Ismet Azizi

Ismet Azizi: Nuk harrohen krimet serbe ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve!

 U shënua  4 shtatori, dita e dëshmorëve të Pazarit të Ri – sanxhaklinjët nuk i harruan paraardhësit e tyre, viktimat e pafajshme të ekzekutuar nga komunistët serbë në Haxhet të Pazarit të Ri. Pas lutjes  së drekës ( namazit të drekës) të tubuarit nga sheshi Gazi Isa-beut marshuan drejt Haxhetit, vendit të krimit të disa mijëra sanxhaklinjëve. Të dielën pasardhësve e të vrarëve dhe disa qindra qytetarëve, iu prinë përfaqësuesit e Meshihatit të kryesuar nga kryetari i Bashkësisë Islame në Serbi, myftiu Mavlud Dudiq, deputeti në parlamentin serb Muamer ef. Zukorliç dhe   kryetari i Bashkësisë Kulturore  të Sanxhakut Dr, Prof Admir Muratoviq . Edhe pse nuk dihet saktësisht numri i shqiptarëve të ekzekutuar, besohet se shumica ishin shqiptarë. Për fat të keq, as kësaj radhe përveç  kryetarit të Organizatës   “Kosova për Sanxhakun” nuk pat ndonjë delegacioni tjetër jashtë Sanxhakut. Por vlen të thuhet se për dallim nga herëve tjera u përmenden viktimat nga radhët e shqiptarëve të cilët në krye me Aqif Blyten dhe Ahmet Dacën, ishin në shënjestër të komunistëve serbë.

Dita e Marshimit në Haxhet është përcaktuar para gjashtë viteve. Popullata e Sanxhakut, nën udhëheqjen e prijësve fetar, më 4 shtator të viti 2010, u përplas me forcat speciale policore serbe me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së vakëfit nga grabitja. Ata kanë mbrojtur edhe hapësirën ku mendohet se të parët e tyre janë ekzekutuar dhe varrosur në  varre masive në këtë pjesë atëherë e pabanuar.

Pas depërtimit të forcave partizane-jugosllave në këto treva, prijësi kryesor i kësaj treve, Aqif Blyta, me prejardhje nga Gjakova, iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri dhe pas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Ahmet Dacin, u ekzekutuan në Haxhet, në lagjen e sotme të Pazarit të Ri, më 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.

Pjesëmarrësve në këtë manifestim pas ceremonive fetare iu drejtua  deputeti   Muamer  Zukorliq   tha se edhe këtë vit ky manifestim dëshmon se sanxhaklinjtë asnjëherë nuk do të janë në anën e dhunës, dhe dotë bëjnë gjithçka që drejtësia të jetë mbi të gjitha.

   “Jemi sot këtë jë për të qarë për tragjedinë e së kaluarës sonë, as që të jemi peng i së kaluarës. Besimi ynë dhe tradita na mësojnë  që të kaluarën ta shikojmë vetëm aq sa kemi nevojë që mos të përsëritet. Jemi dëshmitarë se çdo popull ka vend krimet e veta. Shumica prej tyre janë  vende të  urrejtjes, por  tubimi ynë është  ndryshe nga ato.  Besimi ynë na mëson që nuk guxojmë të urrejmë.  Atë çka  bëjmë me këtë tubim dhe me format tjera  të veprimit është që mos të lihet aspak hapsire  që  njerëzit primitive të na bëjnë të pa vlerë, sepse  të pa vlerët  është alibi më i madh  për  shfarrosjen e dikujt,”

Ai shtoi se veprimtaria e BI , për të gjitha këto vite  ka qenë e orientuar për përtëritjen e elitës së vet. Satifakcioni më u madh  për viktimat  tona është përtëritja e elitës e cila me ta është zhdukur. Vetëm atëherë  do të plotësohet amaneti , të cilin ua kemi borxh atyre. Me  të vërtetën ne ruajmë të kaluarën tone, me të vërtetën shikojmë të ardhmen. Me të vërtetën për neve dhe për ata. Ju ftoj juve ta përkrahmi të vërtetën, vetëm të vërtetën, sepse e vërteta  do të sjellë bashkimin dhe  stabilizimin, tha përveç të tjerave  Zukorliq.

