leoni

Ismet Azizi: Serbia kërkon aleat si Esat Pashë Toptanin

Drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, duke harruar të kaluarën dhe krimet e serbëve në Kosovë dhe Shqipëri gjatë Luftërave Ballkanike, vlerëson se Serbët dhe shqiptarët e Kosovës deri në vitin 2025 mund të jenë aleatë dhe miq. Por, kjo do të varet nga hapat e politikanëve në Beograd dhe Prishtinë që do t’i bëjnë gjatë viteve të ardhshme.

Gjuriq ka thënë se Serbia këtë vit përkujton Esad Pashë Toptanin, aleatin e saj, i cili i kishte ndihmuar në të gjitha luftërat në fillim të shekullit të 20-të.

Sipas tij, Esad Pashë Toptani ishte një aleat i madh dhe mik i serbëve, i cili Ushtrinë serbe në tërheqje nëpër Shqipëri me xhandarët e tij i ka mbrojtur nga “bandat plaçkitëse të kaçakëve”, dhe i cili pas përcjelljes së mbretit serb dhe qeverisë serbe vazhdoi të luftojë në anën serbe edhe në frontin e Selanikut.

“Këtë shembulli kam dashtë ta potencoj sot me qëllim të ilustrimit se në historinë tonë nuk ishte edhe aq zi, dhe se në të ardhmen tonë, për dallim nga e tashmja dhe kaluara, nuk është e domosdoshme të jetë krejt zi”, përfundoi Drejtori i Zyrës serbe për Kosovë.

 

Gjuriq duhet ta kthejë mendjen në të kaluarën, për t’iu qasë zgjidhjes së konfliktit me Shqiptarët.

 

Zgjidhja e konfliktit me shqiptarët nuk mund të bëhet duke kujtuar Esad Pashë Toptanin, i cili ishte një tradhtar i popullit të vet. Esad Pashë Toptani është një shembull i keq për Serbinë përderisa ajo nëpërmjet tij mundohet të praqet marrëdhënie miqësore me Shqiptarët. Të gjithë shqiptarët, kudo që janë, Toptanin e konsiderojnë si një tradhtar të popullit të tij. Me këtë hap Serbia na bënë të qartë se nuk ka ndërmend të lidhë miqësi me Shqipërinë, për deri sa ende e konsideron Toptanin aleat. Shqiptarët as që kanë lejuar që Toptani të varroset në Shqipëri dhe kështu varri i tij ka mbetur në varrezat serbe në Paris.

Me fjalë të tjera, Serbia me këtë gjest na bënë me dije se nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj shqiptarëve. Pra, Serbia me shqiptarët nuk angazhohen për të krijuar bashkëpunim të barabartë, por me individë të cilët mbështesin atë në dëm të vetvetes. Madje, Serbia mendon se në mesin e shqiptarëve ende mund të gjej aleatë që do t’i udhëhiqte dikush si Esat Padhë Toptani.

Ai duhet të dijë se çfarë ka deklaruar bashkëkombësi i tij, gjegjësisht deputeti në Kuvendi Mbretërisë SKS, Dragisha Lapçeviq, për çështjen shqiptare, të mbajtur më 6 shkurt të vitit 1914.

“Politika e qeverisë sonë ka krijuar kushte të tilla dhe këto kushte, për shumë vite, ndoshta, për shumë dekada do të përsëritet konflikti dhe fatkeqësitë në mes të dy popujve fatkeq. Konsideroj se politika e qeverisë serbe me marshimin e parë ndaj shqiptarëve ishte e gabuar, e dëmshme dhe për të ardhur keq, si për lirinë popullit shqiptar, si dhe për paqen dhe qetësinë e popullit serb. Me një gjë duhet të jemi të qartë dhe një duhet të pajtohemi: në Perëndim të Gadishullit Ballkanik është një komb i cili dëshiron të jetojë jetën e vet të lirë. Qeveria e Serbisë nuk duhet ta përulë Shqipërinë dhe të nënshtrojë popullin shqiptar. Shqiptarët shekuj me radhë me popullin serb kanë jetuar në fqinjësi të përbashkët.

 

Në proklamimet luftarake, këto marrëdhënie përmenden me theks të veçantë. Kemi shembuj në historinë e kohëve të fundit kemi shembuj se shqiptarët gjithmonë kanë dashur të jetojnë në marrëveshje me Serbinë, në partneritet me ta për të fituar lirinë nga turqit, populli serb dhe ai shqiptar.

Në vitin 1806 në bedemet e Beogradit janë dëgjuar britmat e vërsuljes në gjuhën shqipe. Në historinë e Shumadisë, dhe në revolucionin e saj, ne gjejmë njerëz që janë revolucionarë shumë të zgjuar dhe me origjinë shqiptare. Ne nuk duhet të harrojmë se në vitin 1829 shqiptarët kanë dashur dhe kërkuar lidhjet me Serbinë, këtë e kanë përsëritur edhe në vitin 1847 dhe Serbia mbeti e shurdhër ndaj kësaj thirrjeje.

 

Ne e dimë se shqiptarët në vitin 1875 dhe 1876 kanë dashur të jenë në një bashkësi me Serbinë, dhe se Serbia në vitin 1878 ka dëbuar dhe shpërngulë shqiptarët nga katër rrethet të cilat i kishte pushtuar. Në pranverën e vitit 1904 ata dërguan një delegacion në Beograd dhe kërkuan asgjë më shumë se vetëm një qasje miqësore të Serbisë për lëvizjen e tyre për autonomi. Dhe së fundi, në vitin 1912 prijësit shqiptarë kanë ardhur në Beograd kanë bërë takime me qeverinë serbe, mandej takime me z. Pashiq dhe janë vënë në dispozicion: për të lehtësuar depërtimin e ushtrisë serbe me kusht që Serbia t’ua mundësojë që ata të çlirohen nga Turqia dhe të fitojnë autonominë e tyre.

Në vend që Serbia, e cila aq shumë kohë ka luftuar për çlirimin e vet, dhe të bëjë gjithçka nga ana e sajë që shqiptarët të fitojnë lirinë e tyre – Serbia e ka dërguar ushtrinë e vet ta shkelë Shqipërinë, për të kaluar në detin Adriatik me dëshirën për ta nënshtruar dhe ta robëroj popullin shqiptar. Serbia ka mundur të veprojë që Shqipëria të arrijë deri te autonomia dhe shteti i vet nacional. Sikurse të ishte bërë një gjë e tillë, kjo kishte me krijuar një miqësi të mirëfilltë, kishte me krijuar kushte për lidhje të forta dhe krijimin e një bashkësie ekonomike në mes Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo kishte me qenë një pikënisje për marrëveshje politike. Në vend të kësaj atje u shkua me pushkë dhe top, dhe jo vetëm që u kryen krime të cilat nuk i shkojnë në nderë një shteti, i cili dikur ka pasur traditë revolucionare dhe çlirimtare, por u krijuan kushte për fërkime të përhershme ndërmjet Shqiptarëve dhe Serbëve.

Ne vazhdimisht do të kemi kobure dhe fatkeqësi nëse Serbia nuk vendos ta ndryshojë politikën në drejtim të kontaktit të plotë me popullin shqiptar dhe krijimin e një lidhje të fortë me të” (përfundim i citatit. Përshtati autori I. A).

Përderisa serbët e konsiderojnë vitin 1912 si vit të çlirimit të Kosovës dhe Sanxhakut nga Turqia, ndërsa shqiptarët, këtë vit të okupimit nga Ushtria serbe, është e natyrshme që nuk mund të imagjinohet në të ardhmen e afërt ndonjë lloj pajtimi.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …