardhishtit. Në këto beteja Ismail Gashit i ra që të shohë se si vdesin burrat në beteja, fyt për fyti me shkaun. I përcolli në Përjetësi Milaim Krasniqin e Elmi Morinën, e përcolli Naser Veliun e Drinasit e Mehedin Morinën e Gllarevës, kurse më 18 korrik të atij vitit, Ismail Gashi qëndron në vijën e parë të zjarrit në fshatin Fortesë, krah për krah me Agim Veli Kelmendin, dëshmor i kombit. Mirëpo, rëniet e shokëve ndikuan në Ismailin që të forcohet edhe më shumë, sepse i bëhej se dëgjonte fjalët e Ukshin Hotit: ”Bëje ose vdis!”.
Gjatë luftimeve në Rahavec, së bashku me shokët e skuadrës, në përbërje të Batalionit të Lugut të Brestosit, merr pjesë në luftimet e krahut lindor kah “Rrihjet e Rahavecit” e kah “Kroni i Kajës”. Në këto fronte Ismail Malush Gashi rezistoi prej 18 deri më 25 korrik, kur arrin komandant Toni dhe thyhen shkjiet në “Lugun e Shqipeve”, ndërsa popullatës së Rahavecit iu mundësua që nëpërmjet “Grykës”, “Krahishtës”, “Kryqit të Shkozës” dhe “Lugit të Zhdredhës”, të tërhiqen prej Rahavecit të djegur. Kontribut të madh dhanë shokët e Ismailit, në krye me Bekim Gashin, dëshmor i kombit, në tërheqjen e popullatës kah Hamofcet, kah Celina, kah Pisjaku e Krusha e Madhe. Në Krushë dhe në Malishevë u strehuan pothuajse të gjithë rahavecjanët e dëbuar, e këtu hasën në mikpritjen vëllazërore të familjeve krushjane: Gashi, Hoti, Malësori, Dellova, Duraku, Nalli e Krasniqi.
Më 1 tetor të vitit 1998, sërish fillon riorganizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatrat e Anadrinit, prandaj Ismail Gashi, tash zëvendës-komandant i logjistikës, nën komandën e Xhelal Hajdës – Tonit, gjendet në Reti dhe merr pejsë në Betejën e Izbishtit, më 25 e 27 tetor, ku sërish thyhen forcat serbe. Më 25 mars të vitit 1999, Ismail Gashi është pjesëmarrës i Betejës në fshatin Reti, në fshatin Qëndresë (ish-Randubravës) dhe i luftimeve në Qafën e Pagarushës, deri më 31 mars të vitit 1998; front ky mjaft i hapur nëpër “Grabin e Samadraxhës” e të Dabërdelanit në vijën: Staramicë-Semetisht-Vneshti i Sadës e Biraç, ku mbeti pa bashkëluftëtarin Enver Eqrem Durakun dhe lë njërën këmbë të Hamëz Kryeziut të Retisë, sot invalid i luftës.
Më 26, 27 e 28 maj të vitit 1999, Anadrini përsëri rrethohet, sepse forcat e mëdha ushtarake, paramilitare e policore serbe ndërmarrin ”Krehjen me këmbësori” prej “Rrihjeve të Rahavecit” në drejtim të Hamofceve e Pisjakut të Celinës, prej Grykës së Bërnajakës kah Rrapishtet drejt Izbishtit dhe prej “Lugut të Qëndresës” kah Leska dhe të gjithë këto forca ballafaqohen me rezistencën e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në “Pyjet e Mileskës”. Kjo betejë, e cila kulmoi më 28 maj kah ora 11,30, ishte synim që të dëbohet prej Anadrinit edhe ajo pjesë e popullatës që kishte mbetur në fshatrat e djegura dhe të masakruara të Anadrinit si: Celina, Fortesa, Krusha e Madhe, Krusha e Vogël, Qëndresa, Nagaci, Hoça e Vogël, Brestosi e Retia me Apterushë. Krahas dëbimit të popullatës, forcat serbe synonin për ta shkatërruar edhe ushtarin e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo, nuk ra Mileska, nuk ra Anadrini, nuk ra Kosova, sepse nuk bjen Ushtria e saj çlirimtare.
