Ismet Azizi: Janari i vitit 1945 ishte i kobshëm edhe për mësuesin e devotshëm, Bedri Gjinaj

Ismet Azizi: Janari i vitit 1945 ishte i kobshëm edhe për mësuesin e devotshëm, Bedri Gjinaj

(Shaban Palluzha: “ Djemt me shkollë shohin me katër sy”)

Bedri Gjinaj është një ndër figurat më të njohura dhe më të nderuara të arsimit në Mitrovicë, në Kosovë, Sanxhak e më gjerë. Bën pjesë në radhën e veprimtarëve më të shquar të arsimit shqiptar, i cili punoi me kompetencë e devocion për zhvillimin e arsimit gjatë Luftës së Dytë Botërore në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar i Ri). Kontribut çëtjes shqiptare i dha edhe sa ishte në pozitën  e sekretarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ishte një ndër burrat e intelektualët më të mëdhenj dhe më të nderuar të kombit.

Gjatë kohës sa punoi në Mitrovicë (1941-1944), u rrethua me dashurinë e respektin e veçantë nga të gjithë. Edhe pse vendlindja e tij Mitrovica, gjendej në veri të Kosovës e Shqipërisë, ai dëshironte që ta bënte atë qendër të koalicionit shqiptar. Për këtë arsye u afrua dhe bashkëpunoi me gjithë atdhetarët, nacionalistët shqiptarë. Shpesh, për t’u marrë vesh me patriotë e demokratë, me njerëz me influencë e me traditë kombëtare, udhëtoi në Prishtinë, në Vushtrri, në Pejë, në Prizren, në Podujevë, në Pazar të Ri, Skënderaj etj. Punën, zellin dhe idetë e tij ia çmonin e respektonin ministri Ernest Koliqi, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Bedri Pejani, Aqif Blyta, Ago Agaj, Vehbi Frashëri, Rexhep Krasniqi e shumë nacionalistë të tjerë. Përpiqej me tërë qenien që t’i bashkonte të gjitha forcat aktive aktuale, me përjashtim të komunistëve, sepse ata i konsideronte si bashkëpunëtorë të bolshevizmit rus e shërbëtorë të Serbisë. Gjatë kohës kur Mitrovica me Vushtrrinë, me Podujevën e më Pazarin e Ri ishin ndarë dhe i përkisnin zonës gjermane të interesit, Bedriu zhvillonte një aktivitet të dendur që kjo zonë me strategji historike e ekonomike t’i bashkohet me çdo kusht Shqipërisë. Prandaj i thërriste patriotët e intelektualët shqiptarë që të bëhen të gjithë një gojë, të bashkohen në një vend sidomos sa i përket çështjes së Mitrovicës: “Po të bashkohemi të gjithë, do të fitojë Mitrovica, po fitoi Mitrovica e po u bashkua me truallin mëmë, do të fitojë Kosova, do të fitojë Shqipëria!”

Pas okupimit të Mitrovicës nga ana e forcave ushtarake të Jugosllavisë titiste, Ali Shukriu lëshoi urdhëresë për arrestimin e Bedri Gjinajt. Për t”iu shmangur arrestit, Idriz Geci nga Llausha dhe  Hamëz Mehmeti nga Luboveci, ilegalisht e nxorën nga  Mitrovica Bedriun, Bahriun, vëllanë e tij, dhe nënë Hajrijen.  Ata i strehuan së pari në Llaushë e mandej Lubovec dhe  Siçevë. Pas një takimi me Miftar Bajraktarin, dhe pas  shqyrtimit të situatës së përgjithshme në rajon, Bedriu shprehu dëshirën të takohet me Shaban Palluzhën. Takimit i tij me Shaban Palluzhën u bë në mbledhjen e Shtabit  të mbajtur më 30 11 1944, në Palluzhë, ku, pos tjerash, u vendos që Bedri Gjinaj  të emërohet  këshilltar i komandantit të Brigadës së  Drenicës – Shaban Palluzës. Që nga  e nesërmja Bedriu filloi të punojë me një vullnet të madh  në punimin e shkresave, informatave, raporteve  dhe analizave  mbi situatën politike she ushtarake, duke e konsultuar rregullisht dhe duke e informuar komandantin e Brigadës së Drenicës, Shaban Palluzhën. Më vonë Shaban Palluzha thuhet t’i kishte thënë Bedri Gjinajt “ Djemtë me shkollë shohin me katër sy”, prandaj angazhimi i tyre për liri është i domosdoshëm.

Në fillim të vitit 1945, komunistët, të cilët idealin e çlirimit nga fashizmi e shndërruan në ide vepruese kriminale kundër vëllezërve të tyre, sepse kishin guximin qytetar që me plot gojën t’i thoshin të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë, pra ta tregonin sllavokomunizmin si tragjedi për shqiptarët, arritën ta zënë me dredhi. Sipas dëshmitarëve okularë (shkruan Azem Hajdin-Xani) Bedri Gjinaj dhe Avdyl Zhubi janë arrstuar në mënyrë enigmatike, në Krushefc më 18 janar 1945.