Kryetari i Meshihatit të Bashkësisë Islame në Serbi myftiu Mevlud ef Dudiq, e filloi me  thënien kuranore  kushtuar të të gjithë dëshmorëve ( shehitëve) “ Dhe mos thoni për ata të cilët kanë dhënë jetë në rrugë të Zotit “ janë të vdekur”. Ata janë të gjallë, vetëm se ju nuk e ndjeni”.

“ Atë vit është mbjellë e urrejtjes ndaj së mirës. E mbollën ata  të cilëve iu pengonin të gjithë ata të cilët ishin ndryshe nga ata. Ata të cilët bënë  krim ndaj  prijësve tanë , e kanë vazhduar edhe në vitet e 50-ta dhe 60-ta dhe më vonë dhe së fundmi  nëpërmjet marrjes  së tokës së vakufit. Mandej shtoi se kësaj gjenerate i takoi nderi  ta kthejnë  pasurinë e vakufit dhe porosit se  populli nuk do të qetësohet për deri sa pëllëmba e fundit e tokës së sajë nuk të kthehet.

“ Me të vërtetë janë të njëjtë ata të cilët  kanë vrarë me ata të cilët  marrin me dhunë pasurinë e vakufit dhe shkatërrojnë Bashkësinë  e myslimanëve. Këtu kanë ra viktimë njerëzit e pafajshëm, boshnjak e shqiptarë, për këtë arsye jemi këtu  dhe përherë do ti nderojmë më 4 shtator, tha  Muftiu Dudiq.

Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe hyrjes së partizanëve në qytete të Sanxhakut qeveria komuniste mori vendimin që me procedurë të shpejtë të ndëshkojë të gjithë ata të cilët sipas vlerësimit të tyre nuk ishin në linjë të regjimit. Në shënjestër të sunduesit të sapoardhur u gjetën pothuajse e gjithë elita e asaj kohe, e cila nuk ishte anëtarë të lëvizjes serbo komuniste-partizane.

Bombardimet e aleancës veri-atlantike në Pazar të Ri, pas bombave të hedhura në Haxhet krijuan kratere të cilat u përdoren si varre masive për të gjithë sanxhaklinjët e ekzekutuar. Deri më sot, asnjë nga këto varreza nuk janë evidentuar-shënuar. Por aktivitetet që po ndërmerr Bashkësia Islame dhe Këshilli Kombëtar Boshnjak për të sqaruar ngjarjet që lidhen me krimin kundër popullsisë japin shpresë se një gjë e tillë do të ndodhë.

Mbledhja e provave të shkruara dhe dëshmitë e regjistruara të bashkëkohësve dhe të pasardhësve të viktimave, do të mundësojnë të shënohet vendi i krimit.

Ekzekutimet e shqiptarëve dhe boshnjakëve në  Haxhet janë kryer në shumicën e rasteve, janë kryer pa asnjë procedurë gjyqësore, pa të dhëna dhe dokumentacion të shkruar. Njerëzit janë marrë gjatë natës me forcë nga shtëpitë e tyre dhe janë dërguar në vendin e përmendur për t’ i ekzekutuar. Në atë kohë filloi grabitje e pronës së njerëzve më të pasur. Anëtarët e OZNA-s kanë përcjellë njerëzit me autoritet dhe kanë regjistruar të gjithë ata që me ta kanë pasur ndonjë lloj kontakti. Menjëherë pas kësaj, kanë filluar arrestime masive. Të arrestuar janë marrë në burg, i cili ndodhej pranë ndërtesës së gjykatës së atëhershme. Dëshmitarët thonë se torturat ishin aq mizore, sa që banorët e lagjes janë detyruar të largohen në pjesë të tjera të qytetit, sepse nuk mund të përballoheshin britmat e atyre që ishin prapa mureve të burgut .

Njerëzit u ekzekutuan kryesisht gjatë natës, një përjashtim i rrallë ishte kryetari i komunës dhe prijësi politik e ushtarak, Aqif Efendi Blyta, të cilin më 21 janar të vitit 1945, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Ahmet Daca, u ekzekutua në mes të ditës. Ekzekutimi është bërë publikisht në mënyrë që të shërbejnë si një paralajmërim për ata që e kishin përkrahur dhe adhuruar.

Pas ngjarjeve në Haxhet filloi një valë e emigrimit në Turqi, si dhe më vonë një valë edhe më masive emigrimit, do të përsëritet në kohën e Aleksandër Rankoviqit.

Husein Zatriqi nga Pazari i Ri për ngjarjet e kësaj kohe thotë:”Atëherë kryetar i gjykatës ishte njëfarë Xhorxhe Peruniqiqi, i cili e ka dërmuar popullin. Në Haxhet përveç Aqif Efendiut, më kujtohet se është ekzekutuar Ahmet agë Daci, Qamil Karishiku, Ibrahim-lbro Rasovci, i biri i Salih-beg Rasovcit, Abit Grboviqi – Sheqerxhia, Azem Balina, Mehmed Qilerxhiqi, Hasib Nikshiqi, Iso Hrvaqa, Amir Brunqi, Osman Zvizdiqi nga Senica dhe shumë të tjerë. Ata ishin tmerrësisht shumë, nuk po më kujtohen të gjithë ata të pafat të cilët kanë humbur jetën edhe pse ishin në rrugë të perëndisë. ”

Dëshminë autentike për ekzekutimin e Aqif Blytës dhe Ahamet Dacit, dy prijësve më eminent të Sanxhakut, e ka lënë plaku Jusuf Poplata, nga Pazari i cili jeton në Stamboll.“Më kujtohet si sot“, e fillon tregimin shtatëdhjetëvjeçari Jusuf Popllata, “në çarshi jehoi lajmi se të nesërmen në Haxhet do të pushkatohen Aqif Efendia dhe Ahmet Daci. Unë në atë kohë si 15 vjeçar, isha në policinë partizane. Nga kureshtja u nisa të dal në Haxhet me shokun tim, Medë Rozhajën. Të reshurat e borës kishin arritur trashësinë deri në gjunjë. Populli ishte tubuar në livadhet e Haxhetit të cilat ndodheshin në anën e djathtë të spitalit të sotëm. Dikur aty ka qene një teren futbolli. Në livadhe përveç masës së popullit kanë qenë edhe rreth 300 ushtarë. Ata kanë qenë të rreshtuar përballë neve. Të gjithë me shikim ishim të kthyer kah burgu i qytetit nga i cili pritnim të dilnin Aqif Efendia dhe Ahmet Daci. Nuk kaloi shumë kohë dhe dolën të lidhur këmbë e duar. Ushtarët i sollën deri te shtyllat telefonike dhe i lidhën për të me zinxhir me duar mbrapa. U dha komanda që të bëhet pushkatimi. Dhjetë ushtarë dolën para tyre. Oficeri partizan dha komandën që të pushkatohen. U dëgjuan refalet dhe që të dy lëshuan kokat poshtë. Doktori Benqan, një slloven i cili punonte në Pazarin e Ri, ishte i caktuar të konstatoj vdekjen e tyre. Ua vuri dorën në qafë për të vërtetuar pulsin dhe ua bëri me dije se Amet Daci ende ishte gjallë, sepse ende i rrihte pulsi i zemrës. Një partizan i “vogël”, i cili ende nuk i kishte as 14 vjet, iu ofrua, nga kraharori nxori pushkën automatike gjermane dhe e qëlloi Ahmet Dacin në kokë. Nga koka gjaku shpërtheu në të gjitha anët. Pastaj nga këmbët ua hoqën këpucët (opingat), çorapet e leshit, orët nga dora dhe kaputat. Neve na u është urdhëruar që të shpërndahemi dhe se çka ka ndodhë me trupat e tyre askush nuk din”.

