Më 6 janar, të vitit 1945 Brigada e Drenicës nën komandën e Shaban Polluzhës hyn në Mitrovicë. Komandanti Polluzha i hipur mbi kalë të bardhë dhe i përcjellë nga dy djelmosha të cilët bartnin lart flamurin kombëtar, marshimin rrugëve të Mitrovicës e bënë edhe më madhështor. Dy anët e rrugës përplot me qytetarë të Mitrovicës dhe të rrethinës pritën Brigadën me duartrokitje, me gëzim e hare, e në mesin e tyre kishte edhe të tillë nga ngazëllimi u shkonin lotët për faqe. Sipas planit, Brigada u vendos në ndërtesën e Gjimnazit “Hasan Prishtina”. Atmosfera rreth e përqark ishte e zymtë. Në të gjitha ndërtesat përreth ishin fortifikuar ushtarët serbo-malazezë. Nga tërë kjo gjendje e krijuar fitohej përshtypja se duhej pak kohë për të filluar konflikti i armatosur. Pas vendosjes, Shtabi mori të gjitha masat e sigurisë, dhe iu rekomandua kuadrit komandues që t’i shmangen provokimeve eventuale të armikut.
Në momentin kur duhet të fillonin bisedimet, nga Shtabi Operativ për Kosovë e Metohi arriti një telegram, me të cilin Fadil Hoxha kërkonte falje kinse i zënë me punë nuk do të mund të merrte pjesë në takimin që do të zhvillohet në Mitrovicë, porse ka autorizuar Milija Kovaqeviqin dhe komandantin e e Komandës së vendit në Mitrovicë të marrin pjesë në bisedime. Në telegram Shaban Polluzhës i rekomandohej që edhe ai të vepronte sipas direktivave të Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi. Në ndërtesën ku ishte vendosur Brigada e Drenicës, erdhën për bisedime përfaqësuesit e Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi, të cilët në përcjellje të 200 ushtarëve kishin sjellur materialin për regjistrimin e luftarëve të Brigadës së Drenicës, për caktimin e tyre në njësitë serbo-malazeze dhe për ti dërguar jashtë Kosovës. Përfaqësuesit e Shtabit Operativ informuan komandantin Shaban Polluzha me urdhëresat që i kishte lëshuar Shtabi Operativ për Kosovë e Metohi.
a)Luftarët e Brigadës së Shaban Polluzhës duhet të shpërndahen nëpër njësitë ushtarake serbo-malazeze që ndodheshin në Kosovë dhe menjiher të shkojnë në frontet jashtë Kosovës.
b)Shaban Polluzha, si komandant i deritashëm bashkë me 75 ushtarë të mbetet në Kosovë dhe të veprojë nën Komanndën e Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi.
Ndaj këtyre urdhëresave reagoi ashpër Shaban Polluzha, duke iu drejtuar përfaqësuesve kundërshtar tha: “Fadil Hoxha më paska tradhtuar, por duhet të dini se ne kemi Brigadën tonë, e cila sot numëron 2.450 luftëtarë dhe nuk vjen në konsiderim kurrfarë shpërndarjeje e ushtarëve të mi në njësitë tjera ushtarake” .
Pas gjendjes së krijuar Shaban Polluzha kishte urdhëruar që Përfaqësuesit e Shatbit Operativ, bashkë me ushtarët e tyre, brenda 5 minatave të largohen nga kjo ndërtesë dhe nga oborri i saj dhe t’iu merret çdo material për regjistrimin e ushtarëve të Brigadës së Drenicës!
Në mbledhjen e mbajtur të Shtabit të Brigadës së Drenicës, Shtabi erdhi në përfundim se Fadil Hoxha dhe Miladin Popoviqi me qëllim nuk morën pjesë në bisedime. Mandej se qëndrimi i Brigadës në Mitrovicë paraqet rrezik serioz dhe se konflikti i armatosur në këto rrethana do të paraqiste humbje të madhe për Brigadën e Drenicës, e cila në këto momente ishte e rrethuar nga të gjitha anët.
Duke u mbështetur në analizën e gjendjes, Shtabi i Brigadës mori vendim që në mënyrë të organizuar dhe të qetë të tërhiqet nga ndërtesa e gjimnazit dhe vet qyteti i Mitrovicës. Pas tërheqjes Brigada të vendoset në Prekaz dhe në fshatrat tjera përreth. Pikërisht në orë 14. 00 në mënyrë të organizuar, e rreshtuar kalonte nëpër rrugët e Mitrovicës, ku kishin dalë banorët e qytetit dhe e përcillnin nga të dy anët e rrugës. Shumica e përcillnin me lot në sy, sepse kjo Brigadë ishte e vetmja shpresë e tyre se do t’i mbronte nga partizanët e çetnikët. Në mbrëmje, më 7 janar 1945, Brigada e Drenicës u vendos në Prekaz dhe në fshatrat për rreth.