Në radhët e Brigadës së Drenicës, OZN-a kishte arritur të fusë  spiunët e vet të veçantë, përmes së cilëve Ali Shukriu arrinte të  informohej për çdo gjë lidhur me situatën në Drenicë e më gjerë, prandaj, kur mori vesh se ku ndodhej Bedri Gjinaj, hartoi planin për ta  zënë. Ali Shukriu dhe Bedri Gjinaj ishin lindur dhe rritur në Mitrovicë. Bedriu ishte i gjithanshëm, shumë më me autoritet, prandaj ky shkëlqim i tij ia zbehte yllin. Ishin edhe kundërshtarë politikë: Bedriu nacionalist, ndërsa Aliu komunist e vegël e serbëve. Dy spiunët e caktuar nga Ali Shukriu , shkuan në  vendon ku ndodhej Bedri Gjinaj dhe gjëja se  Shaban Polluzha ka dhënë porosinë që Bedri Gjinaj dhe  Avdyl Zhubi “të mos vijnë në Skenderaj, por të qëndrojnë aty sepse Skënderaj  mund t’i identifikojnë komunistët. Pra, sipas tij, qëndrimi në fshatin Kryshefc “asht ma i sigurt”. Kështu , partizano-çetnikët menjëherë pas largimit të  Brigadës së Shaban Palluzhës, i morën dhe i dërguan në  Skenderaj, ku, me urdhër të  eprorit të tyre, Ali Shukriut, ua lidhën këmbë e duar me tel, i hipën në një kamion të zbuluar dhe i dërguan  në vendlindjen e tyre  në Mitrovicë. Në sheshin matanë Urës së Ibrit i ekzpozuan para qindra  qytetarëve, që i kishin tubuar me dhunë, për të treguar se ja kështu do ta pësojnë të gjithë ata që e kundërshtojnë ideologjinë komuniste dhe bashkimin e Kosovës me Jugosllavinë, përkatësisht Serbinë. Bedri Gjinaj dhe Abdyl Zhubi u burgosën në kazermën ushtarake në Mitrovicë.

Më 23 janar Brigada e Drenicës arriti në Podujevë pa  Bedri Gjinajn, këshilltarin e komandantit Shaban Polluzha. Feriz Bojaj nga fshati Kërrnicë, njëri  prej njerëzve e afërt të Shaban Palluzhës citohet të ketë thënë  se deri në Podujevë  komandanti ka pyetur tre-katër herë  për Bedri Gjinajn.

Ato ditë OZN-a burgosi edhe tri mësuese të shkollës fillore “Skenderbeg” të Mitrovicës, që kishin bashkëpunuar me Bedri Gjinajn: Lina Shkrelin, Melihate Devën dhe Zehra Zhubin, nërsa kishte ekzekutuar pa gjyq mësuesin Ali Gaxha..

Ali Shukriu, me pamjen e fitimtarit, kundërshtar i përbetuar i Bedriut, shtihej se i dhimbsej “shoku” i fëmijërisë, prandaj, para se ta  likuidonte përfundimisht, donte ta plotësonte edhe një dëshirë: ta vdetyronte t’i përulej, t’i binte  ne gjunjë, ta luste që t’i falte jetën, shkruan  Fazli Hajrizi në monografine e tij për Bedri Gjiajn. Ali Shukriu kishte vepruar njësoj edhe me rastin e  arrstimit të Aqif Blytës, mikun dhe bashkëpunëtorin  e ngushtë të  Bedri Gjinajt, duke i thënë: ”A edhe ty po më duhet me të arrestu? Si e lejove vetën që një grue e flliqtë me të trathtue”? (I .A)

Pas arrestimit, Bedriun e kanë mbajtur disa ditë në burgun e Mitrovicës, pastaj e kanë dërguar në bashkë me të tjerët të Prishtinë. Në burgun e Mitrovicës dhe në atë të Prishtinë  në këtë kohë ndodheshin edhe shumë  patriotë të tjerë, në mesin e tyre edhe njëri nga  komandantët e Luftës së Pazarit të Ri, Bajazit Boletini. Në prill të po atij viti i kthejnë sërish në burgun e Mitrovicë. Avdyl Zhubin dënohet me 18 vjet burg të rëndë, ndërsa Bedri Gjinajt ia përgatitën kalvarin më të egër. Ushtruan mbi të tortura më çnjerëzore në hetuesi e në burg, sa të Mitrovicës, sa në atë të Prishtinës. Ia dërrmuan e shkatërruan atë trup atleti, ia rrënuan shëndetin. E dërguan gjoja në spital për ta mjekuar nga “tifusi”, mirëpo aty e helmuan. Sipas mendësisë së tyre, vetëm duke e likuiduar atë fizikisht, do ta zhduknin idealin madhor të tij, vetëm duke e vrarë atë, do ta vrisnin edhe ëndrrën e popullit shqiptar për liri. Pushteti partizano-çetnik e varrosi  fshehurazi në një vend, edhe sot të panjohur.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …