Provokim i radhës i qeverisë serbe. Selia e institucionit të arsimit të lartë në Novi Pazar në shitje. Proteston Zukorliq, themeluesi dhe rektori i parë i këtij institucioni. Në mesin e objekteve të shumta të Holding Kompanisë “Raska” në Novi Pazar, e cila është në falimentim që nga viti 2013, Agjencia e Serbisë për Privatizim ka vënë në shitje edhe ndërtesën ish administrative së ish-gjigantit të tekstilit. Ndërtesa me 1,042 metra katrorë, e cila është ofruar me një çmim fillestar prej 65 milion, që nga viti 2002 është selia e Universitetit Internacional të Novi Pazarit, themelues dhe rektor i parë i të cilit ishte Myftiu i Sanxhakut Muamer Zukorliq. Universiteti ndërkohë ndërtesën në fjalë e ngriti edhe për dy kate. Ndërsa, myftiu Zukorliq dhe kryetari i Bashkësisë Islame në Serbi Dr. Mevlud Dudiq, protestojnë ashpër në lidhje me këtë provokim të rëndë nga organet e qeverisë serbe.
Zukorliq ka theksuar “ kombinatit të atëhershëm të tekstilit “Raska” i kemi dhënë hua dhe pasi që paratë nuk na janë kthyer, ndërtesa ka kaluar në pronësi tonë”. Sipas Vecernje Novostit, Zukorliq, po ashtu, kërkon nga Agjencioni Serb i Privatizimit që ta përjashtojnë nga shitja ndërtesën administrative të Holding Kompanisë “Raska”.
Mevlud Dudiq konstaton se objekti është ndërtuar në tokën e cila është pronë e Vakufit ( Bashkësisë Islame) të cilën shteti duhet t’ ia kthejë Bashkësinë Islame dhe ky objekt nuk mund të shitet. Përveç Agjencisë së Privatizimit, kërkesën që ndërtesa në fjalë mos të shitet, i është dërguar edhe Qeverisë së Serbisë dhe Kryeministrit Vuçiq.
Pak njerëz në Novi Pazar dinë se si arriti Universitet Internacional të vendoset në lokalet e këtij kombinati, i cili në atë kohë ishte duke punuar, mandej kishte shumë të punësuar dhe se si janë kryer transaksionet midis Bashkësisë Islame dhe kreut udhëheqës të “Rashkës”. Mbështetje maksimale për themelimin e Universitetit Ndërkombëtar në atë kohë ka dhënë kryeministri i atëhershëm i Serbisë Zoran Gjingjiq, i cili gjithashtu mori pjesë në ceremoninë e hapjes. Universiteti Ndërkombëtar i Novi Pazarit ende ka probleme me akreditimet e nevojshme nga komisioni përkatës shtetëror edhe pse ka degët e veta gjithkah në Serbi (Beograd, Novi Sad, Nish) e së fundmi, nga viti i kaluar, edhe në Preshevë. Edhe para disa viteve kishte ndodhë një rast i ngjashëm edhe me Fakultetin e Studimeve Islame në Novi Pazar, i cili është i vendosur në ndërtesën, pronë e së cilës është BI (Vakafit) për ndryshe ndërtesa e dikurshme e Shtëpisë së Mallrave “ Gërmia” Prishtinë. Disa herë me radhë fakulteti i Studimeve Islame është kërcënuar nga marrja me dhunë e kësaj ndërtese .
Atëherë, studentëve, prindërve të tyre, mësimdhënësve dhe të gjithë myslimanëve nuk iu kishte mbet asgjë tjetër, përveç, sikurse më parë, të organizohen në mbrojtje të Fakultetit të Studimeve Islame dhe Vakufit, dhe me këtë rast grabitësi, pra qeveria lokale, ishte zmbrapsur.
Se si do të zhvillohen ngjarjet në vijim , mbetet të shihet. Por gjithsesi, nëse qeveria e Serbisë nuk heq dorë nga shitja e objektit të Universitetit Internacional, studentëve, prindërve dhe qytetarëve nuk ju mbetet tjetër përveç se të veprojnë njësoj sikurse herëve tjera. Pra, të vihen në mbrojtje të pronës së tyre.