Luftimet zhvillohen pothuajse në mënyrë të sinkronizuar: Kah “Tehet e Mullabazëve” (Celinë), kah Hamofcet (Hoçë e Vogël e Rahavec) dhe në Grykën e Izbishtit (Reti, Apterushë e Brestos) dhe kështu në “Kurrizin e Mileskës”; ndërmjet Krushës së Madhe, Nagafcit, Hoçës së Vogël, Brestosit, Retisë, Retisë së Ulët, Krushës së Vogël e Qëndresës ranë: Ismail Gashi, Habib Gashi, Kurtish Hasani, Nazmi Hasani, Bedri Berisha, Manush Berisha, Agron Bytyçi e Mensur Zyberaj, plagosen rëndë: Rexhep Krasniqi, Selim Gashi e Isa Gashi, por me luftën heroike dhe qëndresën titanike thyhen forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe. Këto thyhen totalisht dhe dëbohen në drejtim të aksit rrugor Gjakovë-Prizren, e në drejtim të aksit rrugor Rahavec-Therandë dhe definitivisht pozicionohen luftëtarët e UÇK-së buzë aksit rrugor të magjistrales Prizren-Gjakovë, te Ura e Piranës, ku edhe pati filluar guerilja më 24 prill të vitit 1998, te Ura e Piranës ,,Përroni i Keq”.
Serbët nuk arritën t’i marrin trupat e pajetë të dëshmorëve: Habib Jakup Gashi, Bedri Bajram Berisha e Kurtesh Hasani të cilët i përcollën në Përjetësi shokët e luftës,, ndërsa në “Lugjet e Mileskës”, tekniku mjekësor Refki Berisha me bashkëluftëtarët improvizoi një strehimore për t’i shëruar plagët e Rexhep Krasniqit, të Selim Gashit dhe të Isa Gashit. Po ata shokë, të prirë prej bashkëluftëtarit Refki Krasniqi, nga Hoça e Vogël, njohës i shkëlqyeshëm i terrenit në “Lugjet e Mileskës” gjurmuan për t’i gjetur gjurmët e Ismailit, por të gjitha përpjekjet mbetën të kota. Trupi i pajetë i dëshmorit të kombit Ismail Malush Gashi, së bashku me dëshmorët: Mensur Zyberaj, Bekim Gashi, Dalip Behra e Agron Bytyçi u gjetën në varrezat e Prizrenit, kurse luftëtari i lirisë, Manush Berisha, nga plagët e marra, merr Përjetësinë në fshatin Romajë të Hasit.
Rënia e Ismail Malush Gashit, pas Bekim Gashit dhe Dalip Behrës, ishte një goditje e rëndë për familjet e krushjanëve, që e kishin braktisur fshatin e lindjes, mirëpo sot i ushqen krenaria për bijtë më të mirë që i pati ky fshat e që i përcolli në gjirin e tokës së Kosovës, e cila u njom me gjakun e të parëve të Ismailit e me gjakun e shokëve të tij.
Sot, Malush Gashi, i njohur si Plaku, me krenari kujton Ismailin – dëshmor i kombit, e nëna Zymritë, u rrëfen nipërve se ç’djalë, se ç’student e ç’luftëtar e kishin të anë. Pajtimi, tashmë i burrëruar para kohe, krenarinë e ndan me të vëllanë, me familjarët, me Krushën e Madhe, me Anadrinin, me Kosovën dhe me Trojet Etnike, për bashkimin e të cilave ëndërruan djelmoshat e Ukshin Hotit, luftëtarët e Adem Jasharit e vëllezërit e Luan Haradinajt.
E, nëna e Ismailit, duke ia bërë hallall qumështin dhe rritën që ia bëri birit, sot dëshmor, i bekon shpirtrat e bardhë të dëshmorëve, me dëshirë që të mbeten të lumtur bonjakët dhe vëllezërit e tyre, kërkon udhën e mbarë dhe mallkon që të digjen në zjarrin e xhehnemit, të gjithë ata që shkelin mbi gjakun e tyre, kënaqen mbi varret e tyre, duke derdhur helm e vrer mbi luftën që bënë luftëtarët e lirisë, të cilët, në vend se të priten me lulet e pranverave të veta, u pritën me pranga policore që të dergjen nëpër kazamatet prej Dubrave deri në Hagë. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …