Ismet Hajrullahu: Cili Flamur mund ta përfaqësojë Kosovën?

 


Duke i ofruar simbole shtetërore Kosovës, që nuk i përfaqësojnë vlerat tona të mirëfillta kombëtare, në këto kohëra të papërshtatshme, krejtësisht të errëta, i hapet rruga sharlatanizmit politik që të pranojë copëtimin e mëtejshëm dhe mohimin e autoktonisë shqiptare në Kosovë. Po të mos ishte kështu nuk do të kishte kuptim që të diskutohej forma e simbolit që në këto rrethana po i imponohet shtetit të ardhshëm Kosovës. Kosova, po të krahasohet me shtetet e rajonit, ku në përbërje të tyre kanë përqindje të lartë të minoriteteve, del vendi më homogjen. Klasa politike, duke u nisur vetëm nga ky fakt, se territori i saj nuk ka më shumë se 7% minoritete, nuk do të duhej të pranonte çfarëdo imponimi apo shantazhimi për formën apo dukjen e simboleve tona shtetërore. Në shtetin e kombit artificial maqedonas, që shtrihet pothuaj krejtësisht mbi territoret shqiptare, sipas regjistrimit shtetëror, jetojnë mbi 27% shqiptarë. Edhe pse kjo shifër është shumë herë më e lartë se sa përqindja e serbëve në Kosovë , shqiptarët atje askush nuk i ka pyetur se si do të duken simbolet e shtetit maqedonas. Në Malin e Zi, edhe pse sipas regjistrimit zyrtar, në trevat e tyre jetojnë mbi 7% shqiptarë, që është për dy shifra më lartë se sa e minoritetit serb në Kosovë, jo vetëm që nuk janë pyetur për simbolet shtetërore, por krejtësisht janë injoruar. Në Serbi, ku në mënyrë homogjene në trojet autoktone jetojnë mbi njëqindmijë shqiptarë, as nuk janë pyetur ndonjëherë e as që po pyeten se si do të duken simbolet e këtij shteti. Është më se vërtetë se Bosnjës i është imponuar nga faktori ndërkombëtar organizimi territorial dhe forma e simboleve. Një gjë e tillë nuk mund të merret për bazë dhe as që mund të bëhen krahasime , sepse Kosova ka histori dhe specifika krejtësisht të tjera. Vetëm përfaqësuesit e sharlatanizmit politik mund të bëjnë krahasime të Kosovës dhe popullit të saj me kombe dhe shtete që janë krijuar në vitet 70-ta, përkatësisht në vitet 90-ta. Në këtë rast ua përkujtojmë “Baballarëve të Kombit” dhe faktorit ndërkombëtar se shqiptarët janë një ndër kombet më të vjetra të këtij kontinenti, dhe si i tillë e kanë formësuar me kohë kulturën dhe simbolet e tyre kombëtare. Simbolet e caktuara emblematike që përfaqësojnë karakterin e një kombi apo shteti, ngërthejnë në vetvete të gjitha vlerat më të larta historike. Edhe simbolet që përfaqësojnë sot popullin shqiptar, i cili në Kosovë ka një përqindje mbi 92%, janë simbole që përfaqësojnë në mënyrë tipike karakterin dhe kulturën e tij. Profesor Kasem Biçoku, kur flet për origjinën e shqiponjës dykrenore, të cilën e kemi në flamurin kombëtar, pohon se kjo shqiponjë që simbolizonte dy qendra administrative Romen dhe Konstandinopojën, për herë të parë është përdorur nga perandori me prejardhje ilire Kostandini (306 – 337), themeluesi i Konstandinopojës. Këtë flamur e përdori edhe Skenderbeu për të treguar se ai ishte vazhdues i pushtetit iliro-shqiptar paraosman. Ky flamur, me fushë të kuqe dhe shkabë të zezë dykrenore, që sot është bërë simboli i nderit dhe unitetit të kombit, ka dalë si rezultat i përpjekjeve dhe luftërave të shqiptarëve për pavarësi nga pushtuesit osmanë, serbo-sllavë dhe grekë. Në kohën më të re historike po ky flamur i lavdishëm qe prijës i tri luftërave të fundit që u zhvilluan për lirinë dhe pavarësinë e trevave shqiptare. Nisur nga këto fakte, të diskutosh sot duke e vënë në mëdyshje simbolin që i ka përfaqësuar shqiptarët e Kosovës edhe në kohërat më të egra të okupimit klasik, do të thotë se sharlatanizmi politik e shkencor përfundimisht është bërë pjesë gërryese historisë dhe kulturës kombëtare. Shqiptarët, që në Kosovë përbëjnë shumicën absolute, nuk mund ta pranojnë për flamur shtetëror çfarëdo simboli, që në vete nuk i ngërthen vlerat e tyre të mirëfillta kombëtare. Flamuri i shtetit të ardhshëm si simbol patjetër duhet ta ketë në fushë të kuqe shqiponjën e zezë dykrenore që është formësuar shumë shekuj më parë. Për dallim nga Flamuri Kombëtar, që sot përfaqëson edhe Shqipërinë e kufijve të vitit 1913, deri sa është e domosdoshme, mund të merret për bazë flamuri i vitit 1920, me të cilin flamur shteti shqiptar për të cilin kanë derdhur gjak edhe shqiptarët që kanë mbetur jashtë Shqipërisë së sotme , u anëtarësua në Ligën e Kombeve. Ky flamur ngërthen në vetvete të gjitha vlerat dhe aspiratat e popullit shqiptar të Kosovës. Flamuri i vitit 1920, ka fushën e kuqe dhe shqiponjën e zezë dykrenore, që për dallim nga shqiponja e flamurit të Republikës së Shqipërisë, ka sqepin e verdhë, kthetrat e verdha si dhe mbi sy disa vijëzime të lehta me ngjyrë të bardhë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka marr vendim për ndarjen e nga 100 eurove për çdo fëmijë dhe pensionist

Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka marr vendim për ndarjen e nga …