Kështu dhe në mënyra të ndryshme pleqtë e moshuar i kujtojnë momentet e së kaluarës dhe me respekt njeriun më të  çmuar të kësaj treve, por edhe gjeneratat e reja me krenari përkujtojnë  Aqif Blytën.

Për krimet që janë kryer nga partizanët pas vitit 1945, kur lufta kishte përfunduar në Sanxhak, shkroi Husnija. H. Çengiç në “Muslimanski Glas” të 05 korrik 1991:

“Kur çetnikët përfunduan masakrimet,ndaj popullsisë së Sanxhakut i filluan partizanët. Ata, për dallim nga çetnikët vranë vetëm të rriturit,intelektualët, parinë e qytetit, ata të cilët nuk u pajtua me ideologjinë komuniste. Ata i vranë me një procedurë të thjeshtë. I nxirrnin nga shtëpitë, i arrestonin me shpejtësi, i merrnin në pyetje, “i gjykonin”, i dënuan dhe i ekzekutuan… Ky gjenocid komunist është dukshëm më i vogël, por për nga cilësia shumë më i vështirë . Pra në Haxhet në Novi Pazar janë vrarë një numër i madh të dëshmorëve, njerëz të pafajshëm të cilët paguan çmimin për shkak se kanë luftuan kundër çetnikëve … Çetnikët i kapnin, i sillnin nga pylli, i merrnin në pyetje, iu kërcënoheshin që të mos kthehen në radhët e çetnikëve. Atyre iu falën të gjitha mëkatet, sepse qysh në nëntor 1944 çetnikët u amnistuan por jo edhe të tjerët … ”

Popullit të Sanxhakut iu deshën 50 vjet kohë për të mbledhur forcë për rehabilitimin e Aqif Blytës, i cili është një nga figurat më të ndritura të Sanxhakut dhe më gjerë. Populli i Sanxhakut këtë e bëri nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Këshillin Kombëtar Mysliman të Sanxhakut (sot Këshilli Kombëtar Boshnjak ) më 11 maj 1991. Megjithatë, intelektualët e Sanxhakut ende janë në pamundësi të ballafaqohen me bërthamën e kësaj çështjeje, me për përpunimin në aspektin shkencor të rolit dhe rëndësisë së milicisë myslimane në Luftën e Dytë Botërore, prijës i së cilës ishte Aqif Blyta.

Me disa përjashtime siç janë Mustafa Memiq, Safet Banxhoviq dhe historiani Esad Rahiq, mandej edhe Instituti për hulumtimin e gjenocidit të komunizmit në Sanxhak, po japin kontribut të çmuar, por ende nuk është ndriçuar e vërteta historike e kësaj treve. Trevë, e cila deri atëherë ka qenë e populluar me shumicë shqiptare, për të cilën sot rrallë kush flet. Esad Rahiq me të drejtë shtron pyetjen: A janë “kuislingët” lokal si Aqif Blyta, Ahmet Daca, Bilall ( 1909) dhe Dervish Dreshaj (1907) nga fshati Gllogovik, Peshter, me të vërtetë tradhtarë, apo anasjelltas, të cilët ishin njerëz shumë të guximshëm që shpëtuan qytetin tonë nga gjenocidi i plotë? Këtë dhe shumë çështje dhe dilema të tjera mund të zgjidhen vetëm me një studim të plotë, konciz dhe me kritere të vërteta të bazuara në të vërtetat historike.

Të shpresojmë se në të ardhmen, në shënimin e kësaj date shumë të rëndësishme për të kaluarën historike, të marrin pjesë, përveç përfaqësuesve të OJQ “Kosova për Sanxhakun” nëse jo nga strukturat qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës, të paktën, pasardhësit, gjegjësisht, familjarët e këtyre viktimave.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …